I gjithë shteti drejt Durrësit, Rama: Të kontaktohen qytetarët e prekur nga tërmeti

10:56 | 22/09/201910:560

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim ditën e sotme me ministren e Mbrojtjes, ministrin e Brendshëm, prefektët dhe anëtarë të Forcave të Armatosura. Në qendër të diskutimit ishte situata pas tërmeteve që tronditën vendin të shtunën.

Kreu i qeverisë përgëzoi strukturat shtetërore për reagimin dhe theksoi se fokusi ditën e sotme është qyteti i Durrësit duke qenë se ishte më pranë epiqendrës së tërmetit. Rama bëri thirrje për koordinim dhe ndarje punësh mes strukturave pasi duhet t’u gjenden pranë qytetarëve që kanë pësuar më së shumti stres dhe ankth prej lëkundjeve.

Kryeministri kërkoi që të bëhet inspektim i ndërtesave që kanë pësuar dëme për të kuptuar nëse përbëjnë rrezikshmëri ose jo për qytetarët. Rama theksoi se të gjithë prefektët, ministrat dhe deputetët do të jenë në Durrës në ndihmë të qytetarëve të prekur nga tërmetet.

“Meriton vlerësim struktura e emergjencave civile dhe çdo strukturë tjetër që ka bërë detyrën e vet, që nuk ka harruar në asnjë moment të informojë se në këtë moment shkëmbimi i informacionit është baza. Sot është një ditë e vështirë për ata që kanë ndjerë goditjen dhe janë në efektin e atij stresi. Është dita për t’ju qëndruar afër, për t’ju shpjeguar sepse plasaritjet e godinave jo domosdoshmërisht përbëjnë rrezik, në të shumtën e herës nuk përbëjnë rrezik. Ashtu sikurse nuk është çarje kur në pallate funksion fuga sizmike, janë ndarje që bëjnë shkëputjen duke amortizuar goditjen. Është me shumë rëndësi që çdo plasaritje të inspektohen në mënyrë profesionale dhe çdo cënim i dukshëm i çdo pallati të inspektohet se mund të jetë, reagimi i fugës sizmike, por mund të jetë dhe cënim strukturor që e bën të rrezikshme godinën.

Do kërkoja që të gjithë ju, edhe prefektët të spostoheni menjëherë në Durrës me një synim, që çdo familje që hyn në atë rrethin e parë të stresit dhe që dje gjatë gjithë natës ka qëndruar jashtë të kontaktohet. Mbi atë hartë të të dhënave që ka prefektura të bëhet një shpërndarje e forcave dhe çdo familje të kontaktohet për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar.

Do të thotë ju të gjithë këtu, plus strukturat atje të Policisë së Shtetit që kanë kryer një punë voluminoze në aspektin e identifikimit bashkë me strukturat e pushteti vendos dhe strukturat e Mirëqenies Sociale të organizohen dhe shpërndahen në destinacione konkrete dhe brenda ditës së sotme duhen kontaktuar të gjithë sy më sy. Ky është objektivi. Do të angazhohen dhe deputetë dhe ministrat”, tha Rama.

Kryeministri i kërkoi prefektit të Durrësit që të hapet stadiumi i qytetit për të akomoduar të gjithë ata persona që kanë frikë të kalojnë natën në banesat e tyre. Në dispozicion të tyre për lëvizjen, kreu i qeverisë tha që duhen vënë autobusë.

Ndërkohë me prioritet të lartë është verifikimi nga ana e Institutit të Ndërtimit për dëmet. Sipas kryeministrit, ndërtesat e dëmtuara duhen investiguar fillimisht nga jashtë në mënyrë që të sigurohet nëse janë të banueshme ose jo. Më pas sipas tij do të fillojë edhe vlerësimi i brendshëm, ku pritet të ketë edhe spekulantë.

“Inventar të saktë në mënyrë që nesër kur të ketë rënë kjo barrë e rëndë dhe ne të kemi kapërcyer momentin e parë të identifikimit të dëmeve strukturore të kalojmë në fazën tjetër në një hartë të qartë. Harta e dëmeve kërkon përditësim. Do kemi dhe spekulantë dhe kjo gjë kërkon që të bëhet verifikimi në terren”, tha Rama.

Shqipëria u trondit nga një tërmet i fuqishëm të shtunën. Lëkundjet që u regjistruan ishin të magnitudës 5.6 të shkallës Rihter dhe me intensitet 7.5 ballë. Qytetet që pësuan më së shumti dëme ishin Tirana dhe Durrësi. Në këto dy qytete janë raportuar edhe dëme të shumta materiale.

/abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono