Gazmend Bardhi: Jemi në proces dokumentimi, të aferave të tjera korruptive të qeverisë Rama

21:04 | 24/04/2019

I ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Mbrëmje ABC” me Mirela Milorin ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi. Bardhi i është përgjigjur një sërë pyetjesh lidhur me zgjedhjet e 30 Qershorit. Ai gjithashtu ka ndarë opinionin e tij edhe për krijimin e partisë më të re Bindja Demokratike. Bardhi më tej ka konfirmuar se Partia Demokratike ka informacione për afera të tjera korruptive të qeverisë Rama të cilat, sipas Bardhit, janë në proces verifikimi dhe dokumentimi. 

Gazmend Bardhi: Ne kemi ndërprerë çdo komunikim me një shumicë ilegjitime që ka dalë nga zgjedhje të inkriminuara. Hapi i parë i yni është që duhet të garantojmë zgjedhjet e lira. Kodi Zgjedhor ndryshon pas çdo pale zgjedhjeje, Basha ka thënë se i qëndron bindjes për sistem të pastër mazhoritar por për të shkuar te sistemi duhet të garantojmë më parë zgjedhjet e lira e të ndershme.

Mirela Milori: Ju nuk do të merrni pjese në këtë tryezë? Edhe pse mazhoranca ka deklaruar se ju pret.

Gazmend Bardhi: Kushdo është i lirë të zërë vendin e tij në tryezë ndërkohë që vendin e partisë demokratike dhe të aleatëve të tyre nuk e zënë pasi askush aty nuk përfaqëson opozitën. Nuk pranojmë asnjë produkt nga askush pa zgjidhur problemet themelore te kodit të zgjedhjeve.

Mirela Milori: Zgjedhjet e afërta janë ato të 30 qershorit, gjithashtu nesër aleanca opozitare ka një takim me soreca, cfarë do të bëni, cila është strategjia juaj?

Gazmend Bardhi: Ne kemi një koalicion të përbashkët për të hyrë në zgjedhje por në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. zgjedhje bëhen kur ka dy alternativa. Ne nuk kemi për të marrë pjesë në një krim tjetër elektoral.

Mirela Milori: Qendrat e votimit do të hapen? Çfarë do ndodhi?

Gazmend Bardhi: Ky është një skenar teorik sepse ne 30 qershor nuk ka për të patur zgjedhje, socialistet që kanë besuar te Edi Rama sot janë dyfish më të zhgënjyer se demokratët.

Mirela Milori: Po thoni se në 30 qershor do të ketë përplasje civile? Merrni përsipër këtë kosto?

Gazmend Bardhi: PD nuk e ka çuar asnjëherë në përplasje civile sepse është partia që e ka cuar shqipërinë në NATO, ka liberalizuar vizat për shqiptarët etj dhe ka treguar se sa herë që PD ka qenë në pushtet, shqiptarët nuk kanë patur ndonjëherë luftë civile. Ne do marrim masa që në mbrojtje të demokracisë të mos lejojmë një qeveri të korruptuar dhe me lidhje në krimin e organizuar të organizojë një farsë elektorale Ne nuk përplasemi me askënd derisa kemi mbështetje qytetaret. shqiptarët në vitin 2019 nuk do të lejojnë Edi Ramën që në Shqipëri të vijojë me qeverisjen në bashkëpunimm me krimin e organizuar.

Mirela Milori: Mbrëmjen e djeshme kemi patur të ftuar Zotin Astrit Patozi i cili ka thënë se nuk mund të ketë përplasje civile duke patur parasysh eksperiencën e tij të gjatë dhe duke e njohur mirë terrenin. Si mendoni?

Gazmend Bardhi: Unë nuk kam asnjë koment për komentet e askujt, PD është e vendosur për të pamundësuar zgjedhjet fallso në Shqipëri. Me sa duket, Patozi ka vendosur të jetë pjesë e fasadës.

Mirela Milori: Ditën e djeshme është krijuar Bindja Demokratike, një forcë e re opozitare, e cila ka deklaruar pjesëmarrjen në zgjedhje.

Gazment Bardhi: Unë e shpreha qëndrimin tim, por që të quhesh opozitare duhet të kesh aktivitet që të konsiderohesh opozitare. Ju nuk mund të thoni që “është krijuar një parti, e cila nuk është krijuar ende  dhe kjo është opozitare”. Pasi të kesh krijuar partinë, gjatë qëndrimeve që mban në aktivitetin tënd politik, identifikohesh si opozitare apo qeveritare. Zoti patozi ishte në studion tuaj dhe po të më thoni apo të mbani mend ndonjë fjali që tha kundër Edi Ramës, ju lutem, ma kujtoni. Në 30 minuta në intervistën tuaj, foli vetëm kundër PD, nuk foli kundër Edi Ramës. Prandaj, duhet të jemi të sinqertë me shqiptarët. Opozitar të bën vetëm veprimtaria politike. Sa për pjesëamarrjen në zgjedhje, në përputhje më kushtetutën dhe ligjin, kjo parti nuk merr dot pjesë në zgjedhje, sepse nuk është regjistruar akoma në gjykatë, ndërkohë, që afati i regjistrimit të partive politike për të marrë pjesë në zgjedhje ka përfunduar dje. Nëse Edi Rama, për interesat e veta, do të urdhërojë politikisht anëtarët e vet në KQZ që të shkelin ligjin për ta regjistruar këtë parti, besoj se ua qartëson shpejt shqiptarëve nevojën për krijimin e kësaj partie.

Mirela Milori: A mendoni se kjo parti do të tërheq anëtarë të PD ?

Gazmend Bardhi: Nuk komentoj figurën e Patozit, ai ka dhënë kontributin e tij dhe i është borxhli çdo demokrati për atë që ka qenë. Demokratët kanë përgjegjësi ti shërbejnë zgjedhësve të tyre edhe kur nuk janë në karrike. Z. Patozi ka përgjegjësi dhe detyrime ndaj demokratëve.  Nuk do ketë asnjë rrudhje të Partisë Demokratike, kjo nuk ka për të ndodhur përkundrazi do të ketë rritje të  pandalshme të Partisë Demokratike. Firmëtarët e kësaj partie të bëjnë publike firmat e tyre, sepse unë përveç Patozit nuk njoh ndonjë figurë të spikatur në partinë e re. E theksoj opozitar bëhesh kur ke një veprimtari politike kundër qeverisë.

Mirela Milori: Zakonisht të Enjteve ka protesta, a do të ketë nesër?

Gazmend Bardhi: Axhenda e protestave të opozitës është bërë publike për mediat. nesër do të ketë protestë me simbolika nga forumi Rinor i Partisë Demokratike të cilët do të menaxhojnë protestën përpara parlamentit në fillim të seancës në orën 10:00. Është njoftuar një përshkallëzim i aksionit tonë opozitar me bllokimin e disa akseve rrugore në vend në orën 18:00.

Mirela Milori: Sa do zgjasi protesta ditën e nesërme?

Gazmend Bardhi: E kanë në dorë qytetarët do e shohim ditën e nesërme.

Mirela Milori: Pyetja e fundit ka të bëjë me publikimin e materialeve të reja, keni bërë të ditur dosjen 339. A keni ndonjë të dhënë tjetër po me kaq peshë të cilën ju do ta publikoni?

Gazmend Bardhi: Partia Demokratike sigurisht që disponon informacione dhe materiale që përfshijnë aktivitet kriminal të anëtarëve të qeverisë të cilat kalojnë në një filtër verifikimi dhe dokumentimi të plotë. Sapo ne të dokumentojmë afera të cilat do duhet ti ndajmë me publikun do i bëjmë publike. Konfirmoj që po kemi informacione të cilat i kemi në përpunim dhe verifikim të mëtejshëm./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono