zaev

zaev-1.jpg
Autor E13:58 | 19/10/2019

Kryeministri Zoran Zaev deklaroi sot mes të tjerash para gazetarëve se i kishte kërkuar takim presidentit Macron prej disa muajsh, por nuk ishte pranuar.

“Kam kërkuar takim me presidentin francez Emanuel Makron dhe përmes ambasadorit francez në vendin tonë, Kristian Timonie, për katër muaj – por nuk kishte sukses. Gjithmonë dëshiroj të takohem me presidentin e Francës, një vend i madh, mbi gjitha një mik i shkëlqyeshëm i Maqedonisë së Veriut. Besoj se në të ardhmen do të kemi mundësi për të biseduar”, tha Zaev gjatë konferencës për shtyp ku tha gjithashtu se nuk e priste këtë vendim të BE-së duke qenë se sipas tij Maqedonia ka bërë shumë sakrifica për të arritur deri këtu. /abcnews.al

SINRKON-RAMA_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela13:51 | 10/10/2019

Kryeministri Rama deklaroi se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të ngelen peng i procesit të Berlinit, por përmes një marrëveshjeje të arritur me Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev brenda vitit 2021 do të krijohet një “Shengen” në rajon.

Në takimin e organizuar nga Aleksandër Vuçiç në Novi Sad, kryeministrat Rama e Zaev kanë garantuar se takimi i radhës do të zhvillohet në Ohër dhe aty do të marrin pjesë edhe vende të tjera të rajonit. /ABC News Albania 24/7

thumbnail_24092019_PVRSM_Zaev_sredba_grcki-premier_Micotakis_5-1280x820.jpg
ent ela19:30 | 24/09/2019

Kryeministri grek Qirjakos Micotaqis, në takimin e parë me homologun Zoran Zaev në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka deklaruar se po të kishte qenë më parë në pushtet nuk do ta kishte firmosur marrëveshjen e Prespës. Micotaqis i tha kryeministrit të Maqedonisë së Veriut se, si lider i opozitës kishte bërë gjithçka që marrëveshja në fjalë të mos ratifikohej. “Por pas ratifikimit kjo marrëveshje është pjesë e ligjit ndërkombëtar, ndaj dhe Greqia duhet ta respektojë”, deklaroi Micotaqis. Më tej kryeministri grek i kërkoi Zaev që të vijojë pa u vonuar me implementimin e aspekteve të marrëveshjes, kryesisht me ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e shenjave dalluese. Nga ana e tij, Zaev shprehu dëshirën që edhe Greqia të implementojë pjesën e saj të marrëveshjes dhe të mos pengojë kursin europian të Maqedonisë së Veriut. Ai shtoi se implementimi i marrëveshjes do të ndihmojë në rritjen e investimeve greke në vendin e tij, por Micotaqis u përgjigj duke thënë se mungesa e një marrëveshjeje në të kaluarën nuk i ka penguar investimet helene në Shkup. /ABC news Albania 24/7

MAQEDONI-TAKIMI-MBULIM_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela23:01 | 10/09/2019

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut janë mbledhur që prej orës 20.00 të mbrëmjes, në një tryezë të përbashkët, për të diskutuar mbi ligjin për Prokurorinë Speciale. Në tryezë janë të pranishëm edhe krerët e partive më të mëdha, Zoran Zaev nga LSDM dhe Hristijan Mickoski nga VMRO-DPMNE. Takimi po zhvillohet me dyer të mbyllura, pa praninë e asnjë prej partive shqiptare. Ligji për Prokurorinë Speciale, diskutimet mbi të cilin përkojnë me publikimin e skandalit “Zhvatja”, është jetik për marrjen e dritës jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në në tetor. Më herët gjatë së martës, partitë politike shqiptare reaguan lidhur me takimin, duke shprehur indinjatën për përjashtimin e tyre. Aleanca Shqiptare dhe Lëvizja BESA kërkun angazhimin e profesionistëve nga Bashkimi Europian ose Shtetet e Bashkuara për zbardhjen e proceseve hetimore në vend. /ABC News Albania 24/7

 

PARTITE-SHQIPTARE-RMV-ABCM5T2.mpg_snapshot_00.05-1280x720.jpg
ent ela18:45 | 10/09/2019

Partitë politike shqiptare kanë reaguar lidhur me takimin mes dy liderëve të partive maqedonase Zaevit dhe Mickoskit. Ata u shprehën kundër përjashtimit të faktorit shqiptar nga ky takim. ASH-ja dhe Lëvizja BESA kërkojnë angazhimin e profesionistëve nga BE-ja ose SHBA-ja për zbardhjen e proceseve hetimore në vend.

Një tryezë e përbashkët e partive politike në një format të gjërë, ku do arrihej një konsenzus politik për një pikë të vetme, edhe atë të sillen ndryshime të kodit zgjedhor dhe të merret një vendim që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, dhe paralelisht më këtë të caktohet një zyrtarë nga BE-ja apo SHBA-ja, si bartës i reformave në vend. Kjo sipas ASH-së do të ishte zgjidhja e vetme e daljes së vendit nga kriza. Sa i përket takimit të liderëve mes Zaevit dhe Mickovskit, ASH-ja kategorikisht ka kundërshtuar idenë e përjashtimit të faktorit politik shqiptar nga ky takim.

Në BDI thonë se i mbetën parimor funksionimit të shtetit të së drejtës dhe, sa i përket Ligjit të Prokurorisë Publike dhe statusit të PSP-së për këtë dallimet janë kryesisht mes dy partive më të mëdha maqedonase.

Vlerësojmë se Këshilli gjyqësor, Këshilli i prokurorëve bashkë me gjykatës e prokuror si dhe të gjitha institucionet tjera dhe bartësit e funksioneve publike, vendimet e tyre duhet ti marrin vetëm e vetëm në përputhje me ligjin dhe duke u bazuar në fakte. Bashkimi Demokratik për Integrim distancohet nga çdo ndërhyrje politike në vendimet e institucioneve ligjzbatuese dhe konsideron që drejtësia joselektive dhe sundimi i drejtë i ligjit do të sigurohet nëpërmjet të vetingut të mirëfilltë dhe kjo paraqet prioritetin tonë absolut.

“Çfarëdo marrëveshje që do të arrinin Zaev dhe Mickoski për Ligjin për Prokurorinë dhe për ‘Bombat’ e PSP-së, për Lëvizjen BESA do të jetë e papranueshme nëse pjesë e Marrëveshjes nuk do të jetë që proceset hetimore dhe gjyqësore të dala nga ‘Bombat’ e PSP-në nuk shqyrtohen edhe nga profesionistë nga SHBA dhe BE! –Kështu është shprehur në Facebook Kryetari I Lëvizjes Besa Bilall Kasami. Nëse një gjë e këtillë nuk është pjesë e Marrëveshjes, atëherë me automatizëm nënkuptohet se Zaev dhe Mickovski kanë arritur marrëveshje vetëm për të mbrojtur kriminelët e tyre partiakë dhe ata që shkatërruan shtetin vetëm për t`u pasuruar vetë!”-thuhet në postimin e kreut të Lëvizjes Besa. /ABC News Albania 24/7

OK-BRNABIC-SHKUP.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela20:13 | 26/08/2019

Kryeministri Zoran Zaev dhe homologia serbe Ana Bërnabiç përuruan pikën e përbashkët kufitare në vendkalimin Tabanoc-Preshevë. Në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur në Shkup nuk u anashkalua çështja “Zhvatja”, për të cilën dy krerët e qeverive bënë thirrje që të mos u besohet lajmeve të rreme.

E hapën pikën e përbashkët për menaxhimin e integruar të kufijve me qëllim që të përshpejtohet lëvizja e qytetarëve dhe mallrave. Por e bllokuan kufirin, dhe më së shumti e pësuan qytetarët, që u deshtë të presin më shumë se 1 orë për të kaluar, në temperatura të larta.

Zaev potencoi efektet pozitive që kjo masë do t’i ketë për ekonominë, e Brnabiç pothuajse gjithë fjalimin ia kushtoi Prishtinës dhe taksës.

Kryeministrja serbe u prit nga Zaev edhe në godinën e Qeverisë, e më pas pasoi edhe konferenca për media. Marrëveshjet e nënshkruara janë pasqyrë e vërtetë e miqësisë mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë potencuan krerët e ekzekutiveve. Por tema kryesore ishte rasti “Zhvatja dhe informatat që po vijnë nga Serbia.

Zaev: “Nuk do të lejojmë që disa media, me lajme të rrejshme, me qëllim të caktuar që ti prishin marrëdhëniet mes dy shteteve. Mua më vjen mirë që edhe ju gazetarët kështu nëpërmjet pyetjeve po jepni kontributin tuaj sepse marrëdhëniet tona janë të mira dhe do të jenë të mirë për një periudhë shumë të gjatë sepse, popujt tanë janë të lidhur mes vete dhe ka respekt të ndërsjellët”.

Brnabiç: “Gjithmonë ekziston dilema se a dëshiron që të merresh me lajmet e rrejshme apo do të vazhdosh me punën dhe të punosh për qytetarët dhe të luftoni për atë që qytetarët ju kanë zgjedhur dhe për çka ju paguajnë. Po mundohemi që të fokusohemi në punë konkrete, si kjo sot, që do të kontribuon në rritjen e kualitetit të jetesës kurse qytetarët duhet ta bëjnë vetë dallimin mes lajmeve të rrema dhe ato të vërteta”.

Kryeministrja serbe u pyet edhe për mundësinë e hapjes së kufirit, Llojan-Miratoc. Tha që po analizohet një mundësi e tillë, por momentalisht përgjigje konkrete nuk ka. /ABC News Albania 24/7

ZAEV-PROKURORIA.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela16:05 | 23/08/2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev bëri apel që të miratohet sa më shpejt ligji për prokurorinë publike. Kreu I ekzekutivit premtoi se të gjithë ata që kanë shkelur ligjin do të vihen përpara përgjegjësisë.

Secili që e  ka shkelur ligjin duhet të përgjigjet. Kështu është shprehur Kryeministri Zoran Zaev pas mbledhjes së mbrëmshme të Këshillit Qendror të socialdemokratëve. Ai u ka bërë thirrje partive politike që sa më shpejt t`i përafrojnë qëndrimet dhe të miratohet Ligji për Prokurorinë Publike, ligj ky që është në seancë parlamentare, të martën.

Kryeministri Zoran Zaev, lidhur me vendimin për pasardhës të Janevës, bëri thirrje  që për këtë çështje të reagohet sa më shpejt, në përputhje me ligjet për ushtruesin e detyrës Prokuror Special Publik, dhe apelon deri të VMRO-DPMNE-ja dhe te LSDM-ja t’i përafrojnë qëndrimet për Prokurorinë Publike.

“Kjo është një arsye më shumë, sidomos për politikanët, sa më shpejt t’a miratojmë ligjin për Prokurori Publike. I motivoj të gjithë, edhe nga VMRO-DPMNE edhe nga LSDM, sa më shpejt të fillojnë me punë, sepse ditët janë të numëruara, ndërsa ligji është dorëzuar në Kuvend ditën e martë, dhe mandati i PSP-së mbaron më 15 shtator. Kemi kapacitet si shtet t’a miratojmë këtë ligj, arsye shtesë është që PSP-ja është pa kryeprokurore, dhe është arsye institucionet e sistemit të vazhdojnë të punojnë më shumë“, theksoi Zaev.

Edhe pse u paralajmërua për sot takimi i grupeve të punës së partive politike që po punojnë në ligjin për Prokurorinë Publike, i njëjti është anuluar dhe është caktuar për të hënën.  /ABC News Albania 24/7    

zoran-zaev-1280x698.jpg
ad min17:30 | 14/08/2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev është vënë në qendër të kritikave për shkak se ka etiketuar si homoseksual një gazetar kritik ndaj qeverisë të tij. Shoqata e Gazetarëve ka reaguar duke kërkuar që Zaev të kërkojë falje.

Zoran Zaev, kryeministër i RMV:  “Unë jam Zoran Zaev, kam ardhur falë votës së qytetarëve duke luftuar. Duke luftuar për liri dhe për demokraci, për shtet të së drejtës dhe për sundim të së drejtës, dhe për shtet normal. Unë jam luftëtar dhe do të vazhdoj të luftoj deri në fund. Sigurisht që nuk do të lejoj që disa kriminelë, një gazetar koti dhe i kërkoj falje komunitetit LGBTI një “homoseksual” t’ia rrëzojnë nga pushteti këtë qeveri”.

Fjalë të ashpra në deklaratën e kryeministrit ose defokusim nga rasti “Zhvatja”. Këto janë dilemat kryesore një ditë pas deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev, në shënjestër të së cilës ishin protagonistët në rastin për zhvatjen e parave, i cili pret zgjidhje gjyqësore. Shoqata e gazetarëve paralajmëron se në këtë mënyrë nxitet dhuna ndaj punëtorëve mediatikë dhe kufizimi I lirisë së fjalës, duke sugjeruar në autorin e teksteve në të cilat për herë të parë u zbardhën detaje për rastin.

Grafik Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë: “I bëjmë thirrje Kryeministrit Zoran Zaev që menjëherë t’u kërkojë falje gazetarëve, para së gjithash kolegut Branko Geroski, në qoftë se kjo deklaratë i ishte drejtuar atij, dhe në të ardhmen të përmbahet nga diskreditimi i këtillë i gazetarëve”.

Këshilli për etikë në media deklaratën e vlerëson si të pahijshme dhe të papërshtatshme për bartës të detyrës publike.

Grafik Këshilli për Etikë në Media: “Roli i pushtetit në demokraci në asnjë rast nuk d.m.th. përzierje në punën e gazetarëve, ndërsa deklaratat e tilla mund të llogariten si presion I hapur dhe përpjekje për diskreditim publik të profesionit”.

Nga Këshilli për etikë e dënojnë, siç thonë, deklaratën jo-shembullore të kryeministrit me të cilën drejtpërdrejt paragjykohet komuniteti LGBTI në vend. Në reagimin e parë të Uranija Pirovskës, drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të drejta të njeriut, në rrjetet sociale sugjerohet në dyfytyrësi të politikanëve.

Uranija Pirovska, Komiteti i Helsinkit: “Kaq nga pranimi i dallimeve dhe respektimi i tyre! Demagogji e rëndë do të ishte gjithçka që është thënë dhe është bërë më parë!”.

Kryeministri u përpoq të dalë nga situata, gjithashtu nëpërmjet rrjeteve sociale, në Tuiter, ka shkruar.

Zoran Zaev, Twiter:  “Komuniteti LGBTI ka respektin tim. Për këtë arsye, para se t’ia përdorim fjalën “homoseksual” kërkova falje. Këtë fjalë e përdora që të përshkruaj një tipar karakteri, jo të theksoj përkatësi seksuale. Ju kërkoj falje personave LGBTI. Do të luftoj për të drejtat e tyre, siç kam bërë deri tash”.

Për deklaratën e kryeministrit Zaev shkruajnë edhe një pjesë e madhe e mediave në rajon.

zhvatja-1280x695.jpg
ad min15:45 | 10/08/2019

Gazeta italiane “La Verita’” ka publikuar videon e tretë të aferës “Zhvatja”, që ka tronditur opinionin publik në Maqedoninë e Veriut. Këtë herë, në bisedën mes të dyshuarit Bojan Jovanovski dhe biznesmenit Orçe Kamçev përmendet edhe emri i kryeministrit Zoran Zaev.

Edicioni i internetit i gazetës italiane “La Verita” edhe sot ka publikuar xhirime të bisedave mes të dyshuarve në rastin “Zhvatja”. Në xhirimet e sotme bisedohet për procedurat për lëndën ‘Perandoria” të Prokurorisë Speciale Publike ku është i dyshuar biznesmeni Orce Kamçev.

Në një bisedë kyçet edhe Prokurorja Speciale Katica Janeva, e cila në bisedë e sipër sqaron disa procedura gjyqësore. Bojan Jovanovski dhe biznesmeni Kamçev në një pjesë të xhirimit përmendin edhe Kryeministrin Zaev, kurse Jovanovski paralajmëron se do të takohet me të dhe do të provojë ta imponojë Kamçevin. Por, nuk ka detaje ku dhe kur do të organizohet ky takim.

Kryeministri Zoran Zaev ashpër i ka hedhur poshtë lidhjet me Bojan Jovanovskin, të dyshuarin në aferën “Zhvatja”. Siç thotë, në publikimin më të ri, disa nga të dyshuarit përmendin dhe keqpërdorin emrin e tij. Po thuhen gënjeshtra me qëllim që njëri bashkëbisedues ta përforcojë pozitën e tij të fuqisë dhe autoritetit para bashkëbiseduesit tjetër – thotë Kryeministri duke përgënjeshtruar informacionet përçfarëdo bashkëpunimi apo komunikimi me të dyshuarin Jovanovski. Duket se mediat serbe shfaqin interesim të shtuar për aferën më të re në Maqedoninë e Veriut.

Do të bien shumë politikanë, kam dëshmi për kreun shtetëror. Këtë në polici e ka thënë i dyshuari Bojan Jovanovski – shkruan në edicionin e sotëm gazeta serbe Kurir. Siç transmeton kjo gazetë, Jovanovski ka thënë se nëse i ndodh diçka në burg, ai ka dëshmi të sigurta tek nëna e tij dhe në adresë tjetër, me të cilët, siç thuhet, do të shkaktojë “tërmet politik” në Maqedoninë e Veriut, çka do të shkaktonte rënien e Qeverisë.

“Bombat” e reja vazhdojnë ta tronditin opinionin në Maqedoninë e Veriut, kurse pas publikimeve të mëparshme të bëra nga Ilija Gromovnik nga Rusia dhe El Cheka nga SHBA-të në opinionin e këtushëm imponohet pyetja nëse “bombat” janë rastësi apo gjithçka bëhet për ndonjë qëllim.

Simptomatike – siç thonë mediat e Shkupit është se këto përgjime publikohen në një gazetë italiane, që pretendohet se është e afërt me të djathtën, menjëherë pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut paralajmëroi luftë të hapur me mediat e vendit që shpërndajnë lajme të rrejshme. “Bombat” e fundit që shpërthyen në Maqedoni, disa prej tyre edhe nga Rusia, sipas vlerësimeve të ekspertëve kanë një mesazh të fshehtë dhe mund të interpretohen si përpjekje për t`i bërë obstruksione anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO./ABC News Albania 24/7

Zaev-Janeva-1280x718.jpg
nev ila16:30 | 17/07/2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev tha se ai nuk ka biseduar në telefon me Katica Janevën, pas lajmeve se ka pasur urdhër për arrestimin e Katica Janevës. Sipas tij ajo ka shpëtuar për shkak se ka telefonuar një ish diplomat dhe një zyrtar të lartë të qeverisë. Zaev u shpreh se shënjestër e zhvatjeve kanë qenë edhe biznesmenë tjerë.

Biznesmenë të caktuar iu kanë ankuar edhe kryeministrit se po shantazhohen.

“Po, janë drejtuar deri tek unë biznesmenë që nuk janë nga Shkupi se kanë qenë të shantazhuar  dhe dihet, siç vepron çdo qytetar, ashtu veprova edhe unë… E paraqita rastin. E theksoj edhe një herë, Kryeministri e ka paraqitur rastin”, tha Zaev. 

Kryeministrin e kanë kontaktuar biznesmenët, e sipas informacioneve jo zyrtare, edhe Janeva ka kontaktuar një funksionar të lartë.

“Unë nuk jam dëgjuar me Katica Janevën”, tha Zaev.

Por kryeministri nuk tregoi se nga cilët janë ankuar. Tha se të gjitha përgjigjet duhet ti japin personat e përfshirë në këtë rast, si dhe Prokuroria.
E opozita edhe sot parashtroi pyetje publike, se pse Janeva nuk është në paraburgim? 

“Duhet patjetër të ketë përgjigje përse Katica Janevës iu mor telefoni dhe iu lejua që ta udhëheqë PPS-në? 
Nëse ajo është e përzier në këtë rast, përse nuk janë përcaktuar masa kujdesi kur ajo mundet drejtpërdrejtë të ndikojë tek dëshmitaret në këtë rast.  A është e lirë Janeva vetëm për shkak se Zaev personalisht po e mbron?”, tha Bllagica Llasovska e VMRO/DPMNE.

Kryeministri ishte njëri nga funksionarët që me çdo kusht mbronte Prokurorinë Speciale, e veçanërisht shefen e këtij institucioni, Katica Janevën. Ai tha se do të vazhdoj ta mbështetë, deri sa nuk provohet se ka qenë e përfshirë në akte të paligjshme./ABC News Albania 24/7 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono