“Gati për garën e armatimeve”, Putin i përgjigjet akuzave të NATO-s

23:12 | 05/12/2018

Presidenti Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia është gati të nisë një garë armatimesh me NATO-n, një ditë pasi Aleanca akuzoi Moskën se ka shkelur paktin e vitit 1987. Për Putin, qëndrimi i Aleancës është vetëm një pretekst për të justifikuar tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga traktati.

Rusia do të prodhojë raketa që ndalohen në bazë të traktatit të Luftës së Ftohtë nëse Shtetet e Bashkuara tërhiqen prej tij. Deklarata është bërë nga presidenti rus Vladimir Putin, një ditë pas akuzave të NATO-s se Kremlini e ka shkelur tashmë traktatin për raketat bërthamore me rreze të mesme veprimi. Për Putin, akuzat e Aleancës janë një pretekst më shumë që Shtetet e Bashkuara ta braktisin akordin e vitit 1987. “Papritur, partnerët tanë amerikanë besojnë se situata ka ndryshuar kaq shumë saqë ata duhet ta kenë një armë të tillë”, ka thënë Putin. I pyetur se cila do të jetë përgjigjia e Moskës përballë një skenari të tillë, ai është përgjigjur: “Nëse do t’i prodhojnë ata, atëherë do t’i prodhojmë edhe ne”.

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi muajin e kaluar se vendi i tij do të tërhiqet nga traktati për shkak të veprimeve të Rusisë. Për ekspertët, Moska i konsideron armatimet si një alternativë të lirë në mungesë të kapaciteteve jovdekjeprurëse. Të martën, ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s zyrtarizuan akuzat ndaj Kremlinit, duke dalë në krahë të Shteteve të Bashkuara. “Aleatët kanë arritur në përfundimin se Rusia ka zhvilluar sistemin raketor “9 M 729”, që përbën shkelje të traktatit dhe një rrezik të madh për sigurinë Euro-Atlantike”, u tha në deklaratën zyrtare. Raketat e reja me rreze të mesme veprimi për të cilat Amerika dhe tani edhe NATO akuzojnë Rusinë, i mundësojnë kësaj të fundit të kryejë një sulm bërthamor ndaj çdo vendi anëtar të Aleancës në një kohë shumë të shkurtër./abcnews.al





Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono