Zoran Zaev

zoran-zaev.png
nev ila17:13 | 08/05/2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev vijon me ndryshimet në qeverinë e tij, duke deklaruar se gjatë javës priten shkarkime të reja. Deklarata e tij se cilido që nuk jep rezultatet në punë do i nënshtrohet “fshesës”, ka shkaktuar jo pak reagime.

Pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe rezultatit të ngushtë mes kandidatit të koalicionit qeveritar dhe të opozitës, Kryeministri Zaev paralajmëroi ndryshime në kabinetin e tij qeveritar, por edhe në administratën shtetërore, duke dërguar mesazhin se të gjithë ata që nuk janë të përkushtuar në punë dhe nuk kanë dhënë rezultate do t`i nënshtrohen “fshesës”.

Një ditë pas zgjedhjeve dha dorëheqjen Ministri i Kulturës Asaf Ademi, për shkaqe shëndetësore, por në fakt kjo u interpretua si fillimi i “fshesës” së Kryeministrit. Një gjë është e sigurtë, ndryshime në kabinetin qeveritar do të ketë.

Termi “fshesë”, të cilin e përdori kryeministri kur paralajmëroi ndryshime në ekzekutiv, e ofendon zëvendësin e tij, Bujar Osmanin.

Partnerët e koalicionit në ditët në vazhdim, do të diskutojnë edhe debatin për ndryshimet që do të pasojnë, por një është e sigurt, Deskoska nuk kthehet në Ministrinë e Arsimit.

Nuk kthehem në Ministrinë e Arsimit. Nikolla Todorov nuk mund të shëtitet kudo. Se a do ta lëshoj Ministrinë e Drejtësisë apo jo, nuk e di, por rruga ime është drejtë e jo për tu kthyer pas. Vendi i vetëm ku mund të kthehem, pas politikës, është Fakulteti Juridik.

Mbrëmë në rrjetet sociale u shpërnda lajmi se edhe Dimitrov do të largohej dhe se do të punonte në një kompani amerikane, pasi është i pakënaqur që nuk ishte ai kandidati për president i shumicës, por ky lajm menjëherë u mohua nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Përveç ndryshimeve në ekzekutiv, Zaev ka paralajmëruar edhe ndryshime në parti.

E sipas burimeve partiake, viktima e parë e “fshesës” së Zaevit do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, Aleksandar Kiracovski./ABC News Albania 24/7

aleanca-per-shqiptaret.jpg
G. P.18:17 | 23/04/2019

Maqedonia e Veriut do i rikthehet sërish qendrave të votimit të dielën e 5 Majit, në kuadër të balotazhit për zgjedhjet presidenciale në vend. Të dy kandidatët tashmë kërkojnë votat e shqiptarëve. Këta të fundit në raundin e parë  të zgjedhjeve votuan për kandidatin e pavarur Blerim Reka.

Nga Aleanca për Shqiptarët, parti kjo që mbështeti Blerim Rekën në rrethin e parë zgjedhor, thonë se ende nuk kanë vendosur se cili do të jetë hapi i tyre i ardhshëm rreth balotazhit të 5 Majit.

Flakron Bexheti: Ajo që dihet është se 80 mijë votat e Blerim Rekës janë pronë e qytetarëve shqiptarë që kanë qenë të destinuara kundër kandidatit të shtetit, por edhe atij tjetër, po kanë qenë pro një kandidati shqiptar.

Partia Demokratike Shqiptare ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë maksimumin e vet në mbështetje të kandidaturës së Stevo Pendarovskit.

Azem Sadiku: Vota e shqiptarëve në Maqedoni ka 290 mijë, ajo pjesa e 220 mijëshit ka qenë pro NATO-s dhe Unionit Europian.

Ndërkaq, Kryeministri Zoran Zaev në takimin e parë pas rrethit të parë të zgjedhjeve, pranoi se e kanë kuptuar mesazhin e votuesve, duke premtuar se do të bëjnë “pastrim” të kuadrove joadekuate.

Zoran Zaev: Ka pakënaqësi nga funksionarët, nga pushteti qendror, nga pushteti  shtetëror dhe ai lokal dhe këtë mesazh unë e mora i pari. Jo vetëm që e mora, por edhe ua kthej, sigurisht që do të ketë “pastrim”, sigurisht që do të pastrojmë.

Kandidatja e opozitës Gordana Siljanovska është prononcuar përmes rrjeteve sociale duke thënë se Maqedonia është e gatshme për një grua si president, gjë që në opinionin e këtushëm shihet si mesazh se ajo është e bindur në fitore në rrethin e dytë zgjedhor./abcnews.al

zaev-dhe-tsipras.jpg
G. P.16:04 | 02/04/2019

Kryeministri grek Aleksis Tsipras po zhvillon sot një vizitë zyrtare historike në Shkup. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Tsipras u shpreh se deri tani të dyja vendet kishin humbur shumë kohë të çmuar.

Në konferencën e përbashkët për shtyp kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, janë shprehur njëzëri se vizita e parë e një kryeministri grek në Shkup ishte një ogur i mirë për rajonin.

Ndër të tjera, Zaev u shpreh se Marrëveshja e Prespës dhe zbatimi i saj janë garanci për të ardhmen e dy vendeve. Ai shtoi se është nënshkruar marrëveshje për hapjen e një vendkalimi të ri kufitar, i cili sipas tij do të kontribuojë edhe më shumë për afrimin e qytetarëve të të dyja vendeve.

Zaev e ka konsideruar homologun e tij grek si shokun e tij më të mirë dhe si një mik i madh i Maqedonisë së Veriut. Nga ana e tij, Tsipras theksoi se deri tani është humbur shumë kohë dhe kjo duhet kompensuar sa më shpejt.

Sipas tij, çështja më e rëndësishme në takimin e sotëm ishte çështja ekonomike, sepse nuk ka kohë për të humbur. Delegacioni grek përbëhej nga më shumë se 100 biznesmenë.

“Greqia do të bëj përpjekje që të ndihmojë Maqedoninë në rrugën e saj për integrim në Bashkimin Evropian”, tha Tsipras./abcnews.al

zaev-tsipras-selfie.jpg
G. P.10:12 | 02/04/2019

Kryeministri grek Aleksis Tsipras po zhvillon sot një vizitë zyrtare historike në Shkup. Kjo është vizita e parë e një kryeministri grek në Maqedoninë e Veriut. Në aeroportin e Shkupit, ai është pritur ne aeroport nga ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe ai i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Më pas, në një ceremoni shtetërore, Tsipras dhe delegacioni që e shoqëron u prit nga homologu Zoran Zaev.

I shoqëruar nga 10 ministra dhe rreth 70 biznesmenë, Aleksis Tsipras dhe mikpritësi i tij kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, firmosen një mori marrëveshjesh për bashkëpunim dypalësh në fushën e ekonomisë, transportit, infrastrukturës dhe të mbrojtjes.

Veç bisedimeve kokë më kokë me homologun e tij maqedonas, Tsipras do të takohet edhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi si dhe do të marrë pjesë edhe në forumin e biznesmenëve të të dyja vendeve.

Sipas analistëve, vizita synon të ndryshojë impaktin negativ që është krijuar në opinionin grek pas miratimit të marrëveshjes së Prespës. Tsipras gjithashtu kërkon të dëshmojë se tashmë janë hapur perspektiva të reja për bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve./abcnews.al

zoran-zaev.jpg
G. P.15:32 | 30/03/2019

Policia e Tetovës  ka arrestuar, Zharko Grozdanovski “liderin” e organizatës “Vëllezëria krishterë”, i  cili përmes rrjetit social Facebook kërcënoi publikisht me jetë kryeministrin Zoran Zaev.

 “Në asnjë rast mos luani me Vëllazërinë krishtere. Ju them dhe I qëndroj fjalës së thënë. Zaev, dy herë të kisha në dorë, dy herë me qëllim të lëshova. Mos m’i prek vëllezërit e mi të fesë….”

Për shkak të këtij prononcimi përmes rrjeteve sociale, Sektori për Punë të Brendshme Tetovë ka arrestuar liderin e organizatës ‘Vëllazëria krishtere” Zharko Grozdanovskin për shkak se ka kërcënuar Kryeministrin Zaev dhe anëtarë tjerë të qeverisë – ka njoftuar MPB-ja.

“Më 28.03.2019 në orën 19.50  në Tetovë është arrestuar 46-vjeçari ZH.G nga fshati Bërvenicë, i cili rreth orës 15:00 në rrjetet sociale publikoi një video me përmbajtje kërcënuese. Pas zbardhjes së plotë të rastit, kundër tij do të dorëzohet padi”.

Siç thuhet në videon e postuar, arsyeja për këto kërcënime është arrestimi i njërit prej anëtarëve të kësaj organizate, Toni Mitrevski – Severot, për shkak se ka sulmuar personin zyrtar në detyrë zyrtare, i cili, sipas Grozdanovskit, vetëm ka mbrojtur Kushtetutën.

Në këtë video, organizata qytetare “CIVIL” ka konstatuar gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime për jetën e Kryeministrit Zaev, por edhe ndaj përfaqësuesve të tjerë të paemëruar të pushtetit dhe të gjithë liderët politikë.

“Mbetet e hapur çështja, nëse në DSK me të vërtetë kanë pasur njohuri për planet e likuidimit të Kryeministrit Zoran Zaev dhe liderëve tjerë politik. Përpos  se duhet të pritet epilog policoro-juridik për këtë rast, institucionet duhet t`i përgjigjen edhe pyetjes se sa janë serioze këto kërcënime dhe përse deri më tani nuk janë marrë masa përkatëse të sigurisë”.

“Vëllazëria Krishtere” është një nga organizatat e afërta me grupacionet radikale që protestuan kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Ligjit të Gjuhëve, kurse një pjesë e tyre janë edhe anëtarë të partive të bllokut të djathtë që udhëhiqnin protestat që kulmuan me sulmin në Kuvend më 27 Prill të vitit 2017./abcnews.al

edi-rama-dhe-zaev.jpg
G. P.12:37 | 13/03/2019

Për herë të parë pas ndërrimit të emrit, kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Ai u prit në një ceremoni nga kryeministri i vendit Edi Rama në Pallatin e Brigadave.

Pas takimit të dy delegacioneve, mesazhet e tyre Rama dhe Zaev i dhanë në një konferencë të përbashkët për shtyp. Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut apeloi për dialog mes qeverisë dhe opozitës si rruga që siguron të ardhmen europiane të vendit. Mesazhin më direkt Zoran Zaev e kishte për opozitën shqiptare për të cilën solli shembull kohën kur vetë ishte në pozicionin e saj.

Unë si Zoran Zaev, nuk isha opozitë para 21 vitesh, por isha opozitë para 21 muajsh, por asnjëherë nuk lejuam që të japim përshtypjen para institucioneve evropiane se jemi kundër fillimeve të bisedimeve të vendit tonë me BE-në pa marrë parasysh nëse jemi opozitë apo pushtet, vetëm të plotësojmë qëllimin. Gjithmonë kur flisja me liderët europianë lusja për vendimin tim që të jepej data e bisedimeve pasi ky ishte qëllim i vendit tim, pa dallim të konfrontimeve të brendshme si shtet”, tha Zaev.

Ndërsa kryeministri Rama në përgjigje të interesit të gazetarëve foli për rrezikun rus që mund t’i vijë vendit me cenimin e asaj që tha se Shqipëria ka axhendë kombëtare, integrimin në Bashkimin Europian.

“Rusia nuk është një vend tifoz i BE, i zgjerimit të BE dhe natyrshëm nuk mund të ketë tifozllëk për ecurinë e asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo nuk është sekret, kjo dihet. Ndërkohë që ne kemi një axhendë kombëtare me kryefjalë bashkimin në familjen e BE. Sa herë që kjo axhendë cënohet, aq herë kush nuk është tifoz i BE dhe integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, pa dyshim që shikon një oportunitet”, tha Rama.

E ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor presin Bashkimin Europian të shprehet për anëtarësimin e tyre, kryeministri Rama përsëriti idenë e aplikimit të një modeli “Shengen” të ngjashme me atë që po tentohet fillimisht me Kosovën brenda rajonit.

“Ne e kemi nisur jë proces me Kosovën. Për fat të keq i keqkuptuar tek-tuk, kur kemi folur për një model Shengen, por që për ne është vetëm zanafilla e një procesi që duhet të shtrihet në të gjithë rajonin dhe që ne kemi vullnetin ta materializojmë në radhë të parë me fqinjët tanë. Jo vetëm ne Kosovën, me Maqedoninë e Veriut dhe më pas me Malin e Zi. Me urimin dhe me bindjen që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në këtë proces dhe kufijtë mes vendeve tona duhet të jenë po aq fluidë saç janë kufijtë mes vendeve të BE-së”, tha Rama.

Gjithashtu kryeministri Rama i shprehu mirënjohjen kryeministri Zaev lidhur me zbatimin e ligjit të gjuhëve nëe Maqedoninë e Veriut që sipas tij ka çelur rrugën e një harmonie të munguar dhe të domosdoshme. Temë diskutimesh mes dy homologëve ishte dhe bashkëpunimi ekonomik mes vendeve. Për të gjitha këto, kryeministri Rama sugjeroi mbajtjen e mbledhjes së dytë mes dy qeverive, por këtë herë tha se pret ftesën e kryeministrit Zaev.

“Sepse jeni ju që duhet të na mikëprisni dhe jeni ju që duhet të paguani shpenzimet e drekës. Por besoj që do keni dakordësi të plotë mes partive të koalicionit për të ndarë shpenzimet”, tha Rama./abcnews.al

rama-4-1280x715.jpg
G. P.11:54 | 13/03/2019

Për kreu e qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, Maqedonia e Veriut është një shtet mik dhe i pazëvendësuseshm. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrit Zoran Zaev, Rama tha se ligji për gjuhën shqipet në Maqedoni është një moment historik për vendin. Rama bëri thirrje që të vendet e rajonit, t’i bashkohen modelit që Shqipëria ka nisur me Kosovën, ai i një modeli Schengen mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Për ne, Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është thjesht një vend fqinj, por një shtet mik dhe strategjikisht i pazëvendëueshëm dhe i patjetërsueshëm, marrëdhënia me të cilin kultivohet përmes parimeve dhe vlerave më të mira që na bashkojnë si dy vende që i përkasin Europës dhe që do jenë së bashku në tryezën e familjes europiane. Ju jam mirënjohës, shqiptarët ju janë mirënjohës për faktin se me një kurajo të pazakontë dhe vizion largpamës çelët rrugën e një harmonie të munguar dhe të domosdoshme në shtetin tuaj mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Për ne, seanca e Kuvendit tuaj ku u fol shqip ishte simbolikisht dhe përmbajtësisht një moment historik dhe një arsye me shumë që ne të jemi promotorë të fuqishëm të idesë se integriteti dhe stabiliteti të Maqedonisë së Veriut është interes strategjik i Republikës tonë.

Ne jemi në një moment të veçantë në një moment kur shkojnë në pragun e çeljes së negociatave me BE-në dhe puna e përbashkët që po bëjmë, përvoja e krijuar dhe e bashkëndarë hap pas hapi na ndihmon shumë. Ne kemi nisur një proces me Kosovën, për fat të keq i keqkuptuar tek tuk, kur kemi folur për një model Schengen, por për ne është zanafilla e një procesi që duhet të shtrihet në të gjithë rajonin, por ne kemi dëshira ta materializojmë me fqinjët tanë fillimisht, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut me urimin që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë në këtë proces dhe kufijtë të jenë po aq fluidë sa vendet e BE-së. Askush nuk na pengon ta bëjmë mes vetes”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama theksoi se edhe pakica maqedonase në shqipëri do gëzojë frytet e bashkëpunimit dhe klimës pozitive mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“Dua të rikthehem te ajo që është baza e patjetërsueshme e kësaj miqësisë që ka vetëm mundësinë të forcohet, shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, miratimi i ligjit për gjuhët dhe nisja e zbatimit të tij, klima ndëretnike e përmirësuar rrënjësisht dhe kalimi nga letrat në vepra falë vullnetit tuaj, janë padiskutim arsye të qenësishme që ne të fuqizojmë çdo ditë këtë marrëdhënie. Padiskutim që kurajoja dhe vullneti për të kthyer falët në vepra e karakterizon lidershipin e sotëm në Maqedonisë së Veriut dhe dakordimi për gjuhën shqipe e shtrirë në përdorimin e saj në nivel të gjerë institucional administrativ është fantastike.

Me të njëjtin angazhim ne do të vazhdojmë. Më vjen mirë që duke vlerësuar vendimin për hapje e konsullatën e nderit në Manastir të konfirmoj vullnetin, dëshirën dhe angazhimin që pakica maqedonase që jeton në Shqipëri të gëzojë absolutisht frytet më të mira të kësaj klime pozitive për të rritur pemën tradicionale të miqësisë që do forcohet dhe është përmbajtësisht strategjike. Kam besimin se përmes këtij bashkëpunimi ne mësojmë shumë dhe mësimet që marrim nga njëri tjetri në çdo aspekt do të na vlejnë më shumë në të ardhmen”, tha Rama./abcnews.al

edi-rama123.jpg
G. P.10:25 | 13/03/2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, zoran Zaev, nisi këtë të mërkurë vizitën zyrtare në Tiranë. Delegacioni maqedonas u prit në një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave nga kryeministri Edi Rama dhe Zoran Zaev.

Mësohet se ata do të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 11:15. Sipas Klan Maqedonia, Zaev do shoqërohet nga zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani dhe ministri i Jashtëm, Nikola Dimitrov./abcnews.al

zaev-1-1280x675.jpg
G. P.13:57 | 12/03/2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut do jetë nesër në Tiranë për një vizitë zyrtare 1 ditore. Sipas Klan Maqedonia, ai do shoqërohet nga zëvendëskryeministri për cështje europiane, Bujar Osmani dhe ministri i Jashtëm Nikola Dimitrov.

Delegacioni maqedonas do pritet në një ceremoni zyrtare në pallatin e brigadave nga kryeministri Edi Rama. Dy kryeministrat Rama e Zaev do kenë një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 11:15.

Delegacioni maqedonas do ketë takime me presidentin e republikës Meta e kreun e Kuvendit Ruçi./abcnews.al

zaevv.jpg
G. P.17:15 | 17/02/2019

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka deklaruar se javën e ardhshme do të bëjë publik emrin e kandidatit për president. Në një intervistë për “Deutsche welle”, Zaev ka nënvizuar se për zgjedhjen e një kandidati të pranueshëm nga të gjithë do të bisedojë edhe me aleatët shqiptarë.

Pas nominimit të profesoreshës Gordana Siljanovska Davkova kandidate e VMRO-DPMNE-së opozitare për zgjedhjet presidenciale të 21 Prillit, kryeministri Zoran Zaev ka konfirmuar njoftimin e paradyditshëm të Tv Klan se fillimjavën e ardhshme do të dihet edhe emri, prapa të cilit pritet të qëndrojë koalicioni qeverisës i përbërë nga socialdemokratët e tij dhe integristët e Ali Ahmetit.

Në një intervistë dhënë Deutsche Veles, në Mynih, ku ka marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare për çështje të sigurisë, Zaev ka dhënë më shumë hollësi për këtë takim të pritshëm, por ka komentuar edhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë.

“Të dielën kam takim me të gjithë partnerët e koalicionit që tradicionalisht janë me ne. Të hënën kemi bisedime me BDI-në në të cilat besoj se do të gjejmë zgjidhjen e përbashkët ose disa zgjidhje të përbashkëta, për shkak se dëshirojmë që edhe partitë e tjera të japin kontributin e tyre, pastaj kemi bisedime edhe me një, më pas edhe me dy parti të tjera shqiptare nga opozita. Besoj se do të bashkohemi më shumë parti politike për të qëndruar prapa emrit të vërtetë që do të ketë shanse për të ngadhnjyer, por edhe që të jetë president më i mirë për vendin tonë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev në intervistën dhënë Dojçe Veles.

Me këtë rast kryeministri i Maqedonisë së Veriut është deklaruar edhe për dialogun aktualisht të ndërprerë dhe gjasët për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, fillimisht për caktimin e vijës kufitare e që më pas do të çonte edhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dypalëshe. Duke thënë se mbështet çfarëdo marrëveshjeje që do të çojë përpara bashkëpunimin rajonal, do të garantojë paqen dhe do të avancojë axhendën e përbashkët të integrimit në Bashkimin Evropian, Zaev i është përgjigjur kështu pyetjes se ‘në rast të korrigjimit të kufirit serbo-kosovar, mund të dalë dikush që të kërkojë edhe ndryshim kufiri edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut’:

“Tani vetëm mund të ëndërrojnë të ndryshojnë kufij të Maqedonisë së Veriut. Ne jemi anëtar i NATO-s. Nuk ka ndryshim kufijsh në Maqedoni!’- ka deklaruar kryeministri Zaev nga Mynihu ku mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare për çështje të sigurisë”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono