zyrtarët

zyrtaret-amerikane-1280x693.jpg
nev ila21:34 | 16/10/2019

Krerët më të lartë të shtetit amerikan kanë nisur një ofensivë diplomatike për të bindur Turqinë të heqë dorë nga sulmet në Siri. Nga ana e tij, presidenti turk Erdogan ka akuzuar klasën politike amerikane për mungesë respekti dhe ka paralajmëruar se mund të anulojë një vizitë të planifikuar muajin e ardhshëm për në Shtetet e Bashkuara.

Administrata amerikane ka dërguar zyrtarët më të lartë të saj në Turqi, për të bindur Ankaranë që të ndalë sulmet në veri të Sirisë, në një kohë kur edhe trupat ruse po përpiqen të plotësojnë vakumin e lënë nga trupat e Uashingtonit.

Kështu, Robert O’Brajan, prej muajit të kaluar këshilltar për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë mbërriti të mërkurën në Turqi në përpjekje për të takuar ministrin e Jashtëm Mevlut Çavushoglu.

Ndërkohë, zëvendës presidenti Majk Pens dhe sekretari i Shtetit, Majk Pompeo pritet të takohen këto ditë me vetë presidentin turk Reçep Taip Erdogan. Administrata amerikane po përpiqet në këtë mënyrë të parandalojë katastrofën si pasojë e vendimit të Erdogan për të sulmuar zonat me shumicë kurde, milicitë e të cilave dikur ishin aleate të Shteteve të Bashkuara kundër ISIS.

Nga ana e tij, Erdogan insistoi edhe njëherë se nuk do të ketë ulje të armëve dhe tha se mund të anulojë vizitën e planifikuar për muajin e ardhshëm në Uashington për shkak të mungesës së respektit të treguar sipas tij nga politikanët amerikanë.

Gjithashtu, ai i quajti të paligjshme, të shëmtuara dhe kriminale sanksionet që Shtetet e Bashkuara vendosën ndaj një banke shtetërore turke nën dyshimin se kishte shkelur sanksionet ndaj Iranit. Sulmi turk, i nisur pas një telefonate mes presidentëve Trump dhe Erdogan bëri që Uashingtoni të braktiste një strategji 5-vjeçare dhe të tërhiqte trupat nga veriu i Sirisë./abcnews.al

rama-e-merkure-1280x698.jpg
ent ela13:14 | 18/09/2019

Nuk kanë munguar denoncimet e qytetarëve ndaj administratës publike edhe në takimin e përjavshëm të platformës së bashkëqeverisjes. Kryeministri Edi Rama ka paraljmëruar se do të bëhen të gjitha verifikimet për ata zyrtarë të sigurimeve shoqërore që kanë refuzuar të japin përgjigjet që kanë për detyrë.

Janë mbi 800 persona nga drejtorë në specialistë që kanë marrë masa ndëshkimore në adresë të tyre, nga ndjekjet penale të paralajmërimet për pushime nga puna, sepse ka rezultuar se i kanë zvarritur qytetarët. Këto rezultate ka prodhuar platforma e bashkëqeverisje sipas kryeministrit Edi Rama.

“Sigurisht është sfida jonë të përmirësojmë administratën çdo ditë dhe ky komunikim i drejtpërdrejtë mes qytetarit e qeverisë bën që pasi ne adresojmë problemin, të merremi me shkaktarët”.

Në takimin e përjavshëm kreu i qeverisë dëgjoi të tjerë shembuj zgjidhje të problemeve të vjetra e të reja me administratën shtetërore. Një pre tyre punëve të mira të kësaj platforme, kryeministri renditit mbështetjen e menjëhershme që i jep pensionistëve.

“Prej shumë vitesh para daljes së platformës, pensionistët kanë pasur pamundësi të plotë për të adresuar çështjen e përllogaritje së drejtë të pensionit të tyre, si rezultat i një administrate të pavëmendshme dhe një sistemi funksionimi të ankesave, i dështuar prej thuajse 30 vitesh. Qindra mijëra letra drejtoheshin çdo vit vetëm këtu në këtë godinë, pa llogaritur letrat në ministri dhe drejtori, dhe nuk rezulton që qoftë edhe 1% e tyre të merrnin përgjigje”.

Thirrja që përsërit kryetari i këshillit të ministrave është që ankesat të vazhdojnë të adresohen në platformën e bashkëqeverisjes sepse në në fund të ditës administrata vihet në punë. /ABC News Albania 24/7

 

dosja-1280x739.jpg
ad min13:49 | 09/05/2019

Gjykata për Krimet e Rënda caktoi sot masat e sigurisë për 5 personat e arrestuar në lidhje me abuzimin e dyshuar me trojet në ish-komunën e Kasharit. Gjyqtarja Rexhina Merlika ka lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për 3 ish-zyrtarët e komunës, përfshirë dhe ish-kreun e kësaj njësie vendore Besnik Fuçia, ndërsa në “arrest me burg” është lënë vetëm investitori i kompanisë “Ina 2004”, Stefan Çaushi. Me masën e sigurisë detyrim paraqitje u lanë: Teuta Shehaj, mbesa e ndërtuesit Çaushi, Jurgen Memishaj, ish shef  i zyrës  së Urbanistikës në ish komunën Kashar, Miranda Dyrmishaj, kolaudatore. Kallëzimi u bë nga investitori Arben Petriti. Hetimet zbuluan se Petritit i është shkaktuar dëm financiar prej 1.5 milion euro për një truall që i ishte dhënë në pronësi nga komuna ndërtuesit Stefan Çaushi./ABC News Albania 24/7

VENEZUELE-VIKTIMA-SANKSIONE.mpg_snapshot_00.33-1280x671.jpg
nev ila12:37 | 15/04/2019

Zyrtarët e lartë të SHBA dhe Amerikës Latine, kanë patur një takim Top-Sekret në Washington DC, ku kanë diskutuar ndërhyrjen ushtarake në Venezuelë, raporton e përditshmja Russia Today, e cila i është referuar një shkrimi investigativ të “The Grayzone”.

Sulmi ushtarak amerikan në Venezuelë u shqyrtua nga Këshilltarët e Trump dhe zyrtarët e Amerikës Latine në një takimin privat të DC. Larg nga syri i publikut, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) organizoi një takim të nivelit të lartë, jashtë axhendës, për të diskutuar mundësinë e ndërhyrjes ushtarake amerikane kundër Venezuelës. Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Washington DC, organizoi një tryezë të rrumbullakët private më 10 prill, të cilën e quajti “Vlerësimi i Përdorimit të Forcës Ushtarake në Venezuelë“, shkruhet në artikull.

Një listë e pjesëmarrësish në “takimin” e përfolur, iu ofrua “The Grayzone”, një e përditshme dedikuar gazetarisë investigative,  ku dy pjesëmarrës nga lista, sipas “The Grayzone”, konfirmuan se takimi është zhvilluar. Megjithatë, sipas të përditshmes, ata refuzuan të japin detaje të mëtejshme nga ky takim.

Në mesin e afro 40 figurave, për të diskutuar aksionet ushtarake të mundshme të SHBA kundër Caracas, ishin disa nga këshilltarët më me ndikim në politikën e Presidentit Donald Trump në Venezuelë. Ata përfshinin Departamentin e tanishëm dhe të mëparshëm të Shtetit, Këshillin Kombëtar të Inteligjencës dhe zyrtarët e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, së bashku me admiralin Kurt Tidd, i cili deri në nëntor të vitit të kaluar, ka qenë komandanti i Marinës Ushtarake Amerikane në jug të saj. Gjithashtu pjesëmarrës në këtë takim kanë qenë edhe zyrtarë të lartë nga ambasadat kolumbiane dhe braziliane, si gjenerali kolumbian Juan Pablo Amaya, si dhe përfaqësues të lartë të DC nga qeveria hije e grushtit të shtetit të Venezuelës, Juan Guaido”, raportohet në këtë shkrim.

Venezuela prej disa kohësh ndodhet në krizë politike, ku edhe pas zgjedhjeve të mbajtura kriza është thelluar edhe më tej./abcnews.al

 

1066218099-933x445.jpg
ent ela09:21 | 06/04/2019

Rreth katër mijë e 700 zyrtarë të lartë që punojnë në institucionet e Kosovës, janë të obliguar që çdo vit të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Por, jo të gjithë i respektojnë afatet dhe ligjin për deklarimin e pasurisë.

Vetëm gjatë vitit 2018, Agjencia Kundër Korrupsion ka zhvilluar procedurën e hetimeve paraprake në gjithsej 390 raste. Nga këto raste, sipas AKK-së, në Zyrën e kryeprokurorit të Shtetit janë përcjellë 105 kallëzime penale.

Edhe këtë vit, sipas zyrtarëve të Agjencisë Kundër Korrupsion, rreth katër mijë e 700 zyrtarë të lartë publikë e kanë pasur për obligim deklarimin e pasurisë, mirëpo ende nuk dihet saktë numri i atyre që kanë shmangur deklarimin e pasurisë së tyre.

Drejtori i Departamentit për parandalim të korrupsionit në Agjencinë e Kosovës Kundër Korrupsionit, Afrim Atashi, thotë për Radio Evropa e Lirë se AKK-ja është në fazën e verifikimit të listave.

“Deklarimin e pasurisë e kanë pasur për obligim rreth 4 mijë e 700 zyrtarë të lartë publikë. Njëherë e kemi verifikimin e listave se kush e ka deklaruar e kush s’e ka deklaruar, (për)ata që nuk kanë arsyetime ligjore, bazë ligjore, që s’e kanë deklaruar në afatin e paraparë, sigurisht se duhet të bëhen kallëzime penale për të gjithë ata që s’e kanë deklaruar pasurinë, sepse është vepër penale mosdeklarimi i pasurisë në kohën e paraparë ligjore”, thotë Atashi.

Për personat që kanë deklaruar pasurinë, Agjencia Kundër Korrupsion, pritet të bëjë publikimin e formularëve në muajin qershor. Rreth 20 për qind e zyrtarëve publikë që e kanë deklaruar pasurinë, do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë për të vërtetuar saktësinë e asaj që kanë deklaruar ata në formularë.

Drejtori i Departamentit për parandalim të korrupsionit në AKK, Afrim Atashi, shpjegon se në rast të mospërputhjes së të dhënave në formularë, atëherë zyrtarët do të dërgohen në Prokurori.

“Ata persona që kanë mospërputhshmëri edhe kanë deklaruar rrejshëm, ne i verifikojmë përmes institucioneve. Të gjithë ata që kanë mospërputhshmëri, sigurisht se agjencia e ka të drejtën që të bëjë kallëzime penale në prokuroritë kompetente”, shpjegon Atashi.

Në fund të muajit mars, gjatë prezantimit të raportit për vitin 2018, drejtori i AKK-së, Shaip Havolli, deklaroi se për shkak të mosdeklarimit të pasurisë në Prokurori të Shtetit, për t’u ndjekur penalisht kanë përfunduar shumë zyrtarë të lartë institucionalë, duke përfshirë deputetë, zëvendësministra si dhe emra të tjerë publikë. Mirëpo, deri më tani, asnjë nga emrat nuk është bërë publik.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës dyshon në vërtetësinë e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë, sidomos të atyre politikë. Spahija thotë se Prokuroria e Shtetit do të duhej që të hetonte më tepër aspektin financiar të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

“Ideale do të ishte sikur Prokuroria ta hetonte më tepër aspektin financiar të zyrtarëve të lartë shtetërorë, pra pasurimin e tyre e agjencia me ekspertizën që ka, do të mund t’i jepte ndihmë Prokurorisë së Shtetit në këto raste. Pra, hetimin financiar që e bën agjencia, ta bëjë edhe për Prokurorinë në rast se Prokuroria dyshon për veprime kriminale”, shprehet Spahija.

Qëllimi kryesor i procesit të deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion është që të identifikohen rastet e krijimit të pasurive të jashtëligjshme nga zyrtarët e lartë publikë në Kosovë.

Kosova vazhdimisht është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare për nivelin e lartë të korrupsionit dhe mosefikasitetin e sistemit të drejtësisë.

Niveli i lartë i korrupsionit shihet si pengesë në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian./REL

kosove-1-1280x714.jpg
ent ela16:19 | 05/04/2019

Në mungesë të simboleve kombëtare dhe shmangies së përdorimit të termit “Kosovë”, zyrtarët kosovarë e kanë braktisur samitin dixhital të Beogradit, duke akuzuar palën serbe për provokim të qëllimshëm. Në reagimin e saj, qeveria serbe ka deklaruar se nuk kishte për qëllim të provokonte askënd.

Samiti dixhital në kryeqytetin serb ka vazhduar pa praninë e zyrtareve të qeverisë së Kosovës. Kjo ka ndodhur pasi organizatorët sa herë është përmendur fjala Kosovë kanë fikur mikrofonat e panelistëve dhe kanë lexuar një tekst të shfaqur në ekran ku thuhej se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se vetëm në këtë aspekt mund të flitet për të, duke vazhduar bisedimet. Në këte video duket ky reagim pasi mediat nuk janë lejuar në të gjitha pjesët. Kjo fusnotë e gjallë ka ndodhur gjatë gjithë samitit pavarësisht se edhe Kosova firmosi heqjen e romingut.

Organizatorët e Qeverisë së Serbisë thonë se nuk kanë patur për qëllim të ofendojnë askënd. Ata thonë se do të udhëtojnë vitin e ardhshëm dhe janë munduar të jenë nikoqirë të mirë. Por, rregullat janë rregulla pavarësisht se thonë se porosia e samitit ishte bashkëpunimi i domosdoshëm. Nuk ka qenë e lehtë të tejkalohet taksa e Kosovës ndaj Serbisë.

Sinkron Mihajlo Jovanoviç, Zyra për Teknologjitë Informative“Vendimi i qeverisë për të firmosur romingung për Ballkanin perëndimor do të thotë se jemi të interesuar për një progres rajonal. Nuk ka patur qëllim për të provokuar askënd, por është rekomandim i qeverisë për të respektuar rezolutën 1244 dhe në disa raste jemi detyruar ta theksojmë këtë, por pa qëllim të keq dhe është vetëm një kërkesë e jona për të respektuar të drejtën, gjë që e kërkojmë nga të gjitha shtetet e botës”.

Në këtë takim nuk ka patur asnjë simbol të shteteve që kanë marrë pjesë dhe firmosja e marrëveshjeve është bërë nën patronatin e Bashkimit Evropian./abcnes.al

khashoggi-1.png
ad min23:56 | 15/11/2018

Administrata amerikane ka vendosur sanksione ndaj 17 zyrtarëve sauditë në lidhje me vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Bëhet fjalë për lëvizjen e parë ndëshkuese të Uashingtonit zyrtar, që megjithatë nuk cënon marrëveshjet e armatimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.

Departamenti amerikan i Thesarit vendosi të enjten sanksione ndaj 17 zyrtarëve saudite për rolin e tyre në vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Bëhet fjalë për përgjigjen e parë konkrete të administratës Trump në lidhje me vdekjen e reporterit, më 2 tetor në konsullatën saudite në Stamboll. Mes zyrtarëve të sanksionuar është Saud al Katani, ish-këshilltari kryesor i princit të kurorës Mohamed bin Salman, konsulli i përgjithshëm saudit në Turqi Mohamed Alotaibi dhe skuadra e 15 agjentëve që realizuan vrasjen e Kashogit. Njoftimi përbën një risi për Uashingtonin, që rrallë herë vendos sanksione ndaj shtetasve sauditë.

Masat sidoqoftë nuk prekin qeverinë e Rijadit, një aleat i rëndësishëm ushtarak dhe ekonomik i Shteteve të Bashkuara. Njëkohësisht, lëvizja i lejon administratës Trump të ndalojë çdo aksion që mund të prekë marrëveshjet fitimprurëse të armëve mes Amerikës dhe Arabisë Saudite, të cilat presidenti është zotuar se do t’i mbrojë. Konkretisht, sanksionet kufizojnë aksesin e zyrtarëve sauditë në sistemin financiar amerikan dhe ngrijnë asetet individuale të tyre. “Këta individë që vunë në shënjestër dhe vranë brutalisht një gazetar që jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara duhet të përballen me pasojat e veprimeve të tyre”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Thesarit./abcnews.al

MBULIM-CELA-KOHILA.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
ad min15:27 | 06/09/2018

Prokuroria për Krimet e Rënda ka zgjatur me tre muaj afatin e hetimit për ish-kreun e Policisë së Vlorës Jaeld Çela dhe ish-shefin e hetimit të narkotikëve, Gjergji Kohila. Ata janë shpallur në kërkim në bazë të një mase sigurie “arrest në burg” dhënë në mungesë ndaj tyre.

Sipas Prokurorisë, Çela e Kohila kanë ndihmuar dhe garantuar paprekshmërinë e grupit kriminal të “Hablilajve” në trafikun e drogës drejt Italisë.

Me kërkesë të prokurorisë, për shkak të nevojës së kryerjes së disa veprimeve hetimore shtesë, gjykata pranoi shtyrjen e afatit të hetimit të tyre deri në 20 nëntor 2018. Përveç tyre në kërkim është edhe ish-zyrtari tjetër i Policisë së Vlorës, Sokol Bode.

vlcsnap-error287-1280x720.jpg
ent ela12:47 | 30/01/2018

Në Korçë ligji për dekriminalizimin është zbatuar në mënyra të ndryshme nga strukturat e drejtësisë. Ndërsa Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë ka dënuar zyrtarët që kanë fshehur dënimet, është gjykata e Apelit ajo që i ka shpallur të gjithë të pafajshëm.

 

Zyrtaret e administratës publike ose të zgjedhur vendorë, të cilët janë proceduar nga Prokuroria e Korçës, për fshehjen e dënimeve në formularin e dekriminalizimit, janë shpallur të pafajshëm me vendim të formës së prerë.

Ligji i dekriminalizimit është zbatuar në mënyra të ndryshme nga organet e sistemit të drejtësisë në Korçë.

Prokuroria ka dërguar për gjykim dhjetra raste, të zyrtarëve të cilët nuk kishin deklaruar penalitetet e marra ndër vite, logjikë e cila është mbështetur nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila i ka deklaruar fajtorë, duke dhënë dënime, që fillojnë nga 6 muaj burg. Por Gjykata e Apelit, ka mbajtur qëndrim të ndryshëm, duke i prishur të gjitha vendimet e shkallës së parë dhe duke i shpallur të pafajshëm zyrtarët e proceduar në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.

Avokati Nevzat Tarelli konstaton keqzbatim dhe keqinterpretim të ligjit të dekriminalizimit nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së parë. Sipas argumetave të tij,rastet e fshehjes së dënimeve në formular, kanë qenë për vepra penale, të cilat ligji i dekriminalizimit nuk i përfshin dhe penalizon.

 

Nga ana tjetër, formulari i dekriminalizimit është kontradiktor dhe i paqartë, duke tejkaluar logjikën e ligjit.

 

Gjykata e Apelit të Korçës ka konsoliduar praktikën, duke deklaruar të pafajshëm zyrtarët, të cilët nuk kishin deklaruar në formular dënimet, të cilat vetë ligji i dekriminalizimit nuk i përfshin, duke detyruar organin e akuzës, të ndërpresë procedimin e zyrtarëve mbi këto argumenta./abcnews.al

Gazetare e ABC News, Korçë: Daniela Zisi

 

 

vlcsnap-error343-1280x720.jpg
ent ela13:51 | 25/01/2018

Në Lezhë para se të nisë aksioni për ujin e pijshëm u është kërkuar që fillimisht të paguajnë zyrtarët dhe të gjithë punonjësit e administratës. Atyre u është lënë një javë kohë

Prefekti i Lezhës Gjergj Prendi u paraqit në takimin me drejtorët rajonalë me librezat e paguara të ujit dhe energjisë para se të kërkonte ndaj institucioneve shlyerjen e të gjitha detyrimeve.

Sipas Prendit është e pafalshme t’u kërkosh qytetarëve të mbyllin debitë, kur në fakt vetë institucionet dhe punonjësit e tyre janë debitorë.

Ndërsa ka kërkuar shlyerjen e detyrimeve ndaj ujësjellësit dhe legalizimin e lidhjeve të paligjshme, Drejtori i sh.a ujësjellës kanalizime në Lezhe Zef Maçi ka folur për një fenomen ku janë individët dhe bizneset me të ardhura të larta që nuk duan të paguajnë.

Aksioni e qeverisë për ujin e pijshëm dhe mjedisin e ka konsideruar të drejtë kreu i bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, por në rastin e njësisë së tij ka kërkuar vëmendje më të madhe ndaj Mjedisit, pasi Lezha është zonë me fokus turizmin.

Është lënë pak më shumë se 1 javë kohë që institucionet të sjellin të gjithe informacionin për detyrimet që ata dhe administrata e tyre ka ndaj ujësjellësve në Qarkun e Lezhës./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono