Gjysmëfinale mes Rozher Federer dhe Rafael Nadal

10:45 | 11/07/2019

Rozher Federer dhe Rafael Nadal do të ndeshen në gjysmëfinalen e Uimbëlldonit. Dy yjet më të shquar të tenisit do të jenë përballë pas plot 11 vitesh.

Ai ka fituar atë që mbiquhet “finalja më e madhe në historinë e tenisit”.

Rafael Nadal e arriti më në fund njërën prej dëshirave të shprehura me sytë mbyllur para fillimit të Grand Slemit të Londrës, një tjetër përballje me Rozher Federerin.

Më herët ishte zvicerani 37-vjeçar që u kualifikua për në gjysmëfinale, me suksesin 3-1 ndaj japonezit Kei Nishikori.

U duk se do të rrezikonte, pasi Nishikoi mori setin e parë 6-4, por pastaj erdhi reagimi I rekordmenit, 6-1, 6-4 e 6-4.

Nuk kaloi shumë dhe spanjolli bëri detyrën, 3-0 ndaj amerikanit Sam Kerrej, dhe dy tenistët më fitues për të gjitha kohët krijuan duelin e Uimbëlldonit.

I pari në turneun më të vjetër të botës, që nga finalja “më e madhe e historisë”, ajo e vitit 2008 fituar nga Rafael Nadal.

Kampioni nga Majorka pati vështirësi vetëm në setin e parë, me rezultatin e ngushtë 7-5, por më pas dominoi ndaj rivalit amerikan me shifrat 6-2 e 6-2.

Tenisti 33-vjeçar shpreson të realizojë ëndrrën tjetër “në sirtar”, atë të fitores në Londër, për herë të tretë në karrierë, dhe të parën që nga viti 2010.

“Është shumë domethënëse për mua që të jem sërish përballë Rozherit në këtë turne pas 11 vjetësh, – tha Nadali, – besoj, kështu është edhe për të. Është një mundësi e madhe, një kënaqësi e madhe. Gjithnjë them që, sa më shumë kalojnë vitet, aq më pak mundësi kemi që të ndeshemi, por ja ku jemi sërish këtu”.

Spanjolli nuk është specialist i barit, zvicerani është më i miri aty, por 4 vjet diferencë mund të ndihmojnë Rafën.

Gjithsesi, Federer nuk ka ndërmend të dorëzohet.

“Arritje e madhe që dola në gjysmëfinale, dhe ndaj Rafës do të jetë një ndeshje edhe më e madhe, – tha zvicerani, – më vjen mirë që arrita fitoren numër 100 në Uimbëlldon, një rekord. Shpresoj që të mos jetë e fundit”.

Gjysmëfinalja tjetër është mes numrit 1 të botës, numrit 1 të turneut, Novak Gjokoviçit (kampion në fuqi), dhe spanjollit tjetër, Bautista Agut.

Gjokoviçi kaloi belgun Gofin 3-0 me sete, ndërsa Agut mposhti 3-1 argjentinasin Peja./ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono