Hahn: Reformimi i BE-së mund të bëhet paralelisht me zgjerimin e unionit

14:09 | 07/11/201914:090

Komisioneri për politikën e fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit, Johannes Hahn tha të enjten para komisionit të punëve te jashtme te Parlamentit Europian se reformimi i Bashkimit Europian mund të bëhet paralelisht me zgjerimin e kësaj organizate.

Hahn nënvizoi se ndryshimi i metodologjisë së negociatave të anëtarësimit nuk duhet tê pengojë hapjen e negociatave te anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe avancimin e të gjithë rajonit të Ballkanit.

Reformimi i BE-së mund të bëhet paralelisht me zgjerimin e kësaj organizate. Kjo është deklarata e komisionerit për politikën e fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit, Johannes Hahn para komisionit të punëve te jashtme te Parlamentit Europian.

Hahn theksoi se ndryshimi i metodologjisë së negociatave të anëtarësimit nuk duhet tê pengojë hapjen e negociatave te anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Johannes Hahn, komisioner për zgjerimin: “Ata që mendojnë se duhet të reformohet Bashkimi Europian, kanë të drejtë, por procesi i reformimit  mund të bëhet paralelisht me zgjerimin e kësaj organizate. Nëse këto dy procese nuk bëhet paralelisht, vende si Maqedonia e Veriut, Shqipëria apo gjithë rajoni i Ballkanit do të bëjnë hapa mbrapsht në reforma

Eurodeputetët mbështesin ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit në kuadrin e reformimit dhe thellimit të Bashkimit Europian. Shumë kanë pyetur komisionerin Hahn, se si mund të ndryshohet metodologjia që të evitohet një skenar katastrofë në samitin e Zagrebit në maj të 2020. Thënë ndryshe, topi është tashmë në kampin e Komisionit Europian:

Sandra Kalniete, eurodeputete: “Cënimi i kredibilitetit të Bashkimin Europian është shumë i madh. Tani më e rëndësishmja është se çfarë mund të bëjmë për të ecur përpara, se nëse ndodhemi edhe një herë në një situate në maj të vitit tê ardhshëm, ku të gjitha shpresat e Shqipërisë dhe Maqedonisë  do të shuhen, kjo do jetë katastrofë

Nathalie Loiseau, eurodeputete: “Ju deklaruat gjithashtu që duhet rishikuar procesi i anëtarësimit dhe e mbështes këtë pikëpamje. Por shtroj pyetjen, se kur do prezantojë Komisioni Europian propozimet për rishikimin e metodologjisë së zgjerimit kur shihet se ka konsensus, që kjo gjë duhet bërë?”

Ilhan Kyuychyuk, eurodeputet: “ Sigurisht që mungesa e vendimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë cênon kredibilitetin e BE-së dhe liderët europianë duhet të rikonsiderojnë vendimin e tyre. Por nga ana tjetër, ne duhet të marrim konsideratë thirrjet që Bashkimi Europian duhet tê reformohet dhe gjithashtu edhe procesi i negociatave të anëtarësimit. Çfarë duhet ndryshuar?

Andrius Kubilius, eurodeputet: “Kjo mund të quhet ndryshe kriza e zgjerimit. Mund të jemi nervozë për këtë, por pa harruar nga an tjetër se në historinë e Bashkimit Europian, se edhe krizat sjellin përfitime. Pra, çfarë hapash të rinj duhet tê hedhim nê mënyrê që ta bëjmë zgjerimin të suksesshëm”

Eurodeputet farncez: “Ne jemi krejtësisht të vetëdijshëmshëm që situata e brendshme në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri  pas mosmarrjes së vendimit mund të sjellë vështirësi. Por a jemi të vetëdishëm për problemet politike në disa nga kryeqytetet tona, ku mund të citoj Romën, Berlinin dhe Parisin?

Johannes Hahn, komisioner për zgjerimin: E gjithë domethënia e reformave të integrimit është ndryshimi i standarteve të jetesës për qytetarët e këtyre vendeve. Problemi kryesor me të cilin përballen ato është ikja e trurit. Ne nuk mund të tolerojmë një situatë vakumi, ku një popullate e tërë të braktisë vendin, sepse kjo mund të shkaktojë problem sigurisë për ne. Lidhur me ndryshimet, ne mund të bëjmë presion për ngrirjen e fondeve gjatë negociatave të anëtarësimit. Për shembull, për Malin e Zi, kur folëm për ngrirjen e fondeve para dy vjetësh, vendi dyfishoi përpjekjet për reformat. Besoj se pasardhësi im do jetë mendjehapur për këtë. Ka vend për përmirësim”.

Komisioneri i ri për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimin pritet të marrë detyrën në 1 dhjetor me fillimin e mandatit të komisionit tê presidentes së zgjedhur Ursula Von der Leyen. Ky ishte shkëmbim i fundit i ideve për komisionerin Johannes Hahn në detyrën aktuale me  komisionin e punëve të jashtme të Parlamentit Europian./abcnews.al

 

 


Për t’u bërë pjesë e grupit klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI ABC NEWS ALBANIA: https://www.facebook.com/groups/AbcNewsAlbaniaGroup

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono