Ze Maria

ze-maria.png
G. P.18:42 | 11/10/2018

Ze Maria nuk është më trajner i Tiranës. Braziliani ka rënë dakord me presidentin Halili për t’u larguar përfundimisht, ndërsa si pasardhës mund të jenë Ardian Mema, Ilir Daja ose Besnik Prenga.

Pritej të ndodhte, por jo tani. Ze Maria tashmë nuk quhet më trajner i Tiranës, ndërsa klubi pritet të lajmëroi pasardhësin e tij në konferencën për shtyp, këtë të premte në mesditë.
Braziliani mbërriti me 15 minuta vonesë në stërvitjen e kryeqytetasve në kompleksin “Skënder Halili” dhe pastaj vendosi të mos dilte për të drejtuar ekipin.
Këtë gjë e bëri vetëm trajneri i portierëve, Emanuel Egbo.

Ky është kulmimi i një situate që u përkeqësua vazhdimisht, dhe që ishte e keqe që pas javës së parë të kampionatit, ndërsa si pasardhës të tij përfliten Ardian Mema Ilir Daja, ose Besnik Prenga.
Ze Maria dhe presidenti i Tiranës, Refik Halili, kanë biseduar për mënyrën e prishjes së kontratës, pasi trajneri nuk ka dhënë dorëheqje, ndërsa palët duan të arrijnë një kompromis.
Lajmi më i bujshëm, pas largimit të brazilianit, është ai që si pasardhës i tij mund të jetë trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja.

Nuk ka konfirmim nga palët, por këtë e bëjnë të ditur për ABC News-in, burime shumë pranë presidentit Halili. Besohet se drejtuesit e Flamurtarit nuk janë të kënaqur me Dajën, por burimet e mësipërme pohojnë se Halili i ka një borxh trajnerit kryeqytetas, dhe se mund t’ia shlyejë pikërisht tani. Tirana ndodhet në vendet e fundit të renditjes me vetëm 8 pikë në 8 javë kampionat./abcnews.al

ze-maria.png
G. P.17:25 | 02/10/2018

Trajneri i Tiranës, Ze Maria, ka sqaruar bisedimet që pati me presidentin Halili dhe futbollistët. Braziliani pohoi se edhe ai vetë ka bërë gabime.

E keqja kaloi dhe thuhet se u lidh një besë. Sesa e fortë, këtë do ta shohim në vijim, por për momentin Ze Maria mund të vazhdojë punën normalisht si trajner i Tiranës.

Tekniku 45-vjeçar sqaroi për mediat se çfarë bisedash pati me numrit 1 të klubit dhe me pjesëtarët e skuadrës. Dy orë kokë më kokë me Halilin, dhe dy orë e gjysmë sy në sy me ekipin, do të thonë se gjendja ishte tepër serioze.

Ze Maria pranoi problemet me lojtarët dhe faktin se ai disa herë e ka shkelur, duke u sjellë me arrogancë, ndonëse u shpreh në mënyrë tjetër. A mund të quhet ky një hap prapa i tij për të mbajtur detyrën?

Braziliani e hodhi poshtë këtë version, duke thënë se në verë refuzoi oferta më të mëdha sesa 5 000 euro në muaj që merr tek Tirana. Tek Tirana puna vazhdon, por akordi siç tha trajneri, vlen thjesht për momentin.

Në radhë është ndeshja e mesjavës në Superligë, këtë të mërkurë në fushën e Kastriotit, dhe një tjetër gabim mund të ishte fatal.

Në klub janë përmendur edhe alternativat e mundshme, si Ardian Mema, ndihmës i Ilir Dajës tek Flamurtari, Julian Ahmataj trajner i Kamzës, por edhe Sulejman Starova, ish-trajner i Partizanit./abcnews.al

ze-mariaa.png
G. P.18:32 | 01/10/2018

Trajneri Ze Maria i shpëton më të keqes tek Tirana. Braziliani fiton edhe një tjetër shans në stol, ndonëse në klub përfliten emrat e pasardhësve.

Ishte dhe mbetet në prag të shkarkimit.

Trajneri i Tiranës, Ze Maria, shpëtoi këtë herë duke fituar një shans tjetër, veçse e ardhmja duket tërësisht e rrezikuar. Braziliani mbërriti në kompleksin stërvitor të klubit, dhe deklaroi se ishte takuar me presidentin Refik Halili, por pa dhënë sqarime të tjera.

U prit që Ze Maria të niste stërvitjen, tri ditë pas humbjes në derbin me Partizanin, dhe kjo gjë ndodhi, veçse pasi kaluan të paktën dy orë. Trajneri u mbyll në dhomën e zhveshjes me lojtarët e tij, ndërsa nuk dihet se çfarë është biseduar mes tyre.

Ai vijoi, më pas, normalisht seancën stërvitore, veçse në një atmosferë aspak të mirë. Lojtarët dhe stafi teknik padyshim që ndihen keq për shkak të rezultateve të fundit, sidomos pas humbjes në derbi.

Burime në klub pohojnë se presidenti Halili ka menduar për ta shkarkuar Ze Marinë që pas javës së parë të Superligës. Kjo ende nuk ka ndodhur, dhe besohet për shkak të kontratës së lartë që ka trajneri, rreth 70 000 euro në sezon.

Gjithsesi, tek Tirana janë përmendur alternativat e mundshme. Mes tyre, Ardian Mema, ndihmës i Ilir Dajës tek Flamurtari, Julian Ahmataj, trajner i Kamzës, por edhe Sulejman Starova, ish-trajner i Partizanit./abcnews.al

DERBI-DEKLARATAT.mpg_snapshot_01.25-1280x720.jpg
G. P.15:16 | 29/09/2018

Kënaqësi e madhe tek Partizani për fitoren e derbit. Trajneri Gega u shpreh i kënaqur nga ekipi, por presidenti Demi lëshoi shigjeta ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit.

Nuk janë engjëj, por spektaklin prej tyre e ke të garantuar. Flasim për tifozët, sërish protagonistët kryesorë të derbit, edhe pse pritej që heronjtë të ishin lojtarët në fushën e lojës. Sidomos të shumtë dhe të zjarrtë përkrahësit e Tiranës, që e luanin sfidën në fushën e tyre, dhe që u nisën nga qendra e kryeqytetit, si për të treguar se janë ata autoktonët në këto vise. Marshimi drejt “Selman Stërmasit” ishte mbresëlënës, dhe po ashtu mbërritja. Për fat, policia ishte gati dhe kishte marrë masat, ndërsa dy tifozeritë mbërritën në tempullin e vetëm të futbollit në Tiranë.

Nuk pati përplasje mes grupimeve bardheblu dhe të kuq. Skuadrat po ashtu mbërritën në stadium, veçse me më shumë tension dhe më pak entuziazëm sesa mbështetësit e tyre. Ndoshta, më i qetë Partizani, i pathyer prej 4 vitesh, me më shumë trysni tiranasit e trajnerit të rrezikuar Ze Maria. Përfundimi i duelit të javës së 6-të të Superligës, fatkeqësisht apo fatmirësisht, ishte ai që u parashikua.
Fitoi Partizani, dhe dalja e tifozëve nga “Selman Stërmasi”, pati diferencë në humor, ndryshe nga hyrja që ishte për të gjithë fantastike.
Mes atyre më të lumturve, padyshim edhe presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, që sidoqoftë, nuk la pa lëshuar një shigjetë ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit.

Gazmend Demi, president i Partizanit: “Është fillimi. Nuk ka lidhje titulli, atë e kanë këta të mëdhenjtë Korça-Skënderbeu. Ju uroj respekte.”

Trajneri partizanas, Gega, u pyet për derbin dhe për mungesën çerekshekullore të titullit.

Skënder Gega, trajner i Partizanit: “Ndoshta nuk qe një spektakël me gola, megjithatë lotarët u përgjigjën. Fitorja ndaj Tiranës na rrith moralin dhe na jep qetësi për ndeshjen tjetër. Esoj se javët e fundit jemi në rritje. Jemi munduar ti mbajmë lojtarët me këmbë në tokë. 25 vjet nuk mund ti kompesojmë për një vit , për mua shumë e rëndësishmë është të jetë një bazë bërthamë për klubin, për të ardhmen, nëse jo këtë vit atëhere vitin tjetër.Duhet të kemi durim.”

E kundërt atmosfera tek Tirana. Presidenti Halili, konfirmoi atë që raportoi ABC News, pra që trajneri Ze Maria rrezikon postin.
Numri 1 i klubit deklaroi se ekipi është i kompletuar, duke ia lënë fajin teknikut, por duke theksuar se është ende herët për të folur për shkarkim. Po përgjigja e brazilianit cila ishte?

Ze Maria, trajner i Tiranës: “Një derbi është gjithmonë një derbi, një ndëshje e veçantë me shumë emocion. Nëse nuk je në gjendje ta përballosh këtë presion kjo të dëmton. Kështu ndodhi me skuancrën tonë sot. Me një rezultat pozitiv do të kishim pasur një stysë të fortë për të ecur përpara. Por për këtë që ndodhi nuk duhet ta dramatizojmë më shumë se sa duhet, ndryshe prish punë. Përsa i përket fatit tim, unë bëj punën time. Ndërsa këtë nuk e kam unë në dorë.”

Përfundoi pra një tjetër derbi, dhe kënaqësia ishte tërësisht e të kuqve, që nuk patën ndalesë në synimet e tyre drejt titullit./abcnews.al

ze-maria.png
G. P.23:31 | 27/09/2018

Derbi ndaj Partizanit do të jetë dyfish i rëndësishëm për Tiranën. Skuadra duhet të fitojë për tifozët dhe synimet e saj, ndërsa në rast humbjeje pritet të ketë pasoja në stafin teknik.

Vëmendja është tek kryesfida, por edhe tek fati i trajnerit.

Ze Maria nuk ka aspak pozita të sigurta tek Tirana, diçka që mund ta rrezikojë në rast humbjeje.

Burime brenda klubit kryeqytetas bëjnë me dijë se presidenti Halili mendoi ta shkarkonte teknikun që pas ndeshjes së javës së parë, të humbur 0-1 me Teutën në “Selman Stërmasi”.

Pavarësisht kostos së lartë financiare që do të kishte një shkarkim i tillë, numri 1 i klubit raportohet se e ka menduar, ndonëse më pas ka ndërruar mendje.

Vetë trajneri e përballoi me qetësi një pyetje të tillë, në konferencën për shtyp.

“Pozicioni im është gjithmonë i rrezikuar dhe kështu do të jetë edhe në këtë ndeshje. Pozicioni i trajnerit është gjithnjë në rrezik. Unë kujtoj se vitin e kaluar fituam 7 ndeshje, humbëm një dhe barazuam dy. Unë isha në rrezik atë kohë pavarësisht fitoreve, pra nuk ia vlen të shqetësohem për këtë”, tha Ze Maria.

Gjithsesi, tensionin duhet ta ketë të lartë pasi është përpara një derbi.

“Unë e dashuroj presionin. Në gjithë karrierën time kam qenë në presion. Kam luajtur shumë derbi në 22 vjet si futbollist dhe e di se çfarë është një derbi”, shprehet Ze Maria.

Si është Tirana në prag të këtij dueli?

“Atmosfera është e mirë, luajtëm mirë ndaj Skënderbeut dhe fituam ndeshjen e Kupës. Përsa i përket ndeshjes së radhës për ju është shumë e rëndësishme, por për mua është si gjithë të tjerat, një ndeshje e rëndësishme dhe normale për të fituar tre pikë”, tha Ze Maria./abcnews.al

SUPERLIGA-PAS-SKENDERBEU-TIRANA.mpg_snapshot_00.33-1280x720.jpg
G. P.19:37 | 23/09/2018

Superliga shqiptare është ende larg nivelit të sezonit të kaluar. Skënderbeu i vjetshëm kampion nuk ekziston më, ndërsa ekipet e tjerë kërkojnë kohë për t’u forcuar.

Mos prisni të shihni këtë nivel. Do të duhet shumë kohë për ta arritur, madje edhe kjo varet nga një vendim në Zvicër, që nuk është në vullnetin e klubeve shqiptarë. Skënderbeu i madh i së kaluarës ndoshta do të mbetet një kujtim, ndërsa ai që po luan këtë sezon, thjesht po përpiqet të mos jetë karrikatura e tij.

Kjo, jo për faj të trajnerit Orges Shehi, një rishtar në rol, as të disa prej titullarëve të mbetur, por për shkak se kampionët e shumtë që ishin deri vjet me ish-trajnerin Daja, tashmë janë larguar. Nga ky Skënderbe mund të priten kulme si ai i Vlorës, ku fitoi me autoritet të madh ndaj Flamurtarit, apo rrëshqitje siç ndodhi më parë me Laçin e pastaj me Tiranën, të dy herët në Korçë. Trajneri është i shqetësuar.

Orges Shehi, trajner i Skënderbeut: “Ndjemë shumë presion sepse pas asaj fitoreje që patëm në transfertë u kërkonte me doemos fitorja. Nuk e kuptoj pse u kërkonte me aq doemos kur gjatë gjithë javës kemi punuar të qetë. Nuk janë mënyra të lojës këto.”

Kur ai ekip që quhet “lokomotiva”, nuk arrin të tërheqë, çfarë mund të thuhet për të tjerët? A mund të pritet më shumë nga Tirana që, edhe pse 24 herë kampione, kohët e arta i ka larg dhe vjet luajti në Kategorinë e Parë. Se çfarë mentaliteti kanë sot kryeqytetasit, e thotë saktë trajneri Ze Maria.

Ze Maria, trajner i Tiranës: “Ne humbëm dy pikë në këtë ndeshje për shkak se patëm frikë. Në pjesën e dytë, sidomos, ne nuk luajtëm futboll, dhe u përdorëm vetëm topat e gjatë, jo sipas filozofisë sonë, me pasime të shkurtëra dhe veprime të shpejta. Ne humbëm dy pikë për shkak të gabimeve tona”.

Pak ditë më parë, trajneri i njohur shqiptar, Hysen Dedja, dha këtë gjykim për Superligën.

Hysen Dedja, trajner futbolli: “Nuk ka një nivel lojë të mirë që dhe kemi problem dhe do ta kemi problem, e kemi parë dhe vitet e fundit përafrimin e spektatorit në stadium.”

Shpresa mbetet tek ekipe si Kukësi apo Partizani, që duket se kanë më shumë stol, por edhe për ta duhet pritur, siç pohon trajneri i të kuqve, Gega.

Skënder Gega, trajner i Partizanit: “Besoj se Partizani po konsolidohet, qoftë në logjikë qoftë në koncept, qoftë në njohje me njëri-tjetrin. Është vetëm java e katërt, shumë njerëz thonë që nga java e shtatë duhet të shihen ekipet.”/abcnews.al

PRAG-SKENDERBEU-TIRANA-1280x720.jpg
ent ela16:35 | 22/09/2018

Skënderbeu pret Tiranën në ndeshjen e Superligës në orën 18:45. Korçarët janë favoritë, por kryeqytetasit deklarojnë se do të kërkojnë vetëm fitoren.

Trofeun e fundit e kanë fituar pikërisht përballë këtij rivali. Tirana ia doli në 2017 ndaj Skënderbeut në finalen e Kupës, veçse është një ndeshje nga ato që nuk bindin për seriozitetin e luftës, ndaj edhe nuk jep shumë shpresë për sfidën e sotme në Korçë, në 18:45.

Kanë kaluar vite që kur kryeqytetasit ia kanë dalë në stadiumin “Skënderbeu”, siç ndodhi në finalen e Superkupës 7 vjet më parë nën drejtimin e trajnerit spanjoll, Rubio.

Edhe sot me një trajner të huaj, brazilianin Ze Maria, me çfarë synimi shkon Tirana në këtë sfidë?

Ze Maria nuk do të ketë pak probleme. Mbrojtësi Hoxhallari është i pezulluar, ndërsa Kobina ka qenë në dyshim deri ditën e djeshme.

Skënderbeu jepet padyshim tepër favorit. Është kampion në fuqi, luan në fushën e vet, është në krye të Superligës, dhe vjen pas një fitoreje bindëse në Vlorë .

Kapiteni Marko Radash thotë kështu. Përtej aspektit sportiv, kur Tirana shkon në Korçë shqetësim më vete është siguria.

Ashtu si me tifozët e Partizanit, edhe me ata bardheblu ka pasur përplasje madje për vite me radhë.

Për fat, nëse mund të thuhet kështu, ultrasit e tifogrupit “Tirona Fanatiks” nuk do të jenë në Korçë, për shkak të dënimit të fushës, siç bëjnë me dijë edhe në rrjetet sociale.

Pra, do të jetë një ndeshje e luajtur si në bibliotekë. /abcnews.al

ZE-MARIA-TIRANA-1280x720.jpg
ent ela18:36 | 15/09/2018

Trajneri i Tiranës, Ze Maria, premton fitore në Superligë ndaj Luftëtarit, por pozitat e tij janë të lëkundura. Trajneri rrezikon shkarkimin, ndonëse e mbron kontrata tepër e lartë që ka me klubin.

Rikthimi në Superligë ishte një arritje, por kaq nuk mjafton.

Tirana nuk është nga ato skuadra që mund të kënaqet me pak, dhe trajneri Ze Maria po e kupton mirë këtë sezon.

Braziliani po kalon momentet më të vështira në stolin bardheblu, ndërsa ekipi I tij ka marrë vetëm 1 pikë në tri ndeshje të Superligës, pra suksesi ndaj Luftëtarit është detyrim.

Në konferencën për shtyp, ai doli si gjithnjë i qetë në dukje, edhe pse lajmet nga skuadra flasin se nuk I ka shumë mirë punët me disa nga lojtarët, të pakënaqur siç thuhet nga ndryshimet e shumta, apo sjellja e ashpër e trajnerit.

“Unë duhet të mendoj pozitivisht. Më kuptoni? Nuk mund të mendoj ndryshe, pasi e tillë është puna ime. Ju gazetarët keni punën tuaj, mund të mendoni ndryshe, por unë nuk mendoj kurrë për gjërat e këqija”.

Çfarë mund të thotë ai për ndeshjen e kësaj të diele ndaj Luftëtarit në “Selman Stërmasi”?

“Unë mund t’iu jap formacionin e ndeshjes, pa asnjë problem, sepse nuk kemi mungesa. Do të japim 100 për qind dhe u premtoj tifozëve, ju premtoj juve, se jam i sigurt se do ta fitojmë ndeshjen”.

Trajneri shpreson që gjërat të ndryshojnë, por gjithsesi, e di se ekziston rreziku për t’u shkarkuar.

Ai është i qetë, në një anë, sepse kontrata e tij është tepër e lartë, besohet se arrin në 70 000 euro në sezon, dhe Tirana do ta ketë tepër të vështirë ta përballojë largimin.

Në vetë, presidenti Halili ishte në dilemë, por në fund vendosi të rinovonte, diçka që tani mund të kthehet në bumerang.

A ka probleme të tjera tek Tirana, që mund ta përkeqësojnë situatën.

Dy javë më parë, para ndeshjes me Teutën, Ze Maria foli kështu.

“Kam punuar në Kenia, dhe e di se atje klubet i vonojnë rrogat vetëm 1 javë në 2 vjet. Kur vonesa zgjatet, lojtarët shqetësohen shumë. Këtu në Shqipëri është ndryshe, pasi duhet të presim më gjatë për ta marrë rrogën. Kjo është përvoja ime, dhe në Afrikë kur rroga vonohej 1 javë, lojtarët nuk dilnin në stërvitje”.

ze-maria.jpg
G. P.18:15 | 23/08/2018

Tirana synon të lerë prapa disfatën ndaj Kamzës, dhe të arrijë suksesin e parë në Superligë. Trajneri Ze Maria thotë se çfarë duhet të ndryshojë ekipi i tij që t’ia dalë ndaj Teutës.

Nuk ka lumturi kur e nis me humbje, aq më shumë kur ke aq emër të madh. Tirana vazhdon stërvitjen me kokën ulur, ndërsa afron sfida e dytë e Superligës ndaj Teutës, ndërsa ajo e para, kundër Kamzës përfundoi me disfatë. Trajneri Ze Maria, ndërkaq, është i vetmi që del përpara mediave dhe publikut, duke mbajtur mbi supe gjithë presionin.

Ze Maria: “Teuta është ekip shumë i fortë. E pashë në ndeshjen ndaj Flamurtarit dhe luajti një futboll mjaft të mirë. Është skuadër me lojtarë mjaft cilësorë dhe të fortë, si çdo ekip tjetër i Superligës. Tirana, ndërkaq, duhet të japë maksimumin dhe të shënojë gol, pasi në futboll kanë më shumë rëndësi golat sesa rastet që krijon për shënim”.

Ndaj Kamzës nuk u luajt keq, por pati dështim, a do të ketë ndryshime këtë herë?

Ze Maria: “Natyrisht që diçka duhet të ndryshojë në këtë ndeshje. Unë po pres sesi do të jetë Hasani, nëse do të jetë mirë, do të luajë. Sa për lojtarët e tjerë, mund të ketë një ose dy ndryshime, jo më shumë. Besoj se hap pas hapi, në fushë do të shfaqet skuadra që unë kam në mendje”.

Ndoshta, problem për trajnerin është mungesa e lojtarëve. Si mendon Ze Maria, a duhet të afrojë Tirana futbollistë të tjerë?

Ze Maria: “Në këtë grup, padyshim, ka nevojë për përforcime. Na mungojnë të paktën dy lojtarë, një sulmues, një lojtar krahu. Kam folur me klubin dhe drejtuesit po punojnë. Ju kam thënë se ky grup do të jetë i plotë pas ndeshjes së tretë të kampiontit, dhe do të jetë gati për të luftuar për një nga 3 vendet e para”./abcnews.al

TIRANA-PRAG-KTHIMI-NE-SUPERLIGE-1280x720.jpg
ent ela17:36 | 18/08/2018

Tirana bën sot rikthimin në Kategorinë Superiore, me ndeshjen ndaj Kastriotit në orën 19:45 në “Selman Stërmasi”. Pavarësisht se trajneri Ze Maria ndihet i sigurt, nuk dihet se cila është forca e skuadrës më të shquar në Shqipëri.

Lavdia e vjetshme nuk mund të quhej e tillë, ndaj duhej pritur ky sezon.

Tirana, pasi doli kampione e Kategorisë së Parë, do të bëjë rikthimin në Superligë, sot në orën 19:45, ndaj Kamzës në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Si do të jetë skuadra 24 herë kampione e Shqipërisë?

As vetë futbollistët, e ndoshta, as trajneri Ze Maria nuk mund t’i përgjigjet saktë kësaj pyetje, ndonëse në konferencën për shtyp, ai u shpreh me shumë siguri.

Ze Maria: “Ju e dini, të paktën disa nga ju e dinë, se mentaliteti im nuk ndryshon, pavarësisht nivelit ku luan skuadra ime. Ne hyjmë në Superligë këtë sezon për të fituar. Kur mbron këto ngjyra, ne duhet të luftojmë për të fituar, për të fituar ndeshjet, për të fituar çdo turne. Ne hyjmë në këtë kampionat për të fituar titullin”.

Gjithsesi, trajneri brazilian nuk ka qenë ndonjëherë në Superligë. A është ky një problem për të?

Ze Maria: “Unë nuk e njoh Superligën pasi është hera e parë që do të luaj këtu, por mund të them se njoh liga të tjera shumë të rëndësishme në Europë, dhe për mua futbolli është i njëjti kudo, këtu në Shqipëri, në Brazil, në Itali apo në Spanjë. Ne do të mbrojmë ngjyrat e një klubi si Tirana, me një histori shumë të rëndësishme”.

Problemi i vetëm i formacionit për Tiranën është mungesa e portierit titullar, Ilion Lika, i cili mbetet i dëmtuar. Po ashtu, mister është forma e lojtarëve të huaj, që këtë herë nuk i ka sjellë trajneri, por klubi. Kjo, pasi vitin e kaluar pati kritika për futbollistët që Ze Maria zgjodhi për ekipin e tij. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono