Hahn: Protestat, ndikim në vendimin për hapjen e negociatave

18:10 | 16/05/2019

Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn ka deklaruar se protestat e fundit të opozitës në Shqipëri, kanë gjasa të ndikojnë tek rekomandimi për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit. Në një intervistë për “Dojçe Vele”, Hahn ka paralajmëruar se hapja e negociatave është një proces individual, që nuk lidhet me progresin e një vendi tjetër.

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Johanes Hahn ka paralajmëruar se aktet e dhunës të verifikuara në protestat e opozitës në Shqipëri mund të ndikojnë në vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në një intervistë për “Dojçe Vele”, Hahn ka nënvizuar se, imazhi që lë një vend ka ndikim shumë të madh tek vendimmarrësit në Bashkimin Evropian.

“Këta janë përfaqësuesit e popullit dhe qytetari i thjeshtë që shikon pamjet e transmetuara në televizion e ka të vështirë ta kuptojë kur dëgjon se ky vend na qenka gati për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE”, ka deklaruar Hahn.

Ai ka përsëritur apelin për krerët politikë që të gjejnë një rrugëzgjidhje për këtë situatë, pasi dëmet e saj janë të padiskutueshme. “Pra, edhe një herë apeli im për përgjegjësit është që të jenë të vetëdijshëm për këtë situatë sepse dihet që një pamje flet më shumë se një mijë fjalë”, ka vijuar Hahn.

Personalisht, komisioneri është shprehur pro hapjes së negociatave të anëtarësimit, pasi sipas tij ato ofrojnë mundësinë që të ndikohet në zhvillimin e vendit në aspektin evropian. Por më tej ai ka paralajmëruar se hapja e negociatave është një proces individual për secilin vend, duke lënë të kuptohet se nuk është e thënë që Shqipëria të marrë një rekomandim pozitiv vetëm sepse një të tillë do ta marrë Maqedonia e Veriut.

“Negociatat e zgjerimit janë një proces që bazohen në meritat dhe arritjet e secilit vend. Do të ishte e padrejtë nëse një vend do të priste sepse një vend tjetër nuk arrin rezultate”, ka theksuar Hahn.  /ABC News Albania 24/7

 



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono