Gjykata merr vendimin për Shullazin dhe grupin e tij

16:40 | 13/11/2018

Gjykata për Krimet e Rënda shpalli vendimin përfundimtar ndaj Emiliano Shullazit dhe katër të bashkëpandehurve, duke i dënuar me 55 vite burg në total. Avokati i Shullazit e konsideroi vendimin e gjykatës nën presion dhe lajmëroi apelimin e tij.

 Të pestë të pandehurit u deklaruan fajtorë. Emiliano Shullazi, i konsideruar si kreu i grupit kriminal, u fajësua për “gjobëvënie” ndaj biznesmenëve Ylvi Beqja dhe Jani Zaka si dhe për “grup të strukturuar kriminal”.

Shullazi fitoi pafajësi për pesë akuza të tjera, “gjobëvënie” ndaj biznesmenit Adriatik Kërçuku, dy raste të “shkatërrimit të pronës me eksploziv”, si edhe për “kanosje për shkak të detyrës” ndaj akademikëve Mynyr Koni e Dhori Kule. Sipas gjykatës, nga provat e paraqitura në gjykim nuk rezultonte e provuar që i pandehuri të kishte kryer këto vepra penale.

I pafajshëm për një nga katër akuzat që i rëndonin mbi supe u deklarua edhe i pandehuri Gilmando Dani, por për tre të tjerat ai duhet të vuajë 12 vite burg. Për të pandehurit Endrit Zela dhe Endrit Qyqja gjykata dha nga 10 vjet burg, ndërsa për të pandehurin Blerim Shullazi 9 vite.

Në të njëjtin vendim gjykata u hoqi të pandehurve të drejtën e lirimit me kusht para përfundimit të kohës së plotë të dënimit. Vendimi u ndoq edhe nga disa përfaqësues të ambasadës amerikane. Avokati i Emiliano Shullazit tha se gjykata ishte ndikuar dhe paralajmëroi apelimin e vendimit.

“Vendimi është i padrejtë, do ta ankimojmë. Megjithatë fatkeqësia e kësaj gjykate është që nuk i shpëton dot presionit., Së dyta fusha në të cilën këta operojnë nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin mes të drejtës civile, të drejtës administrative dhe të drejtës penale”, u shpreh Vladimir Meçe.

Gjatë paraditës se të martës gjykata u njoh me konkluzionet e avokatëve për të pandehurit Dani, Qyqja, Zela e Blerim Shullazi. Sipas avokatëve akuzat ndaj klientëvve të tyre ishin ndërtuar mbi absurd, në mungesë të provave dhe fakteve konkrete. Në pretencën e saj, të lexuar në 2 Tetor prokuroria kërkoi 64 vite burg në total për të pandehurit e kësaj dosjeje. /abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono