zgjedhje

taulant-balla-1.jpg
G. P.16:07 | 04/09/2019

Partia Socialiste nuk e ka të qartë rrugën që do të ndjekë për të përsëritur zgjedhjet në Shkodër. Numri dy i socialistëve, Taulant Balla tha në një intervistë për ABC News se zgjidhja duhet të vijë mes KQZ-së e Presidentit. Balla nuk vë duart në zjarr për pastërtinë e Agim Kajmakun në Vorë, ndërsa thotë se edhe Ditmir Bushati është përgjegjës kandidimin e Valdrin Pjetrit në Shkodër.

Ilir Meta nuk dekreton një datë të re për përsëritjen e zgjedhjeve në Shkodër, pasi fituesi Valdrin Pjetri ju zbulua një dënim i fshehur. Kjo i ka vendosur në vështirësi socialistët, të cilët nuk po e gjejnë dot mekanizmin për të përsëritur zgjedhjet në këtë bashki. Numri dy i socialistëve, tha për ABC News se zgjidhja duhet të gjendet mes institucionit të Presidentit dhe KQZ-së.

“Janë këto institucione të cilat do të marrin përgjegjësinë qoftë për përcaktimin e datës së zgjedhjeve, qoftë edhe për organizimin e zgjedhjeve. Këto institucione duhet ta zgjidhin mes tyre. Partitë politike kanë detyrën të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Balla.

Në kushtet kur Meta nuk bën një hap pas, PS kërkon ndërhyrje nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës.

“Zonja Ademi ka mbaruar mandatin dhe Këshilli Bashkiak është autoriteti që duhet të komandojë një person tjetër siç e përcakton ligji, njërin prej nënkryetarëve pasi zonja Ademi nuk mund të firmosë qoftë edhe një shkresë të vetme në kushtet e përfundimit të mandatit të saj në 21 Gusht të vitit 2019”, tha Balla.

Por, a po shtyn PS fshehtas KQZ-në që të caktojë ajo vetë një datë zgjedhjesh?

“Duhet të jenë institucionet, ato të cilat hulumtojnë hapësirat ligjore. As nuk kemi hulumtuar në këtë kontekst pasi në fund të fundit KQZ është një organ i pavarur”, tha Balla.

Taulant Balla hedh poshtë idenë se mund të ndryshohet Kodi Zgjedhor që kjo kompetencë t’i hiqet presidentit dhe t’i kalojë KQZ-së.

“Kjo është çështje që i takon komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Nuk bën pjesë në prioritet e punës së komisionit të posaçëm”, tha Balla.

Socialistët nuk vënë duart në zjarr e nuk japin garanci as për Agim Kajmakun në Vorë, të cilin PD po ashtu e akuzon si të dënuar.

“Në PS nuk ka një prokurori të përgjithshme që bën verifikime. PS nuk bëhet mburojë, por mbështet verifikimin. Nga ajo që është bërë publike, nuk rezulton të ketë një vendim të formës së prerë që të bëjë fjalë për rastin konkret. Përgjegjësia është personale. Për këtë qëllim ne do të marrim masat”, tha Balla.

Por, a duhet të kërkojnë ndjesë socialistët për këto përzgjedhje siç Ditmir Bushati ka sugjeruar?

“Ndjesën e kam thënë i pari, padyshim që edhe zoti Bushati apo kushdo tjetër anëtar i Kryesisë së PS-së ka qenë në mbledhjen e Kryesisë së PS-së kur janë diskutuar kandidaturat, në cilësinë e të deleguarit politik për Shkodrën edhe zoti Bushati ka qenë pjesë e propozimit të kandidaturës së zotit Pjetri”, tha Balla.

Prokuroria ende nuk e ka thënë fjalën e saj të fundit as për Pjetrin e as për Kajmakun./ABC News Albania 24/7

boris_johnson_11_cmexep.jpg
nev ila23:10 | 02/09/2019

Kryeministri i Britanisë, Boris Xhonson ka paralajmëruar ligjvënësit me zgjedhje të parakohshme nëse bllokojnë planet e tij për Breksit.  Xhonson ka theksuar se në asnjë rrethanë Londra nuk mund t’i kërkojë Brukselit shtyrjen e daljes nga Unioni.

Qeveria britanike pritet të parashtrojë një mocion për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme më 14 tetor, në rast se ajo mposhtet nga ligjvënësit që kundërshtojnë një dalje pa marrëveshje nga BE-ja.

Kryeministri Boris Xhonson deklaroi se zgjedhjet nuk janë një opsion i dëshirueshëm, por shtoi se progresi në negociatat me BE-në do të jetë i pamundur në rast të një fitoreje të Dhomës së Përfaqësuesve.

Sipas BBC, konservatorët rebelë po bashkojnë forcat me laburistët për të sjellë një projekt/ligj që ndalon daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja më 31 tetor pa një marrëveshje.

Një ligj i tillë, në rast se miratohet do të detyrojë kryeministrin të kërkojë një shtyrje të Breksit deri më 31 janar të 2020-s.

Duke folur nga selia e qeverisë, zoti Xhonson insistoi se me mbështetjen e ligjvënësve ai do të jetë në gjendje të arrijë ndryshime në marrëveshjen e arritur me BE-në nga parardhësja e tij Theresa Mej, në samitin e BE-së që do të mbahet më 17 tetor.

Por ai theksoi se, në rast se ligjvënësit votojnë për të bllokuar një dalje pa marrëveshje ata do të minojnë pozicionin e Mbretërisë së Bashkuar.

Kryeministri tha se në asnjë rrethanë ai nuk do t’i kërkojë Brukselit që të shtyjë Breksit dhe shtoi se negociatorëve britanikë u duhet lejuar të punojnë pa ndërhyrje nga Parlamenti./ABC News Albania 24/7

limaj-1-1280x848.jpg
ent ela22:49 | 30/08/2019

Zyrtarizohet një tjetër koalicion për zgjedhjet e 6 Tetorit në Kosovë. NISMA e Fatmir Limajt është regjistruar në Komisionin Qëndror të Zgjedhje në koalicion me partinë Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë.

Kandidati për Kryeministër nga ky koalicion do të jetë Fatmir Limaj.

Në një postim në Facebook, Limaj shkruan se “ky do të jetë koalicioni fitues”.

“Boshti politik i përbërë nga NISMA, AKR dhe PD sapo aplikoi në KQZ për të garuar bashkërisht në zgjedhjet e 6 Tetorit. Ky koalicion është koalicioni më stabil dhe determinues i këtyre zgjedhjeve. Koalicion fitues. Koalicion i zhvillimit, i cili do t’i adresojë shqetësimet e qytetarëve të Kosovës. Na priftë e mbara”, thotë Fatmir Limaj.

Afati për regjistrimet e koalicioneve në zgjedhje e parakohshme në Kosovë është deri në mesnatë. /tvklan.al

BASHA-2.jpg
G. P.12:22 | 27/08/2019

“Zgjidhja e kësaj krize kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në të njëjtën kohë me zgjedhje lokale”.

Kështu u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një komunikimi me gazetarët pas takimit që pati me nënkryetaren e grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Katja Leikert.

Ais tha se opozita është në bashkëpunim dhe koordinim të përditshëm me faktorin ndërkombëtar dhe se vlerësojmë rolin dhe vëmendjen e tyre ndaj Shqipërisë.

“PD është në komunikim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar, pjesë e këtij komunikimi ishte edhe ky takim i sotëm me nënkryetaren e grupit parlamentar CDU/ CDU në parlamentin gjerman, komunikim që vazhdon në mënyrë të vazhdueshme dhe të përditshme në mënyrë që të vazhdojë edhe në ditët dhe javët në vijim”, tha Basha.

Për sa i përket aksionit opozitar në vijim, Basha tha se, “Opozita ka vazhduar gjatë gjithë verës aksionin e saj, por sëbashku me qytetarët opozita përveç protestave që do të jenë edhe më të mëdha edhe më të fuqishme në një situatë që është edhe më e vështirë edhe më e pakapërdishme për njerëzit siç është kjo aktualja me ekonominë, paralelisht me këto do fokusohemi edhe më shumë në zgjidhjet që do u ofrojmë shqiptarëve”.

Kryetari i PD-së, tha se data 13 Tetor e dekretuar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, për zgjedhje lokale është datë kushtetuese.

“Është tjetër tregues i kapjes së institucioneve nga Edi Rama dhe i paligjshmërisë që është zhytur KQZ”, tha Basha./abcnews.al

d39b0401-7575-4a6c-aa56-63c13fa20d75_cx0_cy4_cw0_w1023_r1_s.jpg
G. P.09:45 | 27/08/2019

Joe Walsh, ish-ligjvënës republikan, ka në plan të sfidojë Presidentin Trump në zgjedhjet e 2020. Me shpalljen e kandidaturës, ai bëhet kandidati i dytë që konkurron përballë Presidentit Trump për emërimin e Partisë Republikane.

“Unë jam Joe Walsh. Kam qenë ligjvënës republikan. Jam konservator. Po konkurroj pasi Donald Trumpi nuk na përfaqëson ne. Ai përfaqëson më të keqen e Amerikës”.

Prezantuesi dhe komentatori në radio, Joe Walsh, i njohur për pikëpamje konservatore, ka qenë më parë përkrahës i presidentit, por tani thotë se do ta sfidojë presidentin për kandadaturën republikane në zgjedhjet e 2020.

“Në Shtëpinë e Bardhë kemi dikë që është krejt i papërshtatshëm për t’u bërë president. Jam i shokuar nga fakti që askush nuk ka dalë për ta sfiduar, pasi të gjithë në Partinë Republikane besojnë se ai nuk është për këtë punë”.

Zoti Walsh nuk është i pari republikan që sfidon Presidentin Trump. Ish-guvernatori i Masaçusetsit, Bill Weld njoftoi në prill se po konkurronte në zgjedhjet presidenciale.

Ish-guvernatori i Karolinës së Jugut, Mark Sanford ka diskutuar mundësinë e konkurrimit për president.

Disa komentatorë politikë janë shprehur skeptikë, duke sjellë si shembull mbështetjen që ka presidenti në bazën e tij konservatore.

“Konkurrentëve u nevojitet mbështetja e Partisë Republikane. Presidenti e gëzon këtë mbështetje. Ai gëzon jo vetëm mbështetjen e votuesve, por edhe të partisë. Kjo nënkupton që e mbështesin kryetarët e degëve të partisë në shtete individuale, si dhe anëtarësia e partisë në shtete. Zgjedhjet presidenciale zhvillohen në bazë shtetesh. Kur krerët e degëve të partisë e mbështesin presidentin 100%, dikush si Joe Walsh nuk ka si të ketë sukses,” thotë opinionistja Alice Stewart.

Zoti Walsh, i cili u zgjodh për një mandat në Kongres, ka qenë kritik i fortë i ish-Presidentit Barak Obama, por të dielën shprehu pendesë për disa nga deklaratat që ka bërë në të kaluarën:

“Unë kam ndihmuar për të krijuar presidencën Trump. Nuk ka diskutim që ky element i politikës së shëmtuar ndikoi. Për këtë ndjej pendesë”.

Në anën demokrate, votuesit po përpiqen të zgjedhin të preferuarin nga një mori kandidatësh.

“Për mua ka rëndësi të marr pjesë në aktivitete fushate, sidomos në shtetin Ajova, pasi në këtë shtet bëhen zgjedhjet e para partiake. Këto aktivitete më ndihmojnë të vendos për kë do të votoj,” thotë aktivistja Emily Harris./VOA

hashimthaci.jpg
G. P.13:07 | 26/08/2019

Presidenti Hashim Thaçi dekretoi shpërndarjen e Legjislaturës sё 6-tё tё Kuvendit tё Republikës sё Kosovës. Ai tha se do tё vendosë sё shpejti për datën e zgjedhjeve tё jashtëzakonshme.

Me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, kreu i shtetit sqaron se pas konsultimeve me partitë politike, nё përputhje me kompetencat e tij kushtetuese, do tё vendosë sё shpejti për datën e zgjedhjeve tё përgjithshme tё parakohshme.

Sipas Thaçit ky ёshtё testi i radhës për forcimin e demokracisë nё Kosovë, tё cilin institucionet, subjektet politike dhe qytetarët do ta kalojnë me shumë sukses. Ndërkohë Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur mbledhjen e kryesisë ku pritet të caktohet kandidati për kryeministër nga kjo parti.

Emri i Vjosa Osmanit është më i lakuari madje ka përkrahjen e kryetarit të partisë Isa Mustafa. Por për këtë kandidature përmenden edhe emri i Lutfi Hazirit e Agim Veliut. Këta dy të fundit patën bojkotuar mbledhjen e fundit të kryesisë së LDK-së.

/ABC News Albania 24/7

parlamenti-i-kosoves-1.jpg
G. P.16:45 | 21/08/2019

Të enjten në Kosovë pritet seanca për shpërbërjen e parlamentit. Ndërkohë partitë politike kanë vazhduar me takime me qytetarë si dhe aderime në parti.

Deputetëve u ka mbetur më pak se 24 orë deri në shpërbërjen e parlamentit. Të gjitha partitë politike deri tash janë shprehur pro zgjedhjeve të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. PDK-ja edhe njëherë ka konfirmuar se do të votojnë pro shpërbërjes së parlamentit.

TV Klan merr vesh se disa orë pas shpërbërjes së parlamentit Presidenti do të shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme e që sipas të gjitha gjasave do të jetë 6 Tetori.

Ndërkohë partitë politike po vazhdojnë aktivitetet e parafushatës në qytete të ndryshme të Kosovës si dhe duke prezantuar aderime të reja në partitë e tyre. Derisa ende nuk ka asgjë konkrete rreth koalicioneve parazgjedhore pos zyrtarizimit të koalicionit parazgjedhor AAK-PSD.

Një takim tjetër dje AAK-ja ka zhvilluar edhe me Nismën SocialDemokrake, por ende nuk ka finalizim konkret të ndonjë marrëveshje me këtë parti. Derisa negociatat LDK-VV ende janë duke vazhduar.

Për të biseduar për kapacitetet teknike dhe profesionale për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në Kosovë  presidenti Hashim Thaçi ka takuar kryetaren e KQZ-së Valdete Datën.

Thaçi ka kërkuar nga KQZ-ja përgatitje për të siguruar një proces “fair” dhe demokratik të zgjedhjeve. Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit./ABC News Albania 24/7

giuseppe-conte.jpg
G. P.16:11 | 20/08/2019

Me një fjalim të mbajtur në Senat, kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka njoftuar dorëheqjen nga posti. Ai ka kritikuar kryetarin e Ligës së Veriut se ka vënë interesat personale përpara atyre të Italisë. Ndërsa Mateo Salvini nga ana e tij është shprehur se ishte gati të ribëjë gjithçka, që ka bërë deri tani.

Pas një sulmi të ashpër ndaj partnerit të koalicionit Mateo Salvini, kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka deklaruar se jep dorëheqjen nga posti. Conte tha se Salvini, zëvendës kryeministër i Italisë, ishte sjellë në mënyrë të papërgjegjshme duke krijuar një krizë të re politike për interesa personale dhe në dëm të Italisë.

Duke iu drejtuar Senatit ditën e martë, Conte tha se lideri i Ligës së Veriut, që ishte ulur pranë tij, kishte qenë në kërkim të një preteksti për t’u rikthyer në zgjedhje, pas suksesit të partisë së tij në zgjedhjet euro-parlamentare të majit. Gjithashtu, Konte paralajmëroi se Salvini kishte minuar funksionimin e qeverisë, e cila siç tha ai, “merr fund këtu”.

“E shfrytëzoj këtë rast për të njoftuar se do t’i paraqes dorëheqjen time Presidentit të Republikës”, deklaroi Konte.

Nga ana e tij, Salvini reagoi duke thënë se do të ribënte gjithçka që ka bërë gjatë kohës që ka qeverisur me Conten.

“Jam këtu me forcën e një njeriu të lirë, që do të thotë se nuk i druhem gjykimit. Kush ka frikë nga gjykimi i popullit italian nuk është një njeri i lirë”, tha Salvini.

Duke cituar Ciceronin, ai tha se liria nuk varet nga të pasurit padronin e duhur, por tek fakti i të qenurit të lirë, pa patur asnjë padron mbi kokë.

Dua që Italia të mos jetë skllavja e askujt. Jemi vendi më i bukur dhe kemi mundësinë të jemi më i pasuri në botë dhe nuk duroj dot më që çdo vendim duhet të varet nga firma e ndonjë funksionari europian”, vijoi Salvini.

Salvini, lider i partisë ekstremiste Liga e Veriut, kishte planifikuar mbajtjen e një mocioni mosbesimi ndaj kryeministrit Conte. Ai gjithashtu kishte thënë se nuk mund të vazhdonte të punonte më me partnerët e koalicionit, Lëvizja 5 Yjet.

Liga dhe lëvizja anti-sistem 5 Yjet krijuan një koalicion qeverisës 14 muaj më parë, me zotin Konte si një kryeministër të pavarur. Në një postim në Facebook në prag të fjalimit të Contes, lideri i 5 Yjeve Luigi Di Maio u shpreh se, “ka ardhur dita kur Liga duhet të përgjigjet për gabimet e saj, për vendimin për të rrëzuar gjithçka dhe për të futur në krizë qeverinë në mes të gushtit”. Ai shtoi se të punonte me Conten kishte qenë një nder.

/ABC News Albania 24/7

abashkia-e-shkodres.jpg
G. P.16:05 | 20/08/2019

Voltana Ademi është kundër çdo marrëveshjeje politike mes palëve për zgjidhjen e krizës politike. Një ditë pas konstituimit të Këshillit Bashkiak në Shkodër, në një intervistë ekskluzive për Abc News, kryetarja në detyrë e bashkisë Voltana Ademi tregon për pozicionin e saj pas këtij procesi. Gazetari i Abc News Simon Shkreli bisedoi me të.

Pas konstituimit të Këshillit Bashkiak, Voltana Ademi shpreson të ketë zgjedhje për Shkodrën. Qytetarëve sipas saj i është mohuar e drejta për të zgjedhur, jo vetëm duke ju referuar 30 Qershorit, por zhvillimeve pas kësaj date, që nga dorëheqja e Valdrin Pjetrit për shkak të akuzave.

“Unë dua të shpresoj që shpejt të kemi zgjedhje për Shkodrën, besoj do kemi zgjedhje për gjithë Shqipërinë, por ngjarjet e Shkodrës e kanë dëshmuar se qytetarëve u është mohuar kjo e drejtë, prandaj duhet t’u jepet sa më shpejt mundësia për të zgjedhur”, tha Ademi.

“Nëse palët bien dakord për Shkodrën a do të jetë Voltana sërish kandidate e PD për Shkodrën”?

“Zgjedhjet vendore nuk janë vendim që lidhen domosdoshmërisht atë që them unë. Dua të them që askush edhe unë në këtë rast, nuk do merrja guximin që të veja njerëzit e ndershëm të qytetit përballë krimit kur bëhet fjalë për vendosur qofte edhe Voltana Ademin në një pozicion, të vështirë në një situatë kriminale”, shprehet Ademi.

Por Voltana Ademi nuk e shikon zgjidhjen e situatës në një marrëveshje midis PD dhe PS. Ajo është kundër çdo lloj marrëveshjeje politike.

“Unë jam kundër çdo marrëveshje politike. Ajo që duhet t’i futemi në themel të gjithë atyre që e kanë shkelmuar ligjin që e kanë dëmtuar sistemin ligjor dhe të zbatimit të ligjit, çdo marrëveshje politike është e pa vend dhe nuk bëhet fjalë për një marrëveshje politike kurrsesi, sepse e gjithë kauza do të binte poshtë nuk është e mundur të ndodhë kjo”, tha Ademi.

“Nëse situata vazhdon, a do jeni kandidate e pavarur nëse PD nuk hyn në zgjedhje”?

“Nuk bëhet fjalë të garojmë në aspektin individual të fjalës, kjo shkon përtej partive politike, kjo shkon tek njerëzit, do filloi nga Shkodra për të siguruar polaritetin që kërkohet në një proces zgjedhor”, u shpreh Ademi.

“Pra ju thoni nëse këto kushte nuk do merrni pjesë në zgjedhje”.

“Unë këtë nuk e thashë, përkundrazi, Shkodra ka qenë gjithmonë inovative, ka qenë e qartë në qëndrimin e vetë dhe qytetarët e Shkodrës në atë moment besoj se do të mund të reagojnë për të siguruar atë që do të jetë më e mira për ta”, tha Ademi.

Në fund Voltana Ademi thotë se ndoshta jemi në fazën e rrugëdaljes dhe do të duhet të gjejmë një rrugëdalje. Ndryshe sipas saj do të jetë edhe më e rëndë dhe me të vërtetë ndoshta s’paskemi parë asgjë akoma./ABC News Albania 24/7

oerd-bylykbashi-1.jpg
G. P.15:43 | 18/08/2019

Partia Demokratike e konsideron të jashtëligjshme mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, në kushtet kur nga zgjedhjet e paligjshme të 30 Qershorit nuk ka asnjë kandidat fitues, pas largimit të Valdrin Pjetrit. Ish-deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi ka sjellë në vëmendje rastin e Kavajës dhe largimin e Elvis Roshit, për të treguar se vetëm përmes një procesi të ri zgjedhor mund të ketë konstituim të organeve të reja vendore në Shkodër. Në një intervistë për ABC Neës, Bylykbashi e sheh 30 Qershorin një proces nul dhe të pacertifikuar nga Gjykata Kushtetuese.

Socialistët janë të vendosur që edhe pa një kryetar për drejtimin e bashkisë, të largojnë Voltana Ademin nga zyra dhe të drejtojnë institucionin me nënkryetar të zgjedhur prej tyre. Por për ish-deputetin demokrat, Oerd Bylykbashi rasti i Shkodrës është i ngjashëm me atë të Kavajës, dy vjet më parë kur ish-kryebashkiaku Elvis Roshi ra në rrjetën e dekriminalizimit dhe Presidenti dekretoi zgjedhje të reja vendore. Në një intervistë për ABC News, Bylykbashi sqaron se themeli kushtetues i 30 Qershorit ka rënë me dekret Presidencial.

“Askush të mos mendojë që zgjedhjet lokale u mbyllën me 30 Qershor. Janë të vetmet zgjedhje në historinë 25-vjeçare, pas rënies së komunizmit që kanë një pikëpyetje të hapur, thelbësore, kushtetuese përpara një gjykate, pra anulimi i datës 30 Qershor si datë zgjedhjesh dhe dekretimi i datës 13 Tetor si datë tjetër zgjedhjesh i kanë hequr themelin kushtetues dhe ligjor zgjedhjeve të 30 Qershorit. Për rrjedhojë, ato zgjedhje janë në procesin kushtetues nul”, tha Bylykbashi.

Gishtin e akuzës për situatën e krijuar, Bylykbashi e drejton te anëtarët socialist të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të cilët paralajmëron se do të përgjigjen penalisht për dëmin miliona euro që i kanë shkaktuar shtetit shqiptar.

“Të mbajnë përgjegjësi penale katër anëtarët socialistë të KQZ-së, do ta mbajnë këtë përgjegjësi penale, nuk i shpëtojnë dot. Kanë shpërdoruar miliona euro pasuri publike shqiptare për të organizuar zgjedhjet e PS-së, kështu që janë të vetmet zgjedhje të cilat nuk kanë fjalën e Gjykatës Kushtetuese. Këtë e thonë OSBE/ODHIR-i, këtë e thotë Departamenti i Shtetit, këtë e thonë ata që kanë minimumin e kuptimit të demokracisë, që është Gjykata Kushtetuese që shprehet”, tha Bylykbashi.

Ndonëse Partia Demokratike nuk është regjistruar në zgjedhjet e 13 Tetorit, Bylykbashi e sheh plotësisht të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në këtë datë, e cila në rrafshin Kushtetutës është akoma e vlefshme.

“Ne jemi të gatshëm kurdo që sipas parametrave kushtetuese të ketë zgjedhje. 13 Tetori është një datë, e cila është brenda këtyre lloj parametrash. Problemi kryesor është sjellja e KQZ-së”, tha Bylykbashi.

Dorëheqja e Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së kryebashkiakut të Shkodrës, pas publikimit nga PD të dënimit të tij në Itali për trafik të lëndëve narkotike, u pasua me një sërë takimesh në kampin opozitar. Lulzim Basha u takua me aleaten e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe atë republikan, Fatmir Mediu për të përcaktuar aksionin e radhës përballë qeverisë. /ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono