Griezmann prezantohet si lojtar i ri i Barcelonës

15:59 | 14/07/2019

Antoine Griezmann prezantohet si lojtari i ri i Barcelonës. Francezi, kampion i botës, shpreson të fitojë titullin në Spanjë dhe Championsin.

Një mbërritje e thjeshtë dhe menjëherë shprehja e emocioneve. Antoine Griezmann u mirëprit dhe u prit nga Barcelona, si lojtari më i ri i ekipit.

“Jam shumë i lumtur, shumë i emocionuar, – ishin fjalët e para të sulmuesit, – mezi po pres të bashkohem me shokët e rinj në stërvitje, pra jam shumë i lumtur”.

Barça u kujdes që të mbante larg tifozët, për shkak të revoltës së tyre pasi Griezmann vjet i ktheu shpinën klubit dhe vazhdoi me Atleticon. Shumë pak përkrahës katalanas patën rast ta përshëndesnin francezin.

“Kjo është një sfidë e re, janë objektiva të rinj, – thotë ai për televizionin “blaugrana”, – shpresoj të vazhdoj të jem i suksesshëm, siç kam qenë me Francën dhe me ish-ekipin tim”.

Prezantimi i tij u bë në ambientet e brendshme të klubit, edhe kjo besohet për ta mbajtur larg tifozëve, për të shmangur ndonjë të papritur. Justifikimi ishte gjetur pasi po ndërrohet tapeti i “Kamp Nout”, ndërsa stadiumi i vogël ishte i zënë nga një aktivitet tjetër.

Të shumtë në numër, në momentin e veçantë, ishin kameramanët, gazetarët dhe fotoreporterët. Nuk pati spektakël me topin në fushë të hapur, por thjesht një xhonglim i sferës përpara banderolës me shkrimin në dialektin katalanas “FCB, më shumë se një klub”.

Griezmann e hodhi më pas topin me saktësi në koshin ku duhej të rrinte. Ai shprehu dëshirën që të fitonte La Ligën, Championsin, Kupën e Mbretit, Superkupën e Spanjës, synime të klubit, dhe synimet e tij.

Siç është bërë traditë, vetë lojtari mori pjesë në përgatitjen e fanellës së tij të personalizuar, në stampimin e mbiemrit. Tashmë, ai mund të quhet i lumtur.

Gjithçka po shkon sipas dëshirës, nëse vjet nuk ishte i bindur dhe vazhdoi me Atletikon, tashmë është lojtar i Barcelonës. Ai dhe familja e tij nisin një aventurë të re, një jetë të re, ndërsa shqetësimi mbetet, sepse suksesi asnjëherë nuk është i garantuar./ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono