zgjedhjet

993b92e2-abec-11e9-a61f-bc570b50c4e7_image_hires_130138.jpg
ent ela12:40 | 22/07/2019

Partia liberale e kryeministrit japoneze Shinzo Abe, ka fituar zgjedhjet e përgjithshme në vend, dhe pse nuk ka arritur të marrë mazhorancën e duhur për të bërë ndryshimet kushtetuese.

Kryeministri japonez Shinzo Abe deklaroi fitoren e partisë së tij liberale dhe partnerit të koalicionit Komeito. Sipas rezultateve të publikuara, partia e Abe mori 71 nga 124 vendet në dhomën e lartë të parlamentit në Japoni, vetëm pak pikë poshtë mazhorancës së plotë, e domosdoshme për të modifikuar kushtetutën. Një objektiv të cilin kryeministri japonez e ka vendosur prej vitesh. Ai do të donte amendimin e artikullit 9 të kushtetutës, duke i dhënë një rol më të gjerë forcave të vetëmbrojtjes. Partia kryesore e opozitës, partia kushtetuese demokratike, mori 53 vende.

Në deklaratën për media pas publikimit të rezultateve Abe u shprehu mirënjohjen atyre që e votuan duke zgjedhur mes qëndrueshmërisë dhe kaosit. Për sa i përket ndryshimeve në kushtetutë Abe u shpreh se do të mbahej një referendum kombëtar, pasi japonezët duhet të thonë fjalën e tyre për këtë temë. Shinzo Abe është në krye të qeverisë që nga viti 2012, por dhe më parë ka qenë kryeministër në periudhën 2006 – 2007. Në muajin nëntor 64 vjeçari do të thyejë rekordin e Taro Kastura – tre herë në krye të ekzekutivit në vitet 1901 – 1913 – duke u bërë kryeministri më jetëgjatë në historinë e Japonisë. /ABC News Albania 24/7

ukraine-1280x668.jpg
ent ela12:45 | 21/07/2019

Volodimir Zelenski është pranë një fitoreje të re. Vetëm tre muaj pas marrjes së presidencës së Ukrainës, ish-aktori komik përgatitet të fitojë dhe në zgjedhjet e përgjithshme. Partia e tij “Shërbëtor i Popullit” sipas sondazheve, pritet të marrë 52 për qind të votave.

Po ashtu, 70 për qind e deputetëve në parlamentin e ri pritet të jenë emra të panjohur për politikën vendase. Pritet të hyjnë në parlament dhe deputetët e partisë filo ruse, me rreth 13% të votave, ata të ish- presidentit Petro Poroshenko, por dhe të ish kryeministres Julia Timoshenko. /ABC news Albania 24/7

kolegji-zgjedhor-1280x722.jpg
nev ila15:20 | 20/07/2019

5 ankimime të Bindjes Demokratike do të shqyrtohen të hënën nga Kolegji Zgjedhor. Ndërsa  deri të  martën, trupa gjyqësore do të shpërndajë mandatet e këshilltarëve për 20 bashkitë e para, duke ju hapur rrugë betimit të kryebashkiakëve të parë.

Të hënën, Kolegji Zgjedhor do të zhvillojë 13 seanca gjyqësore për 30 qershorin.

Të parat, do të shqyrtohen 5 ankime të Bindjes Demokratike, e cila kundërshton rezultatin në bashkitë: Selenicë, Shijak, Kurbin, Tiranë dhe Berat. Në këto bashki, partia e Patozit pretendon se kutitë janë mbushur artificialisht dhe votat e saj janë vjedhur gjatë numërimit.

Më pas, do të shqyrtohet dhe ankesa kryebashkiakut në largim të Finiqit, Leonidha Hristo, i cili nuk e pranon humbjen. Më pas, do të nisë shqyrtimi i 7 padive të para të Partisë Socialiste, e cila kërkon që Kolegji zgjedhor, të shpërndajë mandatet për këshillat bashkiakë.

KQZ dështoi të bëjë këtë shpërndarje, pasi ky vendim kërkonte 5 vota në tryezën e KQZ-së, dhe vota kundër e Klement Zgurit pamundësonte miratimin e tabelave.

Në këto kushte, PS, siç ndodhi dhe në 2013 më PD-në, kërkon që këtë provë ta kryejë Kolegji Zgjedhor.

13 bashki të tjera janë caktuar të gjykohen ditën e martë, e për të vazhduar me të tjerat po gjatë kësaj jave.

STAND UP Ky është stacioni i fundit për përmbylljen e këtyre zgjedhjeve. Pas këtij momenti, KQZ do të miratojë tabelën përmbledhëse kombëtare të rezultateve, ndërsa këshillat bashkiakë do të zhvillojnë mbledhjet e tyre të para. Pikërisht në këto mbledhje do të bëjnë betimet dhe kryebashkiakët e rinj, moment që shënon dhe fillimin e mandatit të tyre.

Shqyrtohen ditën e hënë:

 

  1. Bindja Demokratike        SELENICË
  2. Bindja Demokratike        SHIJAK
  3. Bindja Demokratike        KURBIN
  4. Bindja Demokratike        TIRANË
  5. Bindja Demokratike        BERAT
  6. Leonidha Hristo               FINIQ
  7. PS                                        URA VAJGURORE
  8. PS                                        DEVOLL
  9. PS                                        KUÇOVË
  10. PS                                        KONISPOL
  11. PS                                        MEMALIAJ
  12. PS                                        PËRMET
  13. PS                                        POLIÇAN

 

Shqyrtohen ditën e martë:

 

  1. PS                                       FUSHË ARRËZ
  2. PS                                       MIRDITË
  3. PS                                       VAU I DEJËS
  4. PS                                       MAT
  5. PS                                       DELVINË
  6. PS                                       ROSKOVEC
  7. PS                                       KAVAJË
  8. PS                                       PEQIN
  9. PS                                       DROPULL
  10. PS                                       POGRADEC
  11. PS                                       PUSTEC
  12. PS                                       PUKË
  13. PS                                       FINIQ./ABC News Albania 24/7

 

 

KRYEBASHKIAKET-E-TJERE_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.10-1280x720.jpg
ent ela23:16 | 17/07/2019

Pavarësisht këtyre dy vendimeve të gjykatave në Durrës dhe Tiranë, 29 gjyqtarë të tjerë në mbarë vendin kanë konfirmuar kryebashkiakët socialistë të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

29 gjyqtarë të tjerë të dhomave civile në rrethe të ndryshme të vendit, kanë vepruar në mënyrë të unifikuar, duke njohur 29 kryetarë bashkish të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Ndryshe nga kolegët e tyre në Durrës apo Tiranë, gjyqtarët e tjerë nuk kanë shprehur moskompetencë për çështjet, si dhe i kanë konsideruar zgjedhjet të ligjshme, edhe në ato bashki ku socialistët kanë pasur përballë kandidatë nga Bindja Demokratike.

Aktualisht veç Sakos dhe Kajmakut që janë në betejë të koklavitur ligjore, 30 fitues të tjerë socialistë janë në proces përgatitor tek gjykatat.

Një pjesë kanë aplikuar për t’iu njohur fitorja, siç është dhe kryebashkiaku i Tiranes Erjon Veliaj, ndërsa një pjesë, pret që të përfundojnë çështjet ankimore pranë Kolegjit Zgjedhor.

Paralelisht, që fillojnë detyrën, kryetarët e konfirmuar nga gjykatat duhet të bëjnë betimin përpara këshillave bashkikaë. Meqë KQZ nuk i bën dot 5 vota për shpërndarjen e mandateve të këshilltarëvë, prej votës kunder të Klement Zgurit, PS i ka çuar çështjet në Kolegj.

Shqyrtimi i tyre nis të hënën.

Janë konfirmuar deri sot nga gjykatat e rretheve, kryetarët e rinj të bashkive:

Kryebashkiakët e konfirmuar nga gjykatat e rretheve:

  1. Tonin Marina, Malësi e Madhe
  2. Gjon Gjonaj, Pukë
  3. Rexhë Byberi, Tropojë
  4. Liman Morina, Has,
  5. Safet Gjici, Kukës
  6. Agron Malaj, Mat
  7. Ilmi Hoxha, Klos,
  8. Elton Arbana, Shijak
  9. Redi Krali, Kavajë
  10. Haxhi Memolla, Rrogozhinë
  11. Lorenc Tosku, Peqin,
  12. Andis Salla, Cërrik
  13. Gentjan Llatja, Elbasan,
  14. Kastriot Gurra, Librazhd
  15. Fatos Tushe, Lushnjë
  16. Fredi Kokoneshi, Divjakë
  17. Armando Subashi, Fier
  18. Rajmonda Balili. Patos,
  19. Majlinda Bufi, Roskovec
  20. Qerim Ismaili, Mallakastër
  21. Juljana Memaj, Ura Vajgurore
  22. Gezim Topciu, Maliq
  23. Pali Kolefski, Pustec
  24. Eduart Duro, Devoll
  25. Erion Isai, Kolonje
  26. Alma Hoxha, Përmet
  27. Gjolek Guci, Memaliaj
  28. Termet Peci, Tepelenë
  29. Flamur Golemi, Gjirokastër

Është refuzuar nga gjyqtarja Mimoza Margjeka mandati i Valbona Sakos, për Bashkinë e Durrësit me argumentin e regjistrimit të Partisë Bindja Demokratike tej afatit ligjor dhe është refuzuar të marrë vendim nga gjykata civile e Tiranës për kryetarin e Bashkise Vorë, Agim Kajmaku me arsyetimin se këtë vendim duhet ta japë gjykata administrative dhe jo ajo civile.

Bashkitë e tjera janë në pritje të ankimimeve dhe caktimin e gjyqtarëve për marrjen e vendimeve të konfirmimit në detyrë të kryetarëve të rinj. /ABC News Albania 24/7

 

Ilir-Meta.jpg
nev ila10:56 | 17/07/2019

Kreu i shtetit Ilir Meta në një reagim publik në rrjetet sociale, shkruan se në 13 tetor duhet të zhvillohen zgjedhjet vendore dhe qëndrore, përfshi ato për Presidentin, pasi në 19 tetor do të jetë shumë vonë.

“KOHA QË TË MOS MBETEMI EDHE NË VJESHTË!

Të dashur qytetarë,
30 qershori iku si një datë e përbashkët vetëm kalendarike. Përpara kemi një datë tepër të rëndësishme, për ne dhe të ardhmen e vendit tonë, 17-18 tetor 2019, kur Këshilli i Bashkimit Europian🇪🇺 do të marrë një vendim për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë🇦🇱.
Ndaj nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune, dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër.
Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 tetor.

KOHA ËSHTË TANI!

Në 19 tetor do të jetë shumë vonë!“, shkruan presidenti Meta./abcnews.al

klosi-velipoje-1280x716.jpg
nev ila15:47 | 16/07/2019

Përplasjet politike, fushata dhe zgjedhjet e 30 qershorit kanë ndikuar negativisht në përgatitjen dhe menaxhimin e sezonit turistik, tha ministri Blendi Klosi nga Velipoja. Ai deklaroi në mbledhjen e Task Forcës se ende nuk janë lidhur kontratat me përdoruesit e plazhit nga Bashkia Shkodër.

Në mbledhjen e Task Forcës për menaxhimin e turizmit në Velipojë ministri Blendi Klosi ka deklaruar se zgjedhjet e 30 qershorit kanë patur një impakt negativ në përgatitjet për sezonin turistik.

“Jemi më keq se një vit më parë“,- tha Klosi duke renditur disa nga problematikat e konstatuara në terren.

“ Janë 29 të evidentuara prej tyre 17 janë të regjistruara në tatime, por pa lidhur kontratë me Bashkinë e Shkodrës, ndërsa në gjithë plazhin janë vetëm 10 kulla vrojtime”, tha Klosi.

Në të njëjtën linjë kanë qenë dhe ministrat Balluku dhe Cakaj.

Në mbledhje morën pjese përfaqësues të Prefekturës Shkodër, Bashkisë Shkodër dhe institucioneve qendrore në nivel vendor./ABC News Albania 24/7

Rama-pas-kryesise-1280x717.jpg
nev ila11:45 | 15/07/2019

Kryeministri nuk do ta ndryshoje qeverinë e tij. Edi Rama ju tha gazetarëve në fund të mbledhjes së kryesisë socialiste, se ministrat e tij i kishin përmbushur detyrat. PS do të mbledhë të hënën Asamblenë Kombëtare për organizimin e brendshëm, teksa kryeministri përjashtoi mundësinë për zgjedhje të parakohshme.

Ministrat e Edi Ramës mund të shkojnë të qetë me pushime.

Kreu i qeverisë do të mbledhë Asamblenë e Partisë Socialiste të hënën e 22 korrikut, por jo për të bërë ndryshime në kabinet.

Socialistët do të nisin një proces riorganizimi të brendshëm, por jo për zgjedhje të parakohshme.

I pyetur për mundësinë për planet e tij për shkatërrimin e LSI-së, siç kishte deklaruar Ilir Meta, Edi Rama ka këtë përgjigje:

Për fat të keq të atyre që ende e besojnë këtë opozitë, nuk ka nevojë për plane për të eliminuar opozitën, sepse opozita është në kapacitete të plota për t’u vetë eliminuar dhe siç e shikoni procesi i degradimit vazhdon në një rrugë që e kanë zgjedhur vetë. E rëndësishëm për ne është t’i qëndrojmë besnik të gjithëve edhe atyre që na votuan dhe atyre që nuk na votuan, pastaj këto historitë 7 herë 7 bëjnë 42, ja lemë opozitës”, tha kryeministri.

Bashkë me punën për shkarkimin e Metës, Edi Rama duket se ka menduar emrin e Presidentit të ri, por nuk është gati që planet e tij t’i bëjë publikë.

Me rikthimin nga pushimet, socialistët do të nisin zgjedhjet brenda  forumeve të partisë që ju ka mbaruar mandati.

Në këtë komunikim, Edi Rama nuk është gati të thotë nëse edhe ai vetë do t’i nënshtrohet procesit zgjedhor si kryetar partie./ABC News Albania 24/7

Capture-4-1280x567.jpg
ent ela12:40 | 13/07/2019

Dorina Kurtaj – Pas përfundimit të qeverisë Tsipras tashmë Greqia ka një kryeministër të ri. Micotaqis ka premtuar rritje pagash dhe ulje taksash ndër të tjera, por analistët ekonomikë mendojnë se është e pamundur për shkak të situatës ekonomike në vend. Një tjetër çështje që pret rishqyrtimin nga ekzekutivi i ri është dhe ajo e Maqedonisë së Veriut.

Ka përfunduar stina e Aleksis Tsipras. Në Greqi rikthehet në qeveri partia konservatore Demokracia e Re, e drejtuar nga Qiriakos Micotaqis. Partia pas suksesit në zgjedhjet Parlamentare Europiane, duke lënë prapa Syrizën me dhjetë pikë – 33 kundrejt 23 për qind, u imponua në shkallë të gjerë dhe në zgjedhjet politike në vend përballë ish-kryeminsitrit Aleks Tsipras. Micotaqis, i cili drejtoi protestat në shesh kundër aplikimit të masave të programit të fundit të asistencës financiare, që përfundoi në muajin gusht, fitoi me 39.8 për qind në krahasim me kundërshtarin kryesor i cili ndaloi në 31.56 për qind. Greqia ringre kokën me krenari pas një periudhe të dhimbshme do të deklaronte Micotaqis i cili premtoi se do të punojë për uljen e taksave dhe për të sjellë zhvillim ekonomik dhe punësim në vend. Një premtim që ishte dhe pika e fortë e fushatës së tij elektorale. Demokracia e Re tashmë qeveris e pavarur, pasi mori mazhorancën e pastër në parlament.

Mes të parëve që uruan për fitoren kryeministrin e ri, ishte presidenti turk Erdogan si dhe ish presidenti i Komisionit Europian Zhan Klod Junker. Tsipras, një ishiantagonist i bërë më pas një nxënës model i Trojkës, i detyruar të menaxhojë krizën më të keqe ekonomike në vend që nga pas lufta, me reformat e detyruara, pagoi pasojat e njëpasnjëshme ekonomike që shumë i interpretuan si një tradhti. Duke pranuar humbjen Tsipras u shpreh se po largohej kokë lartë dhe pas katër vitesh në buzë të humnerës, tashmë po i dorëzonte pasardhësit të tij një vend të lirë, në zhvillim ekonomik dhe rezerva në arkat e tyre, me një interes të borxhit në minimumin historik. Lideri i Syrizës u shpreh se rezultati reflektonte çmimin politik të vendimeve të vështira që i ishte dashur të merrte. Por ai theksoi se kjo nuk ishte një humbje strategjike. Ndërsa në një postim në profilin e tij Tuiter do të shtonte se tashmë do  të përqendrohej në një opozitë të përgjegjshme duke mbrojtur fitoret e rëndësishme të vendit në vitet e fundit.

Po kush është kryeministri i ri Micotaqis?

Qiriakos Micotaqis është një liberal – reformator dhe një europian i bindur. Për Greqinë ky është një rikthim në normalitet pas krizës ekonomike dhe goditjes populiste – apo ndoshta një restaurim? Programi qeverisës i Micotqiës është reformator, liberal dhe modern. “Jemi një qendër e djathtë e moderuar dhe liberale”, shprehet lideri i qendrës së djathtë. Objektivi është ai i ndryshimit të strukturës ekonomike së vendit, duke shtuar produktivitetin dhe nivelin e rritjes nëpërmjet investimeve të jashtme, liberalizimeve, privatizimeve, investimeve në inovacion dhe kapitalit njerëzor. Premtoi një ulje të taksave për sipërmarrjet dhe pronat duke respektuar njëkohësisht objektivat fiskalë të koordinuar me Europën. Micotaqis dëshiron të shkojë përtej reformimit të Syrizës duke prezantuar një reformim të bindur.

Micotaqis ka studiuar në universitete amerikane me emër si Harvard dhe Stenford, ka punuar në sektorin e Financës në “Cejs Bank” dhe “Mekinsej” para se të bëhej pjesë e politikës, ku pati një eksperiencë si ministër me objektivin për të reformuar dhe dixhitalizuar administratën publike greke. Por ka dhe një “formim” familjar si restaurator. Ai është në fakt një produkt i establishment në Athinë, trashëgimtar i një prej dinastive më të rëndësishme politike të Greqisë moderne së bashku me Papandreu dhe Karamanlis. Ai gjthashtu është një person që nuk pranon asnjë lloj marrëveshjeje me sovranistët.

Ndërkohë vetëm gjashtë parti nga 20 arritën të futen në parlamentin e ri grek. Duhet të kënaqen me 22 vende socialistët e Kinal, dhe me 15 vende komunistët e KKE-së. Por humbja e vërtetë e madhe është ajo e ekstremit të djathtë Agimit të Artë, e cila për shumë pak nuk arriti të kalonte pragun prej 3 për qind dhe në këtë mënyrë mbetet jashtë parlamentit. Në vitin 2015 ata ishin forca e tretë politike në Greqi me 7 për qind të votave kishin siguruar 18 vende në parlament. Ndërkohë që rezistojnë grupimet e reja politike: Zgjidhja greke, lëvizja nacionaliste e themeluar nga ish shitësi televiziv Qiriakos Velopulos, mori dhjetë vende në parlament, dhe Mepa25 e ish-ministrit të Financës Janis Varufakis mori 9 vende me 3.47 për qind të votave.

Pjesëmarrja në votime ishte 57.3 për qind, e njëjta shifër me atë të zgjehdjeve të fundit në shtator të 2015-ës por më e lartë në krahasim me zgjedhjet e 2012-ës dhe janarit në 2015. Ndërsa në vitin 2009 preku minimumin me 30 për qind.

Sipas analistëve qeveria e re duhet të përballet me problem të vjetra dhe një nga çështjet më të rëndësishme që pret një rishqyrtim është ajo e Maqedonisë së Veriut.

Pavarësisht se premtimi kryesor i Micotaqis është ai i uljes së taksave dhe rritjes së rrogave, analistët mendojnë se asgjë nuk do  të ndryshojë. Borxhi publik grek mbetet shumë i lartë dhe hapësira për të manovruar për rimëkëmbjen e ekonomisë është shumë e kushtëzuar. Por ajo e premtimeve përballë një realiteti jo dhe aq të favorshëm për plotësimin e tyre nuk është i vetmi problem me të cilin do të përballet kryeministri i ri grek. Është një tjetër çështje e rëndësishme dhe pse për momentin në hije: ajo e Maqedonisë së Veriut.

Vendi fqinj, i cili ndërroi emrin për shkak të kushteve të vendosura nga Greqia, në mënyrë që të vazhdonte procesin për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe në NATO, mund të përbëjë një pengesë jot ë vogël në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Bashkimit Europian.

Ka kaluar tashmë një vit nga marrëveshja e Prespës, e firmosur në 12 qershor 2018, kur ish kryeministri grek Aleksis Tsipras dhe ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev arritën marrëveshjen për ndryshimin e emrit. Deri në atë moment, pothuajse për 30 vjet, pala greke vendoste veton për anëtarësimin e vendit në Bashkimin europian duke u mbështetur në pozicionin si shtet anëtar. Arsyeja? Për Greqinë, emri Maqedoni implikonte pretendime territoriale në kufijtë e saj, ku rajoni grek mban të njëjtin emër. Negociatat e vazhduara prej dekadash, të acaruara gjatë qeverisë së nacionalistit Gruevski në Shkup, nuk dhanë asnjë fryt. Gruevski kishte kundërshtuar gjithnjë një marrëveshje.

Në vitin 2017, me premtimin për të zhbllokuar situatën, lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev arriti të fitojë. Pas vendosjes së kushteve më të favorshme dy vendet arritën më në fund një marrëveshje. Shumë e kritikuar nga nacionalistët e  të dyja vendeve, por gjithësesi një marrëveshje. Një arritje që mori vlerësimet e institucioneve europiane, vetë kancelarja gjermane Merkel ishte në Shkup për t’i shtrënguar dorën protagonistëve si dhe për të premtuar avancimin e procedurës për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Në shumë raste Micotaqis nuk ka pranuar ta shohë marrëveshjen si një tradhti, por gjithësesi do e kundërshtonte nëse do të ishte në pushtet.

Por tashmë kjo marrëveshje mund të jetë objekt rishikimi nga ana e qeverisë së re greke. Vetë Micotaqis, i cili gjithnjë ka qenë kundër ndryshimit të emrit, pjesërisht ia dedikon fitoren në zgjedhjet e fundit kundërshtimit të kësaj marrëveshjeve. Kjo sepse shumë grekë, sidomos ata të rajonit të Maqedonisë kanë ndjenja armiqësie për fqinjët sllavë. Sipas logjikës, kryeministri i ri grek duhet të vazhdojë në këtë linjë. Babai i Micotaqis, humbi postin e tij si kryeministër në vitin 1993 pikërisht për shkak të kësaj mosmarrëveshjeje.

Micotaqis mund të konsiderohet i lirë për të vendosur sërish veton ndak Maqedonisë së Veriut, si shtet anëtar I Bashkimit Europian. I vetmi problem është se nëse vepron kështu, do të bëhet objekt kritikash dhe antipatish politike përvec se ekonomike nga ana e Bashkimit Europian. Si parlamenti dhe Komisioni Europian, në fakt mbështeten marrëveshjen e Prespës; po ashtu dhe Partia Popullore Europiane – pjesë e së cilës është dhe Demokracia e Re- Brenda Parlamentit Europian vlerësuan kapërcimin e ngërçit.

Ideja e vazhdimit të procesit të integrimit europian të Ballkanit, prej kohësh sheh në linjë të parë dhe kancelaren gjermane Anxhela Merkel, e cila merr pjesë në të gjitha samitet që lidhen me Ballkanet dhe nuk humbet asnjë rast për të theksuar vullnetin e saj në idenë e zgjerimit të Bashkimit Europian. Mjafton të mendosh se në samitin e fundit për Ballkanin perëndimor në Poznan, liderë të ndryshëm europianë, mes të cilëve dhe komisioneri europian për politikat dhe fqinjësinë dhe negociatat për zgjerimin, Johanes Hahn, deklaruan në mënyrë të qartë vullnetin e Bashkimit Europian për integrimin e Ballkanit duke thënë se është fati i të gjitha shteteve ballkanike.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian, Serbia dhe Mali i zi janë në krye të listës, ndërsa një muaj më parë komisioni dërgoi një rekomandim për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Vendet e vetme kundër kandidaturës së Maqedonisë së Veriut, përvec Greqisë, janë dhe Franca e Vendet e Ulëta. Presidenti francez  Makron u shpreh se ishte shumë skeptik kundrejt atyre që thonë se e ardhmja e Europës është një zgjerim i mëtejshëm, ndërkohë që nuk gjendet një marrëveshje mes 28 vendeve, referuar mosmarrëveshjeve për emërimet në postet kryesore të institucionece europiane.

Ajo që dihet është se procesi është i gjatë dhe se do të duhet kohë para se hipoteza konkrete për një anëtarësim të Shkupit të jetë në tryezë. Por dilema e Micotaqis qëndron: të vazhdojë përdorimin e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, duke u përplasur qartë me Komisionin europian. Ndërkohë që pikërisht besimin e këtij komisioni duhet të fitojë Greqia në mënyrë që të ringrihet ekonomikisht. Nga ana tjetër, të hapë rrugë duke lejuar që Maqedonia e Veriut të mbajë emrin e saj dhe të vazhdojë negociatat e qetë, por kjo do të nënkuptonte që Micotaqis nuk do të kishte mbajtur një nga premtimet e bëra elektoratit të tij.

Sipas disa analistëve, nuk do të ndodhë kështu. Ata mendojnë se është e vështirë që kryeministri i ri grek të ketë hapësirë për të rivendosur në tryezën e bisedimeve një marrëveshje të përfunduar. Por dhe nëse marrëveshja për emrin do të qëndronte, mbetet çështja e vetos: a do ta ndalojë ende anëtarësimin? Për momentin, kryeministri i Shkupit Zaev, uroi homologun grek Micotaqis për fitoren, duke paralajmëruar vazhdimësinë në një nivel të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në tetor Këshilli Europian do të vendosë nëse do të pranojë ose jo rekomandimin e komisionit dhe atëherë do të jetë koha që Micotaqis do të përballet me premtimet dhe detyrimet e tij. /ABC News Albania 24/7

 

spiroplai-1-1280x672.jpg
ent ela14:00 | 12/07/2019

Partia Socialiste e konsideron rezultatin e rinumërimit të kutive në Lezhë, si prova më e mirë që shkatërron alibinë për parregullsi në 30 qershor. Zëdhënësja e Kryesisë, Elisa Spirapali tha se edhe ato pak vota të ngatërruara nuk janë në favor të kandidatit të Partisë Socialiste.

“Për muaj me radhë, deri më 30 Qershor, opozita jashtë-parlamentare hodhi baltë pa fre dhe pa cak, mbi qeverinë, shqiptarët dhe Shqipërinë. Sipas Bashës, me Edi Ramën Kryeministër, nuk mund të kishte kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Për të, edhe zgjedhjet që vet PD drejtoi në vitin 2017, nuk ishin të rregullta. Kjo, sepse me logjikën ku 7 herë 7 bëjnë 42, zgjedhjet ku Basha humbet, nuk mund të konsiderohen kurrsesi legjitime.

Sot, alibia e ngritur për parregullsitë e regjistruara më 30 Qershor, mori një goditje përfundimtare. Prova më e mirë që shkatërron alibinë e fundit të humbësit serial Lulzim Basha, është rinumërimi i 11 kutive në Lezhë.

11 kuti u rihapën për shkak të ankesave të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje. Rezultatet tregojnë qartësisht se nuk ka pasur asnjë parregullsi. Në 10 prej kutive, janë ekzaktësisht të njëjtat vota, që janë regjistruar edhe në tabelën përfundimtare të KQZ.

Në vetëm njërën prej kutive, figuruan tre vota të ngatërruara, por asnjë prej atyre votave nuk ka shkuar në favor të kandidatit të Partisë Socialiste. Janë tre vota, të shkëmbyera midis kandidatëve Ndocaj dhe Kaçaj, pa asnjë ndikim në rezultatin përfundimtar.

Faktet janë kokëforta. Rezultatet rakordojnë në mënyrë perfekte midis tabelave të publikuara nga KZAZ dhe rezultatit të rinumërimit. Asnjëherë më parë në Shqipëri, aq më pak në kohën kur kryebashkiakët si Basha zgjidheshin jo me votë, por me vendim gjykate, standardi dhe transparenca e zgjedhjeve nuk ka qenë kaq e lartë.

Shqiptarët e kanë kuptuar shumë mirë hallin e Bashës, Berishës, Metës e Kryemadhit, por askush nuk mund t’i ndihmojë në këtë hall. Zgjedhjet e 30 Qershorit ishin një ndarje e qartë nga e shkuara.

Pavarësisht bojkotit, kërcënimeve për dhunë, pavarësisht gjullurdisë “haxhiqamiliste”, që opozita e bashkuar tentoi të krijonte në 2019-n, shqiptarët në masë refuzuan mesazhin e dhunës, duke zgjedhur të ardhmen, Shqipërinë Europiane”. /abcnews.al

astrit-patozi-1-1280x608.jpg
nev ila20:33 | 11/07/2019

Mbrëmjen e sotme në ABC News me gazetaren Mirela Milori, ka qenë i ftuar Koordinatori i partisë “Bindja Demokratike”, Astrit Patozi. Duke ndarë opinionin e tij në lidhje me procesin zgjedhor, Patozi tha se “Bindja Demokratike” ka të dhëna për deformim të votës, ai gjithashtu tha se KQZ e goditi që në fillim partinë e tij, duke mos e lejuar të garonte në të gjithë vendin, e për pasojë solli penalizmin e saj. Më tej Patozi deklaroi se do ta ndjekin çështjen e hapjes së kutive edhe më tej, pasi hapja e tyre do të përmbyste rezultatin që është pasqyruar. Për Patozin, zgjedhje të tilla ku të numërojnë militantët e partisë nuk duhet të ketë.

“Shqiptarët nuk patën mundësi të dëgjojnë zërin e bindjes demokratike. Ne kemi të dhëna por nuk kemi prova për deformim të votës. KQZ na goditi që në fillim sepse nuk na la të garonim në të 61 bashkitë. Ne na ndodhi që u penalizuam nga KQZ me dominancë socialiste dhe KZAZ 100 % socialiste, nuk u lejuam të kandidojmë në gjithë territorin, na sulmuan kandidatët të cilët u tërhoqën edhe nga gara dhe na u morën votat në tavolinë. Ne kërkuam të ishim të pranishëm në numërimin e votave dhe nuk u lejuam”, deklaroi Patozi.

Mirela Milori: Si do të veproni më tej?

Astrit Patozi: Ne respektojmë bindjen dhe vullnetin tonë dhe zgjedhësve që atë ditë na u përgjigjën në kulmin e një trysnie politike në kushte ekstreme. U ushtrua trysni mbi zgjedhësin shqiptar dhe kjo i bezdisi njerëzit, padyshim dhe e dëmtoi praninë tonë. Ne për qeverinë ishim të padëshirueshëm në zgjedhje. Ne jemi të detyruar që ta ndjekim këtë çështje por nuk kam shumë besim. Ne kemi të drejtën ta kërkojmë hapjen e kutive.

Mirela Milori: Pritshmëritë tuaja a i arritët?

Astrit Patozi: Jo sepse rezultati ynë u coptua që në hyrje, gjatë fushatës dhe në numërim pra në të gjithë procesin. Edi Rama nëse nuk hap kutitë, atëherë duhet ta pranojë që kutitë brenda janë krejt ndryshe nga cfarë janë shënuar. Mund ta bëjnë provë vetëm me një zonë zgjedhore, mjafton që 1 mostër të hapet dhe ne jemi të bindur që rezultati përmbyset dhe kjo e bën procesin edhe më të shëmtuar.

Mirela Milori: E prisnit këtë sjellje nga qeveria e Ramës?

Astrit Patozi: Jo nuk e prisnim në fillim, mendonim që edhe ata kishin interes për praninë tonë, por ata me sa duket kishin ankthin e pjesëmarrjes etj. Zgjedhje në Shqipëri ku të numërojnë militantët e partisë nuk duhet të ketë më kurrë sepse ne nuk do dalim nga kjo spirale./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono