Grabitja në Rinas, Lleshaj: Nuk cënohet siguria kombëtare nga 5 vetë

10:39 | 18/04/2019

Në seancën plenare të kësaj të enjteje deputetët e opozitës kanë kërkuar interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj në lidhje me grabitjen në Rinas. Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Lleshaj tha se nuk kemi të bëjmë me cënim të sigurisë kombëtare.

Sipas tij, kjo ngjarje është një seri dështimesh e disa hallkash që janë përgjegjëse për sigurinë e aeroportit.

“Ngjarja është e rëndësishme sepse është e përsëritur dhe ngarkon me përgjegjësi shumëkënd. Kjo ngjarje ka marrë vëmendjen e duhur të Policisë së Shtetit, pavarësisht ngarkesave të shumta paralele që ka Policia e Shtetit për të menaxhuar situata të ndërlikuara që rrallë herë e kanë përqendruar fokusin e saj. Ka pasur një gatishmëri të madhe për të prodhuar skenarë apokaliptikë të ndërtuar me argumentit çfarë do kishte ndodhur.

Rëndësia e madhe e çdo diskutimi duhet të fokusohet në kuptimin e mirë ngjarjesh që është një episod e një serie ngjarjesh për të parandaluar në të ardhmen, për të nxjerrë përgjegjësitë personale dhe institucionale. Nuk është shkatërrim i sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Siguria kombëtare e Shqipërisë nuk mund të cënohet nga 5 vetë”, tha ai.

Lleshaj tha se duhet përmendur fakti që siguria e aeroportit është transferuar në duar private. Gjithashtu Lleshaj theksoi se policia është njoftuar nga palë të treta, ndërsa operatori i sigurisë që funksion brenda aeroportit “Nënë Tereza” ka njoftuar me 5 minuta vonesë dhe nuk ka hapur portën për policinë.

“Është dëshmi e një seri dështimesh e disa hallkave që janë përgjegjësie për sigurinë e aeroporti. Përgjegjësia e sigurisë së aeroportit i është transferuar një operatori privat. Askush nuk e ka atakuar faktin bazë që çështja e rëndësishme e sigurisë së aeroportit të është transferuar në duar private.

Policia kishte marrë në rrugë të treta njoftimin për ngjarjen dhe cënimin e sigurisë. Në rrugë zyrtare salla ka njoftuar Komisariatin e Rinasit 6 minuta e 30 sekonda më vonë. Në të njëjtën kohë, TIA ka njoftuar Aviacionin Civil 30  minuta pasi ka ndodhur ngjarja. Kontraktori privat i sigurisë së aeroportit nuk ka lejuar FNSH të hyjë në aeroport për arsye se porta përkatëse nuk është hapur”, tha Lleshaj./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono