Zoran Zaev

zaev-2.jpg
G. P.15:35 | 24/06/2019

Pas paralajmërimeve të shumta, në fundjavë u konfirmuan ndryshimet në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, me propozimet që u dorëzuan në parlamentin e vendit. Por cilët janë ministrat e rinj në një kohë që kryeministri Zaev është vetëpropozuar për postin e ministrit të Financave.

Kryeministri Zaev veten e ka propozuar Ministër të Financave, kurse ministri i deritashëm Dragan Tevdovski do të jetë këshilltar i tij. Në biografinë e Kryeministrit, krahas karrierës profesionale, shkruan se është rritur në një familje modeste, tradicionale dhe se që nga rinia e hershme është kycur në biznesin familjar të bujqësisë.

Për Goran Milevskin, liderin e Partisë Liberal-Demokrate, i cili do të jetë ministër i Pushtetit Lokal, shkruhet se para se të bëhet deputet, ka qenë profesor i lëndëve ekonomike në një shkollë të mesme të Manastirit, kurse lidhur me njohuritë përmenden MS Office dhe Internet, kurse flet edhe anglishten.

Hysni Ismaili, është propozimi i alternativës për Ministër të Kulturës. Ai me profesion është Doktor i Shkencave Mjekësore, kurse para se të bëhet docent në Universitetin e Tetovës, ka qenë profesor në shkollën e mesme të mjekësisë në Tetovë.

Krahas gjuhës shqipe, flet edhe gjuhët maqedonase, turke, angleze, e boshnjake. Lidhur me aktivitetet e kulturës, në biografi shkruhet se ka qenë redaktor i librit, organizator i panairit të parë të librit të botuesve privat shqiptar, redaktor i radio-dramave dhe të 90 radio-emisioneve nga fusha e kulturës, redaktor dhe udhëheqës i 80 programeve dokumentare televizive na gjuhën shqipe dhe njëri prej themeluesve të shtëpisë botuese “Logos A”. Në biografinë e tij përmenden edhe një numër i madh i punimeve shkencore nga fusha e mjekësisë.

Ministër i ri i Ambientit Jetësor do të jetë Naser Nuredini, i cili është shkolluar për Biznes Ndërkombëtar në Austri, Gjermani dhe Britaninë e Madhe. Në grafën për gjuhët, thuhet se flet shqipen, anglishten, gjermanishten dhe italishten, kurse flet edhe gjuhën maqedone dhe serbo-kroate.

Sadulla Duraku do ta udhëheq Ministrinë për sistem politik. Përveç funksioneve politike, në përvojën e punës përmenden edhe punësimet në dy shkolla të mesme në Kumanovë.

Në Ministrinë e Bujqësisë duhet të emërohet Trajan Dimkovski, i cili deri më tani ka qenë shef i kabinetit të paraardhësit të tij Lupço Nikolovski. Përveç punës në Ministri, ka përvojë edhe në Këshillat drejtuese dhe shoqata nga fusha e bujqësisë./ABC News Albania 24/7

zoran-zaev.png
nev ila13:00 | 21/06/2019

Sërish ndryshime në qeverinë e Maqedoniësë së Veriut. Kryeministri Zoran Zaev dorëzon gjatë dirës në parlamentin e vendit propozimin e tij për ndryshime në qeveri. Sipas mediave në vend priten të paktën 8 zëvendësime ministrash.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dorëzon sot në Kuvend propozimin për  ndryshimet në kabinetin e tij qeveritar.  Sipas  paralajmërimeve të tij do të të ketë gjithsej tetë ndërrime ministrash e  zv/ministrash dhe  të rreth 20 drejtuesve të ndërmarrjeve publike. TV Klan Macedonia mëson se në ekipin përfaqësues të BDI-së do të ketë dy ndryshime në rang ministror:

Ekonomisti me përvojë evropiane Naser Nuredini është emër i ri  në kabinetin qeveritar dhe do të drejtojë Ministrinë e Mjedisit e të Planifikimit Hapësinor, kurse Sadulla Duraku, që deri tash ishte bë ballë të këtij dikasteri, do të drejtojë Ministrinë e re për Sistem Politik.

Paralajmërohet se integristët do të propozojnë edhe emra të rinj  të drejtuesve të disa disa drejtorive të ndërmarrjeve publike. Ndërkohë, ende nuk është e qartë nëse Kryeministri ka rënë dakord për ‘rokadën’  me Rilindjen Demokratike Kombëtare që LDP-ja të marrë Ministrinë e Pushtetit Lokal kurse kësaj partie t’i jepet ndonjë dikaster tjetër.

Pas dorëheqjes së Asaf Ademit nga posti i ministrit të Kulturës, mësohet se në vend të tij, po nga Alternativa, do të vijë profesori universitar Hysni Ismaili./ABC News Albania 24/7

zaev-1-1280x675.jpg
G. P.23:24 | 16/06/2019

Lidhja social-demokrate ka vendosur që të mos ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe pse kryeministri Zoran Zaev kishte paralajmëruar një mundësi të tillë, nëse nuk do të merret këtë verë data për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pas mbledhjes së Këshillit Qëndror të LSDM-së, Zaev tha se zgjedhjet nuk sjellin gjë tjetër po radikalizimit, nacionalizimit dhe ndarjes në shoqëri. Ai tha se është vendosur për riformatim të qeverisë, por jo më shumë se të tetë ministrive.

Zaev njoftoi për ndryshimin edhe së paku të 20 drejtorëve. Ndryshimet tha do të bëhen deri në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit të ardhshëm.  LSDM-ja në mbledhjen e Këshillit Qendror ka zgjedhur edhe anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv, ndërsa nënkryetarët e partisë do të zgjidhjen në një nga mbledhjet e ardhshme të organeve partiake./ABC News Albania 24/7

maqedonia-e-veriut.jpg
G. P.18:05 | 16/06/2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka mbledhur këshillin qendror të LSDM-së, në të cilin do të diskutohet për dorëzimin e mandatit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Partia më e madhe në pushtet LSDM sot në Ohër po mban Këshillin Qendror të kësaj partie ku pritet të dikustohen për vendimet që do të pasojnë pas njoftimit se data për negociata me BE-në mund të ndahet në Tetor. Pritet që gjatë ditës së sotme kryeministri Zoran Zaev të diskutoj rreth asaj se a do të dorëzoj mandatin, do të ketë zgjedhje të parakohshme apo rikonstruktim të qeverisë.

Është paralajmëruar për ndryshime-lëvizje edhe në ekipin përfaqësues të Bashkimit Demokratik për Integrim ku flitet për të paktën dy ndryshime në postet ministrore ndërkohë që do të ketë lvëzje edhe në disa drejtori që menaxhohen nga integristet. Fshesa e cila u paralajmërua nga kryeministri Zoran Zaev pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale, filloi pikërisht në partinë e tij.

Të 78 kryetarët e organizatave komunale u larguan nga pozita. U shkarkua i gjithë Bordi ekzekutiv i LSDM-së, të gjithë gjashtë nënkryetarët e partisë, Sekretari i përgjithshëm, organizativ dhe ndërkombëtar si dhe koordinatorja e Forumit të grave në seancën e Komitetit Qendror muajin e kaluar./ABC News Albania 24/7

17894965_304.jpg
nev ila22:53 | 14/06/2019

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka sqaruar me detaje se si është arratisur nga Maqedonia parardhësi i tij Nikolla Gruevski, përfshirë kalimin tranzit në Shqipëri. Ndërkohë, zyrtarët hungarezë kanë mbrojtur dhënien e azilit për Gruevskin, me argumentin se jep informacione mbi Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Zoran Zaev në intervistën për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemajne Cajtung” ka zbardhur detaje të reja për arratisjen e ish-Kryeministrit Nikola Gruevski, i cili fitoi azilin në Hungari. Gruevski ishte dënuar me dy vite burg për shkak të keqpërdorimeve gjatë blerjes së një mercedesi luksoz.

“Tani e dijmë se si është arratisur. Gruevski me ashensor ka zbritur në bodrumin e ndërtesës, kurse atje është fshehur në bagazhin e makinës që e ka dërguar jashtë vendit. Në Shqipëri e ka pritur një automjet diplomatik hungarez”, tha Zaev.

Në pyetjen se përse gjahu pas Gruevskit ka filluar qysh të hënën, edhe pse të premten ai duhej të paraqitet për të vuajtur dënimin me burg, Kryeministri Zaev ka theksuar se kështu janë rregullat për të dënuarit.

“Në vendin tonë është e zakonshme që kriminelët që thirren të premten për të vuajtur dënimin me burg, fundjavën e kalojnë në shtëpi. Nuk kishim mundësi këtë ta ndryshojmë vetëm për Gruevskin”, deklaroi Zaev.

Ndërkohë, Shefi i diplomacisë hungareze Peter Sijarto, në Kuvendin e Hungarisë ka mbrojtur azilin e ish-kryeministrit  Nikolla Gruevski si dhe takimin e tij të fshehtë me zëvëndës sekretarin shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë në një banesë në Budapest, duke theksuar se deputeti i deritanishëm dhe kryetari i nderit i VMRO-DPMNE-së jep informacione për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Sijarto në pyetjen e deputetëve nga opozita hungareze replikoi duke thënë se komunikojnë që të marrin, siç thotë, informacione sa më autentike për atë që ndodh atje, duke pasur parasysh përvojën e tij 10-vjeçare si kryeministër.

Ai shtoi se dënimi me burg dhe arratisja e Gruevskit është një “standard i dyfishtë” sepse, sic tha, edhe kryeministri aktual Zoran Zaev ka qenë i akuzuar për korrupsion, por është amnistuar nga Presidenti i vendit./ABC News Albania 24/7

zaev.jpg
nev ila13:05 | 06/06/2019

Nëse nuk do të ketë një datë të caktuar për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin evropian, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Është kjo deklarata më e fundit e kryeministrit Zoran Zaev nga Brukseli

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, deklaroi nga Brukseli se anulimi i mundshëm i vendimit për një datë të caktuar, për hapjen e negociatave nga ana e Bashkimit Evropian, do të rrezikonte qeverinë. Sipas raportimeve të mediave në Maqedoninë e Veriut, Zaev ka paralajmëruar se nëse nuk do të ketë një datë , atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Për çdo vendim i cili ka të bëjë me zgjerimin e BE-së, i domosdoshëm është paraprakisht Bundestagu të japë dritën jeshile. Afati i ardhshëm për miratim të vendimit nga ana e Berlinit është 28 qershori, pas së cilës ministrat e BE-së mund ta përcaktojnë datën përfundimtare në gjysmën e dytë të korrikut, kur sërish do të takohen në Bruksel.

Zaev theksoi se raporti i Komisionit Evropian është më pozitivi deri tani për Maqedoninë e Veriut dhe se të gjithë pa përjashtim pajtohen se vendi duhet t’i fillojë negociatat për anëtarësim. Zaev shtoi gjithashtu se Qeveria e tij ka bërë përpjekje thelbësore dhe ka ndërmarrë rrezik të madh politik në procesin e miratimit të Marrëveshjes së Prespës, për të cilën duhej shumicë prej dy të tretave.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut shprehu shqetësimin se zhgënjimi që do të paraqitet te qytetarët nëse nuk do të ketë vendim pozitiv në Këshillin e BE-së do t’u japë shpresë forcave nacionaliste. Kjo sipas tij nënkupton se do të ketë qytetarë të cilët do të vendosin t’i mbështesin forcat radikale, nacionaliste, dhe kjo nuk është mirë për Maqedoninë e Veriut as për rajonin./ABC News Albania 24/7

Zaev-i-Edi-Rama-16okt17-Vlada-RM.jpg
nev ila11:52 | 06/06/2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, u shpreh se Holanda dhe Franca kanë më shumë rezerva për nisjen e negociatave me Shqipërinë.

Sipas tij Gjermania i frikësohet kërcënimeve të palës shqiptare se vendimi mund të ndikojë për jo stabilitet në rajon, sidomos në Kosovë. Zaev theksoi se këto vende mendojnë se nëse i hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe lihet jashtë Shqipëria, do të krijohet problem dhe mund të ndikojë te Kosova.

Gjermanët frikësohen nga kërcënimet e mikut tim Edi Rama për ndryshime të mundshme të kufijve ose bashkimit me Kosovën, por unë nuk besoj në këto punë, pasi kjo do të thotë kthim prapa për 10 vjet për Shqipërinë. Ndërsa një gjë të tillë nuk e dëshiron askush”, tha mes tjerash Zaev./ABC News Albania 24/7

shkup-stolcemberg-1280x711.jpg
G. P.16:40 | 03/06/2019

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë vizitës në Shkup theksoi se Maqedonia e Veriut po i gëzon që tani përfitimet si anëtare e ardhshme e NATO-s. Shefi i NATO-s përgëzoi edhe njëherë Maqedoninë e Veriut për marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës. Stoltenberg tha se të dyja vendet me këtë marrëveshje treguan se e pamundura mund të bëhet realitet dhe mosmarrëveshjet mes fqinjëve të marrin fund.

Me përshëndetje të ngrohta, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe kryeministri Zoran Zaev pas takimit të përbashkët të Këshillit Euro-Atlantik dhe  përfaqësuesve të qeverisë numëruan një sërë përfitimesh por edhe obligimesh nga anëtarësimi në aleancë, që për Maqedoninë pritet të rrumbullakësohet deri në fund të vitit ose në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Historia e dyerve të hapura të NATO-s u tregua e suksesshme, theksoi Stoltenberg, duke marrë si shembull vendin e tij.

Jens Stoltenberg: Unë vij nga një vend i vogël në veri, i cili kishte shumë përfitime nga anëtarësimi në aleancë, dhe jam absolutisht i sigurtë se edhe Maqedonia do të ketë përfitime nga kjo aleancë. Siguron bazë për përparim, sepse siguria është parakusht për zhvillim ekonomik dhe prosperitet, tanimë e shohim se investimet në Maqedoninë e Veriut rriten, që është mirë edhe për vendin edhe për rajonin.

Anëtaret e NATO-s duhet të dorëzojnë edhe 16 ratifikime të protokolleve për anëtarësimin e Maqedonisë si vendi I 30-të në NATO, ndërkaq nga Maqedonia e Veriut  pritet plotësimi i premtimit për harxhime ne mbrojtje 2% nga bruto prodhimi vendor dhe t`i rrumbullakësojë reformat për  sistemet e sigurisë dhe të zbulimit e kundër-zbulimit, që të jetë e gatshme  për shkëmbimin e informacioneve të besueshme.

Zoran Zaev: I zbatuam gjithashtu edhe hapat e nevojshëm për riformimin e agjencive të zbulimit dhe kundër-zbulimit, dhe të shërbimeve të sigurisë në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë dhe palët e interesuara. Tani ato prapë e morën rolin autentik, të jenë në shërbim të sigurisë së qytetarëve dhe të interesave të vendit dhe aleatëve të saj. Republika e Maqedonisë së Veriut po bëhet pjesë e aleancës trans-atlantike.

Në lidhje me tensionet në veriun e Kosovës dhe çështjen e pazgjidhur midis Prishtinës dhe Beogradit, Stoltenberg edhe një herë si model për zgjidhje e sugjeroi Marrëveshjen e Prespës.

Jens Stoltenberg: Kjo tregon se është e mundur të tejkalohen dallimet nga e kaluara, të tejkalohen mospajtueshmëritë historike. Jo të harrohet e kaluara, por të mos lejohet ajo të rrezikojë të ardhmen. Të tejkalohen dallimet dhe së bashku të shkohet më tutj”.

Stoltenberg në Shkup arriti nga Tirana, ku theksoi se nuk është e pranueshme dhuna dhe çdo përpjekje për të minuar institucionet demokratike, duke bërë thirrje që të respektohen këto institucione.

29 ambasadorët e vendeve anëtare të aleancës në krye me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg u takuan edhe me presidentin e shtetit  Stevo Pendarovski, deri vonë koordinator kombëtar për NATO-n në Maqedoni.

Pasditen e sotme Stoltenberg do të mbajë ligjëratë edhe në  Fakultetin Ekonomik, ,ku pritet të fokusohet në përfitimet ekonomike që i sjell anëtarësimi. Ai vetë në më shumë drejtime theksoi se shkalla e investimeve të huaja në vend, këtë vit është tre herë më e lartë se vitin e kaluar, duke e lidhur këtë me sigurinë e anëtarësimit në aleancë. /ABC News Albania 24/7

zoran-zaaev.jpg
G. P.19:55 | 02/06/2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka bërë të dielën bilancin e qeverisjes së tij kur kanë kaluar 2 vjet nga marrja e pushtetit. Në fjalën e tij, Zaev ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga kabineti i tij dhe ka theksuar se tashmë i takon BE-së të mbajë fjalën, duke iu referuar hapjes së negociatave.

Sallë e mbushur me funksionarë qeveritarë, këshilltarë, deputetë, kryetarë komunash, aktivistë të organizatave qytetare dhe ndonjë përfaqësues i bashkësive fetare. Të gjithë të mbledhur, në ftesë të qeverisë, të shënojnë dyvjetorin ose gjysmën e mandatit nga kabineti i kryeministrit Zoran Zaev, i cili erdhi në pushtet pas turbulencave në pranverën e vitit 2017, hyrja e dhunshme në Kuvend, mosdhënia e mandatit për formimin e qeverisë nga ish-presidenti i shtetit, rezistencë dhe kërcënime nga qeveria e atëhershme. Vendi ishte në prag të shkatërrimit, vlerësoi Zaev, i kënaqur nga kthesa e bërë në plan të brendshëm dhe ndërkombëtar.

“Do të shërbehem me dialektin e Strumicës për të thënë se në politikë nuk ekziston “shikoje rehatinë tënde”. Ndërmorëm aksion, u betuam, është koha ti japim botës një Ballkan më ndryshe. Ballkan i vendeve të cilat i kanë lënë pas paragjykimet dhe kontestet historike dhe të cilët janë kthyer drejt mirëqenies së qytetarëve të vet”, tha ai.

Pas arritjeve të numëruara, në plan vendas dhe ndërkombëtar, kryeministri e porositi Brukselin, duke theksuar: “Evropianët nga Maqedonia e Veriut presin një hap të qartë nga Bashkimi Evropian”, duke sugjeruar në datën e pritur për fillim të negociatave për anëtarësim. Por në procesin e eurointegrimit të vendit është më e sigurt se përshëndetja për mirëseardhje shumë më shpejt do të arrijë nga NATO.

“Për përafërsisht dy javë një nga kapacitetet ushtarake më të sofistikuara të mbrojtjes të NATO-s, avioni ushtarak supersonik B52 do të fluturojë mbi vendin tonë, duke përshëndetur anëtaren më të re. Të jemi të sinqertë, para dy vitesh kjo do të ishte më shumë se iluzion”, tha Radmila Sheqerinska, ministre e Mbrojtjes.

Zëvëndëskryeministri Bujar Osmani arritjet e qeverisë u përpoq t’i ilustrojë me pozitën e Maqedonisë vis-a-vis me fqinjët, në raport me reformat demokratike dhe ekonomike.

“Këtë krahasim shikojeni nga këndvështrimi pozitiv, kjo nuk është luftë në kuptim negativ. Kjo qasje drejt Bashkimit Evropian i motivoi vendet tona të arrijnë në këtë stad. Nota është 3.5 për reformat ekonomike. Që d.m.th se kushtet për zhvillim të biznesit dhe ekonomisë në vend janë pozitive”, tha ai.

Por përveç vlerësimeve pozitive për reformat e arritura dhe vlerave demokratike në Maqedoni, Bashkimi Evropian në raportin e fundit për përparimin e vendit i numëron edhe detyrat e paplotësuara, më së shumti në fushën e sundimit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit dhe krimit, si dhe ndryshimin ose evropianizimin e vetëdijes të administratës shtetërore. Pikërisht në këtë fushë nga qeveria pritet angazhim më i madh./ABC News Albania 24/7

zoran-zaev.png
nev ila17:13 | 08/05/2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev vijon me ndryshimet në qeverinë e tij, duke deklaruar se gjatë javës priten shkarkime të reja. Deklarata e tij se cilido që nuk jep rezultatet në punë do i nënshtrohet “fshesës”, ka shkaktuar jo pak reagime.

Pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe rezultatit të ngushtë mes kandidatit të koalicionit qeveritar dhe të opozitës, Kryeministri Zaev paralajmëroi ndryshime në kabinetin e tij qeveritar, por edhe në administratën shtetërore, duke dërguar mesazhin se të gjithë ata që nuk janë të përkushtuar në punë dhe nuk kanë dhënë rezultate do t`i nënshtrohen “fshesës”.

Një ditë pas zgjedhjeve dha dorëheqjen Ministri i Kulturës Asaf Ademi, për shkaqe shëndetësore, por në fakt kjo u interpretua si fillimi i “fshesës” së Kryeministrit. Një gjë është e sigurtë, ndryshime në kabinetin qeveritar do të ketë.

Termi “fshesë”, të cilin e përdori kryeministri kur paralajmëroi ndryshime në ekzekutiv, e ofendon zëvendësin e tij, Bujar Osmanin.

Partnerët e koalicionit në ditët në vazhdim, do të diskutojnë edhe debatin për ndryshimet që do të pasojnë, por një është e sigurt, Deskoska nuk kthehet në Ministrinë e Arsimit.

Nuk kthehem në Ministrinë e Arsimit. Nikolla Todorov nuk mund të shëtitet kudo. Se a do ta lëshoj Ministrinë e Drejtësisë apo jo, nuk e di, por rruga ime është drejtë e jo për tu kthyer pas. Vendi i vetëm ku mund të kthehem, pas politikës, është Fakulteti Juridik.

Mbrëmë në rrjetet sociale u shpërnda lajmi se edhe Dimitrov do të largohej dhe se do të punonte në një kompani amerikane, pasi është i pakënaqur që nuk ishte ai kandidati për president i shumicës, por ky lajm menjëherë u mohua nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Përveç ndryshimeve në ekzekutiv, Zaev ka paralajmëruar edhe ndryshime në parti.

E sipas burimeve partiake, viktima e parë e “fshesës” së Zaevit do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, Aleksandar Kiracovski./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono