Golden State kualifikohet në finalen e madhe të NBA

11:39 | 21/05/2019

Golden State do të luftojë sërish për titullin në basketbollin amerikan. Kampionia në fuqi eleminoi Portlandin, edhe pse i mungoi sërish Kevin Duranti.

Pesë finale të mëdha radhazi. Vetëm Boston Celtics ka arritur më shumë, ndaj Golden Sate Warriors duhet të jetë shumë krenare. Kampionia në fuqi e NBA-së do të luajë sërish për titull, pasi fitoi Konferencën Perëndimore.

U fitua edhe ndeshja e katërt, luajtur sërish në Portland, dhe u arrit ajo që në zhargonin amerikan quhet “fshesa”, apo “fshirja”, pra fitorja 4-0.

Golden State fitoi sërish respektin maksimal të basketbollit amerikan, të publikut dhe të analistëve, pasi nuk deshi të dinte nga mungesa e atij që mund të quhet ylli kryesor, Kevin Durant, të dëmtuar.

Suksesi ishte si në kohët e vjetra, mbështetur tek treshja Stephen Curry-Clay Thompson-Draymond Green, si dhe nga loja thellësisht kolektive. Fitorja e ndeshjes së katërt ishte 119-117, falë një tripëll dabëlli nga Stef Curry, me 37 pikë, 13 topa në tabela e 11 pasime për kosh.

Kapiteni Thompson pati 17 pikë, 6 topa në tabela, asiste e 2 vjedhje topi.

“Ne kemi qenë edhe më përpara në një pozitë të tillë, – u shpreh Curry, – kemi pasur 3 lojtarë kryesorë të dëmtuar, por secili prej nesh luajti edhe më fort deri në fund. Ne fare mirë mund të kishim pritur për ndeshjen e pestë, por nuk deshëm të prisnim kaq gjatë, ndaj vendosëm ta provonim”.

Curry vlerësoi lart lidhjen me Drejmond Green-in, duke theksuar besimin e ndërsjelltë që ata kanë tek njëri-tjetri. Green ishte gjithashtu vendimtar, duke realizuar edhe ai një tripëll dabëll, me 18 pikë, 14 topa në tabela e 11 pasime për kosh.

Jo vetëm kaq, por ai pati 3 vjedhje topi dhe dy bllokime gjuajtjesh, ndërsa është transformuar në mungesë të Durantit. Gjatë sezonit, Grin dhe Durant patën përplasje, dhe kjo mund të jetë një nga arsyet që ky i fundit thuhet se dëshiron të largohet nga Golden State, ndoshta tek Nju Jorku. Tashmë, kampionët presin finalistin nga Lindja, që do të përcaktohet nga dueli Toronto-Miluoki./ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono