Gushti i përgjakur, 5 të vrarë dhe 8 të plagosur në 2 javë

15:17 | 18/08/2019

Së bashku me temperaturat e larta dy javët e para të Gushtit kanë shënuar edhe një numër shumë të lartë të ngjarjeve kriminale. Bilanci është i frikshëm pasi në qytete të ndryshme janë shënuar 5 viktima dhe 8 të plagosur.

Gjysma e parë e muajit Gusht ka regjistruar një sërë vrasjesh dhe plagosjesh me armë në qytete të ndryshme të vendit. Vetëm në këto dy javë 5 persona kanë humbur jetën nga sulmet me armë, në 5 ngjarje të ndryshme, dy prej të cilave janë ende pa autorë. Por në të njëjtën periudhë nuk kane munguar edhe ngjarjet e tjera kriminale me pasojë plagosjen.

1 Gusht

Ditën e parë të Gushtit, Durrësi u trondit nga një atentat që iu bë Feriza Bardhit, në hyrje të shtëpisë nga persona ende të paidentifikuar nga policia. Pista kryesore që po hetohet është ajo e konflikteve që ka pasur viktima më herët. 40-vjeçari  ka qenë një person me precedentë penal pasi në vitin 2012 është arrestuar nga policia italiane, ku ju sekuestruan dhe 700 gramë kokaine e pastër. Vrasja është ende pa autor.

4 Gusht

Tre ditë më pas, një konflikt i çastit në lagjen “1 Maji” në Vlorë la pas 1 të vrare dhe 2 të plagosur. Viktima është Arben Beqiraj, pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, kurse të plagosur djali Egert Beqiraj dhe nipi Nesim Hodaj. Për këtë ngjarje polica ka shpallur në kërkim 4 persona. Njëri prej tyre, që dyshohet se është dhe autori kryesor, quhet Eduard Xhezo, një emër i njohur për policinë. Ai ka qenë i dënuar për tentativë vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

7 Gusht

Pas tre ditësh, në 7 Gusht krimi godet sërish në Vlore. 50-vjeçari Laver Tozaj, u qëllua me armë pranë shtëpisë se tij në fshatin Resulaj të Selenicës. 50-vjeçari kishte ndërruar emrin në Nikola Ikonomi për shkak të së kaluarës së tij. Ngjarja nuk ka ende autor, ndërsa hetimet vijojnë në disa pista, ndër të cilat edhe prishja e pazareve në trafikun e drogës.

12 Gusht

Në datë 12 gusht, 23-vjeçari Florian Selimi u gjet i vrarë me thikë dhe i hedhur në një kanal në Fier. I riu tropojan që jetonte në Sulaj të Fierit prej disa vitesh, ishte person me precedentë penal për vjedhje. Dy të rinj nga i njëjti fshat me të u vunë në pranga për vrasjen e 23-vjecarit Selimi.

12 Gusht

Në po të njëjtën ditë në qendër të Rrëshenit u vra në një atentat të tipit mafioz Armando Gjini i njohur si pjesëtar i grupit të Met Kananit. 48-vjeçari që njihej edhe me emrin Tonin Gjini u qëllua nga dy persona të maskuar që i dolën para makinës së tij. Autorët e atentatit janë ende të lirë.

12 gusht

Po në 12 Gusht, 38-vjecari Vatë Shpati u plagos me thikë në lagjen “Mark Lula” në Shkodër. 24 orë pas ngjarjes policia arrestoi dy vëllezërit Luigj e Pjetër Martini dhe shokun e tyre 36-vjecar, si autorë të krimit, por ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes.

2 Gusht

Në dy javët e para të Gushtit, ka pasur edhe te tjera ngjarje me pasojë plagosjen. Në 2 gusht një atentat në Elbasan la tre persona të plagosur. Sulmi me armë ndodhi në një lokal pas një debati për motive të dobëta. Një nga autorët Genti Façja vijon të jetë ende në kërkim, ndërsa një tjetër i dyshuar Ilirjan Bezhani është arrestuar.

10 Gusht

Në Laç i riu Edon Martini ra pre e një atentati me armë, ku mbeti i plagosur. Vetëm një ditë me vonë policia njoftoi se identifikoi autorin dhe një bashkëpunëtor të tij, të cilët janë ende të lirë.

Gazetare: Glidona Daci


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono