Historia e ndërtimit të Rrugës së Kombit

16:36 | 02/04/2018

Rruga e Kombit ka nisur të ndërtohet në vitin 2007. ABC News ka përgatitur një përmbledhje kronologjike nga dita kur është bërë shpërthimi i parë simbolik, që shënoi nisjen e punimeve e deri në protestën e fundit ku u dogjën sportelet për pagesën e tarifës së vendosur nga qeveria.

Ky shpërthim simbolik shënoi nisjen e punimeve për projektin më të madh infrastrukturor të ndërmarrë ndonjëherë në Shqipëri, autostradën Rrëshen-Kalimash pjesë integrale, që nis nga Porti i Durrësit e vijon drejt kufirit me Kosovën për të vazhduar deri në Prishtinë.

Propozimi i parë për këtë rrugë është bërë në vitin 1996 nga Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha.

Në vitin 1999, propozimi u përsërit nga ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili vendosi edhe një taksë mbi çdo shërbim e mall në Shqipëri, që u njoh gjerësisht si taksa Majko.

Taksa u mblodh për disa vite me rradhë, duke futur në arkën e shtetit mbi 250 milionë dollarë, por që nuk u përdorën për atë që u mblodhën.

Në korrik të vitit 2006, qeveria Berisha shpall një tender të hapur ndërkombëtar me konsulencë të Bankës Botërore.

Nga katër kompanitë pjesëmarrëse fiton oferta më e mirë, ajo e Bechtel Enka, një bashkim kompanish turko-amerikane.

Opozita e asaj kohe, jo pak herë shprehu dyshimet në lidhjet me ndërtimi e kësaj vepre të infrastrukturës.

Në linjë të kundërt me ta qëndronte Pandeli Majko.

I pari nga radhët e opozitës, që e vizitoi ishte kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Gjatësia e rrugës llogaritet në 170 kilometra. Me ndërtimin e kësaj autostrade, koha e udhëtimit u reduktua nga 6 orë në 2 orë e gjysmë, me një shpejtësi qarkullimi nga 80–130 km/h.

Në Tetor të vitit 2010 u hap galeria veriore e tunelit të Kalimashit, duke shënuar në këtë mënyrë, përfundimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë.

Kostoja fillestare e autostradës me katër korsi u përllogarit në rreth 600 milionë euro, por më pas ajo i kaloi  1 miliard eurot.

Ndërtimi i autostradës ndikoi në:

-Shtatëfishimin e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve që nga viti 2006;

-Turistët nga Kosova janë pesëfishuar në krahasim me vitin 2006;

-Në vit hyjnë 1.5-1.8 milionë shtetas nga Kosova

-Në periudhën Qershor-Gusht 2016, kur është kulmi i sezonit, hyrjet e shtetasve nga Kosova arritën në një rekord historik prej rreth 1.3 milionë;

Opozita socialiste hodhi në tryezën mediatike fillimisht e më pas në atë të prokurorisë akuzat se ish-ministri i Transporteve kishte abuzuar me fondet e Rrugës së Kombit.

Pas një kalvari të gjatë hetimesh dhe seancash gjyqësore, çështja u mbyll.

Vitet e mëvonshme do të sillnin degradimin e rrugës. Shkarjet, çarje të asfaltit, vjedhje të trafikndarësve bënë që rruga e Kombit të mos kishte pamjen e saj të parë.

Këto bënë që të disktutohej dhënia me koncension për mirëmbajtjen e rrugës.

Përsëri iniciohet nga ish-kryeministri Berisha, i cili në fund vendos t’i thotë jo.

Argumentimin e vendimit të tij e jep edhe sot. Por për qeverinë Rama, dy nuk ka zgjidhje tjetër përveç dhënies me koncension.

Të parët që shprehën kundërshtimin ishin drejtuesit e kamionëve të Kosovës ditën që nisi testimi i tarifimit pas ngritjes së sporteleve.

Më i ashpër ishte reagimi i banorëve të Veriut. Protesta e tyre përfundoi me djegien e sporteleve. Për këtë u ndaluan 23 persona.

Kryeministri Edi Rama vendosi të sqarojë të gjithë shqiptarët se tarifa nuk do të hiqet.

Lehtësim do të ketë vetëm për banorët që janë dhe përdorusit e shpeshtë të rrugës.

Pas djegies së sporteleve, një tjetër pikë pritet të ndërtohet, sipas kreut të qeverisë. Këtë herë me paratë e taksapaguesëve shqiptarë./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono