Ylvi Beqja

shullazi.jpg
gra moz16:01 | 08/05/2018

Dështon seanca e radhës në ngarkim të Emiliano Shullazit dhe katër të bashkëpandehurve të tij tek Krimet e Rënda, të akuzuar për “gjobvënie”.

Gjykata shtyu seancën për shkak të mungesës avokatit mbrojtës të të pandehurit Endri Qyqja. Në seancë nuk ishte i pranishëm as i pandehuri Shullazi. Para se të mbyllte seancën, gjykata i bëri me dije palëve mbërritjen e disa provave shkresore të kërkuara në një bankë të nivelit të dytë.

Ato ishin 60 faqe në total, kryesisht çeqe dhe fatura veprimesh bankare, që pretendohet të jenë bërë nga të pandehurit me kërkesë të Ylvi Beqjes. Këto janë prova e fundit që do të shqyrtohet në këtë proces para kalimit në fazën e konluzioneve përfundimtare./abcnews.al

KRONIKE-SHULLAZI-1280x720.jpg
ent ela12:33 | 27/03/2018

Pesëshja gjykuese e dosjes në ngarkim të Emiliano Shullazit tek Krimet e Rënda refuzoi kërkesën e avokatëve për thirrjen në proces të ish-nëndrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardian Çipa. Zyrtari i policisë do të jepte sqarime përse ka fituar mbrojtje policore Besnik Musai, dëshmitar në proces. 

Gjykata për Krimet e Rënda refuzoi të martën kërkesën e avokatit mbrojtës të Emiliano Shullazin, për thirrjen në sallën e gjyqit të ish-nëndrejtorit të Përgjitjshëm të Policisë së Shtetit, Ardian Çipa.

Avokati Vladimir Meçi kërkoi thirrjen e zyrtarit të policisë, aktualisht drejtues i Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, kishte të bënte me sqarimin e situatës se përse dëshmitari Besnik Musai gëzon mbrojtje policore. Në një përgjigjen e sjellë për gjykatën, kjo drejtori motivonte mbrojten e tij si rreth familjar i dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja, i cili është në mbrojtje nga 7 nëntori 2016.

“Besnik Musai është familjar i një lidhjeje jashtëmartesore të Beqjes dhe ligjërisht ai nuk është rreth familjar i tij”, tha mbrojtësi i revoltuar.

Avokatët u shprehen se emri i Besnik Musait është bërë i ditur për prokurorinë shumë më herët para se të thirrej si dëshmitar.

Duke pretenduar parregullsi avokatët deklaruan se i janë drejtuar Operacionit Ndërkombetar të Monitorimit dhe kryeprokurores së përkohshme Arta Markut për ta vënë në dijeni në lidhje me devijimin e procesit gjyqësor nga pala e akuzës.

Gjatë seancës së, gjykata administroi si provë të kërkuar nga mbrojtja regjistrimin audio të një interviste të dhënë në media nga Ylvi Beqja në prill 2016. Në bisedën e bërë, Beqja në më shumë se katër raste pohonte se ia kishte dhuruar me vullnet të plotë një sipërfaqe prej 700 metërkatrorë të ish-hotel Vollgës në Durrës, Emiliano Shullazit. Ai e motivonte dhuratën me faktin se falë Shullazit dhe miqve të tij, nuk kishte marrë kërcënime që merrte prej disa vitesh.

Procesi gjyqësor në ngarkim të Emiliano Shullazit dhe katër të bashkëpandehure është në fazën e administrimit të provave të mbrojtjes.

/abcnews.al

emiljano-shullazi-1280x683.jpg
gra moz17:44 | 13/03/2018

Emri i shoferit të biznesmenit Ylvi Beqja, Besnik Musai, dëshmia e të cilit rëndoi pozitën penale të Emiliano Shullazit u kthye në një “mollë sherri” mes palëve në seancën e të martës.

Avokatët u përfshinë në debate të ashpra me prokuroren, se përse dëshmitari Musai, bashkëjetueses së Beqjes, ishte marrë nën mbrojtje policore.

Gjuhës së tensionuar nuk i shpëtoi as i pandehuri Shullazi. Ai kërkoi llogari nëse dëshmitari Musai kishte dhënë deklarime në Prokurori, para se të pyetej në Gjykatë.

Prokurorja në sallën e gjyqit shpjegoi se Musai mbrohej si rreth familjar i Ylvi Beqjes dhe se ai nuk ishte pyetur prej saj në prokurori.

Pas kësaj përgjigje, Shullazi kërkoi rithirrjen në proces të dëshmitarit, për të sqaruar këtë moment.

Gjatë dëshmisë së tij në muajin Shtator 2017, Musai tha se kishte parë Shullazin t’i drejtonte pistoletën biznesmenit Ylvi Beqja./abcnews.al

vlcsnap-error634-1280x720.jpg
gra moz16:21 | 27/02/2018

Pesëshja gjykuese e dosjes në ngarkim të Emiliano Shullazit tek Krimet e Rënda do t’i drejtohet me shkresë zyrtare një banke të nivelit të dytë në Tiranë për t’i vënë në dispozicion 6 çeqe të thyera në sportelet e saj në Dhjetor të vitit 2014.

Çeqet  në fjalë, në shuma deri në 25 mijë euro, janë lëshuar nga biznesmeni Ylvi Beqja dhe janë tërhequr nga shoferi i tij dhe dy prej të pandehurve në proces. Ato u kërkuan për t’u paraqitur si provë në proces nga ana e avokatëve të të pandehurëve. Po ashtu, Gjykata do t’i kërkojë bankës identifikimin e sportelisteve që i kanë bërë këto veprime, për t’i thirrur si dëshmitare në gjyq.

Në seancën e të martës, Gjykata pranoi edhe kërkesën e avokatit të Endrit Zelës për shfaqjen në sallën e gjyqit të pamjeve filmike të marra nga Prokuroria nga kamerat e sigurisë të banesës së biznesmenit Ylvi Beqja. Procesi ndaj Shullazit dhe katër të bashkëpandehurve të akuzuar për “gjobëvënie” ndodhet në fazën e marrjes së provave të mbrojtjes./abcnews.al

vlcsnap-error967-1280x720.jpg
gra moz19:31 | 16/01/2018

Gilmando Dani, miku dhe i bashkëpandehuri i Emiliano Shullazit, tregoi para Gjykatës për Krimet e Rënda, marrëdhënien e tij me biznesmenin që i kallëzoi për “gjobëvënie”, Ylvi Beqja. Dani tha se nuk i kishin marrë asnjë cent biznesmenit.

Për gati 60 minuta, Gilmando Dani, i konsideruar si krahu i djathtë i Emiliano Shullazit, iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve, gjyqtarëve dhe avokatëve të procesit, ku është i pandehur tek Krimet e Rënda. Thelbi i dëshmisë ishte marrëdhënia e tij me biznesmenin Ylvi Beqja, personin që ka kallëzuar atë dhe miqtë e tij për “gjobëvënie”.

Dani tha se ishte Shullazi, ai që e kishte prezantuar me biznesmenin. Sipas tij, Beqja kërkonte ndihmë pasi ndihej i kërcënuar nga një person dhe se kishte vështirësi në vështirësi në regjistrimin në hipotekë të hotel “Vollgës”.

“Pasi të merrte pronën edhe ne do të kishim përfitimin tonë”, tha Dani.

I pandehuri rrefeu se me kërkesë të Beqjes kishte tërhequr disa çeqe në bankë, për të cilat kishte angazhuar dhe të pandehurit Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.

“Paratë e tërhequra ia kam dhënë në dorë Ylviut. Ndërsa me 16 mijë euro të tërhequra nga Qyqja u pagua një faturë në hipotekën e Durrësit, si taksë prone”.

Ai tha se kishte pasur marrëdhënie shumë të mira me Beqjen.

“Komunikoja shpesh me të. Ai vetëm premtonte. Më premtoi se do më fuste në biznesin e riciklimit të mbetjeve spitalore. Nuk i kam marrë asnjë cent, përkundrazi, me ka 2 mijë euro borxh”, tha Dani.

I pandehuri theksoi se nuk kishte qenë prezent në bisedat mes Emiliano Shullazit dhe Beqjes dhe as kur ata kishin nënshkruar kontrata tek noterja. Dani mohoi edhe te ketë takuar ndonjëherë profesorët Dhori Kule e Mynyr Koni. Pas dëshmisë së Danit, të pandehurit Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi nuk dhanë pëlqim për të dhënë shpjegime përpara gjykatës./abcnews.al

vlcsnap-error906-1280x720.jpg
us er18:39 | 08/01/2018

Gjykata për Krimet e Rënda përmbylli fazën e marrjes në pyetje të Emiliano Shullazit në procesin ku ai është i pandehur për “gjobëvënie”, “kanosje” e “grup të strukturuar kriminal”. Shullazi rikofirmoi qëndrimin e tij mohues ndaj akuzave të prokurorisë dhe pretendimeve të bëra në kallëzimin e biznesmenit Ylvi Beqja.

“Nuk e kam kërcënuar asnjëherë Ylvi Beqjen”. Përmes kësaj fraze të kthyer gati në një refren prej tij, Emiliano Shullazi rikonfirmoi të hënën qëndrimin e tij mohues ndaj akuzave të prokurorisë. Pasi dha shpjegime për prokurorët në seancën e kaluar, në këtë seancë Shullazi iu përgjigj pyetjeve të bëra nga avokatët mbrojtës.
I pandehuri tha se kishte firmosur tre akte noteriale gjatë marrëdhënies së tij me biznesmenin Beqja, i cili nga ana e tij pretendon se i ka dhuruar Shullazit një pjesë të ish-hotel Vollgës në kushte presioni.

“Noteret i njihte Ylvi Beqja. Unë nuk njihja asnjërën”, tha Shullazi. Sipas të akuzuarit si drejtues i një grupi kriminal të angazhuar në “gjobëvënie” dhe “kanosje” Ylvi Beqja kishte nënshkruar me dëshirë akt-marrëveshjet e bëra mes tyre tek noteri dhe se nuk kishte pasur asnjë shtrëngim ndaj tij apo personave të lidhur me të. “Nuk ka pasur asnjë arsye për mungesë vullneti nga ana e Beqjes. Ishte ai që më mori aty”, tha i pandehuri.

Ndryshe nga pretendimet e shfaqura më herët nga ana e biznesmenit Beqja, se Shullazi kishte shkuar tek noteret bashkë me “shpurën” e tij, vetë i pandehuri tha se kishte qenë i vetëm në këto takime. Pasi shpjegoi marrëdhëniet e tij miqësore apo familjare më të bashkëpandehurit, Shullazi i përjashtoi ata nga historia e gjobëvënies. Sipas tij, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi nuk kishin asnjë dijeni mbi marrëdhëniet mes tij dhe biznesmenit Ylvi Beqja deri në momentin që u arrestuan. Më tej Shullazi kujtoi se në një rast kur Beqja i kishte marrë një borxh prej 2 mijë euro Gilmndo Danit. “Nuk di nëse ia ktheu më apo jo, s’i vura rëndësi”, tha Shullazi. Pas përfundimit të pyetjes së Shullazit trupi gjykues ftoi Gilmando Danin për të dhënë shpjegime. Ai dha pëlqim për t’u pyetur, por në një seancë tjetër, duke u bërë shkak për ndërprerjen e seancës./abcnews.al

vlcsnap-error218.jpg
us er17:21 | 28/12/2017

Në seancën e 25-të gjyqësore të procesit në ngarkim të tij dhe katër të bashkëpandehurve tek Krimet e Rënda, Emiliano Shullazi i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve. Ai mohoi akuzat e ngritura nga prokuroria për të. Shullazi tha se biznesmeni Ylvi Beqja gënjen, pasi nuk është kërcënuar kurrë prej tij.

 

 

Emiliano Shullazi nuk e shfrytëzoi të drejtën që i jep ligji për të mos u marrë në pyetje në sallën e gjyqit. Në seancën e të enjtes tek Kimet e Rënda, i dyshuari i prokurorisë si kreu i një grupi kriminal të angazhuar në “gjobëvënie” dhe “kanosje”, mohoi çdo akuzë të ngritur ndaj tij.

Shullazi rrëfeu se nuk e kishte kërcënuar kurrë biznesmenin Ylvi Beqja. Më herët, dëshmitar i mbrojtur Beqja ke pretenduar se ia ka dhuruar të pandehurit një pjesë të ish-hotel “Vollgës” në kushte presioni. I pandehuri Shullazi theksoi se kishte qenë Beqja ai që i kishte kërkuar ndihmë për të përfituar pronësinë e hotelit, e cila ishte objekt i një procesi gjyqësor. “Më trokiti në derë dhe më kërkoi të ndërmjetësoja, pasi nuk po ia dilte dot me gjykatat”, tha Shullazi. Sipas tij, Beqja i kishte premtuar 1.4 milionë euro për ndihmën. “Kemi nënshkruar dy kontrata, sipas të cilave unë do të përfitoja 20 për qind të pronës, nga të cilat 10 për qind pasi të bëhej regjistrimi i pronës dhe 10 përqind pas shitjes së saj”, vijoi i pandehuri. Më tej, ai tregosiu se për shkak të një vendimi gjyqësor Beqja nuk mund ta tjetërsonte pronën dhe për këtë shkak u dakordësuan në dhurimin e 700 metra katrorëve. Ai mohoi me forcë kërcënimet tek zyra e noteres. “Ylvi Beqja genjën. Jo vetëm që s’e kam kërcënuar, por me ka puthur shtatë herë në faqe”, theksoi Shullazi. Ai rrëferu edhe për një sms që i kishte dërguar gjyqtares së Apelit Tiranë, Fatmira Hajdari, përmes telefonit të Gilmando Danit, pa rrëfyer përmbajtjen.

Qëndrim tërësish mohues Shullazi mbajti edhe në lidhje me kërcënimin e profesorëve Dhori Kule e Mynyr Koni, për të cilët tha se nuk i njihte fare. Në përfundim të gati 120 minutave seanca u ndërpre me kërkesë të avokatëve. Ata rezervuan të drejtën për t’i drejtuar pyetje të pandehurit në seancën e radhës./abcnews.al

vlcsnap-error198-1-1280x720.jpg
us er17:36 | 06/12/2017

Mungesa e prokurorëve në sallën e gjyqit u bë shkak për dështimin e seancës së sotme ndaj Emiliano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Situata solli revoltimin e avokatëve që kërkuan lirimin e Shullazit dhe pushimin e akuzës për të pandehurit.

Gjykata për Krimet e Rënda u detyrua të shtyjë për në 13 dhjetor seancën e të mërkurës për Emiliano Shullazin dhe katër miqtë e tij, të akuzuar për “gjobëvënie”. Shkak i ndërprerjes u bë mungesa e dy përfaqësuesve të akuzës në sallën e gjyqit.
Përmes një shkrese të firmosur nga titullari i tyre, prokurorët Ened Nakuci e Elisabeta Imeraj justifikonin mospraninë në gjykim me një angazhim zyrtar jashtë vendit.
Situata u përcoll me revoltë dhe tone të larta nga ana e avokatëve. Lënien bosh të bankës së prokurorisë ata e konsideruan si mungesë vullneti për të përfaqësuar akuzën. “Nuk është hera e parë që ndodh. Është e papërgjegjshme dhe jo serioze. Unë kërkoj ndruyshimin e masës së sigurisë “arrest në burg” në një masë më të butë për Emiliano Shullazin”, tha avokati Vladimir Meçi.
Qëndrim të njëjtë në lidhje me mungesën mbajtjën edhe avokatët e tjerë. Duke pretenduar se klientët e tyre po rrinë në paraburgim me pa të drejtë ata kërkuan pushimin e çështjes.
Në seancën e të mërkurës pritej të bëheshin tre ballafaqime mes katër dëshmitarëve të pyetur me herët në gjykim. Mes tyre është edhe biznesmenbi Ylvi Beqja, dëshmiar i mbrojtur, i cili ka kallëzuar Shullazin për “gjobëvënie”. Pranë gjykatës u paraqitën vetëm noterja Aida Spahiu dhe ish-bodigardi i Beqjes, ndërsa nuk u relatua gjë për biznesmenin dhe shoferin e tij Besnik Musai. Nevoja për ballafaqim lindi pas kundërshtive në thëniet e katër dëshmitarëve në proces./abcnews.al

 

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono