Ilir Meta e Edi Rama luftë me institucione

14:20 | 15/06/2019

Një përplasje institucionale e paprecedentë iu shtua krizës katër mujore politike në vend. Dritëhijet e lëvizjeve të aktorëve dhe mënyrës se si institucionet i iënshtrohen autoritetit politik e jo ligjit, na i sjell Mimoza Kociu në ABC News.

Kriza politike që vijon prej 4 muajsh në vend, u shndërrua në një krizë të pastër institucionale kur presidenti anulloi zgjedhjet e 30 qershorit. Ishte momenti kur strategjia e Kryeministrit për ndikimin e opinionit publik, u shfaq e fuqishme e me efekte mbresëlënëse. Dekreti u shpërfill nga KQZ por jo nga bashkitë që drejtohen nga opozita. Socialistët morën 100 vota në kuvend për rezolutën që inicion shkarkimin e Presidentit. Ky i fundit po paralajmëron lëvizjen e shkrirjes së kuvendit që ka ngecur në nr e 122 deputetëve nga 140 qe parashikon kushtetuta. Lulzim Basha u rikthye në vëmendje të prokurorisë dy herë brenda javës, për dëshminë e dijenisë mbi 3.4 milionë eurot e kapura në Durrës dhe një njoftim se do merret i pandehur për cështjen e shpenzimeve të lobimit në SHBA. Të gjitha brenda një jave, duke sfumuar plotësisht efektin publik të përgjimeve të publikuara nga tabloidi gjerman bild për zgjedhjet e 2017 në Durrës, si dhe refuzimin zyrtar të Holandës për hapjen e negociatave për vendin tonë.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Të hënën e 10 qershorit Presidenti nënshkroi para mediave që në mëngjes dekretin e shfuqizimit të datës së zgjedhjeve. Gjesti i shqiponjës ishte mesazhi vizual i argumentimit me 8 pika, bazuar në nenin 86 të kushtetutës, që e njeh kreun e shtetit si përfaqësues të unitetit të popullit, një mundësi për të hapur dialogun mes Ramës e Bashës, përballë njoftimeve shqetësuese që tha se ka marrë zyrtarisht.

Meta shigjetoi fort Ramën kur foli për mohim të të drejtës së zgjedhjes së qytetarëve nga këmbëngulja e mazhorancës për të shkuar në votime e jo zgjedhje.

(neni 92 gj dhe 93) Çdekretimi si akt formal, nuk përmendet në Kushtetutën e vendit, e cila parashikon se kreu i shtetit cakton datën e zgjedhjeve dhe nxjerr dekrete. Por shfuqizimi është një praktikë e njohur nga paraardhësit e Metës, që në cdo rast është marrë me dakordësi të aktorëve politikë, duke shmangur një ankimim të dekretit në GJK. Km Rama është shprehur gjithnjë kundër shtyrjes së datës së zgjedhjes, e sic ishte paralajmëruar, socialistët mblodhën kryesinë e aktivizuan një seancë të posacme parlamentare me debat 5 orësh në mbështetje të një rezolute për të nisur procedurat e shkarkimit të kreut të shtetit.

Rama thirri ambasadorët e BE e SHBA në zyrën e tij. Për rreth 90 minuta i ka njohur me vendimin për shkarkimin e Metës, e vullnetin për të vijuar me zgjedhjet e 30 qershorit, që i kishte bërë publike edhe ministrja Spiropali

Në të njëjtën linjë u shfaq edhe KQZ, pas mbërritjes aty sipas rregullit të dekretit të presidentit për anullimin e datës së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Organi jo kushtetues i administrimit të zgjedhjeve, çdo herë e nis punën për përgatitjen e zgjedhjeve vetëm pas një dekreti presidencial të datës së zgjedhjeve. Fuqia e katër kartonave të anëtarëve të propozuar nga e majta, i ndau me kryetarin e propozuar nga e djathta.

Zgjodhën ta anashkalojnë, duke e patur të qartë se nuk mund të shprehen me një vendim ndaj një dekreti presidencial.

Në këtë moment nisin përpjekjet për të patur në krah zëra ndërkombëtarë. Përfaqësuesi i organizatës që monitoron zgjedhjet, ai i OSBE, u kujdes ta trajtonte si një çështje të brendshme të shqipërisë

Por pati të tjerë që nuk e panë si pengesë. E para zëdhënësja e Federica Mogherinit. Duke iu përgjigjur interesit të “ABC News”, Koçijançiç është shprehur se vendimet e partive të opozitës, fillimisht për të djegur mandatet dhe më pas për të mos hyrë në zgjedhje dëmtojnë Shqipërinë.

Edhe Kryetari i radhës i OSBE,  ministri i jashtëm sllovak Miroslav Lajčák theksonte pritshmërinë që udhëheqësit politikë të veprojnë në përputhje me parimet demokratike, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për të votuar për përfaqësuesit e tyre, brenda kufijve kohorë të vendosur nga kuadri ligjor shqiptar.

Në qëndrim më diplomatik pati një delegacion i Bundestagut që vizitoi Tiranën.

Ndërsa mazhoranca vijonte fushatën, në një dalje të dytë, Presidenti kujtoi se dekretet e tij janë të detyrueshme për zbatim

Një shigjetim pati edhe për ndërkombëtarët, mes tyre zvndihmës sekretari Mattheë Palmer, që u kujtonte të gjithëve, se prishja e procesit zgjedhor sjell si penalitet ndalimin e hyrjes në SHBA. Duke i kërkuar për herë të dytë nominalisht Bashës e Kryemadhit distancim nga dhuna, z.Palmer kujtonte se vëzhgues amerikanë do i bashkangjiteshin si zakonisht misionit të OSBE-ODIHRIT për zgjedhjet e 30 qershorit.

Zgjedhjet do bëhen më 30 qershor, ishte fjalia lakonike e Ramës e postuar në Tëitter, teksa ndodhej për takime në bruksel pak ditë para samitit të Këshillit Europian, një test i parë për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut që presin hapjen e negociatave. Pas takimeve me zyrtarët e lartë në fund të mandatit, shefen e diplomacisë Mogherini, Presidentin e KE Tusk e presidentin e KE Junker, mori një mbështetje të qartë nga ky i fundit, jo për ndikimin në vendet euroskeptike, por për mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor

Ndryshe nga Junker, Raportuesi për Shqipërinë në PE, eurodeputeti në mandatin e fundit, Fleckenstein ishte shfaqur më fleksibël në leximin e situatës politike në vend

Në Tiranë tensioni vjen në rritje. Opozita e zyrtarizoi paralajmërimin se nuk do lejonte mbajtjen e zgjedhjeve përmes miratimit në Forume të ngritjes së atyre që do quhen aleanca qytetare në 61 bashki të vendit në mbrojtje të demokracisë.

Mazhoranca nga ana e saj duket po aq e vendosur. Me një rezultat që shihet tepër rrallë në Kuvend, 100 vota pro e 7 kundër u miratua rezoluta e socialistëve që konstatonte se meta kishte shkelur kushtetutën e penguar zhvillimin e zgjedhjeve. Në pikën 7 parashikohen mundësinë e ngritjes së një komisioni hetimor, që do provonte fajësinë e presidentit, për të vijuar më pas me shkarkimin e tij.

Në fjalën e gjatë në kuvend, Rama u kujdes ta portretizonte Ilir Metën si problematik në nivel individual, edhe pse 26 muaj më herët, Meta mori 87 vota si President, edhe me mbështetjen e Ramës, në të njëjtën sallë.

Neni 90 i kushtetutës parashikon se Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Rezoluta e votuar në kuvend e konsideron shkelje të rëndë anullimin e datës së zgjedhjeve, por kjo do duhet provuar nga një komision hetimor parlamentar, që sipas traditës ka një afat 3 apo 6 mujor, e më pas vendimi për shkarkim do duhet të marrë 2/3 e vota në kuvend. Vendimi nuk ka vlerë nëse nuk çertifikohet nga Gjykata Kushtetuese e cila prej dy vitesh është jashtë funksionit. Rruga e parashikuar ligjerisht është e gjatë, e duket arsyeja pse Rama, pasi e tejkaloi me 6 vota votimin kushtetues, duke patur formalisht 79 mandate në kuvend, e fton Metën të kërkojë ndjesë.

Përse vallë Kryeministri insiston që të shkojë i vetëm në zgjedhje, kur të paktën dy aktorë, Meta e Basha duken pro shtyrjes? Përsërit se atij personalisht nuk do i prishte punë shtyrja e zgjedhjeve, por narrativa argumentuese është shqetësimi për itegrimin e vendit.

Por nga fronti i hapjes së negociatave, lajmet janë dekurajuese për Shqipërinë, sidomos kur paralajmërohet drita jeshile për Maqedoninë. Holanda, një nga dy vendet e BE, bashkë me Gjermaninë ku vendimi për hapjen ose jo te negociatave merret në parlament, u shpreh kundër Shqipërisë. Të mërkurën e 12 qershorit, një mocion kundër hapjes së negociatave për shqipërinë, që kishte mes iniciuesve edhe partinë e Km Rutte, mori 105 vota nga 150 deputetë të dhumës së ulët. Votën kundër shqipërisë e dhanë deputetë 3 tre parti në qeveri e 6 në opozitë. Në Tiranë lajmi u mbajt në një profil të ulët, e asnjë institucion nuk reagoi, ndryshe nga sa ishte bërë në rastin e votimit nga i njëjti parlament, i rikthimit të vizave për Shqipërinë. Në emër të ambasadës Holandeze në Tirranë u shpërnda një njoftim konfirmues i atij vendimi, duke renditur si shkak punën e pamjaftueshme ndaj korrupsionit e krimit të organizuar.

Por çka nuk u tha, ishte se një mocion i ngjashëm për mos i hapur negociatat as MV, ishte rrëzuar të njëjtën ditë në parlamet. Mocioni mori vetëm 48 vota pro, ndërsa 102 të tjerë votuan që Maqedoninë e Veriut t’i hapen negociatat. Mes mbështetësve edhe 33 deputetët e partisë së Kryeministrit Rute, të cilët në të njëjtin numër kishin votuar kundër Shqipërisë.  Ky duket zyrtarizimi i parë i zërave, se ndryshe nga një vit më parë, këtë herë KE mund ta ndajë në vlerësim MV nga Shqipëria. Shpresat e Maqedonisë së Veriut u dukën edhe më të qarta kur në të njëjtën ditë në Berlin kancelarja Merkel priti në një takim Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zaev, ndërsa ministri i jashtëm priti homologun shqiptar në detyrë.

Sa ndikim mund të kenë vallë mund të kenë artikujt në mediat gjermane si publikimet e përgjimet e Bild në vendimmarrjen e këtij vendi me ndikim në BE? Për kryeministrin kanë efektin e vet

Në Tiranë ndërkohë, pas reagimeve të tre prokurorive për nisje hetimi për nxjerrje të sekretit hetimor për përgjime të publikuara në Bild, heshtja pasoi, edhe pse akuzat për blerje votash janë baza e pretendimeve të opozitës në krizën 4 mujore politike. E rastësishme apo jo, do jetë Lulzim Basha ai që do përballet me prokurorinë të paktën dy herë. Ky dokument i datës 30 prill I prokurorisë belge, u shfaq në media, për të bërë të ditur se Lulzim Basha do pyetej për llogari të drejtësisë belge, si person në dijeni për çështjen e 3.4 milionë eurove të kapura në Durrës në Toyota Yaris për shkak të deklaratave të bëra në parlament, dy ditë para operacionit. Efekti i këtij lajmi u rrit edhe më shumë, kur të enjten pasdite, sipas këtij dokumenti të prokurorisë Lulzim Basha do thirret në Prokurorinë e TR më 17 qershor për t’u marrë i pandehur për të paktën dy vepra penale, lidhur me akuzat për financimet e dyshimta e të padeklaruara të lobimit në SHBA, sipas një investigimi të Mother Jones. Basha që deri tani ka mohuar akuzat, e lexoi menjëherë si presion politik.

Në të njëjtën linjë kishte reaguar edhe për votimin në parlament të rezolutës për shkarkimin e Ilir Metës.

Spikat aftësia e Edi Ramës për të ndikuar më fort publikun. U kujdes vetë, që ta rikthente vëmendjen tek ky hetim i Bashës, që të nesërmen. Një kafe e zakonshme elektorale, ishte sfondi i zgjedhur për ta trajtuar si bisedë rastësore, që publikohej përmes ERTV.

Me paralajmërimin për shkarkimin e Metës e Bashën në prokurori, dukej se Rama fitonte terren politik, por surpriza erdhi nga Ilir Meta. Pas një reagimi të DASH për VOA, se po mbante kontakte me aktorët politikë, pas dekretit të Metës, që i referohej si njoftim i presidentit, e më pas aludimet e Metës se votimet mund të vëzhgoheshin vetëm në Korenë e Veriut, e ngarkuara me punë e ambasadës amerikanë shkoi në zyrën e Presidentit. Duke patur parasysh që Meta nuk ka nevojë për përkthyes, 90 minutat e takimit duhet të kenë qenë më shumë se informuese. Ky status i Metës më pas ku flitej për nevojën për reflektim e përgjegjësi nga të gjithë, u lexua si tërheqje, por nuk rezultoi e tillë. Çka kishte thënë përmes këshilltarit ligjor, e përsëriti të premten paradite, teksa e quajti parlamentin ilegjitim.

Lëvizja pasuese dukej për të provuar formalisht sa legjitim ishte parlamenti. I kërkoi KQZ zyrtarisht numrin actual të deputetëve, edhe pse dihet se pas shterimit të listave të PS e LSI, kuvendi ka ngecur në nr 122 deputetë, 18 më pak se c’e parashikon kushtetura. A po paralajmëron presidenti shpërndarjen e parlamentit, një akt që ia njeh kushtetuta, e që do conte vendin në zgjedhje të parakohshme? Bllof apo jo i Ilir Metës, socialistët në përgjigje po mbledhin firmat për të vijuar procedurat e shkarkimit të kreut të shtetit. E gjitha duket një garë me kohën, që u pasua edhe nga një lëvizje e bashkive që drejtohen nga opozita. Nëse KQZ nuk e konsideron dekretin e Metës e vijon punën, njëlloj si PS fushatën, bashkitë e opozitës njohin dekretin e Metës për anullimin e zgjedhjeve, që ka marrë fuqi me botimin edhe në Fletoren Zyrtare, dhe kërkojnë lirimin e ambienteve të tyre, që përdoren në funksion të procesit zgjedhor. Përgjigjen e parë ia dha vetë Km së pari në tëitter e pastaj me zë e figurë nga fushata zgjedhore

I njëjti paralajmërim erdhi zyrtarisht pak më vonë në emër të anëtarëve të majtë në kqz

Por me opozitën Kryeministri ka edhe një përplasje të re. Arrestimi i ish deputetit të PD Aurel Bylykbashi dhe i drejtuesve të PD në Përrenjas, Librazhd e Elbasan si organizues të pengimit të eskortës së Kryeministrit drejt takimit elektoral në Librazhd.

Pasditen e të premtes strukturat e opozitës vendosën datën e protestës kombëtare të rradhës, të premten e 21 qershorit. Situata në vend i ngjan një absurdi Kafkian, ku kompetencat e Gjykatës së munguar Kushtetuese, po i adopton secili institucion në lexime individuale: Presidenti, ekzekutivi, parlamenti, KQZ e opozita. Në mungesë të një arbitri ndërkombëtar, institucionet tregojnë muskujt njëri tjetrit, duke thelluar atë që tashmë është një krizë e qartë politike e institucionale në vend.

 

 

 

 



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono