xhisiela maloku

MBULIM-REXHEP-RAJA-NE-GJYKATE.mpg_snapshot_01.27-1-1280x648.jpg
G. P.15:08 | 13/12/2018

Një vit burg ka kërkuar prokuroria për Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja. I riu akuzohet për dhunimin e Xhisiela Malokut dhe pse ai ka mohuar akuzat.

Gjykata para disa kohësh ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për 24-vjeçarin. Rexhep Rraja u arrestua në 30 Shtator pasi ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu denoncoi në media kërcënimet sipas tij nga disa eksponentë të PS për të mbyllur denoncimin e Xhisiela Malokut.

Kjo e fundit vazhdon t’i qëndrojë variantit se nuk është dhunuar nga Rexhepi, por denoncimet për dhunën e ushtruar i kishte bërë në Korrik të këtij viti për shkak të xhelozisë./abcnews.al

rexhep-rraja.png
G. P.18:11 | 24/10/2018

Dosja e Xhisiela Malokut ka shkuar në Gjykatën e Krujës, ndërsa i pandehuri Rexhep Rraja ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Megjithatë djali i deputetit socialist nuk i pranon akuzat për dhunë dhe përndjekje ndaj Xhisela Malokut. Sot në Krujë u zhvillua seanca e parë gjyqësore. Në këtë seancë avokati i Rrajës, rezervoi gjithashtu të drejtën që në fillim të gjykimit të çështjes në themel të parashtrojë kërkesën për gjykim të shkurtuar, duke pranuar aktet e dosjes hetimore, por jo akuzën e përndjekjes.

Rexhep Rraja u arrestua disa javë më pare, pasi ish -oficeri i policise Emiliano Nuhu denoncoi në media kërcënimet, sipas tij, nga disa eksponentëve socialistë për të mbyllur dosjen.
Vetë ish e dashura e Rrajës, Xhisiela Maloku vazhdon t’i qëndroje variantit të saj se nuk është dhunuar nga Rexhepi, por denoncimet për dhunën e ushtruar i kishte bërë për shkak të xhelozisë./abcnews.al

APELI-LE-NE-BURG-REXHEP-RRAJEN.mpg_snapshot_01.49-1280x770.jpg
G. P.11:36 | 17/10/2018

Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rahman Rraja do të vazhdojë të hetohet në gjendje arresti lidhur me veprën penale të përndjekjes së ish- të dashurës se tij Xhisiela Maloku. Gjykata e Apelit të Tiranës la në fuqi masën e sigurisë “arrest ne burg”, të caktuar ndaj tij disa javë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Krujë.

Nga një kallzim i ish të dashurës do të vijojë të qëndrojë në qeli, edhe pse vajza e ka tërhequr denoncimin. Xhisiela Maloku ishte para Gjykatës së Apelit në Tiranë, teksa brenda saj u vendos që Rrexhep Rraja do të mbetet në gjendje arresti në burg. Xhisiela priste ta shihte dhe ta mbështeste, por 24-vjeçari nuk u paraqit në seancën, ku u përfaqësua nga mbrojtësi i tij ligjor Ilir Murati.

Avokati kërkoi para trupës gjykuese të Apelit lirimin e Rrajës, pasi sipas tij, ai nuk ka kryer veprën penale të përndjekjes që rëndon mbi të. Sipas avokatit, marrëdhëniet mes dy të rinjve kanë qenë miqësore, ç’ka provohet, sipas tij, nga pamjet e kamerave të sigurisë në hotelin ku pretendohet se është dhunuar Xhisiela. Disa foto nga takimi i datës 19 korrik, ndërmjet personit nën hetim Rexhep Rraja dhe kallëzueses Xhisiela Maloku janë siguruar edhe nga ABC News. Në to shihen dy të rinjtë teksa dalin nga hoteli të përqafuar.

 

Argumentat e tij për lirimin e Rrexhep Rrajës, avokati Ilir Murati i deklaroi për mediat edhe jashtë gjykatës.

Ilir Murati, avokati i Rexhep Rrajës: “Është shumë e vërtetë që Xhisiela ka bërë 3 deklarime sikur qëndron vepra dhe 3 më pas të cilat i mohon. Madje dhe thotë  “i tërheq”. Kemi një qëndrim të pabarabartë se nëse një person mohon gjithçka që ka thënë më përpara duhet të merret përgjegjësi penale për atë që ka kryer dhe qytetari im do të ishte i lirë. Kjo është ajo që unë u irritova, kërkova debat me gjykatën padrejtësisht, por të bazuar vetëm në prova dhe në ligj. Kur një qytetare tërheq gjithçka që bën.

“Ja pse duhet ta besojmë. Sepse qytetarja paraqitet në Komisariat dhe klienti im paraqitet sapo thirret aty dhe tregon gjithçka që është e natyrshme dhe e vërtetëkëtë duhet të besojmë. Ai nuk iku, nuk u largua se ishte djal deputeti. Nuk përdori asnjë formë të ushtrimit të ndikimit të tij nga persona që e përfaqësonin. Nuk shkoi në burg, nuk është defekt i klientit tim. Klienti im kur nuk kryen vepër nuk mund të shkojë në burg vullnetarisht. Në burg e çon instuticioni kur kryen një vepër penale. Kur qytetarja vjen para jush edhe sot dhe deklaron që nuk janë të vërteta ato që kam thënë, qytetari nuk mund të rrijë në burg kjo është ligji, këtë kërkon ligji.”

Duke mbështetur ish të dashurin edhe Xhisiela Maloku vazhdon t’i qëndroje deklaratës së saj se gjithçka e kishte bërë për arsye xhelozie.

Xhesiela Maloku, kallëzuesja: “Kam ardhur sot këtu për ta mbështetur dhe për ta treguar të vërtetën siç është. Siç e kam thënë në media për ta thënë dhe në gjykatë. Unë do të them atë që unë dua të thëm. Jam shumë e bindur që s’do kemi probleme. Problemet kanë ardhur për arsye që unë i kam sqaruar më parë, xhelozia dhe nuk do të kemi probleme jam shumë e bindur. Këtë gjë ma siguron vetja ime, mjaftoj unë, unë jam Xhisiela.”

Avokati Ilir Murati paralajmëroi rekurs në Gjykatën e Lartë per vendimin e Apelit të Tiranës, që la në burg klientin e tij Rexhep Rraja. Trupa gjykuese e Apelit përbehej nga Shpresa Becaj- kryesuese dhe anëtaret Zeqine Sollaku e Ridvan Hado. Kurse akuza u përfaqësua nga prokurori i Apelit Arben Qosja./abcnews.al

 

 

 

MBULIM-REXHEP-RAJA-NE-GJYKATE.mpg_snapshot_01.27-1-1280x648.jpg
G. P.11:57 | 13/10/2018

Rexhep Rraja kërkon lirimin nga masa e arrestit me burg duke apelur vendimin e Gjykatës së Krujës. Djali i deputetit socialist u akuza për përndjekjen e Xhisiela Malokut. Por mbrojtja pretendon në arsyetimin e kërkesës për prishjen e masës së arrestit se marrëdhënia mes dy të rinjve është normalizuar.

Pas “arrestit me burg” dhënë nga Gjykata e Krujës më 2 tetor për Rexhep Rrajën, i akuzuar se ka përndjekur ish të dashurën e tij Xhisiela Maloku, djali i deputetit Rrahman Rraja kërkon lirinë duke apeluar vendimin.

Gjyqtarja Shpresa Becaj do të shqyrtojë kërkesën e Rrajës për liri dorëzuar më 8 tetor nga avokati Ilir Murati, ndërsa hetimet për këtë dosjen janë ende të hapura nga prokurorja Mirela Kapo.

Ilir Murati, avokat i Rexhep Rrajës: “Rexhep Rraja nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Pra, aktualisht ai mbahet në masën e sigurisë “arrest me burg” me dyshimin se ka kryer përndjekje. Nëse ka qenë kjo situatë, kjo ka qenë që në fillim, ditën e kallëzimit. Duket qartë që çdo ditë se e dëmtuara ose vitkima e veprës penale, Xhisiela, vazhdon gati proteston që nuk është e vërtetë që Rexhepi mua më ka dhunuar, më ka përndjekur etj etj. Ëhtë një motiv xhelozie.”

Ilir Murati, theksoi se, në gjykatën e Apelit Tiranë, do të kërkohet prishja e vendimit të Gjykatës shkallës së Parë Krujë “arrest me burg” për 25-vjeçarin dhe lirimin e menjëhershëm të tij.

“Ne shpresojmë që gjykata e apelit do të jetë objektive, do të verifikojë të gjithë aktet e fundit, qe janë ato të muajit shtator. Shpresojmë që të marrë parasysh dhe kallëzimet që bën viktima. Ka bërë kallëzim në një datë dhe të nesërmen e tërheq. Përsëri ka ndodhur dhe 3-4 herë gjatë muajit korrik.”

Ndërkohë nuk është përcaktuar ende dita se kur do të shprehet gjykata e e Apelit Tiranë për një nga historitë e dashurisë që trazoi edhe krerët e politikës në vend. ABC News ka siguruar nga grupi hetimor një përgjim ambiental ndërmjet Xhisiela Malokut dhe ish të dashurit të saj Rexhep Rraja, i bërë më 29 shtator në ambientet e prokurorisë së Krujës.

Xhisiela Maloku: Do ikim pastaj të hamë ndonje gjë se vdiqa?

Rexhep Rraja: Po a tu prit Indriti, pra do ikim me hanger bukë?

Xhisiela Maloku: A do vish ti?

Rexhep Rraja: Po vi, vi unë. Prandaj po t’them mos prish punë.

Xhisiela Maloku: Jo mor s’prish punë, po t’i m’hangre, m’çmene. I kam hudh fare, më kanë marrë në pyetje disa herë.

Të premten për dosjen “Xhisiela”, u pyet nga prokuroria e Tiranës për më shumë se 30 minuta kreu i opozitës Lulzim Basha. Ndërsa të kallzuar nga Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, janë edhe deputetët e PD-së Edi Paloka dhe Enkelejd Alibeaj. Shkak janë bërë deklaratat e këtyre të fundit sa i takon çështjes se Xhisiela Malokut.

Në këtë padi thuhet se deputetët e PD kanë shpërndarë fakte të pavërteta për një ngjarje kriminale si ajo e Fushë-Krujës, për të cilën djali i deputeti të PS, Rexhep Rraja është në burg për përndjekje të ish-të dashurës së tij. Kallëzimi vjen pas denoncimit të ish oficerit të Krujës Emiljano Nuhu, i cili pretendon se është kërcënuar me armë për të mbyllur dosjen e djalit të deputetit të PS-së, Rrahman Rrahja, në prani të deputetit Taulant Balla. Gjithashtu Balla ka kallëzuar penalisht edhe ish oficerin Nuhu për ‘kallëzim të rremë’ si dhe gazetarin Basir Çollaku që realizoi intervistën./abcnews.al

policia.jpg
G. P.10:35 | 09/10/2018

Një furgon me efektivë të policisë nga Tirana kanë marrë në siguri shtëpinë e Xhisiela Malokut. Përforcimet u vendosën pas shpërthimit të tritolit tek të afërmit e denoncueses së djalit të deputetit Rexhep Rraja.

Ky furgon policie mbërriti natën në hyrje të shtëpisë së Xhisiela Malokut në Larushk të Krujës. Janë më shumë se dy punonjës të Forcave Speciale që qëndrojnë te porta dhe kontrollojnë gjithë territorin.

Banesa e vajzës që denoncoi djalin e deputetit, Rexhep Rrajen, por që më pas u tërhoq nga padia duke thënë se merr përsipër çdo përgjegjësi është blinduar.

Një masë e tillë sigurie u vendos pasi në oborrin e të afërmve të 25-vjeçares shpërtheu një sasi e vogël tritoli.

Vetë Maloku pas ngjarjes tha se do të pranonte mbrojtjen e policisë pasi tani ndjehej vërtet e kërcënuar.  Ajo u deklaroi gazetarëve që tritoli ishte vendosur nga PD dhe opozita.

Ndërkohe ish i dashuri i saj, i cili është akuzuar për përndjekje ndaj Malokut ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg në qelitë e paraburgimit të Durrësit./abcnews.al

 

edi-paloka.jpg
G. P.14:07 | 08/10/2018

Pas akuzave ndaj opozitës për tritolin e hedhur ndah banesës së gjyshit të Xhisielës, ka reaguar nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka.

Me ironi, deputeti demokrat shkruan se akuzat e mazhorancës tejkalojnë fantazinë dhe janë të paimagjinueshme.

Duke bërë një paralelizëm me bombën në ambasadën jugosllave në vitin 1951, Paloka shkruan se “Rama i kalon vërtetë me distancë, paraardhesit e tij në të keqe”.

/abcnews.al

xhisiea.jpg
G. P.12:05 | 08/10/2018

Një shpërthim tritoli pati gjatë natës në fshatin Larushk të Fushë-Krujës. Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur tek të afërmit e Xhisiela Malokut. Vetë 24-vjeçarja pas ngjarjes u tha gazetarëve se tritoli është vendosur nga opozita dhe se nuk ndjehet e kërcënuar nga Rrajat.

Një sasi e vogël tritoli ka shpërthyer rreth mesnatës, në oborrin që lidh dy banesat e gjyshit te Xhisiela Malokut dhe vëllait të tij, në Larushk të Fushë-Krujës.

Nëntë persona janë shoqëruar nga policia, e po merren në pyetje për ngjarjen.

Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se tritoli është hedhur nga rruga, në oborrin e vëllezërve Besim dhe Ram Muça, por nga shpërthimi nuk ka të lënduar e as dëme materiale.

Nuk dihet nëse ngjarja ka lidhje me denoncimin e Xhisiela Malokut për dhunë nga ana e djalit të deputetit socialist të Fushë-Krujës. Vetë 24-vjeçarja u tha gazetarëve se tritoli është hedhur nga opozita.

Vendosja e tritolit është mëse e qartë, është bërë nga PD dhe opozita për të sulmuar drejtpërdrejt sepse të vërtetën e di unë dhe vetëm unë”. theksoi xhisiela.

Hetimet vijojnë dhe policia pritet te japë sqarime te mëtejshme. Denoncimi i vajzës përfundoi me arrestimin e Rexhep Rrajes që për momentin gjendet në qelitë e paraburgimit, megjithë përpjekjet e Xhisiela Malokut për t’i mohuar deklaratat e saj dhe gatishmërinë që tregoi për ta pranuar dëshminë e rreme, duke marrë parasysh edhe burgosjen.

Pas kësaj ngjarjeje Xhisiela Maloku tha se telefonatën e parë e mori nga të afërmit e Rrexhep Rrajës dhe nuk është e kërcënuar nga ata. Ajo thotë se do të pranoj urdhërin e mbrojtjes.

“Telefonata që unë kam bërë pasi ndodhi shpërthimi ka qenë e një kushëriri të Rexhepit, Ramazan Rraja, ka ardhur këtu dhe pastaj është larguar pastaj kam lajmëruar policinë”, tha Xhisiela./abcnews.al

EDI-RAMA-KUNDER-TE-GJITHVE-1280x720.jpg
ent ela21:00 | 06/10/2018

Çështja e vajzës nga Fushë Kruja që akuzoi për dhunë djalin e deputetit socialist të zonës, dominoi javën politike që lamë pas me përplasje, akuza e kallëzime reciproke mes mazhorancës e opozitës. Por pati edhe një dimension që u luajt pas kuintave, për ta orientuar atë çështje. Detajet i sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Viti i gjashtë në pushtet po provohet rraskapitës për Kryeministrin. Sistematikisht njerëz pranë tij vihen në qendër të akuzave të forta publike.

Rasti i vajzës nga Fushë-Kruja që paditi djalin e deputetit socialist të zonës për dhunë ndaj saj, ndërsa një nënkomisar akuzoi për ndërhyrje e favorizim nga mazhoranca për këtë rast, nuk po rezulton çudia që zgjat tre ditë, pavarësisht një impenjimi të qartë, për ta sfumuar, e konsideruar si konspiracion të opozitës ndaj qeverisë.

E për të orientuar vëmendjen diku tjetër, në debat po hidhet edhe audiopërgjimi i Babales i publikuar 4 muaj më parë nga PD, e madje edhe paralajmërimi për një paketë antishpifje. Një operacion i gjerë spin-i politik e mediatik, për të kontrolluar debatin publik e orientuar atë.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist të Fushë Krujës Rrahman Rraja, u arrestua dy muaj pas denoncimit të Xhisiela Malokut. Urdhër arresti i prokurorisë u parapri nga dalje intensive publike të SHÇBA, e Policisë së Shtetit, ku përsëritej se policia e kishte bërë punën e vet, ndryshe nga sa deklaronte nënkomisar Nuhu.

PD e konsideroi arrestimin një akt të vonuar, sipas saj i ardhur vetëm pasi nënkomisar Emiljano Nuhu, tashmë në arrati, e bëri publik rastin.

Nga krahu i mazhorancës, peshën publike të reagimit mbrojtës për këtë rast po e mban Kryeministri dhe numri 2 i partisë së tij. Edi Rama e Taulant Balla në dy postime të njëpasnjëshme, akuzuan PD se po bën luftë politike me vajzën viktimë.

Deklaratat mohuese Xhisiela Malokut në studio televizive, të ardhura pas një denoncimi ndaj djalit të deputetit, e ekspertizës mjeko-ligjore të dhunës së konstatuar në trupin e saj, befasuan opinionin publik, që ishte dukshëm në anën e saj si viktimë, e madje një protestë ishte mbajtur para kryeministrisë, për të kërkuar drejtësi në emër të saj.

Në dosjen e prokurorisë ndodhet e dokumentuar me fjalët e saj, një nga rastet flagrante të dhunës që i takon datës 19 korrik.

“Sipas prokurorisë, pasi i ka thyer telefonin, Rexhep Rraja, e ka dërguar në dhomën e hotelit në rrugën e Rinasit. Pasi e ka goditur me shkelma i ka fikur cigaren në trup duke i thënë:  “trego ku do shkosh se do të të vras..ketu”. Referuar dosjes, këto kërcënime i hetuari Rraja i ka vazhduar për pesëmbëdhjetë minuta duke i thënë viktimës “nuk do të të vras, do të të plagos..dua të vuash e jo të vdesësh direkt..”

Edhe me këtë dëshmi në dosje, Gjykata e Krujës la në burg 24 vjecarin Rexhep Rraja për akuzën e përndjekjes, të cilën e mohoi në sallën e gjyqit, duke thënë se kishte patur vetëm një konflikt të momentit me ish të dashurën.

Kryeministri që ndiqte situatën me shumë vëmendje, nuk e vonoi replikën në Twitter. Për të përforcuar qëndrimin se ky rast është një abuzim i PD, paralajmëroi masa ligjore për shpifjen.

Rama ia del ta orientojë vëmendjen drejt mediave, duke i zhvendosur me sukses ndjesitë e publikut për ngjarjen, nga djali i deputetit i paditur për dhunë e i lirë, tek media që e përcjell intensivisht historinë e vajzës.

Por c’ka Rama nuk sqaroi, e bëri Presidenti Meta. Një ditë pas konfirmimit të masës arrest me burg për djalin e deputetit Rraja, konfirmoi se e kishte marrë letrën e nënkomisar Emiljano Nuhut, që denonconte ndërhyrjet e kërcënimet ndaj tij për çështjen ku përfshihej djali i deputetit.

Duhet thënë se çështja e vajzës viktimë të Fushë-Krujës po i reziston traditës së çudisë që zgjat tre ditë. Një tjetër çështje po tentohet të infiltrohet në debatin publik, për të zbehur të parën. Në mbi 4 muaj nga publikimi i atij që njihet si audiopërgjimi i Babales, që implikoi edhe vëllain e ministrit të Brendshëm, është raportuar një maratonë e pashpjeguar për publikun e përcjelljes së materialit për ekspertizë, fillimisht në Itali, e më pas në Britaninë e Madhe, edhe pse vetë Kryeministri, tha se e mori një rezultat brenda 24 orëve.

E kur pikëpyetjet publike rriteshin për mungesën e arrestimit të djalit të deputetit të akuzuar për dhunë, më 26 Shtator rodhi në media se përgjigja e audiopërgjimit nga Britania kishte mbërritur, e po përkthehej.

Përse vallë Km duhej të ishte në dijeni të asaj që do prodhonte ai hetim i prokurorisë së krimeve të rënda? Ky rast flagrant, i shpëtoi panelit që kishte përballë, edhe pse i njëjti kryeministër, pak minuta para asaj deklarate, kishte thënë se ai nuk mund të kishte dijeni për procedurat e prokurorisë së Krujës ku po hetohej djali i deputetit të tij.

Padyshim që ai paralajmërim i Kryeministri, rriti interesin kur prokuroria thirri të premten për të marrë në pyetje për çështjen e audiopërgjimit deputetin demokrat Salianji. U shfaq pa një avokat në krah dhe sqaroi mediat pas dy orësh seancë pyetjesh.

Informacioni hetimor i kryeministrit u vërtetua të shtunën pasdreke. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata për Krimet e Rënda lëshoi një urdhër arresti për personin që realizoi audiopërgjimin, Albert Veliun, i njohur si “Babalja” për kallëzim të rremë. Kërkesa për masë erdhi pasi akt-ekspertiza britanike konstatoi se audio-përgjimi ishte i montuar, e se në të nuk identifikohet zëri i Geron Xhafajt.

Personi që pretendohej si Geron Xhafaj, dyshohet të jetë Fredi Alizoti, kunati i Albert Veliut. Edhe për të u lëshua një urdhërarresti. Prokuroria akuzon për kallëzim të rremë edhe gazetarin Jetmir Olldashi, e ndaj tij është dhënë masa për detyrim paraqitje. Me tone optimiste erdhi reagimi i Kryeministri, pasi u vërtetua ç’ka kishte paralajmëruar vetë, dy ditë më herët.

/abcnews.al

bbb.png
G. P.18:45 | 04/10/2018

Pasi përfundoi dëshminë e tij rreth 120 minuta në Prokurorinë e Tiranës, Taulant Balla, deklaroi se duhet të marrë fund politika e shpifjes dhe e denigrimit të kundërshtarit. Sipas kreut të grupit të PS, Lulzim Basha, Emiljano Nuhu, Basir Çollaku dhe të tjerë janë një grup i strukturuar dhe të gjitha babalet do të sqarohen.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka folur për mediat pas dëshmisë që ka dhënë në prokurorinë e Tiranë për çështjen ‘Xhisiela’. Deputeti u shpreh se kjo është një betejë për të vërtetën dhe se ai mban përgjegjësi për kallëzimet penale që ka depozituar.

“Unë e garantoj opinionin publik sikurse kam thënë që ditën e parë, është një betejë, të cilën unë do ta fitoj jo në interesin tim, por të shqiptarëve, të cilët nuk duan më këtë lloj politike që del një budalla hedh një gur në lum dhe 100 të mençur mezi e nxjerrin”, tha Balla.

Balla u pyet nga prokurorja e Tiranës, Elsa Miha, ku ka dorëzuar tabulatet telefonike, duke vërtetuar sipas tij se nuk ka qenë në Fushë-Krujë në datë 21 Korrik sikur pretendon ish-oficeri Emiljano Nuhu.

Deputeti i PS akuzoi si pjesë e grupit të “strukturuar kriminal”, kreun e opozitës, Lulzim Basha, teksa shtoi se, të gjitha “Babalet” do të sqarohen.

Unë besoj se tashmë kemi një pasqyrë të qartë edhe të një grupi, që unë nuk do të hezitoja ta quaja të strukturuar mes Lulzim Bashës, Emiliano Nuhut, Basir Çollakut dhe persona të tjerë të paidentifikuar, e cila është detyrë e Prokurorisë, të cilët kanë fabrikuar një inskenim të turpshëm për të cilin do të mbajnë përgjegjësi“, u shpreh Balla.

Më herët, Balla kishte kallëzuar në të njëjtën prokurori deputetët e PD-së Edi Paloka dhe Enkelejd Alibeaj. Shkak janë bërë deklaratat e këtyre të fundit të datës 3 Tetor sa i takon çështjes së Xhisiela Malokut./abcnews.al

balla-2-1280x833.jpg
G. P.16:35 | 04/10/2018

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka kallëzuar në prokurori deputetët e PD-së, Edi Paloka dhe Enkelejd Alibeaj. Shkak janë bërë deklaratat e këtyre të fundit të datës 3 Tetor sa i takon çështjes së Xhisiela Malokut. Ky nuk është kallëzimi i vetëm i kreut të deputetëve të PS.

Vetëm javën e kaluar Balla depozitoi një tjetër kallëzim ndaj Lulzim Bashës, Basir Çollakut dhe Emiliano Nuhut. Kallëzimi penal është për veprat penale të “Fyerjes” dhe “Shpërdorimit të detyrës”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono