Familjarët e luftëtarëve shqiptarë të ISIS, përballen me rrugën e gjatë të kthimit në shtëpi

13:03 | 18/04/2019

Balkan Insight ka identifikuar të paktën 85 fëmijë të lindur nga gratë me kombësi shqiptare që janë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut të cilët, ndodhen në një kamp, të drejtuar nga kurdët në Siri, nën kontrollin e shtetit islamik.

Lavdrim Muhaxheri, një luftëtar i njohur i Shtetit Islamik nga Kosova, i cili e deklaroi veten si komandant i shqiptarëve që luftonin për grupin militant në Siri dhe Irak, u shpall i vdekur në mes të vitit 2017.

Sipas investigimit të Balkan Insight, fëmijët e tij të lindur në Siri nga martesa me një grua shqiptare nga Tirana, po jetojnë në një kamp të drejtuar nga kurdët, në Veri-lindje të Sirisë.

Të dy fëmijët e Muhaxherit, gjenden në mesin e gjithsej 85 fëmijëve, në kampin ‘Al Hol’ të grave me etni shqiptare të cilat janë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia Veriore. Ato janë identifikuar nga Balkan Insight.

Sipas listave emërore që ka siguruar Balkan Insight, të paktën 27 prej këtyre fëmijëve kanë lindur në Siri. Shumë prej tyre kanë humbur të paktën një prind. Ndërsa tre fëmijë të lindur nga një grua kosovare raportohet se kanë vdekur bashkë me nënën e tyre.

Aktualisht, një grup prej 108 gra dhe fëmijë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duan të kthehen në Ballkan nga kampi “Al Hol”. Ndërkohë ekzistojnë edhe një numër tjetër më i vogël, i familjeve me etni shqiptare, në dy kampe të tjera në Siri.

Sipas një studimi të vitit 2017 nga Qendra Soufan me seli në Nju Jork, (një organizëm hulumtues i përqendruar në sigurinë globale), rreth 90 persona që ishin nga Shqipëria, 138 nga Kosova dhe rreth 140 nga Maqedonia Veriore, ndodheshin ende në Shtetin Islamik.

Kalifati mund të jetë rrëzuar, por rruga e shtëpisë për këto gra dhe fëmijë duket më e ndërlikuar sesa mund ta kishin imagjinuar. Autoritetet në të tre vendet e Ballkanit, nuk kanë ende një plan, se si këta persona të mund të riatdhesohen.

Kampi “Al Hol” ndodhet në provincën siriane të el-Hasakah. Sipas Kombeve të Bashkuara, aktualisht ka rreth 73,000 njerëz të strehuar aty.

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, rreth 65 % e njerëzve në kamp, janë fëmijë nën moshën 18 vjeç. Rreth 27 % e totalit janë gra.

Refugjatët e zhvendosur brenda vendit dhe refugjatët irakianë përbëjnë shumicën e madhe, por 15 % e tyre janë nga të ashtuquajturat shtetas të vendeve të treta.

Kosova – Gjithsej 48 – 38 fëmijë dhe 10 gra (Të paktën 14 fëmijë kanë lindur në Siri)

Shqipëria – Gjithsej 52 – 41 fëmijë dhe 11 gra (Trembëdhjetë fëmijë kanë lindur në Siri)

Maqedonia Veriore – Gjithsej 8 – gjashtë fëmijë dhe dy gra

Gjithsej – 108 njerëz nga të 3 vendet

Shumë nga gratë shqiptare dhe fëmijët e tyre janë të dëshpëruar për t’u kthyer në shtëpi.

Ata na kanë nën mbikëqyrje dhe jemi të rrethuar nga tela dhe ushtarë. Nuk mund të flas shpesh, por ju lutemi flisni me shtetin tonë që të vijnë dhe të na marrin “, dëgjohet një fëmijë duke qarë, në një incizim audio të dëgjuar nga Balkan Insight ndërsa i tregon një të afërmi në Shqipëri.

Elodie Schindler, një zëdhënëse për Evropën dhe Azinë Qendrore në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ICRC, tha se gratë dhe fëmijët në kampe kërkonin mbrojtje të veçantë.

Shindler tha se shumë fëmijë ishin pa shtetësi zyrtare, nuk kishin qasje në shkollim dhe ishin të prekshëm nga abuzimet dhe sëmundjet.

Fëmijët në këtë histori meritojnë humanizmin tonë, jo urrejtjen tonë. Këta fëmijë janë viktima që nuk duhet të ndëshkohen për mëkatet e prindërve të tyre … Shumë prej tyre nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Ata duhet të trajtohen më mirë “, tha Schindler për Balkan Insight.

Balkan Insight i kërkoi Ministrive të Brendshme të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë Veriore nëse ata kishin identifikuar dhe kontaktuar qytetarët e tyre në këto kampe, por Ministria e Brendshme shqiptare nuk u përgjigj. Kosova nuk pranoi të komentojë, ndërsa Ministria e Brendshme e Maqedonisë Veriore tha se kishte identifikuar 4 gra maqedonase dhe shtatë fëmijët e tyre.

“Ata kanë vendosur kontakte me qëllim të marrjes së dokumenteve dhe lehtësimin e transportit nga Siria në Maqedoninë Veriore“, tha një zëdhënës i ministrisë.

Kjo ministri tha se nuk kishte juridiksion për të lehtësuar kthimin e tyre nga Siria dhe nuk specifikoi nëse ndonjë institucion tjetër shtetëror po merrej me çështjen.

Ai tha se që nga fillimi i konfliktit, në vitin 2011, rreth 80 shtetas maqedonas që ishin pjesë e shtetit islamik ishin kthyer në shtëpi, duke përfshirë një grua dhe një fëmijë.

Në Kosovë, Bedri Elezi, Drejtor i Studimeve të Sigurisë në Institutin e Kosovës për Studime Ndërkombëtare, tha se vendi e kishte lënë pas dore këtë çështje.

Elezi tha për Balkan Insight, se në shtator 2017, Instituti i tij kontaktoi me gjashtë gra dhe 21 fëmijë në Siri, të cilët dëshironin të ktheheshin në Kosovë, por se nuk ishte në gjendje të lehtësonte një marrëveshje me autoritetet e Kosovës për t’i kthyer ata.

Grupi qëndroi për një muaj pranë kufirit turk, duke pritur miratimin e autoriteteve të Kosovës për t’u kthyer, ne kontaktuam me ministrin e jashtëm, zyrën e kryeministrit, presidentin, kryetarin e parlamentit, por ata nuk arritën një zgjidhje,” tha ai.

KNKK, tha Schindler, inkurajon shtetet për të balancuar çështjet e sigurisë dhe llogaridhënies me nevojën për t’i trajtuar njerëzit në mënyrë humane.

Vendet e origjinës nuk mund të kthejnë shpinën“, tha ajo. Përktheu nga Balkan Insight, Abc News.


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono