zgjedhjet e parakohshme

dashamir-shehi-1280x700.jpg
nev ila15:54 | 17/01/2020

Opozita ka vendosur si objektiv zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në përfundim të tryezës konsensuale për reformën zgjedhore.

Por i mësuar me lojërat e politikës me kohën, aleati i demokratëve, Dashamir Shehi thekson se zgjedhjet e parakohshme kanë vlerë nësë zhvillohet deri në qershor të këtij viti.

“Zgjedhjet eparakohëshme janë të nevojshme, janë të domosdoshme, por janë të parakohshme deri në 30 qershor. Kështuqë mendoj që gjithë forca opozitare  duhet përqendruar që të zhvillohen në këtë periudhë. Ditën që ndonjëri mendon se mund të bëhen nga vjeshta e tutje, vetëm për tu quajtur të parakohëshme, për mua skanë vlerë”.

Opozita ka hequr dorë nga kushti i disa muajve më parë dhe tani nuk do të refuzonte përballjen në zgjedhje edhe me një qeveri të drejtuar nga Edi Rama.

“Nuk më tremb Edi Rama, është një gogol që tremb të vetët”.

Tryezën e dakordësuar mes palëve e sheh si një dritë jeshile për t’i dhënë vendit ndryshimin ndonëse besimin te qëndrueshmëria politike e kundërshtarit e ka zero.

“Nuk kemi asnjë besim, në politikë këto janë rregullat. Rregullat kërkojnë që një letër të quhet e pranueshme dhe konsensuale, të ketë dy firma. Një njeri që nuk e kemi besuar për 10 vjet nuk kemi pse e besojmë për 10 ditë”.

Opozitës i kërkon të rikthehet te protestat si i vetmi instrument për të nxitur rotacionin politik.

“Unë mbështes idenë e protestave. Popujt seriozë kur janë të mërzitur, dalin në rrugë dhe e tregojnë mërzinë e tyre. Gjykoj që nga të gjithë këto bla-bla-të tona, opozita armën më të madhe ka sheshin atje, dhe flamujt opozitarë”.

Koalicioni opozitar ka dalë me një qëndrim të përbashkët sa i takon tryezës konsensuale të reformës zgjedhore, ndryshime që sipas tyre do të sigurojnë hapësirën për të çuar vendin drejtë zgjedhjeve të parakohshme. /abcnews.al

 

kosove.jpg
ad min09:20 | 07/10/2019

08.20 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë është duke bërë publikimin e numërimit të votave.

Në bazë të dhënave më të fundit të publikuara në faqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë shumicën e votave me 197.966 vota ose 25,79%. E dyta renditet LDK 192.300 ose përkthyer në përqindje 25,05%. Partia Demokratike e Kosovës është renditur e treta dhe ka marrë 162.342 apo 21.15% të votave.

Kurse, koalicioni AAK-PSD, ka marrë 89.287 vota ose 11,63%. Koalicioni Nisma socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re ka marrë 37.786 vota ose 4,92 për qind. Ndërsa, lista serbe ka marrë 47.633 vota ose 6,21 për qind.

10.00 – Numërohen rreth 60 për qind e votave, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë epërsinë ndaj LDK me 0.05 për qind të votave, ose e përkthyer në numra dallon me 250 vota më tepër.

Rreth 460 mijë vota janë numëruar deri tani dhe VV-ja për herë të parë kryeson ndaj LDK-së me një diferencë të vogël. 117.831 numëron deri tani Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa me 117.589 vota pas saj është e renditur LDK-ja. Pas LDK renditet PDK-ja me 21.72 për qind të votave.

21.19 – Duke cituar të dhënat e mbledhura nga terreni, ish-kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Lutfi Haziri ka deklaruar se kjo parti e ka siguruar fitoren. Ndonëse nuk ka përmendur emra, ai ka përsëritur se nuk do të ketë koalicion me ato parti të cilave gjatë fushatës elektorale u është thënë “jo”.

21:18 – Deri tani janë numëruar mbi 250 mijë votave në rang vendi, ose 34.9 për qind e votave. Nga ky numër kryeson LDK me 64.521 vota, ndërsa pas saj është Lëvizja Vetëvendosje me 59.492 vota. E treta renditet PDK me 57.717 vota.

21.11 – Edhe lëvizja Vetëvendosje është vetëshpallur fituese e zgjedhjeve. Kandidati për deputet Mefail Bajqinovci ka deklaruar se kjo parti ka marrë shumicën e votave, e mbështetur edhe nga diaspora. Sa i takon koalicioneve, Bajqinovci ka theksuar se partneriteti do të jetë me LDK-në dhe asnjë parti tjetër.

21.08 – Sipas KQZ janë numëruar deri tani rreth 22 %  të votave të përgjithshme, sipas të cilave kryeson LDK me 37 mijë vota. Pas LDK me rreth 32 mijë vota renditet Lëvizja VV.

20.51 –Duke pretenduar fitoren, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do të shpallë menjëherë Vjosa Osmanin kryeministre. Ndërkohë, sa i takon koalicioneve, zëdhënësi i kësaj partie ka deklaruar se mbeten në fuqi vijat e kuqe të vendosura ndaj PDK-së gjatë fushatës elektorale.

20.00 – Komisioni   Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, gjysmë ore pas mbylljes së votimit, raportoi se pjesëmarrja në këto zgjedhje të parakohshme, ishte 44,09%, një shifër kjo më e lartë se në zgjedhjet e mëparshme.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka raportoi se numri i përgjithshëm i votuesve që kanë votuar në vendvotimet nga të cilat janë dërguar të dhënat është 844 138.

Pjesëmarrja më e lartë ishte në Prishtinë, 55 %, ndërsa më e ulta në Komunën e Dragashit, me 32 %.

Komisionerët kanë nisur transportin e kutive të votimit me ndihmën e policisë nga qendrat e votimit në vendnumërime teksa në terma të përgjithshëm, sipas KQZ_së së Kosovës,  nuk u raportuan problem që mund  të cënonin dukshëm standardin e zgjedhjeve.

19:20 – Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kryesojnë në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura këtë të dielë në Kosovë, me nga 30 për qind të votave secila. Kështu thotë një sondazh i kryer nga Klan Kosova, sipas të cilit pas dy partive të sipërpërmendura vijnë PDK me mbi 22 për qind të votave, e ndjekur nga koalicionet AAK-PSD dhe Nisma-AKR me nga 10.58 dhe 4.41 për qind. Ndërkohë, partitë e tjera kanë marrë 2.20 për qind të votave.

19:00 – Ora 19 shënon orarin zyrtar të mbylljes së qendrave zgjedhore. Qytetarët me të drejtë vote kanë qenë 1 milion e 937 mijë e 869 persona, ndërkohë që në garën elektorale merrnin pjesë 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. Në tërësi procesi ka vijuar i qetë. Procesi është ndjekur nga vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë. Vetë ambasadori amerikan në Prishtinë, Filip Kosnet dhe bashkëpunëtorët e tij vizituan disa qendra zgjedhore për të monitoruar procesin. “Ekipet e ambasadës, përfshirë ambasadorin Kosnet, kanë udhëtuar në Kosovë duke vëzhguar zgjedhjet dhe duke parë se si Kosova zgjedh një të ardhme paqësore dhe prosperuese”, thuhej në një njoftim të postuar në profilin e Facebook të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Më herët gjatë ditës, duke bërë një vlerësim të procesit, kryesuesja e misionit vëzhgues të Bashkimit Europian deklaroi se procesi kishte nisur pa probleme, përveç disa incidenteve sporadike që nuk e cenojnë atë.

 “Kemi disa incidente të vogla, por në përgjithësi të gjitha procedurat, nisur nga ajo çfarë kemi vëzhguar, kanë shkuar mirë”, tha Viola Fon Kramon Taubadel.

14:45 – Deri në orën 13:00 pjesëmarrja e qytetarëve ne zgjedhjet në Kosovë ka qenë 19% ose e përkthyer në shifra rreth 372 mijë qytetarë. Organizata joqeveritare Demokracia në Veprim bëri publike shifrat ku u shpreh se ka një trend rritës për sa i përket pjesëmarrjes krahasuar me vitin 2017.

Procesi në të tërësi është duke u zhvilluar i qetë dhe pa incidente serioze. Megjithatë janë evidentuar disa problematika.

“Përgjatë periudhës raportuese janë nga ora 9:30 deri në ora 13:00 ka pasur prapë raste kur qytetarët kanë pasur vështirësi të gjejnë vendvotimin e duhur. Kjo anomali është shfaqur në 7300 persona. Identifikimi i votuesve është shfaqur si problematike. Midis intervali kohor 9:30-13:00 janë raportuar afro 22 mijë votues që kanë votuar me asistencë. Fotografimi i votës gjatë intervalit kohor është evidentuar në 83 raste në 53 vendvotime. Bërja publike është evidentuar në 31 raste. Qëndrimi më shumë se një personi pas kabinës së votimit është bërë 96 raste”.

14:00 – Procesi zgjedhor është duke u zhvilluar normalisht në Republikën e Kosovës. Gazetarja e ABC News në Prishtinë Blerta Dalloshi Berisha raportoi se në disa raste ka pasur ndërhyrje të prokurorisë dhe policisë për të evituar parregullsitë në qendrat e votimit.

Gazetarja bëri të ditur edhe shkeljet që janë evidentuar nga organizatat joqeveritare.

“Ka pasur disa incidentete të vogla me komisionerët siç e përmendëm më herët kryesisht në veri të vendit por që janë evituar me kohë. Ka pasur intervenime të prokurorisë dhe policisë në disa raste të caktuara për të evituar parregullsitë që kanë ndodhur. Rrjeti i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim ka dokumentuar disa parregullsi të vogla si për shembull fotografimi i votës është evidentuar në 29 raste në 23 vendvotime. Edhe bërja publike e fletëvotimeve është evidentuar në 21 raste në 20 vendvotime. Qëndrimi më shumë se një person mbrapa kabinës së votimit është evidentuar në 57 raste. Këto vepra janë të dënueshme deri në 6 muaj burgim”, tha Dalloshi Berisha.

Përqindja e pjesëmarrjes së votuesve në këto zgjedhje është më e lartë se e zgjedhjeve të mëparshme. Gazetarja raportoi se ka pasur disa probleme me komunitetin serb sepse disa qytetarë kërkojnë të votojnë me letërnjoftim të Serbisë gjë që nuk është e lejueshme.

13:04 – Një 109-vjeçare nga Zhuri i Prizrenit, ka ushtruar të drejtën e saj për të votuar në qytetin e Prizrenit.

E shoqëruar nga nipi i saj, Xhemile Susuri kreu detyrën e saj si qytetare e Republikës së Kosovës, ndërsa mediat raportojnë se ajo është me origjinë nga Shqipëria.

12:20 – Në një intervistë për ABC News, kryetarja e Komisionit Qendror të zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka tha se procesi zgjedhor është duke u zhvilluar në rregull.

Megjithatë, ajo theksoi se ka pasur disa incidente, por që janë përballuar nga prokuroria dhe policia e Kosovës. Për sa i përket qytetarëve që kanë dalë për të votuar, Daka tha se kemi të bëjmë me 1% më shumë qytetarë që kanë votuar se viti 2017.

“Siç e thashë edhe në konferencë për media, procesi është duke u zhvilluar në rregull, përveç disa incidenteve të vogla që kanë qenë në njëfarë mënyre të kontrolluara nga prokuroria dhe policia e Kosovës. Procesi është duke u zhvilluar gjithandej. Dalja është pak më e madhe se viti 2017, ku kemi një përqindje prej 9.64% apo 1% më shumë se në vitin 2017”, tha Daka.

Për sa i përket votimit në qendrat e votimit në veri të Kosovës, Daka tha se pati disa probleme të vogla fillimisht, ku komisionerët patën mosmarrëveshje se cilat dokumente do të pranohen për të votuar.

“Në pjesën veriore të Kosovë votimi është duke u zhvilluar. Kemi pasur disa eksese të vogla, por qytetarët janë duke votuar me dokumente të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të votojnë në atë mënyrë. Kemi pasur një mosmarrëveshje mes disa komisionerësh se cilat dokumente do pranohen. Kjo çështje u zgjidh dhe procesi nisi normalisht”, tha Daka.

11:45 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet e para të qytetarëve që kanë votuar. Në një konferencë për mediat, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, njoftoi se deri më tani nga informacionet e terrenit mësohet se në votime kanë dalë rreth 9.64 për qind e qytetarëve.

11:00 – Voton kandidati për kryeministër nga NISMA, Fatmir Limaj.

“Sot shfrytëzuam një mundësi të jashtëzakonshme që ka çdo qytetar. Pres që vota sot do ti japë perspektivë dhe mundësi të jashtëzakonshme që vendi të bëjë hapat e duhur”, tha Limaj.

10:33 – Voton kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Thirrja ime është për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të bëhen pjesë e këtij vendimi historik. Është një ditë historike dhe vendimtare për të ardhmen e Kosovës. Besoj se përmes një procesi fer, të lirë dhe demokratik, Kosova sot do të ketë një arsye për të festuar. Shpresoj që gjithçka të ecë mbarë, që qytetarët e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. |gjithçka të shkojë pa asnjë presion dhe qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre të lirë”, tha Osmani.

10:31 – Dy persona u ndaluan nga prokuroria pasi dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve”.

“Koordinatorja Nacionale për zgjedhje, Laura Pula, në koordinim me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla, pas marrjes së informacioneve se është lejuar votimi në kundërshtim me rregullat e KQZ-së, nga ana e dy komisionerëve, (kryesuesi i vendvotimit dhe zyrtari për identifikim në qendrën e votimit 3805B/12D, në shkollën “Sveti Sava”, në Mitrovicën e veriut), janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme duke ndaluar të dyshuarit dhe duke kryer verifikimet procedurale”, shkruajnë mediat kosovare.

10:13 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, votoi në qendrën e tij të votimit. Në një prononcim të shkurtër për mediat ai tha: “Dëshiroj t’i uroj qytetarët për këtë ditë të rëndësishme, në të njëjtën i ftoj të votojnë për të drejtën e tyre”.

10:03 – Edhe kreu i AAK-së, njëkohësisht kandidat për kryeministër Ramush Haradinaj votoi këtë të diel.

“Edhe ne e shfrytëzuam të drejtën tonë. I lus krejt qytetarët e vendit pa marrë parasysh bien politike të votojnë. Vetëm me votë vendosin vetë. Është sukses për Kosovën një demokraci kaq e mirë. Çdo gjë ka shkuar mirë deri tani. Urime këto zgjedhje, urime të gjithëve. Jemi në proces të rëndësishëm për vendin. Besoj se të gjithë duhet të votojmë”, tha Haradinaj.

09:47 – Kreu i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjithashtu kandidat për postin e kryeministrit ka votuar gjithashtu në qendrën e tij të votimit. Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vajza. Në dalje, Kurti pati një prononcim të shkurtër për mediat.

“Dita sot është fort e veçantë, të gjitha përgjigjeve të të gjitha partive, e politikanëve në fushatë u përgjigje populli si burim i sovranitetit të republikës sonë. Sot nuk ka rëndësi je i pasur, i varfër, a je burrë  a grua, a ke mbaruar shkollë apo jo. Të gjithë jemi të barabartë. Sistemi politik është i hapur për të gjithë. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë shans unik për nga karakteri dhe historik për nga pesha. Uroj votime të lira dhe të këndshme për të gjithë qytetarët. Le të votojmë dhe të festojmë”, tha Albin Kurti.

09:13 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës njëkohësisht dhe kandidat për kryeministër, Kadri Veseli, votoi në qendrën e tij të votimit në shkollën “Faik Konica”. Në një prononcim të shkurtër për mediat, Veseli tha se kjo është një ditë e jashtëzakonshme për Kosovën si dhe uroi qytetarët që t’i japin perspektivë vendit.

“Sot është një ditë e mirë, një ditë e jashtëzakonshme për Kosovën tonë të shenjtë. I uroj të gjithë qytetarët e vendit tim t’i japin perspektivë vetvetes t’i japin perspektivë Kosovës, të ardhmes sonë. Për hajër na qoftë të gjithëve. Faleminderit të gjithëve”, tha Veseli.

08:50 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ftoi të gjithë qytetarët që të votojnë. Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, ai u shpreh se qeveria e re duhet të përmirësojë jetën e qytetarëve dhe duhet të përballet me sfidat që vendi ka përpara.

“Sot Kosova zgjedh legjislaturën e re, që do të nxjerrë edhe qeverinë e re të Kosovës, e cila duhet të përmirësojë jetën e qytetarëve tanë dhe të përballet me sfidat që i kemi përpara. Prandaj, ftoj për një pjesëmarrje sa më të madhe, për një proces elektoral të drejtë, të lirë dhe fer. Kemi ndërtuar traditë të zgjedhjeve të mira dhe të pranuara nga të gjithë. Sot le të fitojë Kosova”, shkruan Thaçi në Facebook.

08:10 – Mediat kosovare shkruajnë se procesi i votimit ka filluar me vonesë në Zveçan dhe Leposaviç. Shkak është bërë përplasja me komisionerëve serbë për mënyrën e votimit.

Disa prej tyre kanë kërkuar që votimi të bëhet me letërnjoftim serb, ndërsa disa të tjerë kanë insistuar të respektohet vendimi i KQZ-së, që në veri të Mitrovicës të votohet me letërnjoftim të Kosovës.

08:00 – Në konferencën e parë për shtyp, Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, bëri të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, në përjashtim të disave që janë vonuar për pak minuta.

 

Më shumë se 1.9 milionë qytetarë me të drejtë vote do t’i drejtohen sot kutive të votimit për legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës. Procesi zgjedhor ka nisur në orën 07:00 dhe pritet të përfundojë në orën 19:00.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka, pasi ushtroi të drejtën e votës, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve dhe subjekteve politike që të kenë kujdes pasi çdo gjë që ndodh në fund të kësaj dite, do t’i faturohet Kosovës.

Janë 1 milion e 937 868 persona me të drejtë vote, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 1,801.800 fletëvotime, pra 136 068 fletëvotime më pak se votues.

Gjithashtu 110 ekipe të lëvizshme do të jenë gati për 1315 votuesit e ngujuar në shtëpi dhe 1470 votuesit me lëvizje të kufizuar në institucione. KQZ-ja për këto zgjedhje ka akredituar rreth 35 mijë vëzhgues.

Ambasadori amerikan në Kosovë Philipe Kosnnet nëpërmjet një mesazhi në Twitter u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të dalin të votojnë, duke theksuar se çdo votë është e vlefshme.

/abcnews.al

zgjedhjet-ne-kosove.jpg
ad min14:49 | 06/10/2019

Kosova zhvillon sot zgjedhjet e parakohshme. Procesi i votimit cilësohet i qetë dhe nga vetë qytetarët. Ata kanë bërë apel për liderët politikë që të kthejnë vëmendjen në interesat e vendit.

“Shumë mirë, madje unë kam ndenjur pak më tepër. Nuk pati probleme”.

“Nuk kemi hasur asnjë problem. Unë jam këtu në Prishtinë 51 vjet. Këtu kam votuar gjithnjë. Diçka që po më habit… këta liderët tanë kanë kaluar nëpërmjet disa procese gjyqësore për hajni, për krime edhe përsëri njerëzit shkojnë pas tyre. Kjo është për mua e habitshme. Nuk po shoh diçka që po bëhet. Vallaj me këtë mentalitet tonë nuk shoh ndryshime. Mentalitet i dobët. Kur ne mbështesim hajnin, mashtruesin, qysh me prit më mirë”.

“E kam kryer obligimin tim si qytetare. Mendoj se kam votuar më të mirët. Kemi ngelur shumë mbrapa si shtet. Duhen disa procese shumë të rëndësishme që të shkojmë përpara. Ishalla fitojnë më të mirët”.  

Më shumë se 1.9 milionë qytetarë me të drejtë vote i drejtohen sot kutive të votimit për legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës. Procesi zgjedhor ka nisur në orën 07:00 dhe pritet të përfundojë në orën 19:00./abcnews.al

hashimthaci.jpg
ent ela16:26 | 26/08/2019

Për herë të parë që nga përfundimi i luftës, një parti politike në Kosovë ka propozuar një grua për postin e kryeministrit. Bëhet fjalë për LDK-në, që ka mandatuar për këtë detyrë Vjosa Osmanin. Vetë Osmani ka lënë pas në këtë garë kandidatin tjetër Lutfi Haziri, një figurë kyçe e LDK-së.

Vjosa Osmani edhe zyrtarisht është nominuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës si kandidate e kësaj partie për kryeministre të Kosovës. Kjo është hera e parë në historinë e Kosovës së pasluftës që një parti nominon një femër kandidate për kryeministri. Ndonëse ishte e 83, Vjosa Osmani ka qenë deputetja më e votuar në mandatin e kaluar. Ndërsa Lutfi Haziri, i cili pretentonte këtë kandidim do të jetë bartës i listës.

Mustafa: “Arritëm marrëveshje me konsensus të plotë. Për kandidat e kemi pas z.Lutfi Haziri dhe zonja Vjosa Osmani. Edhe mbi bazën e vullnetit, edhe propozimit të z.Haziri, jemi përcaktuar për zonjën Vjosa Osmani”.

Osmani: “Do të punojmë për të nxjerrë vendin nga humnera ku e kanë vendosur njerëz të pandërgjegjshëm, të korruptuar, që asnjëherë interesin e qytetarit s’e kanë pasur prioritet. I garantoj qytetarit se asnjëherë nga sot nuk do të ndihen se s’kanë zë. Në veçanti, nënat, gratë, vajzat”.

Haziri:Gjithmonë ka pasur tolerancë, bashkëpunim e vlerësim me racionalitet që kanë sunduar si vlera politike të partisë”.

Kjo parti ende nuk ka vendosur nëse në këto zgjedhje do të garojë si parti e vetme apo do të bëj koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Derisa PDK-ja ka paralajmëruar befasi rreth koalicioneve parazgjedhore, AAK-ja tashmë ka zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor me PSD-në, ndërsa AKR-ja me Nismën SocialDemokrate. Ndëkrohë presidenti Hashim Thaçi ka marrё vendim për shpalljen e zgjedhjeve tё parakohshme më 6 tetor. Presidenti ka udhëzuar KQZ-në t’i ndërmarrë tё gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

/ABC News Albania 24/7

SITUATA-KOSOVE-POLITIKA-ABC-M5-T1.mpg_snapshot_00.59-1-1280x720.jpg
ent ela13:50 | 27/07/2019

Në Kosovë, paqartësitë e krijuara pas dorëheqjes së papritur të kryeministrit Ramush Haradinaj, kanë hapur dilemën nëse vendi do të shkojë ose jo në zgjedhje të parakohshme. Këto mëdyshje duket se janë të pranishme edhe në qarqet diplomatike ndërkombëtare me ndikim në rajon. Përderisa Bashkimi Evropian rrugëzgjidhjen e shikon në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, administrata amerikan e presidentit Donald Trump mendon se një qeveri teknike e spektrit të gjerë do të përshpejtonte zhbllokimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në Prishtinë, gati-gati të gjitha partitë politike kanë lënë të kuptohet se janë të gatshme për të matur forcat në zgjedhjet e reja, të parakohshme, atmosferë kjo e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Dhe, përderisa vazhdojnë përçapjet për krijim të koalicioneve parazgjedhore që besohet se do të mund të nxjerrnin bllokun fitues, duket se faktori ndërkombëtar nuk flet me një gjuhë për shtegdaljen nga situata e krijuar. Gjithë kjo në momentin kur prej kohësh dialogu mes Prishtinës e Beogradit – mbetet i ngrirë: Të premten në Beograd, komisioneri në largim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, tha se zhbllokimin e dialogut  e shikon pas zgjedhjeve në Kosovë. Mirëpo, burime të besueshme diplomatike, të afërta me administratën amerikane, thanë të shtunën për TV Klan se Departamenti amerikan i Shtetit rrugëdaljen nga situata e krijuar e shikon  jo në zgjedhje të jashtëzakonshme, por në krijimin e një qeverie teknike të spektrit të gjerë e cila do të merrte përgjegjësinë për të vazhduar dialogun me Serbinë në mënyrë që ai të rezultojë me një zgjidhje të qëndrueshme që do të shënonte edhe normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forciminn e paqes e të qëndrueshmërisë në rajon.

S’do mend se për këtë duhet vullnet e përkushtim i të dyja palëve, për shkak se, sikurse deklaroi ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scot, të dyja qeveritë , si ajo serbe, ashtu edhe ajo e Kosovës, janë të frustruara, ndaj edhe dialogu është gjetur në atë që diplomati amerikan e ka cilësuar si ‘spirale negative’.   /ABC News Albania 24/7

Salvini-1280x700.jpg
nev ila23:45 | 30/05/2019

Pavarësisht fitores së padiskutueshme në zgjedhjet euro-parlamentare, kryetari i Ligës së Veriut në Itali, Mateo Salvini ka përjashtuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, që mund të sillnin një koalicion të ri qeverisës pa partnerin e deritanishëm Lëvizja 5 Yjet.

Zëvendës kryeministri i Italisë, Mateo Salvini ka përjashtuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pas zërave se një lëvizje e tillë do të fuqizonte pushtetin e partisë së tij, pas suksesit në zgjedhjet euro-parlamentare.

Në këto të fundit, partia e Salvinit, Liga e Veriut la pas partnerin e koalicionit qeverisës Lëvizja 5 Yjet, duke bërë që të rriten spekulimet për një braktisje të tij dhe krijimit të një blloku të ri politik me parti më të vogla, përmes zgjedhjeve të reja. Por duke folur për gazetarët nga selia e Parlamentit, Salvini i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Po të doja ta rrëzoja qeverinë nuk do të kaloja asnjë ditë të vetme duke mbledhur propozimet politike. Ka shumë gjëra për të bërë dhe zgjedhjet e parakohshme nuk na duhen”, ka deklaruar Salvini, duke renditur mes prioriteteve të tij hartimin e buxhetit.

Sidoqoftë, që nga mbajtja e zgjedhjeve europiane, kreu i Ligës së Veriut është sjellë me atributet e kryeministrit, duke premtuar ulje të taksave dhe bërë thirrje për ndryshimin e rregullave fiskale të BE-së; ndërkohë që Lëvizja 5 Yjet po përpiqet të mjekojë plagët dhe të zgjidhë një krizë të brendshme lidershipi.

Rrjedhimisht, strategjia e Salvinit duket si një përpjekje për të diktuar axhendën politike, edhe pse ai thotë se qeveria duhet të vazhdojë punën ashtu siç është./ABC News Albania 24/7

GREQI-ZGJEDHJET-ABC-M4-T1.mpg_snapshot_00.09-1280x720.jpg
ent ela16:03 | 27/05/2019

Të dielën në Greqi pritet të caktohet data e zgjedhjeve të parakohshme në vend. Kryeministri grek Aleksis Tsipras konfirmoi lajmin menjëherë pas humbjes së pësuar në zgjedhjet parlamentare europiane të së dielës.

Pas humbjes në zgjedhjet europiane, kryeministri grek Aleksis Tsipras deklaroi se do të kërkojë shpalljen e zgjedhjeve kombëtare. Data e zgjedhjeve do të shpallet pas 2 qershorit, kur përfundon balotazhi i zgjedhjeve për administratat rajonale dhe bashkitë.

“Menjëherë pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, do t’i kërkoj Presidentit të Republikës shpalljen e zgjedhjeve. Që të jetë populli grek ai që do të marrë vendimin përfundimtar”, deklaroi Tsipras në një mesazh të drejtëpërdrejtë televiziv në orët e vona të mbrëmjes së të dielës.

Më herët, lideri i opozitës, Kyriakos Mitsotakis, tha se Tsipras duhet të japë menjëherë dorëheqjen.

“Kryeministri duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e tij. Për të mirën e vendit duhet të japë dorëheqjen për të shkuar sa më shpejt që të jetë e mundur në zgjedhjet kombëtare”, deklaroi Mitsotakis pasi nisën të konfirmohen edhe zyrtarisht rezultatet e exit polleve.

Normalisht, zgjedhjet e përgjithshme në Greqi do të mbaheshin në muajin tetor, kur përfundonte mandati kushtetues i qeverisë Tsipras.

Tashmë, ato pritet të mbahen më 30 qershor, ose më 7 korrik.

 “Në zgjedhjet e djeshme në Greqi kandidoi edhe një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, ndërkohë që më shumë se 100 mijë bashkatdhetarë kanë ushtruar të drejtën e votës, pas marrjes së nënshtetësisë greke.

Por ata kandidonin kryesisht me parti dhe koalicione të orientimit të majtë që zgjedhin një numër mjaft të vogël këshilltarësh në bashkitë dhe administratat rajonale.

Megjithatë ka shumë mundësi që disa pak prej tyre të jenë zgjedhur tashmë në këshillat e administratës rajonale, në Athinë dhe Selanik.

Por kjo do të mësohet pjesërisht të mërkurën, kur do të shpallen rezultatet përfundimtare për zonat ku nuk do të ketë balotazh”.

/ABC news Albania 24/7

spaho1-1280x720.jpg
ent ela19:34 | 18/12/2018

“Nuk habitem që në 21 janar të votojmë një qeveri tjetër jo të Edi Ramës”. Kështu u shpreh në studion e Mbrëmje në ABC News kreu i grupit parlamentar demokrat Edmond Spaho. I pyetur për zhvillimet në vend, protestën e studentëve, situatën politike brenda PD-së dhe nëse parashikohen zgjedhje të parakohshme, Spaho tha se çdo gjë është e mundur duke parë situatën ku ndodhemi.

“Çdo gjë është e mundur situata është shumë inkadeshente. Në varësi të situatës ditët e ardhme do planifikojmë edhe hapat tanë. Nuk habitem që në 21 janar të votojmë një qeveri tjetër jo të Edi Ramës. Të gjitha opsionet janë të mundshme, sa ndryshimet mund të jenë shumë të shpejta. Në protestën para parlamentit të enjten pjesëmarrja do jetë e madhe dhe ne do u bëjmë thirrje qytetarëve të mbështesin studentët, se kauza e tyre është e madhe se po lëvizin një komb të tërë për të kërkuar ndryshimin”.

Sipas Spahos trendi i protestave mund të kulmojë me rrëzimin e Ramës për t’i hapur rrugë reformave të tjera.

“Zgjedhje të lira e të ndershme me Ramën kryeministër nuk ka, ky është objektivi madhor, por cilido është zgjedhja e PS kë do vërë në krye të PS. Rama lidhi politikën me krimin, shkatërroi zgjedhjet me paratë e drogës, kanabisit dhe format e tjera negative që na tregojnë në Ballkan si vendi që nuk bëjnë dot zgjedhje. Ne do bëjmë gjithçka është e mundur së bashku me grupet e interesit. Trendi i protestave mund të kulmojë me rrëzimin e Ramës. Nëse Rama do largohet do t’i hapen rrugë reformave të tjera”.

Duke folur për protestën e studentëve demokrati tha se ajo është e drejtë e tyre legjitime, sepse ligji për arsimin vetëm e përkeqësoi atë në vend që ta përmirësonte.

“Është e drejtë legjitime e tyre, ne e kemi thënë që atë vit që ky ligj do e përkeqësojë arsimin shqiptar, ne kishim të drejtë. Efektet e ligjit po japin në mënyrë të plotë atë që ne parashikuam. Tarifat janë rritur. Nuk ka pasur ndryshime të kushteve. Ligji ka favorizuar dukshëm arsimin privat”.

Në këndvështrimin e tij Spaho e sheh të mundshëm tarifën prej 5% të GPD për arsimin.

“Ne kur ishim në qeveri kishim prioritet investimet në infrastrukturë, nëse Kryeministri e ka prioritet arsimin i ka të gjitha mundësitë. Ne kemi marrë borxh dyfishin e borxhit gjatë kohës që qeveriste PD. Shteti të finnacojë për arsimin publik. 5% është objektiv i arritshëm”.

Sa u takon akuzave të kryeministrit për protestën e studentëve, Spaho shprehet se akuzat e Ramës janë mjet për të shpëtuar nga situata e vështirë ku ndodhet.

“Në asnjë rast ne nuk kemi pasur prezencë aty, nuk jemi përpjekur për t’i rreshtuar si kontigjentë për qëllime politke. Akuzat e Ramës janë mjet për të shpëtuar nga situata e vështirë ku ndodhet. Rama po e menaxhon në mënyrën më të keqë te mundshme. Përderisa pranon që studentët kanë të drejtë, atëherë plotësoji kushtet”.

Gjatë fjalës së tij në studion e  ABC Neës Spaho sqaroi edhe njëherë dy çështjet që e kthimit të opozitës në Kuvend, që janë protesta e studentëve dhe reforma zgjedhore, dhe jo djegia e mandateve.

“Ne kthehemi në Kuvend për shpresën e studentëve, për rikthmin e buxheteve. Janë të gjitha mundësitë që të gjitha kërkesat e studentëve të plotësohen. Edhe javën e kaluar ne ishim në Kuvend me numër të reduktuar deputetësh në mbështetje të amendamenteve për këtë çështje, plotësimin e kërkesave të studentëve. Çështja e dytë që na detyron të kthehemi është vetingu në politkë, ashtu si e kemi deklaruar edhe në shtator.

Nëse do vendosim të djegim mandate do e bëjmë me një deklaratë, me një vendim për një qëllim politik”. /abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono