Grabitja në Rinas: Pasoja të rënda afatgjata në ekonominë kombëtare

09:17 | 12/04/2019

Për grabitjen e parave në Rinas ka ardhur dhe reagimi i Konfindustrisë. në një deklaratë të shpërndarë për mediat kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku, shprehet se do të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata për ekonominë kombëtare.

Deklarata e plotë

“Shpreh shqetësimin, se rënia e përsëritur e shtetit shqiptar, me shfaqje të qarta korrupsioni të tipit “state capture/kapje e shtetit”, për mbrojtjen e institucioneve publike të rëndësisë së vecantë, sikurse janë rastet e grabitjeve në Aeroportin e Tiranës, do të ketë pasoja të rënda në afatgjatë për ekonominë kombëtare.

Konfindustria vlerëson, se pasoja të menjëhershme e ngjarjeve të mësipërme janë – goditja ndaj seriozitetit të shtetit shqiptar, – uljen e fuqisë konkuruese të vendit në tërheqjen e investimeve të huaja, – përkeqësimin e mjedisit të biznesit dhe – rritjen e kostove financiare të ekonomisë kombëtare. Në mënyrë të dukshme rrezikohet të preket pozicioni i Shqipërisë në tregtimin e letrave me vlerë para investitorëve në tregjet financiare ndërkombëtare. Pasojat e ngjarjeve të rënda të grabitjeve të përsëritura në Aeroportin e Tiranës, do të ndikojnë në rritjen e ndjeshme të kostove të sigurimit dhe risigurimit të produkteve dhe shërbimeve shqiptare. Si rrjedhim, vlerat financiare të dëmeve për buxhetin e shtetit, bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë parashikohet të jenë të rënda, deri në prekje të ritmeve të zhvillimit ekonomik të vendit në afatgjatë.

Konfindustria kërkon, që përballë pasojave të rënda të paraqitura më sipër, shteti shqiptar duhet të marri masa të jashtëzakonshme përtej shfaqjeve populiste dhe retorikave politike. Institucionet shtetërore civile, policore, shërbimeve sekrete, etj. të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me ngjarjet e rënda të pësëritura në Aeroportin e Tiranës, duhet të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë. Gjithashtu, është e domosdoshme, që të vlerësohet në mënyrë ligjore zbatimi i kontratës nga kompania koncesionare e tipit “guackë” e Aeroportit të Tiranës. Në rast se krijohet bindja, se koncesionari nuk ka përmbushur dhe/ose ka shkelur kontratën, duhet të kalohet domosdoshmërisht në prishje ligjore të saj.

Nisur nga rastet e rënda të përsëritura të cënimit të papranueshëm të objekteve të rëndësisë së vecantë për ekonominë dhe sigurinë kombëtare, shteti shqiptar duhet të rishikojë rrënjësisht dhe sa më shpejt gjithë politikën e tashme koncesionare, PPP sidomos në sektorët me rëndësi strategjike. Si veprim i parë është ndalimi i lidhjes së kontratave të reja me kompani të tipit “guackë” regjistruar në parajsa fiskale dhe të kryhet zbardhja e emrave të pronarëve të vërtetë për koncesionet në fuqi”. /abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono