Humbjet në fund, “sëmundja kronike” e kombëtares ndër vite

15:17 | 12/10/201915:170

Shqipëria vazhdon të humbasë në minutat e fundit. Një histori e nisur gati 40 vite më parë, që ende vazhdon. Pak rëndësi ka kur kemi luajtur. Nëse kombëtares shqiptare i duhet veçuar minusi më i madh, ai duhet të jetë pësimi i humbjeve në minutat e fundit.

Një e metë që nuk u pa për herë të parë këtë mbrëmje tetori në Stamboll dhe që fatkeqësisht do të duhet ta shohim përsëri. Nëse kemi qenë në 1983 apo në 2019, në eliminatore Europiani e Botëror, apo në finalet e Europianit, dallimi ka qenë i vogël, thuajse i papërfillshëm. Pak rëndësi nëse në stol ka qenë një trajner shqiptar, me rrogë të vogël e përvojë të kufizuar, apo një teknik i huaj, shumë më I njohur në botë.

Kush e harron disfatën me Francën në Euro 2016, kur Antuan Grizman realizoi pikërisht në fund, në “Stade de France” të Parisit? Po dështimin zhgënjyes me Portugalinë në eliminatoret e po atij Europiani, në “Elbasan Arena”, kur pësuam ndërsa ndeshja thuajse po mbyllej? E njëjta gjë ndaj Serbisë, në të njëjtin grup dhe po “Elbasan Arena”, ku dy rrjetat e humbjes 0-2 u pësuan në fund.

Historia nis shpejt. Në vitin 1983, në prani të 41 000 tifozëve, në Zarbryken Gjermania Perëndimore fitoi ndaj nesh 2-1 me golin e Shtrakut 10 minuta para fundit. Në vitet 1993, shtylla e Ledio Panos në sekondat shtesë nuk na lejoi të barazonim 2-2 me Gjermaninë, tashmë të bashkuar, në “Qemal Stafa”.

Kaluan 4 vjet dhe ndërsa në Shqipëri vazhdonin trazirat e rënda, kombëtarja luante një nga ndeshjet më të shkëlqyera, humbur 3-4 pas një goli në minutat shtesë. Gol që shqiptarët nuk e panë direkt nga televizori, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.

Në vitin 2001, në Leverkusen u ndëshkuam nga Gjermania 1-2, me golin e parë të realizuar në kombëtare nga Miroslav Klose, që vendosi rezultatin në minutën e 88-të. Në shtator të vitit 2009 humbëm 1-2 në “Qemal Stafa” me Portugalinë, sërish në sekondat përmbyllëse, në eliminatoret e Kupës së Botës 2010. Urimi është që pësimi i Stambollit të bëhet mësim, por duket e vështirë. /ABC NEWS 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono