zvicer

lenjani-1280x618.jpg
ent ela19:30 | 08/04/2019

Nga rekordi i Lenjanit tek ofendimet e Sadikut. Shqiptarët ishin protagonistë këtë fundjavë në Superligën e Zvicrës.

Ermir Lenjani shënon golin më të shpejtë në histori, në Superligën e Zvicrës. Pret kthimin në kombëtare.

Nuk u desh të pritej shumë.

Ermir Lenjani realizoi për vetëm 10 sekonda në Zvicër, duke vendosur një rekord.

Në të vërtetë, ky ishte barazimi i rekordit të mëparshëm, arritur nga një tjetër lojtar i Sionit, Musa Konate në vitin 2015.

Në ndeshjen Sion-Lucern, që përfundoi 2-2, futbollisti shqiptar dha edhe asistin për golin e dytë të skuadrës së tij.

Po kaloj një formë shumë të mirë, më në fund kam lënë pas vështirësitë dhe po jap përsëri maksimumin”, deklaroi ai për kamerat pas ndeshjes.

Lenjani reagoi edhe në rrjetet sociale.

“Shumë i lumtur që jam futur në historinë e futbollit zviceran për golin më të shpejtë, falenderimi i takon Zotit!”, shkruajti ai në FB.

Lenjani shënoi dy gola në një ndeshje, pak ditë më parë, dhe shpreson të kthehet në kombëtaren shqiptare, tani që Kristian Panuçi është larguar.

Shqiptari i Kosovës kishte deklaruar publikisht se nuk do të pranonte ftesë sa kohë që në stol të ishte italiani.

Duke u kthyer në Zvicër, duhet thënë se ishte fundjava e shqiptarëve.

Armando Sadiku po ashtu u bë lajm, dhe jo vetëm sepse shënoi gol.

Menjëherë pasi kaloi në epërsi Luganon në fushën e Bazelit, sulmuesi i kombëtares shqiptare shpërtheu me të shara.

Besohet se e kishte me trajnerin e tij, i cili e kishte lënë në stol, dhe e aktivizoi vetëm në fillim të pjesës së dytë.

“I shava nga pak të gjithë, unë i tillë jam, isha i zemëruar me të gjithë, edhe me veten time, pasi pretendoj më shumë”, deklaroi Sadiku pas ndeshjes.

Trajneri Çelestini nuk e bëri dramë, duke deklaruar se:

“Nëse Sadiku zemërohet me mua dhe më shan, por ama shënon, atëherë jam shumë i lumtur”.

Lugano mori një pikë të rëndësishme në fushën e Bazelit, me barazimin 1-1, dhe shpreson mbijetesën në Superligën e Zvicrës./abcnews.al

shqiptari-1.jpg
ent ela22:30 | 30/03/2019

Policia në Fribourg të Zvicrës apelon për ndihmë, pasi është në kërkim të shqiptarit Driton N. i cili rezulton i zhdukur. Ai është larguar nga shtëpia e tij në Sorens më 17 Mars. Familja që nga kjo datë nuk ka pasur asnjë kontakt me të. Gjithashtu të afërmit e tij dhe policia ende nuk kanë mundur të sigurojnë asnjë informacion për shqiptarin.

Të gjendur në këtë situatë autoritetet zvicerane kanë kërkuar ndihmë.

“Shqiptari  i lindur më 5 Prill 1978, 165 cm i gjatë, ka trup të bëshëm si dhe flokë të shkurtër të zi dhe sy kafe. Ai flet frëngjisht dhe shqip”, thuhet në njoftimin e policisë. Më tej çdo personi i kërkohet që nëse e njeh apo e shikon diku të kontaktojë në numrin 026 304 17 17./abcnews.al

zvicer.jpg
G. P.19:03 | 22/03/2019

Vrasja e një të mituri shqiptar nga Lipjani në Zvicër ka tronditur mbarë Kosovën. Lidhur me ngjarjen kanë reaguar edhe krerët e shtetit, ndërkohë që komuniteti shqiptar në Zvicër ka mbajtur një marshim në shenjë proteste, duke kërkuar drejtësi për 7-vjeçarin.

Vrasja e një fëmije 7-vjeçar nga Kosova në Zvicër ka tronditur mbarë opinionin publik në shtetin e vogël ballkanas. Vogëlushi me emrin Mërgim u vra 200 metra larg shkollës ku sapo kishte përfunduar mësimin nga një grua 75-vjeçare, e cila e sulmoi atë me armë të ftohtë. Pas vrasjes, autorja u vetëdorëzua në polici, ku pranoi krimin, motivet e të cilit mbeten megjithatë të paqarta.

Në vendin e ngjarjes banorë të qytetit të Bazelit vendosën buqeta me lule si homazh për të miturin. Kur shkuan atje, prindërit e 7-vjeçarit nuk mundën t’i mbanin lotët. E ëma e tij u shpreh se i kishin marrë lulen më të bukur të jetës. Ajo tha se nuk e njihte autoren e vrasjes dhe se nuk e dinte motivin përse ajo e kishte kryer këtë krim. Për herë të fundit nëna e kishte parë të birin para dy ditësh, pasi ndodhej e shtruar në spital.

“Ai erdhi dhe më vizitoi në shtrat dhe ishte shumë i lumtur”, tha ajo.

Ndërkohë, familja e të miturit ka vendosur se djali do të varroset në Lipjan, që është dhe vendlindja e tij. Të premten lidhur me ngjarjen kanë reaguar edhe krerët e shtetit të Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, presidenti Hashim Thaçi është shprehur se ngjarja e ndodhur në Bazel të Zvicrës i ka tronditur të gjithë në Kosovë.

“Në këto momente shumë të rënda ndaj dhimbjen me familjen e Mërgimit. E gjithë Kosova dhe Zvicra do të luten për të”, ka deklaruar Thaçi.

Sërish përmes rrjeteve sociale, edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka ngushëlluar familjen e 7-vjeçarit.

“Ndaj dhimbjen e madhe dhe i përcjell ngushëllimet më të thella familjes së Mërgimit. Mendimet dhe lutjet e mia janë me ju në këto çaste të rënda”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë, autoritetet zvicerane që po hetojnë ngjarjen kanë konstatuar se autorja e krimit vuan nga probleme mendore. Ndërsa komuniteti shqiptar në Bazel ka mbajtur një marshim në shenjë proteste ndaj vrasjes së 7-vjeçarit, duke kërkuar drejtësi për të./abcnews.al

cas.jpg
G. P.17:06 | 09/03/2019

Skënderbeu do të ketë gjyqin në KAS, me UEFA-n, në muajin Prill të këtij viti. Korçarët deklarojnë se synojnë pafajësinë, por besohet se mund të kënaqen edhe me uljen e dënimit në 3 vjet.

Enigma duket se nuk ekziston më. Të paktën kështu mendohet pasi Skënderbeu botoi letrën e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë, për datën e gjyqit me UEFA-n. Dokumenti tregon se seancat në Zvicër do të jenë në 16 dhe 17 Prill, pra rreth 5 javë më vonë dhe pas tyre, gjykata do të vendosë lidhur me dënimin e UEFA-s, që e përjashtoi klubin shqiptar për 10 vjet nga kupat e Europës, si dhe e gjobiti me 1 milion euro.

Skënderbeu u akuzua se trukoi shumë ndeshje në raundet eleminatore në Ligën e Kampionëve, si dhe në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Kjo ishte hera e parë që përcaktohet data e gjyqit në KAS nga vetë klubi, ndërsa deri tani ka pasur vetëm njoftime jozyrtare, mbi data të caktuara dhe mbi shtyrjen e tyre gjatë vitit 2018, si për fillimin e vitit 2019.

Së fundi, nga Korça erdhën lajme se shpresat janë që gjyqi të fitohet tërësisht, pra të hidhet poshtë vendimi i UEFA-s dhe të fitohet pafajësia. Gjithsesi, burime të mirëinformuara pranë klubit bëjnë me dijë se edhe një dënim 3-vjeçar do të ishte një sukses dhe se pikërisht ky rezultat shihet si më realist për t’u arritur.

Skënderbeu ka pajtuar studion më të njohur të avokatisë në Zvicër, të quajtur fillimisht De Pfifer, ndërsa tani e bashkuar nën emrin Kelehals Karrar. Besohet se shpenzimi ka arritur në 500 000 euro, shenjë që presidenti Takaj ka shpresë se mund të marrë një rezultat pozitiv. Skuadra kampione e Shqipërisë u ndalua dy herë për të marrë pjesë në kupat e Europës, fillimisht në 2016, dhe pastaj në verën e vitit 2018./abcnews.al

skite.jpg
G. P.11:46 | 20/02/2019

Janë ndërprerë kërkimet për të zhdukur në një nga pistat e skiimit në Alpet zvicerane. Sipas policisë nuk rezulton asnjeri i zhdukur. Bilanci përfundimtar flet për katër të plagosur, nga të cilët një në gjendje kritike për jetën.

Paraditen e së martës skiatorët u mbuluan nga një ortek dëbore. Në vendngjarje mbërritën menjëherë tetë helikopterë dhe ambulancat, qentë e dëborës dhe ekipet e kërkim shpëtimit për një total prej 240 personash të angazhuar./abcnews.al

IMG_5714-5-1.jpg
ent ela16:58 | 12/01/2019

Një 31-vjeçar shqiptar u arrestua në Zvicër, pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Shqiptari akuzohet se ka goditur me thikë një bashkëtadhetar mbrëmjen e 2 Shkurtit të vitit 2012 në Romë. Për këtë ngjarje të rëndë ai u dënua me 10 vite burg nga drejtësia italiane. I riu u identifikua si Mirjan Laraj dhe pasi goditi me thikë bashkëtadhetarin duke i shkaktuar lëndime serioze në bark u largua nga vendi i ngjarjes.

Në Prill të vitit 2016, ai u dënua me 10 vjet për vrasje në tentativë, por policia në atë kohë nuk ra në gjurmët e tij. Shqiptari për të humbur gjurmët kishte ikur jashtë vendit. Falë lëshimit të një urdhër arresti ndërkombëtar, hetimet u zgjeruan aq shumë saqë bashkëpunimi i ngushtë i policisë italiane dhe zvicerane bëri të mundur ndalimin i tij. 31-vjeçari u ekstradua në Itali dhe tashmë ndodhet në një burg në Milano, aty ku do të vuajë edhe dënimin./abcnews.al

MBULIM-AKSIDENTI-ZVICER.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
G. P.11:27 | 16/12/2018

Një autobusi i nisur nga Italia për në Gjermani është përplasur me një mur në afërsi të Zyrihut në Zvicër. Në aksident ka humbur jetën një grua dhe 44 persona të tjerë u plagosën. Mes tyre 3 janë në gjendje të rëndë. Lajmi është konfirmuar nga policia lokale. Shkaqet e aksidentit ende nuk dihen. Por autoritetet dyshojnë se drejtuesi mund të ketë humbur kontrollin, për shkak të dëborës dhe akullit në rrugë./abcnews.al

Armando-Sadiku.jpg
G. P.17:31 | 11/12/2018

Armando Sadiku ka shanse reale për t’u kthyer në Zvicër tek Lugano. Presidenti i klubit zviceran shprehet se sulmuesi shqiptar është dëshira e tij numër 1 për Janarin.

Në asnjë mënyrë nuk është harruar. Armando Sadiku është dëshira më e madhe e Luganos, me klubin zviceran që shpreson ta marrë qoftë edhe për disa kohë nga Levante. Presidenti Renxeti, i intervistuar nga “Corriere del Ticcino”, e pranon hapur se “ai është në krye të listës sonë”, veçse me disa kushte.

Kushti kryesor është ai financiar, pasi sulmuesi i kombëtares shqiptare ka një rrogë të madhe në La Liga të Spanjës, të tillë që Lugano nuk e përballon dot. Gjithsesi, përshtypja është që kjo lëvizje mund të kryhet. Me 38 gola në 62 ndeshje për tiçinezët, Sadiku mbetet një nga lojtarët më të dashur për tifozët, të cilët e presin me krahë hapur.

Klubi zviceran do të duhet të bëjë një sforcim financiar dhe teknik për ta paguar dhe për ta përshtatur në skuadër, dhe “Korriere del Tiçino” shkruan se në janar mund të largohen nga ekipi tre lojtarë, Jao, Amuzi dhe Abedini. Sulmuesi 27-vjeçar e nisi karrierën në Cërrik, pastaj luajti me Gramozin dhe Elbasanin, por shpejt kaloi në Zvicër, ku luajti për Lokarnon, dy herë për Luganon, Zyrihun e Vaducin.

Më pas, provoi aventurën në Poloni me Legian e Varshavës. Janarin e kaluar, Sadiku hodhi hapin e madh në karrierë, tek Levante në La Liga të Spanjës, por nuk pati fat dhe shpejt pësoi një dëmtim të rëndë në gju. Ai është edhe shënuesi më i mirë aktiv i kombëtares shqiptare me 11 gola, si dhe njeriu që shënoi golin e vetëm të Shqipërisë në finalet e një Europiani./abcnews.al

lenjani-1280x618.jpg
G. P.21:07 | 28/10/2018

Ermir Lenjani po kalon një formë shumë të mirë në Zvicër. Futbollisti i kombëtares shënoi gol, ndonëse skuadra e tij humbi.

Ishte dita e Ermir Lenjanit, por jo e Sionit. Futbollisti i kombëtares shqiptare bëri një paraqitje për t’u mbajtur mend, ndërsa skuadra e tij pësoi një humbje që vështirë se mund të harrohet. Lenjani kaloi në epërsi Sionin në fushën eYoung Boys-it që në minutën e 17-të.

Kontributi i shqiptarit nga Kosova nuk përfundoi me aq, sepse ishte pikërisht ai që solli edhe golin e dytë, në minutën e 28-të. Këmbëngulja e Lenjanit bëri që Kamara ta devijonte topin për në rrjetën e portës së tij. Epërsia 2-0 gjithsesi nuk i mjaftoi Sionit në këtë sfidë të javës së 12-të të Superligës së Zvicrës.

Madje, pas pushimit, Lenjanit iu kthye fati në të kundërt, pasi ishte ai vetë që devijoi për në rrjetë një top që solli barazimin e rezultatit në 2-2. Në sekondat e fundit, Young Boys arriti edhe fitoren e pashpresuar, me anë të Sanogosë, duke mbajtur me forcë vendin e parë në renditje, me 31 pikë, plot 11 pikë më shumë sesa Bazeli.

Sioni në të kundërt është fare pranë fundit, me vetëm 11 pikë, por gjithsesi për tifozët e kombëtares shqiptare rëndësi ka fakti se Lenjani është kthyer në formë, po luan me minutazh të plotë, dhe madje po shënon edhe gola./abcnews.al

seferi.png
G. P.22:59 | 20/10/2018

Azdren Llullaku dhe Taulant Seferi shënuan në futbollin europian këtë fundjavë. Llullaku realizoi në Rumani, ndërsa Seferi ia doli në Zvicër.

Njëri është i konfirmuar, ndërsa tjetri po e tregon veten hap pas hapi. Dy lojtarë të kombëtareve shqiptare shënuan këtë fundjavë në kampionatet europiane në futboll. Azdren Llullaku ia doli, edhe pse me penallti, në elitën e Rumanisë, duke ndihmuar ekipin e tij, Astrën, që të fitojë 2-0 në fushën e Hermanshtatit.

Llullaku është pjesë e kombëtares shqiptare, ndonëse nuk është thirrur kohët e fundit nga trajneri Panuçi, veçse forma e mirë mund ta ndihmojë të veshë përsëri fanelën kuqezi, ndërsa nuk harroi festimin me shqiponjë.

Në Zvicër, po shfaqen gjithnjë e më shumë një talent i ri. Ky është lojtari i Shpresave të Shqipërisë, Taulant Seferi, që shënoi për Vinterturin në ligën e dytë zvicerane. Lojtari 21-vjeçar i krahut shënoi në suksesin 2-1 ndaj Vaducit, ndërsa Vinterturi u ngjit në krye të renditjes, të paktën përkohësisht.

Seferi realizoi dy herë për Shqipërinë U21 në barazimin 2-2 në Estoni për eleminatoret e Europianit. Ai shpreson që të ngjitet në Superligën zvicerane me ekipin aktual, por edhe që të kthehet nga huazimi, për t’u bërë pjesë e Jang Bojsit, klubit të njohur që zotëron kartonin e tij./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono