Ilir Meta-Edi Rama, rikthehet përplasja

18:06 | 10/11/2018

Për herë të parë një president, i refuzon kryeministrit dekretimin e një ministri. Një precedent që riktheu përplasjen frontale mes Ilir Metës e Edi Ramës. Dritëhijet e kësaj beteje politike, me mekanizma institucionalë sjell këtë javë Mimoza Kociu me Politika në ABC News.

Ilir Meta dhe Edi Rama u përplasën fort publikisht, me shkak dekretin për ministrin e ri të Brendshëm. Për herë të parë një president i refuzoi një Kryeministri dekretimin e një ministri, edhe pse Kushtetuta është krejt e ngurtë në këtë kompetencë të kreut të shtetit.

Kryeministri nuk u dorëzua, por e emëroi të refuzuarin, zv/ministër me kompetenca ministrore dhe i propozoi për herë të dytë presidentit për ministër të Brendshëm të njëjtin emër, dy akte këto, njëlloj të paqarta në mbështetjen ligjore.

Në këtë përplasje mes Metës dhe Ramës, që ka tipare politike më shumë se institucionale, shkëlqen mungesa e një qëndrimi të Lulzim Bashës. Ndërkombëtarët duan një Ministri të Brendshme plotësisht funksionale, ndërsa mungesa e Gjykatës Kushtetuese, që deri tani ka lejuar cdo lloj vendimmarrje sado e dyshimtë apo e kritikuar fort, po i kthehet në pengesë vetë shefit të qeverisë, për të ndarë të drejtën nga ambicia politike.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Muajt e fundit, i ktheu dy herë ligjin për teatrin dhe atë që njihet si ligji për tatimin mbi të ardhurat, edhe për lojërat e fatit. Me forcën e kartonëve, Kryeministri ia rrëzoi dekretet në Kuvend. Pak ditë më parë, shefi i qeverisë i çoi dy propozime të reja: shkarkimin e Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm, e emërimin si pasardhës, të këshilltarit të tij për sigurinë prej 5 vitesh, gjeneral Sandër Lleshi. Shkarkimin e Xhafaj e firmosi menjëherë, ndërsa 7 ditë më vonë, mbrëmjen e të shtunës së 3 Nëntorit, në celularët e gazetarëve mbërriti ky mesazh nga zyra e shtypit e kreut të shtetit.

Vendimi nuk ishte surprizë, pasi Presidenti e kishte bërë të ditur një natë më parë nga një studio televizive. Vendimi lakonik i përcjellë tek gazetarët, nuk u pasua me dekretin refuzues e sqarimin formal, sipas traditës kushtetuese të institucionit. Sipas kushtetutës, kreu i shtetit shprehet me dekrete, ndërsa hapësira kushtetuese për këtë lloj vendimmarrje është e kufizuar.

Nuk janë të panjohura rezervat publike ose jo, të Presidentëve paraardhës të Metës, për emra të caktuar ministrash, por asnjëri prej tyre, me të njëjtat kompetenca, nuk kishte gjetur hapësirë për të kapërcyer pikën 1 të nenit 98 të Kushtetutës. Pafuqinë madje e kishte shprehur publikisht paraardhësi i Metës, Bujar Nishani, pasi kishte rezerva për emrin e propozuar për ministër të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

President Meta i kishte dhënë rezervat në një studio televizive. I kishte çuar një shkresë informuese Kryeministrit, e të nesërmen ky i fundit i kërkoi të sqaroheshin sy më sy, për arsyet e refuzimit të Sandër Lleshit. Thjesht mund të imagjinohet atmosfera e asaj bisede 90 minutëshe apo tonet e përdorura, por pak, e pak minuta më vonë zyra e shtypit e qeverisë bënte të ditur se bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe se kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës. Por aktet që pasuan, dëshmuan kundërveprimin. Në takimin e të hënës me grupin parlamentar, duke i informuar për komunikimin me Metën, Rama u tha të vetëve se presidenti kishte shkelur kushtetutën

U bëri gjithashtu të ditur të vetëve se Lleshi do e merrte detyrën e ministrit qoftë edhe i komanduar, e rruga do i hapej pas miratimit të nesërmen në një seancë të posaçme, dekretit për shkarkimin e Fatmir Xhafajt. Kishte vendosur të fliste. E njoftoi në Twitter, duke rritur pritshmëri publike e ethe politike. Ilir Meta reagoi në dy mënyra: së pari shprehu gatishmërinë për të sqaruar kuvendin për refuzimin e emrit të Leshit për ministër të Brendshëm. Zhveshi kostumin e presidentit, duke i bërë Kryeministrit një krahasim të fortë me kohën e diktaturës

Mënyra e dytë ishte permes firmosjes së tre dekreteve. Kishte thirrur Gramoz Ruçin, me të cilin kanë ndarë vite intensive në PS, që prej rithemelimit të saj e deri kur Ilir Meta u shkëput në 2004 për të krijuar LSI. Në njoftimin e presidencës thuhej se presidenti e njohu kryetarin e Kuvendit me konsultimet e kreut të shtetit për datën e vendoreve të ardhshme dhe procedurat për kreun e ardhshëm të KLSH. Në fakt pjesë aspak e parëndësishme e bisedës, kishte qenë edhe refuzimi i propozimit të Km, e Ruci i kishte bërë të ditur Metës, se mazhoranca e konsideronte antikushtetues vendimin e tij.

Teksa Ruçi po linte presidencën, kreu i shtetit njoftoi se kishte dekretuar të dielën e 30 Qershorit 2019 si datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Disa orë më vonë shpalli një tjetër dekret: mes 34 kandidatëve, kishte përzgjedhur gjykatësen kushtetuese, njëkohësisht anëtare e KED Vitore Tusha, për postin e kreut të KLSH.  Dekretet nuk mbaruan me kaq. Të nesërmen, ditën e seancës së posaçme parlamentare ku Rama kishte paralajmëruar se do fliste, që në 08 të mëngjesit, në celularët e gazetarëve mbërriti njoftimi se kreu i shtetit kishte dekretuar Helidon Bendon në krye të SHISH, një propozim i Kryeministrit të cilin e mbante prej më shumë se 12 muajsh në zyrë, pa firmë.

E paqartë se çfarë e bindi në këtë moment kreun e shtetit, që të njëjtën ditë të shpalljes së atij vendimi, nisi një vizitë tre ditore në Kalabri, një mundësi komode për t’iu shmangur disa ditë debatit me Kryeministrin. Ky i fundit e përcolli me vlerësim dekretimin e Bendos, por vijoi planin e njoftuar. Foli për një krisje kushtetuese e shkelje të saj nga presidenti, por i dorëzuar se mungesa e Gjykatës Kushtetuese tashmë i ishte kthyer kundër, e nuk i kishte mbetur vecse të lexonte letrën që i kishte dërguar kreu i shtetit. Interesant mbeti qëndrimi i opozitës. Ditën e rrëzimit të emrit të Sandër Lleshit, Basha foli për largim të Edi Ramës.

Po sa mund të vijojë vallë kjo situatë? E shkuara jo fort e largët, ka precedentin e Ilir Metës që si kryeministër që në kapërcyell të vitit 2002, nuk rezistoi dot më shumë se 6 javë me zv/ministra, pasi Fatos Nano e pengonte të siguronte votëbesimin për zëvendësimin e tre ministrave, që iu dorëhoqën gjatë KPD së famshme Dhjetorin e 2001, pasi u akuzuan nga Nano për korrupsion.

Por kur u ndërruan rolet, Fatos Nano ia doli të rezistonte 6 muaj me zv/ministra prej Korrikut deri në Dhjetor 2003, kur Ilir Meta zv/kryeministër e ministër i jashtëm nuk u largua i vetëm nga qeveria. Padyshim që ndryshe prej tyre, Edi Rama ka komoditetin e numrave në kuvend. Por tashmë kjo nuk mjafton për kryeministrin e një vendi anëtar të NATO-s e në pritje të hapjes së negociatave të antarësimit, sidomos për një ministri që ka një sfidë në proces me krimin e organizuar e trafikun e drogës.  Dy ditë më vonë, natyrshëm pas një procesi më të gjatë konfirmimi të qëndrimit me DASH, për shkak të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, erdhi i ngjashëm edhe reagimi i ambasadës amerikane./abcnews.al




Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono