“Zhvatja”

zaev-maqedoni.jpg
G. P.16:20 | 09/09/2019

Mediat në Maqedoninë e Veriut raportojnë se të martën kryeministri i vendit Zoran Zaev do të takohet me liderin e opozitës, Mickoski në përpjekje për të zgjidhur ngërçin për Prokurorinë Speciale. Ndërsa nga opozita theksojnë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme në vend.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe lideri i socialdemokratëve në pushtet Zoran Zaev dhe kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickoski, nesër do të përpiqen të gjejnë gjuhë të përbashkët për Ligjin e Prokurorisë Publike, me të cilin zgjidhet statusi i Prokurorisë Speciale Publike. Nga opozita bëjnë me dije se krahas këtij ligji duhet të diskutohet edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Nesër, më me rëndësi është se si do të jetë qëndrimi i pushtetit për këtë çështje, nëse do të tregojnë seriozitet në takimin e grupeve të punës dhe më pas në takimin e liderëve dhe nëse do të tejkalohet ajo sëmundja që çdo hap përpara të kthehet mbrapsht në qëllimet fillestare”.

Mundësinë  e vendosjes mbi tavolinë të zgjedhjeve të parakohshme, nuk e kanë përjashtuar as socialdemokratët në pushtet. Kreu i tyre, Kryeministri Zoran Zaev gjatë shënimit të festës së Pavarësisë tha dje në Shkup se është i bindur që propozim/ligji i shumëpërfolur për Prokurorinë Publike do të marrë dritën jeshile me shumicën e dy të tretave, duke u treguar i hapur edhe për zgjedhjet e reja.

“Të përkushtuar ndaj interesave shtetërore, në periudhën e rëndësishme që pason, pres që të kyçen edhe institucionet kryesore të shtetit. Jam i bindur se kemi kapacitet që ta miratojmë ligjin për Prokurori Publike me shumicë prej dy të tretave dhe të gjitha rastet e krimit dhe korrupsionit të marrin epilogun e drejtë”

Nga partia e Ali Ahmetit që bën pjesë në koalicionin qeverisës, ndërkaq duke mos vënë në pikëpyetje, angazhimet e mësipërme, thonë se rasti “Zhvatja” duhet të zbardhet deri në fund, për shkak se sikundër tërhiqet vërejtja, anashkalimi i tij mund të fus vendin në labirintet e reja të krizës.

Për shkak të afateve të shkurtuara ligji për Prokurorinë Publike pritet të miratohet më së voni deri më 15 Shtator. Miratimi i këtij ligji llogaritet si kyçe për euro-integrimet e Maqedonisë së Veriut./ABC News Albania 24/7      

la-verta-1280x728.jpg
G. P.20:51 | 04/09/2019

Duke folur për herë të parë për rastin “Zhvatja”, gazetari italian që ka publikuar përgjimet ka deklaruar se i ka siguruar ato nga burime brenda institucioneve maqedonase. Reporteri Laris Gajser ka bërë të ditur se disponon materiale të tjera lidhur me çështjen që kompromenton qeverinë Zaev, por nuk i ka publikuar ato për të mbrojtur burimin.

Isha kundër publikimit të këtyre informacioneve, derisa u binda se materiali i njëjtë është në sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, ka thënë gazetari Laris Gajser i cili ka marrë pjesë në Forumin Strategjik të BLED-it, duke shtuar se xhirimet e bisedave kompromituese i ka marrë falë një rrjeti në Maqedoninë e Veriut, për të cilin ka thënë se gjendet në administratë. Ai ka bërë të ditur se nuk dëshiron ta zbulojë burimin. Duke potencuar se afera “Zhvatja” që është në dëm të qeverisë së tanishme të kryesuar nga Zoran Zaevi është shumë e ngjashme me aferën e përgjimeve që rrënoi ish-pushtetin e Kryeministrit Gruevski, Gajsër thotë se dallimi është shumë i rëndësishëm.

Laris Gajser, gazetar i “La Verita”: Dallimi është se ne i publikojmë dëshmitë që i kemi marrë nga brenda, nga sistemi maqedonas, nga njerëz që janë pjesë e atij sistemi, derisa në kohën e Gruevskit bëhej fjalë për rast ndërkombëtar.

Gajser gjithashtu ka deklaruar se posedon shumë materiale që ndërlidhen me rastin “Zhvatja”, por se për momentin nuk mund t’i publikojë, siç thotë, për shkak të frikës për sigurinë e burimit të tij.

Laris Gajser, gazetar i “La Verita”: Publikimi i materialeve tregon se si sistemi gjyqësor është ngulfatur në korrupsion në Maqedoni dhe me siguri se do të rrezikojnë jetën e dikujt. Materiali që deri më tani është publikuar mjafton të vazhdojë hetimi. Nëse nuk mjafton, ne kemi shumë materiale për të publikuar.

Pyetjes rreth motiveve për publikimin e materialit, Gajser është përgjigjur se ka dashur të tregojë se sundimi i së drejtës dhe demokracisë nuk funksionojnë në Maqedoni dhe se kjo është pasojë e pushtetit aktual. Ai këtë e ka ilustruar me rastin e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë Dragi Rashkovski dhe manipulimet me një tender ndërkombëtar.

Por, nga ana tjetër, nga LSDM-ja pretendojnë se gazetari Gajser ka lidhje me opozitaren VMRO-DPMNE. Socialdemokratët disa herë kanë kërkuar përgjigje nga opozita nëse lideri i tyre partiak Mickoski është takuar me gazetarin Laris Gajser para shfaqjes së kësaj afere. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga opozitarja VMRO-DPMNE./ABC News Albania 24/7

bujar-osmanii.jpg
G. P.16:12 | 01/09/2019

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka deklaruar se nga menaxhimi i çështjes “Zhvatja” do të varet përgjigja e BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Osmani ka bërë thirrje për konsensus politik për çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit.

Numri dy në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka pranuar se afera “Zhvatja” në të cilën rezulton të jetë e implikuar edhe Katica Janeva, ish-prokurorja speciale e zgjedhur për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ka për të dëshmuar pjekurinë e institucioneve të sistemit për t’ju shkuar deri në fund reformave të filluara.

“Qëndrimi im është se këtë gjendje krize mund ta shndërrojmë në mundësi  në qoftë se institucionet përgjigjen me seriozitet dhe në mënyrë efikase, transparente dhe të paanshme e zbardhin këtë rast deri në fund, pavarësisht implikacioneve që mund të ketë. Kriminelë dhe krime ka gjithandej. Dallimi mes shteteve është nëse keni institucione të cilat ia dalin të ballafaqohen me problemin pa subjektivizëm”, tha zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane duke pranuar se nga mënyra se si do të trajtohet rasti “Zhvatja” do të varet edhe reagimi i Bashkimit Evropian për marrjen apo jo të datës për fillimin e negociatave.

Në këtë rrafsh, Osmani ka shprehur shpresën se kanë për t’u tejkaluar dallimet mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me propozim-ligjin për Prokurorinë Publike, me të cilin mëtohet edhe zgjidhja e statusit të Prokurorisë Speciale Publike që aktualisht është vënë në qendër të vëmendjes së publikut.

“Nevojitet vetëm vullnet serioz politik dhe ulje pranë tavolinës, me qëllim të tejkalimit të tyre. Gjithçka që është brenda vijave të kuqe të vendosura nga Bashkimi Evropian, por edhe ne si QEVERI, për shkak se duhet të ketë institucion që përballet me kriminalitetin në nivel të lartë dhe të gjitha rastet qofshin nga përgjimet, qofshin jashtë përgjimeve, për të cilat ka indikacione, duhet të zbardhen me një procedurë gjyqësore. Brenda këtyre kornizave, kujtoj se ka hapësirë për kompromis dhe unë jam optimist se do të arrihet kompromis për Ligjin për Prokurorinë Publike”, tha Osmani në një intervistë të gjatë për seksionin maqedonas të radios Evropa e Lirë.

Në të ai ka folur edhe për marrëdhëniet mes Bashkimit Demokratik për Integrim dhe partive maqedonase, në pushtet dhe opozitë, duke nënvizuar se qëllimi i integristëve është që të krijohet sa më shumë hapësirë për konsensus lidhur me çështje kryesore politike me të cilat po ballafaqohet Maqedonia e Veriut./ABC News Albania 24/7

pendarovski-1-1280x707.jpg
nev ila15:59 | 28/08/2019

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski duke komentuar rastin ‘ZHVATJA’ thotë se duhet pasur durim dhe të mos pranohet asnjë ndërhyrje. Ai shtoi se për momentin është e rëndësishme që institucionet filluan të bëjnë punën e tyre.

Edhe pse nuk dëshironte të komentoj rastin ‘Zhvatja’  Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski ju bëri thirrje institucioneve kompetente në vend që të bëhet hetim thelbësor siç theksoi ai, pa ndikime nga jashtë.

Puna ime si president nuk është që të komentoj më tej çdo fazë të ardhme tashmë që gjithçka hyri në binarë. Apeloj që të jemi të durueshëm dhe të presim se çfarë do të zbardhë procedura ligjore dhe pasi të kemi diçka të dukshme ose akuza të mund të komentojmë. Është e rëndësishme që po lëviz. Unë dhe të gjithë ne duam të shohim hetim të shpejtë por edhe thelbësor dhe hetim në të cilin nuk do të vërehen ndikimet e jashtme as nga komuniteti i biznesit as nga politikanët”, tha Stevo Pendarovski, president i shtetit.

Ndërkohë, ende nuk ka paralajmërime nga prokuroria se do të hetohen edhe të dhëna për disa biznesmenë që lidhen në rastin ‘Zhvatja’. Një pjesë e tyre përmenden në audio xhirime kurse të tjerë në dëshminë e biznesmenit Kamçev.

Prokurorja e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në një deklaratë për media ka njoftuar se biznesmeni Kamçev në dëshminë e tij nuk  ka përmendur asnjë politikan ashtu siç kanë spekuluar disa media, por vetëm që këtë rast e ka paraqitur te kryeministri Zoran Zaev./ABC News Albania 24/7

ali-ahmeti.jpg
G. P.20:54 | 25/08/2019

Duke folur për herë të parë në lidhje me rastin “Zhvatja”, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka deklaruar se debatet politike nuk duhet ta devijojnë zbulimin e së vërtetës. Gjithashtu, Ahmeti është shprehur i zhgënjyer nga prokurorja speciale Katica Janeva, pasi sipas tij ka krijuar një precedent negativ.

Duke komentuar skandalet e fundit me rastin “Zhvatja”, kreu i integristëve Ali Ahmeti theksoi se arsyeja që e çoi në paraburgim Prokuroren Speciale në largim Katica Janeva është lakmia. Megjithatë, Ahmeti nuk mendon se prapa këtij skandali qëndron ndokush që e ka planifikuar rastin.

“Populli ynë e ka një shprehje, një filozofi të jashtëzakonshme, lakmia e prish çdokë. Unë mendoj se këtu është punë lakmie dhe këtu sipas vlerësimeve të mia nuk ka të bëjë me ndonjë skenar, sepse për të hyrë në këto skema, se ka skenar këtu e s’ka aty, kjo do të thotë se duhet të largohemi nga objektivi për ta zbuluar të vërtetën”, deklaroi Ahmeti, raporton TV21.

Ahmeti u shpreh se ndihet i  zhgënjyer dhe i dëshpëruar nga rasti “Zhvatja”.

“Jo vetëm që jemi të zhgënjyer por edhe të dëshpëruar sepse është një jehonë mjaft e keqe për drejtësinë. Prokuroria Speciale është zgjedhur për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe për të vendosur drejtësinë në vend dhe jo për të hapur pisllëqe më të mëdha”, tha ai.

Ahmeti kërkoi më shumë kujdes në të ardhmen se kush po zgjidhet për Prokuror për ta luftuar krimin dhe korrupsionin. Lidhur me rastin zhvatja kanë vazhduar përplasjet edhe nga partitë maqedonase.

VMRO-DPMNE edhe sot nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion kërkon që të thërrasë në bisedë të gjithë anëtarët e LSDM-së që u përmenden në dëshminë e Orce Kamçevit. Nga LSDM janë të sigurtë se asnjë anëtar i tyre nuk është i përzier në këtë rast. Në mbledhjen e fundit të partisë, as që kanë kërkuar ata të prononcohen për akuzat sepse u besojnë./ABC News Albania 24/7

ZAEV-CESHTJA-ZHVATJA.mpg_snapshot_00.53-1280x720.jpg
ent ela16:15 | 24/08/2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, përgënjeshtroi përfshirjen e tij dhe të funksionarëve të lartë në cështjen “Zhvatja’. Këto komente ai bëri, pasi disa portale publikuan dëshminë e të akuzuarit në këtë rast, biznesmenit Orce Kamçev, sic thuhet të marrë në mënyrë të jashtëligjshme.

Dëshmia e Orce Kamçevit, që u publikua në disa portale, i nxjerrë në sipërfaqe edhe disa emra tjerë, që deri më tani nuk janë përmendur aspak. Sipas kësaj dëshmie, para nga familja Kamçev kishte tentuar të nxjerrë edhe një gjykatëse. Vëllai i saj, kishte kërkuar 6 milion euro, që të liroj nga burgu, por kjo ofertë sipas dokumentit, nuk është pranuar. E njëjta gjykatëse ka qenë edhe në rastin “Ryshfeti” ku i akuzuar kryesor ishte kryeministri aktual, Zoran Zaev, por që më vonë u lirua nga të gjitha akuzat.

Në dëshminë e publikuar përmenden edhe emra të politikanëve, përfshirë këtu edhe emrin e kryeministrit.

Së pari i bëjmë thirrje Prokurores Publike ta konfirmoj besueshmërinë e procesverbalit, dhe është e drejtë që ajo të tregojë se a është thënë ashtu. E dyta, sigurisht që do të padisim sepse kjo nuk është e vërtetë. Unë disa herë e kam hedhur poshtë çfarëdo lidhje me Boki13 lidhur me rastin “Zhvatja” dhe edhe sot qëndroj në atë që e kam thënë.

Zaev beson se asnjë funksionar i lartë i partisë së tij nuk është i përzier, por premton se nëse dëshmohet se janë të përzier, përgjegjësi do të ketë.

E opozita e ka më të qartë. Janë të bindur se Bojan Jovanovski nuk ka mundur ta kryejë këtë operacion pa përkrahjen e pushtetit, kurse nuk besojnë as në punën e Prokurores, Villma Ruskoska.

Mos të harrojmë se Prokuroria e vononi katër muaj hetimin. Katër muaj la hapësirë që Katica Janeva të formatoj, të fshijë kompjuter dhe të fshijë prova… E vetmja gjë që mund ta rrezikoj këtë rast, nëse hetimi nuk kryhet më shpejtë dhe më profesionalisht. Të mos ndalet vetëm në këto tre që janë në paraburgim, por të hetohen të gjithë që janë të përzier dhe sa më shpejt të thirret secili për të dhënë dëshmi, përfshirë këtu edhe Zoran Zaevin për të cilin dëgjuam se është një ndër personat që e ka udhëhequr operacionin.

VMRO DPMNE kërkon që Prokuroria ta thërrasë edhe djalin e Katica Janevës, sepse sipas dëshmisë së Kamçevit ai ka qenë në dijeni për të gjitha lëvizjet e Bojan Jovanovskit.

Përveç reagimeve partiake, kanë reaguar edhe nga Prokuroria.

Prokuroria nuk i komenton informatat të nxjerra në publik, por potencon se zbulimi i informacioneve të klasifikuara nga ana e individëve është rrezik për sistemin shoqëror dhe është vepër penale. Me publikimin e dokumenteve të tilla, pengohet prezumimi i pafajësisë dhe rrezikohen jetët e personave të përfshirë si dhe vështirësohet zhvillimi i hetimit.

Nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion, informojnë se do të marrin masa për të zbuluar se si këto dokumente dolën në publik. /ABC News Albania 24/7   

 

aagazetari.jpg
G. P.21:32 | 23/08/2019

Gazetari që denoncoi aferën e njohur si “Zhvatja” ka deklaruar se rasti do të marrë një epilog gjyqësor. Branko Geroski ka theksuar se “bombat”, siç njihen materialet e akumuluara lidhur me këtë çështje, do të prekin edhe marrëdhëniet mes kreut të BDI-së Ali Ahmeti dhe kryeministrit Zoran Zaev.

Ky është gazetari me përvojë, Branko Geroski që paralajmëroi  aferën që po e dredh aktualisht Maqedoninë e Veriut, e që u konfirmua me xhirimet e publikuara nga portali italian “La Veritta”. Në to shihet mbushja e çantave me 1.5 milionë euro të cilat në shtëpinë e tij i jep jep biznesmeni Orçe Kamçev për të shpëtuar nga një proces gjyqësor.

Në të, përveç dy personave të paraburgosur, dyshohet të jetë e implikuar edhe prokurorja speciale Katica Janeva të cilës tashmë i është shqiptuar dënimi me paraburgim prej 30 ditësh.

Branko Geroski tha të enjten  në mbrëmje për një emision televiziv maqedonas  me titull simbolik “Jadi burek – ha byrek” se kishte qenë puna e Prokurorisë Speciale që u ngrit për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar ajo që e kishte shtyrë të dyshojë se nuk po veprohet mirë, si duhet, ndërsa për shkrimin që i parapriu publikimit të videove inkriminuese, tha se nuk i kishte parë xhirimet, por i kishte besuar një burimi të sigurt.

“Burimi ishte tepër serioz dhe unë i besoj. M’i treguan disa detaje nga xhirimi”, thotë gazetari Geroski, i cili për këtë çështje fillimisht pati folur edhe për seksionin maqedonas të Zërit të Amerikës.

Në analizën e tij për t’i shkuar deri në fund kësaj afere, ai parashikon se rasti do të marrë epilog gjyqësor.

“Personalisht pres që të paktën pesë veta të përfshihen në hetime. Krahas këtyre treve, të paktën edhe dy të tjerë”, thotë Branko Geroski.

Skandali, vlerëson ai, ka bërë që Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, e kryeministrit Zoran Zaev, të pësojë një rënie, ndërsa VMRO-DPMNE-ja, një ngritje tek elektorati maqedonas.

Po si e shikon ai pozitën e Bashkimit Demokratik të Ali Ahmetit? Thotë se për shkak të bombave politike të lançuara kohë më parë ku në qendër të vëmendjes është ai dhe bashkëpunëtorë të tij, numri një i integristëve herët a vonë do të dijë t’i kundërpërgjigjet, edhe Zoran Zaevit, njësoj si dhe Nikola Gruevskit. Fajtor që ky i fundit nuk u bë kryeministër para tre vjetësh, thotë Geroski, ishte në masë të madhe  pikërisht Ahmeti.

“Derdhja e gotës së humbjes së durimit nisi në vitin 2010. Ali Ahmetin në politikë e quajnë ‘pritës i vjetër’. Domethënë ai do të pres, do të durojë, do të pres, do të durojë, dhe gjithë kjo që po shpërthejnë bomba… njerëzit nuk janë budallenj, e din se El Çeka është një ekzekutor që figuron se disponon gjithçka, kurse burimi i gjithë këtij materiali toksik, nuk është në Uashington DC o ku ta di, por në Shkup, këtu, këtu…Bombat janë bërë këtu dhe prej këtu e kanë prejardhjen. Dhe mos prisni se faktori shqiptar ka për ta harruar këtë me lehtësi, ose do ta falë, për shkak se sidomos tek komuniteti shqiptar, nxjerrja e të palarave të natyrës private, intime, ka një peshë të veçantë”, vlerësoi Branko Geroski duke rikujtuar se disa nga protagonistët shqiptarë të bombave të mëhershme u skajuan nga skena politike, veprime këto që në tek maqedonasit, thotë ai, edhe gëlltiten.

“Për këto ‘viktima’, një ditë do të vijë fatura mbi tavolinën e atij për të cilin Ali Ahmeti do të bindet ose do të kujtojë se nga aty kanë dalë bombat”./ABC News Albania 24/7

bujar-osmani.jpg
G. P.16:43 | 22/08/2019

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani kërkoi hetim të shpejtë dhe efikas për rastin “Zhvatja”, por dhe që ky rast të mos keqpërdoret për qëllime ditore të politikës, pasi kjo mund të cënojë figurën e  vendit tek partnerët ndërkombëtarë. Ai u ka bërë apel partive politike në vend që të ulen në bisedime për të arritur një marrëveshje rreth zëvendësuesit të prokurores speciale Janeva, e cila aktualisht ndodhet në paraburgim.

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani, u bëri thirrje të gjitha kampeve politike që të përpiqen të gjejnë kompromis rreth ligjit për Prokurorinë Publike, sepse sipas tij, në kushte krize vetëm kompromisi është terapia e duhur.

Ai nuk u përgjigj konkretisht se a do të përkrahte BDI-në ndonjë emër nga prokurorët aktual që janë në Speciale për ta zëvendësuar Janevën, por rikujtoi institucionet se reagimi ndaj situatës së krijuar do të jetë shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe do ta përcaktojë kahjen e mëtutjeshme të vendit.

Këshilli i Prokurorëve dhe Parlamenti, duhet të gjejnë mundësi për të gjetur një zgjidhje edhe për të mbushur zbrazëtirën institucionale që është krijuar me rastin e fundin, por ajo çka është edhe më e rëndësishme, për të miratuar ligjin për prokurori, i cili në një mënyrë të përhershme dhe të qëndrueshme do të zgjidh çështjen e Prokurorisë Publike, por edhe atë të Prokurorisë Speciale.

Edhe nga VMRO-DPMNE thonë që nuk është koha që të flitet për zëvendësen e Janevës. Ata duan të presin epilogun nga grupet e punës për Ligjin për Prokurori Publike, por nga përgjigja e Arsovskit, nënkuptohet se VMRO DPMNE nuk do të pranonte që specialen të vazhdojë ta udhëheqë ndonjëri nga Prokurorët aktual.

Të hetohet në mënyrë të saktë se kush ka qenë në skemën e zhvatjes. Kjo është prioriteti, që të hetohet përzierja e prokurorëve të speciales dhe të politikanëve, menjëherë pasi të përfundon hetimi mund të flasim për pasardhës. Por ligji është i qartë se kush mund të jetë pasardhës. Nuk duhet të harrohet se ekziston grup i punës ku diskutohet për ligj të ri për Prokurori Publike.

Sipas informatave të fundit nga burimet partiake, pas një pauze disa javore, grupet e punës sërish do të takohen nesër. Disa ditë më parë, Aleanca për Shqiptarët propozoi që prokurori që do ta udhëheq sektorin e ri për ndjekje të Korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar të jetë i huaj, e alternative e propozoi Fatime Fetain./ABC News Albania 24/7

MBULIM-ARRESTOHET-JANEVA.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
ent ela14:43 | 21/08/2019

Prokurorët në Maqedoninë e Veriut kanë kërkuar paraburgim për ish-prokuroren speciale Katica Janeva, pasi kanë fakte se ajo ka keqpërdorur detyrën e saj. Janeva u arrestua paraditen e së mërkurës nga policia, e cila bastisi shtëpinë dhe zyrën e saj në kërkim të të dhënave mbi çështjen “Zhvatja”.

Prokurori Publik i Maqedonisë së Veriut Lubomir Joveski në një konferencë të jashtëzakonshme të shtypit theksoi se kanë fakte që Janeva ka realizuar përfitim personal prej rreth 290 mijë denarëve, apo rreth 5 mijë eurove, duke ndikuar në procedurë dhe mundësuar lehtësimin e pozitës së të dyshuarit në rastin “Perandoria”.

Ai tha se prokurorja speciale publike e ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe ka realizuar përfitim personal me atë që së pari ka ndikuar në lirimin nga paraburgimi dhe kthimin e dokumenteve të udhëtimit, dhe më pas ka propozuar të lehtësohet pozita e të dyshuarit në rastin “Perandoria” me pranimin e tij si dëshmitar në procedurë.

Lubomir Jovevski, prokuror publik shtetëror:Prokurori Publik që udhëheq procedurën urdhëroi zgjerimin e hetimit kundër Prokurores Publike, e cila është ndaluar dhe Prokuroria nga Gjykata kompetente do të propozojë përcaktimin e masës së paraburgimit. Nga dëshmitë e siguruara u vërtetua se Prokurorja Publike ka shfrytëzuar detyrat dhe autorizimet zyrtare që I ka pasur sipas Ligjit për Prokurorinë Speciale dhe Rregulloret nga Ligji për Procedurë Penale, që për vete dhe persona të tjerë, të përfitojë dobi pronësore me një shumë të konsiderueshme”.

Policia pasditen e sotme me urdhër të Prokurorisë Publike e ka arrestuar Katica Janevën në shtëpinë e saj në lagjen Kozle. Ajo në shoqërinë e policisë është sjellë në PSP. Prokurorja Villma Ruskoska pohoi se policia ka hyrë në PSP me urdhër që të merret kompjuteri i Janevës.

Policia pasdite ka konfiskuar mobilie dhe gjësende tjera nga shtëpia e Katica Janevës në një lagje të Shkupit prej se ajo u dërgua atje pas bastisjes në zyrën e saj në ambientet e Prokurorisë Speciale, ku thuhet se i është marrë edhe kompjuteri i saj personal.

Merret vesh se është bastisur edhe shtëpia e saj në Gjevgjeli. Konfiskimi sipas të gjitha gjasave është bërë për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare dhe përfitimeve personale në rastin “Zhvatja” ku gjatë ditës është përmendur shuma e pesë mijë eurove që ajo ka marrë nga të dyshuarit në këtë rast.

Edhe pse disa media kishin publikuar se përpos aksionit për arrestimin e Janevës është zhvilluar edhe aksion për arrestimin e personave tjerë të dyshuar për rastin “Zhvatja”, prokurorja Ruskoska, i demantoi këto shkrime duke thënë se për momentin, hetimi është zgjeruar vetëm me emrin e Janevës.

Katica Janeva, e cila u përmend në incizimet që i publikoi gazeta italiane “La Verita”, dje ishte në seancë dëgjimore në Prokurorinë Publike për Krim të Organizuar për rastin “Zhvatja”./ABC news Albania 24/7

janeva-1280x726.jpg
G. P.20:56 | 20/08/2019

Kryeprokurorja speciale në ikje e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva ka dëshmuar të martën në lidhje me çështjen “Zhvatja”. Në një prononcim për mediat, Janeva është shprehur e bindur për pafajësinë e saj dhe tha se me dëshminë e dhënë do të përshpejtojë hetimet.

Për dallim nga konferenca për media që e pati disa javë më parë, ku shihej se ishte e në humor jo të mirë, kësaj radhe Janeva dukej me e qetë. Erdhi në Prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion të lartë, madje edhe u ndal dy herë për të folur rreth rastit “Zhvatja”. Para se të hyjë në prokurori nuk dha shumë detaje…

“Sa i përket deklaratës sime sot, shpresoj se me argumentet e mia dhe me deklaratën time do ta përshpejtoj hetimin”.

E pasi doli, edhe pse avokati i saj tentoi që ta ndalë…

“Nuk je duke dhënë deklaratë para autoriteteve…”.

Ajo u përgjigj në disa pyetje, por gjithmonë duke u mbrojtur se nuk mund të flasë më shumë për shkak procedurës hetimore.

“Bëhet fjalë për dy telefona që i kam përdorur, të dy janë marrë dhe janë dorëzuar për analizë në prokurori”, tha Janeva.

“Por nuk janë konfiskuar kur janë kërkuar, por më vonë pasi janë formatuar…”!?

“Jo, bëhet fjalë për telefon të tretë që është i humbur”, u shpreh Janeva.

Ajo nuk deshi të përgjigjet në pyetjen se a ka politikan të përzier, kurse nuk e di as se ku është Orce Kamçevi, i dyshuari kryesor në rastin “Perandoria” me të cilin Janeva thotë se ka folur për ta bindur për të nënshkruar marrëveshje./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono