Filip Kutinjo prezantohet si lojtar i Barcelonës

19:05 | 08/01/2018

Filip Kutinjo është tepër i lumtur që është pjesë e Barcelonës. Braziliani premtoi spektakël e suksese, ndërsa u shpreh tepër i gëzuar që do të luajë në krah të Mesit apo Iniestës

Ishte vendosur në këtë hotel luksoz pas mbërritjes.

Në impiantin me 5 apo 7 yje, ishte Filip Kutinjo, lojtari i ri i Barcelonës dhe gjënë e parë që bëri ishte ndjekja e ndeshjes së La Ligës ndaj Levantes.
Braziliani, tashmë hapur tifoz i katalanasve, festoi për golat dhe u hidhërua për rastet e humbura, por përfundimisht gjithçka ishte e bukur.
Nuk mund të mos shijonte klasin e Lionel Mesit, të cilin tashmë nuk do ta ndjekë nga televizori apo si kundërshtar në fushë, por do ta ketë në krah.
Më pas udhëtimi i ëndrrave, sërish në luksin e një makine të shkëlqyer, drejt “Kamp Nout”.

Ishte mbrëmje vonë kur ish-ylli i Liverpulit, blerja e dytë më e shtrenjtë në botë, shkoi të prezantohej në selinë e klubit.
Më përpara fotografitë dhe filmimet përpara mediave, kamerave dhe fotoaparatëve.
Më pas në një ballkon, në tribunat e larta të stadiumit “Kamp Nou”, që do të jetë shtëpia e tij deri në vitin 2023.
Ja edhe intervista e parë, natyrisht për televizionin e klubit.

Filip Kutinjo: “Jam shumë i lumtur dhe gjithnjë kam thënë se është një ëndërr të jesh lojtar i Barcelonës. I kënaqur që do të kem mundësi të luaj futboll këtu dhe të luaj futboll duke buzëqeshur, të fitoj tituj dhe të bëj tifozët të lumtur. Këto janë objektivat e mia. Është vërtet e pabesueshme që unë do të jem pranë idhujve të mi, në krah të lojtarëve që kanë një histori kaq të madhe. Më pëlqejnë Mesi, Suarez, Iniesta, Pike, Buskets, të gjithë lojtarët e mëdhenj. Shpresoj që të mësoj prej tyre dhe të fitojmë së bashku”.

Vizita tjetër e detyrueshme ishte ajo në kabinetin e trofeve, në muzeumin e njërit prej klubeve më të mëdhenj të botës.
Aty kishte kupa nga më të shtrenjtat dhe të lavdishmet, momente historie si dhe qindra emra të shkëlqyer të Barcelonës ndër vite.
Në mes të firmave të dëgjuara, në bllokun e shënimeve do të ishin dhe fjalët si dhe nënshkrimi i Filip Kutinjos, 25-vjeçar, që lindi në 1992, pikërisht në vitin kur Barcelona fitoi Champions-in e parë.

Pjesë e përvojës së pakrahasueshme ishte edhe momenti kur vetë futbollisti stampoi emrin e tij në fanelat që do t’i veshë, por edhe që do të dalin në shitje për tifozët.
U desh të kalonte nata që mesfushori sulmues të prekte tapetin e “Kamp Nout” dhe të prezantohej tashmë me topin në këmbë.
Nuk pati 80 000 spektatorë në tribuna, siç ndodhi me Maradonën në Napoli apo Kristiano Ronaldon në Madrid, por gjithsesi askush nuk dyshon se Kutinjo do të jetë një sukses i madh.
Vështirë të jetë ndryshe një futbollist që kushtoi 160 milionë euro./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono