Guardiola i pakënaqur pas humbjes në Champions

13:56 | 08/03/2018

Mançester Siti nuk e kënaqi aspak trajnerin e tij, Pep Guardiola. Tekniku katalanas kritikoi futbollistët pas humbjes së papritur me Bazelin, pavarësisht kualifikimit në Champions.

Ishte e qartë se nuk do të luanin shkëlqyeshëm.

Fitorja 4-0 në ndeshjen e parë dhe sezoni tepër i ngarkuar, do të bënin të vetën për Mançester Sitin, veçse nuk pritej të arrihej deri këtu.

Pavarësisht 6 ndryshimeve në formacion nga trajneri Pep Guardiola, sërish la shije të hidhur paraqitja e atij që mund të quhet Ekipi B, nëse Siti mund të ketë një ekip B.

Bazeli fitoi 2-1 në stadiumin “Etihad” të Mançesterit, një rezultat që as nuk e shpresonte, por që e mori për meritën e tij dhe prej ndihmës që i dha kundërshtari.

Doli i gënjeshtërt goli i avantazhit për vendasit, shënuar nga Gabriel Zhezus, i pari që nga nëntori për brazilianin e penguar nga dëmtimet.

Bazeli zviceran, këtë herë pa Taulant Xhakën e kombëtares shqiptare të pezulluar, dalë nga dalë kuptoi se mund të bënte diçka të madhe, duke arritur në fund edhe që të fitonte.

Pep Guardiola normalisht që nuk mund të ndihej 100 për qind mirë pas ndeshjes.

Guardiola: “Jam i lumtur që arritëm në çerekfinale, pasi kjo është diçka jo shumë e zakonshme për skuadrën tonë. Sa për shortin le të shohim, por jemi të kënaqur për kualifikimin. Përsa i përket lojës, nuk u kënaqa aspak sepse ne harruam të sulmonim. Ne duhet ta pasojmë topin që të sulmojmë, jo ta pasojmë topin që thjesht të bëjmë pasime. Gjithsesi, përgëzime Bazelit, por ne jemi në çerekfinale”.

Çfarë do të thotë kjo humbje për Sitin?

Skuadra e cilësuar si më e mira në Europë, ajo me futbollin më sulmues, e njollosi jo pak veten, sidomos duke u krahasuar me Realin, Barcelonën, Bajernin apo Juventusin.

Rivalët nuk ia kanë lejuar vetes deri tani të luajnë kaq keq.

Vetë Guardiola e ndjen se mungesa e përvojës mund të ndikojë në çerekfinale, ndryshe nga skuadrat e tjera që ai ka drejtuar si Barcelona apo Bajerni.

Gjithsesi, me rikthimin në formacion të Agueros, De Brujnit dhe yjeve të tjerë, Mançester Siti pritet të jetë krejt ndryshe. /abcnews.al

 

 


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono