“I damkosin dhe i shohin si armiq”, dukuria që denoncon Mustafa Nano

20:36 | 14/06/2019

Në politikën shqiptare Mustafa Nano vë re një dukuri, e cila shfaqet sa herë që një person del kundër komunitetit ku bën pjesë. Në monologun e kësaj puntate të emisionit “Provokacija”, ai u ndal pikërisht tek kjo çështje në dy partitë më të mëdha politike në vend.

Edhe pse mendon se tek Partia Socialiste është më pak e theksuar si dukuri, Nano mori një shembull aktual që ndodhi gjatë seancës parlamentare të së enjtes ku u miratua dhe rezoluta kundër vendimit të Presidentit.

“Seanca e së enjtes parlamentare sikur të mos ishte Pandeli Majko dhe Ditmir Bushati do të ishte një seancë e mërzitshme, banale si të gjitha seancat ndoshta në parlament. Por ishin këta të dy që ndoshta i dhanë ngjyrë seancës sepse ishin dy zëra kundër. Pandeli Majko në diskutimin e vet, i cili bëri bujë tha midis të tjerash se, “data 30 Qershor si datë zgjedhjesh është një datë e diskutueshme”. Ai shprehu këtë frikë se “në qoftë se mbajmë zgjedhje në datën 30 Qershor, kjo do të thotë që do t’i fitojmë të gjitha njësitë vendore dhe kjo do të krijonte premisën për instalimin e  një regjimi në Shqipëri”. Nuk e përmendi regjimin si një disponim që do vinte nga brenda PS-së sipas mendimit tim, por e përmendi si një gjë që do vinte për shkak të një rrethane të caktuar politike. Kjo rrethanë e caktuar politike është ajo që sapo thashë, të gjitha njësitë vendore do të kalonin në duart e socialistëve.

Po kështu Bushati bëri të njëjtën gjë, vuri në diskutim datën e zgjedhjeve si një datë që mund të krijonte probleme. Të dy këta sigurisht fajësuar opozitën për sjelljen që kanë bërë, por dolën kundër mendimit të PS dhe kundër mendimit të kryetarit të tyre. Mua më kujtohet që Norberto Bobbio, politolog italian që nuk jeton më, ka thënë në një moment të caktuar që “forca dhe ndershmëria intelektuale e një robi duket qartë, ose matet me forcën që robi vetë ka për të ngritur zërin kundër një interesi që është i komunitetit të cilit ai i përket dhe ky komunitet mund të jetë një parti, një fe e caktuar, mund të jetë një etni e caktua”. Nëse një intelektual ka forcën e madhe për të qenë kritik ndaj komunitetit të cilit ai i përket kjo është ndershmëria e një intelektuali. Gjë që në Shqipëri nuk vihet re. Në Shqipëri vihet re e kundërta. Nëse në Shqipëri i kundërvihesh komunitetit të cilit i përket ti damkosesh, ti konsiderohesh si armik i popullit. Biles kjo gjë ndodh në PS herë pas here. Kam përshtypjen që edhe në momentin që po flasim mund të ketë socialistë që Majkon dhe Bushatin kanë filluar t’i shohin si armiq të tyre”, tha Nano.

Kjo dukuri është e theksuar edhe te PD-ja sipas Nanos. Sipas tij, edhe pse janë marrë vendime shumë të rëndësishme politike, brenda selisë blu nuk ka dalë një zë kritik.

“Kjo gjë në krahun tjetër te PD-ja është edhe më e theksuar. PD-ja ka një traditë më të gjatë dhe më të konsoliduar të mendjeve ndryshe. Vini re çfarë po ndodh sot. PD ka marrë disa vendime që janë vendimet më të rëndësishme që mund të ketë marrë në historinë politike të veten. Këto vendime janë djegia e mandateve parlamentare, është bojkotimi i zgjedhjeve lokale dhe një vendim i tretë është një vendim që kanë marrë si të thuash për të kërcënuar vendin dhe mazhorancën me një luftë civile nëse zgjedhjet do bëhen më 30 Qershor. Një vendim tjetër ka të bëjë me faktin që PD po e izolon veten përballë partnerëve ndërkombëtar. Asnjë zë, pothuajse asnjë zë i korit perëndimor nuk është dëgjuar kohët e fundit që të flasë në favor të opozitës.

Megjithëse jemi në këto rrethana politike ku do të ishte e natyrshme të dilte një ose dy zëra kritik sepse janë marrë shumë vendime shumë të forta dhe janë “by definition” të diskutueshme e megjithatë nuk ka dalë asnjë zë kritik kohët e fundit brenda PD-së. PD-ja është shumë kompakte në unitetin e vet. Ky unitet nuk është se manifestohet brenda PD-së por manifestohet edhe jashtë PD-së në bllokun e madh të popullit opozitar. Edhe ata kanë bërë të tyren tendencën për të kryqëzuar çdo gjë që del kundër, sepse e konsiderojnë si një zë në shërbim të mazhorancës, si një zë në shërbim të Edi Ramës. Kjo është dukuri e shëmtuar e politikës shqiptare majtas dhe djathtas. Për mua djathtas është më e theksuar dhe majtas më pak, por si duket dukuria ekziston. Dhe në këtë monolog unë doja të denoncoja këtë dukuri”, tha Nano./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono