Greqi, sekuestrohen 172 kg kanabis nga Shqipëria

12:25 | 11/03/2019

Policia greke ka sekuestruar orët e fundit më shumë se 170 kg kanabis të sjellë nga Shqipëria.

Në tre operacione të ndryshme janë arrestuar tre shtetas shqiptarë dhe një grek, ndërsa një tjetër shtetas shqiptar është shpallur në kërkim.

Në Kambi të Artës, policia ka ndaluar për kontroll mjetin që drejtonte një 24 vjeçar grek, i cili udhëtonte bashkë me një shtetase shqiptare të moshës 27 vjeç.

Gjatë kontrollit në mjetin e tyre u gjetën 22 paketa me kanabis, me peshë të përgjithshme 46,4 kg.

Në Sajada, fare afër pikës së kalimit kufitar të Qafë Botës, u ndalua një shtetas shqiptar, me moshë 25 vjeç. Në motoçikletën e tij ai po mbartte 4,8 kg kanabis, ndërsa aty pranë u gjet e hedhur përtokë dhe një sasi prej 4,6 kg.

Disa qindra metra më tej, 25 vjeçari kishte parkuar autoveturën e vet, me një trejler ku do të vendoste motoçikletën. Policia po heton nëse ai i kishte për të transportuar një sasi më të madhe.

Operacioni i tretë është zhvilluar në Mavroneri, në distancë të afërt nga fshati shqiptar Janjar. Një i ri shqiptar, me moshë 20 vjeç, është kapur tek po transportonte një sasi prej 116 kg kanabis. Policia ka shpallur në kërkim dhe një tjetër shtetas shqiptar, i cili rezulton të jetë pronari i mjetit me të cilin po transportohej lënda narkotike. /abcnews.al

Gazetar: Robert Goro



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono