Golden Stejti arrin fitoren e 11-të radhazi në NBA

13:43 | 29/01/201913:430

Golden Stejti arriti fitoren e 11-të radhazi në basketbollin amerikan. Kampionët në fuqi duket se po e dominojnë përsëri ligën më të fortë të botës

Ç’mund të thuhet për konkurrencën pas kësaj ndeshjeje? NBA, liga më e madhe dhe më e fortë e basketbollit në botë, po jeton epokën e vështirë të një dominimit prej një skuadre të vetme.

Golden Stejt Uorriors, kampione në fuqi, bëri një deklaratë të fortë për qëllimet e saj, kur triumfoi pa asnjë problem, 132-100, në fushën e një rivali si Indiana Pejsërs. Golden Stejti vinte në këtë përballje me 35 fitore e 14 humbje, ndërsa Indiana nuk ishte shumë prapa, me 32 fitore e 16 humbje.

Renditja nuk luajti asnjë rol, madje as fakti se kampionët nuk patën në parket Drejmond Grinin, njërin nga titullarët më të rëndësishëm. Diferenca ishte aq e madhe, saqë trajneri Stiv Kerr, pati mundësi të mendonte për të shlodhur lojtarët e tij, me mendjen tek plej ofi.

Stefën Kërri luajti vetëm 26 minuta e shënoi 26 pikë, Demarkus Kouzins ishte në fushë 25 minuta dhe shënoi 22 pikë, ndërsa Kevin Durant e Klej Tompson u lodhën pak më shumë, me rreth 30 minuta secili. Plot 10 basketbollistë të miqve ishin autorë pikësh, shembull i qartë se çfarë potenciali ka skuadra, dhe sesa kolektive është loja e saj.

Ky sukses ishte i 11-ti radhazi për kampionët. I pyetur në studion e televizionit ESPN, ish-ylli i Bostonit, Pol Pirs, deklaroi se Golden Stejti ka pesëshen më të talentuar në historinë e NBA-së, pra më të talentuar sesa Bostoni i Bill Rasëllit, Lejkërsat e Xhabarit apo Mexhik Xhonsonit, Çikago e Xhordanit, apo Lejkërsat e Kobi Brajantit.

Pikërisht Lejkërsat po përpiqen ta sulmojnë këtë dominim. Lebron Xhejms synon që brenda këtij sezoni të luajë në krah të Entoni Dejvisit, yllit të Nju Orlinsit, dhe njërit prej lojtarëve më të shkëlqyer të sotëm në NBA. Vetë Dejvis ka kërkuar që të largohet, dhe Lejkërsat janë destinacioni më i mundshëm i tij, ndonëse në garë ka hyrë edhe Nju Jorku, pse jo edhe Dallasi i Luka Donçiçit./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono