“Zhvatja”

pendarovski.jpg
ad min13:15 | 16/08/2019

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka kritikuar institucionet e vendit për mënyrën e menaxhimit të çështjes “Zhvatja”. Në një intervistë për VOA, Pendarovski ka deklaruar se nga ecuria e kësaj çështjeje varet çelja e negociatave të anëtarësimit me BE-në.

Presidenti i Maqedonisë se Veriut Stevo Pendarovski është treguar tepër kritik për mosreagimin si duhet të institucioneve ndaj problemeve dhe sfidave aktuale, sidomos kur është fjala për megaskandalin e fundit  ‘Zhvatja’, ku një afaristi i janë marrë 1.5 milionë euro për të shpëtuar nga një proces gjyqësor, e në të cilin, përveç dy personave të paraburgosur, dyshohet të jetë e implikuar edhe prokurorja speciale në dorëheqje, Katica Janeva.

“Institucionet vitale të këtij shteti nuk funksionojnë, nuk i servisojnë qytetarët dhe nuk po e luftojnë krimin dhe korrupsionin në atë nivelin që është i domosdoshëm për të thënë përfundimisht se jemi demokraci e pjekur. Jo vetëm demokraci në tranzicion”.

Pendarovski duke konfirmuar se ka dyshime në publik për zhdukje të provave në Prokurorinë Speciale Publike. Sipas tij, nga mënyra se si do të menaxhohet rasti ‘Zhvatja’ do të varet edhe vendimi për çeljen apo jo të bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian:

“Të mos lëmë hapësirë që dikush me të vërtetë këtu i mundëson dikujt tjetër që të bëjë diçka lidhur me këtë rast, për shkak se pohoj: nga reagimi i shtetit, jo i individëve, President, Gjykatë, prokuror, Kryeministër, ministër, nga reagimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në tërësi, do të varet në masë të madhe vlerësimi i anëtarëve të Bashkimit Evropian, në vjeshtë, kur do të shqyrtojnë kërkesën tonë për çeljen e negociatave për anëtarësim”.

Presidenti i Maqedonisë se Veriut ka vlerësuar se garnituara aktuale në pushtet gjatë këtyre tre viteve e gjysmë ka bërë shumë për transformimin e shtetit dhe për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë nga ndërhyrja e politikanëve, por e njëjta duhet të bëjë më shumë për përballimin e problemeve me të cilat aktualisht po përballet Maqedonia e Veriut./ABC News Albania 24/7

bdi-1280x737.jpg
ad min19:00 | 12/08/2019

Partia shqiptare BDI ka deklaruar se rasti “Zhvatja” duhet të hetohet deri në fund dhe për këtë arsye mbështet projektligjin e qeverisë për prokurorinë publike. Ndërkohë, presidenti Pendarovski i ka bërë thirrje klasës politike që të bëjë kujdes me akuzat, pasi ato mund të nxisin euro-skeptikët.

Partneri shqiptar i koalicionit po bën gjithçka që sa më shpejt të votohet ligji për Prokurorinë Publike, me qëllim që ti jepet shans vendit për hapjen e negociatave në tetor, tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani. Edhe pse për ligjin po negociojnë vetëm dy partitë maqedonase, Osmani thotë se kjo nuk do të thotë që shqiptarët janë të përjashtuar nga procesi, por dallime kryesore janë mes tyre. E BDI i ka vijat e veta të kuqe.

Bujar Osmani, zëvendës kryeministër:  “Hetim i plotë i të gjitha rasteve që dalin nga përgjimet dhe hetim të rastit të fundit që e njohim si ‘Zhvatja’”.

BDI përkrah propozim-ligjin e qeverisë që është në procedurë parlamentare, por nëse ka ankesa do ti parashtrojnë në formë të amendamenteve. Ndërkohë, presidenti i bëri thirrje politikës që të ketë kujdes, për shkak se çdo skandal mund të përdoret si argument i euro-skeptikëve për ta kundërshtuar procesin e zgjerimit.

Pendarvoski, president i RMV:  “Deri në këtë moment, nga informatat që unë i kam nga Unioni Evropian, Komisioni evropian, nuk ka ndryshim tek asnjë anëtarë, në drejtim të asaj që ta rishqyrtojnë qëndrimin e tyre, kurse e dini se anulimi i qershorit, korrikut ka qenë për shkak arsyeve teknike. Por e përsëris, ne duhet ti frymë edhe kosit… Edhe afera më të vogla se kjo do të jenë arsye për disa vende që nuk e duan projektin e zgjerimit, të thotë se nuk na duhet Ballkani Perëndimor”.

Edhe Osmani, por edhe Pendarovski janë të mendimit se zgjedhje të parakohshme nuk është mirë të ketë në një periudhë kur duhet të përmbyllen çështje të rëndësishme për procesin integrues të vendit. Por për BDI-në, tetori i 2020 është datë e pranueshme./ABC News Albania 24/7

 

hahn.png
nev ila17:43 | 11/08/2019

Brukseli ka reaguar për herë të parë lidhur me rastin “Zhvatja” në Maqedoninë e Veriut. Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn ka kërkuar nga Shkupi zyrtar që të luftojë korrupsionin. Ndërkohë, autori i publikimit të përgjimeve ka sulmuar shefen në ikje të Politikës së Jashtme, Federika Mogerini, për heshtje ndaj rastit.

Tre ditë pas zbulimit të videove për aferën ‘Zhvatja”, eurokomisionari për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn komentoi ndodhitë në vend. Ai dje u thirr nga politikania gjermane, Doric Pack që të ndërmerr diçka lidhur me rastin që ka tronditur Maqedoninë e Veriut e ku pretendohet edhe implikimi i Prokurores Speciale Katica Janeva dhe Kryeministrit Zaev.

Komisioneri Han dha mesazhin se lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë duhet të vazhdojë.

“Lidhur me zbulimet më të reja, me rëndësi është të vërtetohet përgjegjësia juridike për të gjitha veprat penale, duke llogaritur edhe ato që dalin nga përgjimet e jashtëligjshme. Të gjitha veprat penale duhet të shqyrtohen nga organet kompetente, kurse kryerësit të dalin para drejtësisë”, shkruan Hahn në Twitter.

Ndërkohë, gazetari Italian me prejardhje sllovene Laris Gajser, i cili për opinionin në Maqedoninë e Veriut u bë i njohur me publikimin e bisedave të xhiruara në rastin “Zhvatja”, ka publikuar një video-kolumnë në edicionin elektronik të gazetës “La Verita”, ku sulmon Bashkimin Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë në largim të BE-së për Politikë të Jashtme Federika Mogherini.

Gajser në këtë kolumnë shtron pyetjen përse Brukseli po hesht për këtë rast në Maqedoninë e Veriut, duke potencuar se është e çuditshme mungesa e reagimeve nga Mogerini dhe Presidenti aktual i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker, të cilët sipas tij, fuqimisht kanë insistuar për Prokurorinë Speciale.

Duke shfaqur bindjen se ende ka mundësi të ketë një demokraci të vërtetë të bazuar në opinion public të informuar dhe kontroll të politikanëve, Gajser pyet se si ka mundësi që Federika Mogherini të hesht para realitetit criminal në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe, Mogherini është anëtare e Partisë Demokratike të qendrës së majtë italiane, që është rivale kryesore e partisë së Djathtë Nacionaliste të Zv/Kryeministrit Italian Mateo Salvini, përkrahës i të cilit është vetë gazetari Gajser. Gazetari Laris Gajser është i njohur për qëndrimet e tij të skajshme ekstreme-djathtiste dhe i afërt me personalitete të së djathtës, por edhe me përfaqësues të VMRO-DPMNE-së, partisë opozitare në Maqedoninë e Veriut.

Madje për këtë të fundit socialdemokratët në pushtet i kanë drejtuar pyetje publike liderit të opozitës Mickoski nëse gjatë vizitës së tij në Hungari, para daljes së kësaj afere, është takuar me Gajserin në Budapest.

Gazetari Laris Gajser në këtë kolumnë ka theksuar se gazeta ‘La Verita” do të bëjë vlerësime nëse juridikisht është e realizueshme publikimi i xhirimeve të reja potenciale./ABC News Albania 24/7

zhvatja-1280x695.jpg
ad min15:45 | 10/08/2019

Gazeta italiane “La Verita’” ka publikuar videon e tretë të aferës “Zhvatja”, që ka tronditur opinionin publik në Maqedoninë e Veriut. Këtë herë, në bisedën mes të dyshuarit Bojan Jovanovski dhe biznesmenit Orçe Kamçev përmendet edhe emri i kryeministrit Zoran Zaev.

Edicioni i internetit i gazetës italiane “La Verita” edhe sot ka publikuar xhirime të bisedave mes të dyshuarve në rastin “Zhvatja”. Në xhirimet e sotme bisedohet për procedurat për lëndën ‘Perandoria” të Prokurorisë Speciale Publike ku është i dyshuar biznesmeni Orce Kamçev.

Në një bisedë kyçet edhe Prokurorja Speciale Katica Janeva, e cila në bisedë e sipër sqaron disa procedura gjyqësore. Bojan Jovanovski dhe biznesmeni Kamçev në një pjesë të xhirimit përmendin edhe Kryeministrin Zaev, kurse Jovanovski paralajmëron se do të takohet me të dhe do të provojë ta imponojë Kamçevin. Por, nuk ka detaje ku dhe kur do të organizohet ky takim.

Kryeministri Zoran Zaev ashpër i ka hedhur poshtë lidhjet me Bojan Jovanovskin, të dyshuarin në aferën “Zhvatja”. Siç thotë, në publikimin më të ri, disa nga të dyshuarit përmendin dhe keqpërdorin emrin e tij. Po thuhen gënjeshtra me qëllim që njëri bashkëbisedues ta përforcojë pozitën e tij të fuqisë dhe autoritetit para bashkëbiseduesit tjetër – thotë Kryeministri duke përgënjeshtruar informacionet përçfarëdo bashkëpunimi apo komunikimi me të dyshuarin Jovanovski. Duket se mediat serbe shfaqin interesim të shtuar për aferën më të re në Maqedoninë e Veriut.

Do të bien shumë politikanë, kam dëshmi për kreun shtetëror. Këtë në polici e ka thënë i dyshuari Bojan Jovanovski – shkruan në edicionin e sotëm gazeta serbe Kurir. Siç transmeton kjo gazetë, Jovanovski ka thënë se nëse i ndodh diçka në burg, ai ka dëshmi të sigurta tek nëna e tij dhe në adresë tjetër, me të cilët, siç thuhet, do të shkaktojë “tërmet politik” në Maqedoninë e Veriut, çka do të shkaktonte rënien e Qeverisë.

“Bombat” e reja vazhdojnë ta tronditin opinionin në Maqedoninë e Veriut, kurse pas publikimeve të mëparshme të bëra nga Ilija Gromovnik nga Rusia dhe El Cheka nga SHBA-të në opinionin e këtushëm imponohet pyetja nëse “bombat” janë rastësi apo gjithçka bëhet për ndonjë qëllim.

Simptomatike – siç thonë mediat e Shkupit është se këto përgjime publikohen në një gazetë italiane, që pretendohet se është e afërt me të djathtën, menjëherë pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut paralajmëroi luftë të hapur me mediat e vendit që shpërndajnë lajme të rrejshme. “Bombat” e fundit që shpërthyen në Maqedoni, disa prej tyre edhe nga Rusia, sipas vlerësimeve të ekspertëve kanë një mesazh të fshehtë dhe mund të interpretohen si përpjekje për t`i bërë obstruksione anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO./ABC News Albania 24/7

zhvatja-1-1280x728.jpg
ad min16:15 | 09/08/2019

Gazeta italiane “La Verita” ka publikuar një tjetër video mbi çështjen e njohur si “Zhvatja”, në Maqedoninë e Veriut. Në të dëgjohet një zë femre që thuhet se i përket prokurores speciale Katica Janeva. Kjo e fundit ka pohuar se është zëri i saj, por ka pretenduar se është keqpërdorur.

Gazeta italiane “La Verita” në kanalin e saj në YouTube ka publikuar një video-incizim të ri dhe një version më të zgjeruar të xhirimit për rastin “Zhvatja”. Kësaj radhe në këtë video dëgjohet edhe zëri I Prokurores Speciale Katica Janeva…..” Mos u mërzit për asgjë, gjithçka do të jetë në rregull” – i thotë një zë femre biznesmenit Orce Kamçev, për të cilën gazetari Italian Laris Gajser thotë se i takon Prokurores Janeva.

Gazeta italiane thotë se xhirimi është bërë në shtëpinë e biznesmenit Orce Kamçev dhe se në të tregohet pagesa e parave dhe premtimet nga të dyshuarit se biznesmeni do të jetë I lirë ngase, sic thonë, PSP-ja nuk do të parashtrojë ankesë.

“Dy prokurorët e Prokurorisë Speciale që përmenden në xhirimet e gazetës italiane sot me anë të komunikatave kanë hedhur poshtë përgjegjësitë për keqpërdorime. Prokurorja Lile Stefanova ka akuzuar Janevën se ka kërkuar që të mbyllen lëndët dhe të dyshuarit të mos shkojnë në burg. Ndërkaq, Prokurorja Speciale në dorëheqje Katica Janeva përmes një komunikate de facto ka konfirmuar se zëri I saj I publikuar në xhirimet e “La Veritas” italiane është autentik, por thotë se kjo nuk dëshmon asnjë keqpërdorim”.

“La Verita” ka njoftuar se nuk bëhet fjalë vetëm për tekstin e fundit të publikuar në këtë media, ku janë kyçur katër video incizime me biseda, por, sic thonë, për komplet xhirimet e bisedave për rastin “Zhvatja”. Megjithatë, gjasat janë shumë të mëdha se këto publikime në median italiane nuk janë të gjithat sa u përket materialeve të biznesmenit. Mediat në Maqedoninë e Veriut njoftojnë se biznesmeni Orce Kamçev disponon me dëshmi disa orëshe të materialeve të xhiruara./ABC News Albania 24/7

zhvatja-1280x695.jpg
ad min19:00 | 08/08/2019

Çështja e njohur me emrin “Zhvatja” në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar në mediat italiane. Gazeta “La Verita” ka publikuar në edicionin e saj online videon e një ryshfeti prej 1.5 milion euro që një biznesmen paguan për të fituar lirinë.

Laris Gaiser, nëpërmjet gazetës italiane “La Verita” publikoi një video, ku shihet se si Bojan Jovanovski, nga shtëpia e biznesmenit Orce Kamçev largohet me siç thuhet, 1.5 milion euro në kesh. Këto para, pretendohet se ia siguruan lirinë më vonë, Kamçevit, i cili është viktima kryesore në rastin “Zhvatja”. Siç shihet në video, më 20 shkurt, Bojan Jovanovski dhe Zoran Mileski i kanë marrë paratë nga familja Kamçev. E më pas, video e publikuar përmban edhe audio xhirim, ku Bojan Jovanovski i thotë njërit prej familjes Kamçev se të hënën do të jenë të lirë.

– Të hënë do të jeni të lirë! Më së voni deri të martën.

– Por nuk mund të vijë lënda deri të hënë në Gjykatë Supreme!?

– Po do të arrijë. Prokuroria Speciale nuk do të përdor masa të jashtëzakonshme juridike, nuk do të ndërmarrin asgjë.

– E apeli?

– Apeli do t’ju refuzojë, pasi të ankoheni. Ju duhet të jeni të përgatitur. Pastaj ankoheni në shkallën e dytë në Supreme. Këshilli do të përgjigjet automatikisht. Katica nuk do të përdor asnjë masë juridike që ta zvarritë momentin. Të hënën ose të martën ti je i lirë.

Edhe ashtu ndodhi! Më katër mars të këtij viti, të hënën, Kamçev iu anulua edhe burgi shtëpiak dhe ishte i lirë. Pasi u hap rasti, nga Prokuroria Speciale dolën me pres konferencë, e prokurorja e rastit, Lile Stefanovska, tha që çdo vendim e ka nënshkruar Katica Janeva, sepse ligji për Prokurorinë Speciale ashtu thotë. Ajo shtoi se nuk ka qenë në dijeni për këtë që ka ndodhur me Kamçevin në rastin “Perandoria”.

Tentuam të kontaktojmë edhe me gazetarin që e ka publikuar videon, por ai nuk deshi të prononcohet. Paralajmëroi se do të ketë edhe video tjera, kurse tha që këtë po e bën për hir të së vërtetës. E nëse e hap faqen e “Facebook” të gazetës “La Verita”, çdo i dyti publikim ka të bëjë me Matteo Salvinin dhe Boris Johnsonin. Në ditët e fundit, gazeta ka shkruar edhe për besimin e dobët të Italianëve në Bashkimin Evropian, kurse temë që fiton shumë vëmendje nga kjo gazetë është edhe Brexiti./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono