xherdan shaqiri

shaqiri-1280x754.jpg
G. P.19:13 | 16/12/2018

Xherdan Shaqiri ishte padyshim ylli i ndeshjes së të dielës mes Liverpool-it dhe Manchester United. I futur në lojë si zëvendësues, sulmuesi me origjinë shqiptare arriti të shënojë dy gola, duke i dhënë skuadrës së tij kreun e renditjes.

Shaqiri zëvendësoi Naby Keita-n në minutën e 70. Dy minuta më vonë ai shënoi golin e parë për Liverpool-in duke e kaluar dhe njëherë në avantazh skuadrën e tij.

Fillimisht kishte shënuar Sadio Mane, ndërsa Jesse Lingard e barazoi në minutën e 33. Qershia mbi tortë erdhi 8 minuta më vonë, kur Shaqiri shënoi golin e dytë dhe duke siguruar fitoren. Tashmë “The Reds” ndodhen në vendin e parë, një pikë larg rivalëve të Manchester City.

Fitorja e sotme është një fitore shprese për tifozët e Liverpool-it, të cilët më në fund kanë të drejtë të mendojnë se ky mund të jetë me të vërtetë viti i tyre që të përfundojnë të parët në Premier League./abcnews.al

shaqja.jpeg
G. P.21:26 | 11/11/2018

Xherdan Shaqiri ishte sërish vendimtar për Liverpulin në Premier Ligën angleze. Shqiptari i Zvicrës shënoi gol në fitoren e radhës, duke lënë pas humbjen e pësuar në Beograd.

Nga një përforcim i mirë është kthyer në një lojtar thuajse të domosdoshëm. Xherdan Shaqiri ia mori “me dhunë” Jurgen Klopit vendin në formacion, dhe tashmë gjithçka që del nga këmbët e tij kthehet në “ar”. Mungesa e shqiptaro-zviceranit padyshim u ndje në Beograd, në humbjen 0-2 në Champions ndaj Crvena Zvezdës, por ja që “muzika” ndrysho sapo Liverpuli u kthye në Angli.

Fitore 2-0 ndaj Fulhamit në “Anfild”, me gola të Mohamed Salahut dhe pikërisht të Shaqirit, nga një në secilën pjesë loje. Miqtë nuk patën fat me gjykimin kur iu anulua një gol i sulmuesit serb, Mitroviç, që u duk i rregullt, dhe vetëm 14 sekonda më pas, Salah kaloi vendasit në epërsi.

Shaqiri luajti për 81 minuta dhe u vlerësua me një notë mjaft të lartë, 7.5, po aq sa Mohamed Salah, duke qenë dy nga më të mirët për ekipin e Klopit. Liverpuli luajti keq në pjesën e parë, duke e ndjerë goditjen e marrë në Serbi, por goli i egjiptianit bëri që gjërat të ndryshonin dhe fitorja të ishte jo me shumë mundim.

Të kuqtë u ngjitën në kuotën e 30 pikëve në Premier Ligë, me 3 gola të shënuar e vetëm 5 të pësuar, dhe misioni “titull” vazhdon të realizohet me sukses. Nëntë fitore, tre barazime e zero humbje, është bilanci në kampionat deri tani këtë sezon.

DAILY-MAIL-SHAQIRI_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.11-1280x720.jpg
G. P.12:34 | 07/11/2018

Vendimi i Liverpul për të lënë jashtë ekipit futbollistin me origjinë shqiptare Xherdan Shaqiri në ndeshjen kundër Cverna Zvezdës në Beograd, është komentuar nga shumë media britanike. Daili Mail shkruan se në këtë rast kanë fituar idiotët.

Prestigjozja britanike Daili Mail i ka dhënë shumë hapësirë vendimit të ekipti të Liverpul për të lënë jashtë formacionit futbollistin me origjinë shqiptare Xherdan Shaqiri, në ndeshjen kundër Cverna Zvezdës në Beograd. Në titullin kryesor shkruhet: Fituan idiotët! Shaqiri nuk udhëtoi me skuadrën e Liverpulit për t’u përballur me Crvena Zvezdën në Beograd. Shqiptari i Kosovës që luan për Zvicër festoi me shqiponjën dykrenare golin kundër Serbisë në Botëror. Vendimi për të mos e marrë Shaqirin ka bërë që tashmë ky vendim të konsiderohet politik shkruan Daily Mail.

Liverpool u mundua të ulte tensionet në Beograd dhe la Xherdan Shaqirin në shtëpi kur udhëtoi për në stadiumin “Marakana” në Serbi për tu përballur me Crvena Zvezdën mbrëmjen e së martës, ku ekipi britanik u mund me rezultatin 2 me 0 në ndeshjen e vlefshme për Champions League.
Vendimi u mor për të evituar një lloj hakmarrjeje për lojtarin që bëri shqiponjën me duar, simbolin e Shqipërisë, pasi shënoi për Zvicrën në Botëror duke e mundur Serbinë, vendin që patriotët e tij e luftuan për të fituar pavarësinë, shkruhet më tej. Trajneri i Liverpul Jurgen Klop pak ditë para ndeshjes shprehej se ky nuk ishte një vendim i kërkuar nga Shaqiri pasi ai dëshironte të luante. Por e ka pranuar duke kuptuar situatën.

…dhe Liverpool humbi. Sepse një gjë që duhet vlerësuar në golin kontrovers të Shaqirit për Kombëtaren zvicernae në fitoren 2-1 në Kaliningrad këtë verë. Mënyra e festimit të Shaqirit suhte një reagim ndaj sjelljeve të tifozëve serbë të cilët fishkëllenin sa herë aiprekte topin. Dhe sa herë portreti I tij shfaqej në ekranin e madh atë e fyenin. Por ai u largua nga fusha me kokën dhe duart lart tek tifozët serbë, triumfues edhe pse shtatshkurtër. Vendimi i Liverpool ka vendosur një precendent që nuk i ndihmon futbollit. Dy javë më parë, trajneri i Crvena Zvezdës bëri një deklaratë publike për pritjen që do i bëhej Shaqirit nëse shkonte në Beograd.
“Mendoj që Shaqiri do të përjetonte një presion të madh psikologjik”, tha Terzic. “Ai e di ku po vjen. Nuk e di nëse ai do të luan në Marakana në këto kushte”.
Një deklaratë e papranueshme, sipas Daili Mail, e bërë nga një ekip që përdor politikën si mjet për të përfituar duke lënë Liverpoolin pa një lojtar të rëndësishëm në Beograd.

Nuk ka pasur asnjë agjenci inteligjente që ka paralajmëruar për ndonjë kërcënim me jetë kundër Shaqirit. Madje nuk ka pasur as ndonjë parullë të përgatitur kundër lojtarit para kësaj ndeshje, shkruante gazetari i njohur serb i sportit Milos Markovic. Crvena Zvezda i ka tërhequr vërejtje tifozëve për faktin se klubi është në presion të vazhdueshëm të UEFA-s dhe rrezikon gjoba të rënda dhe ndoshta edhe eliminim nga gara nëse sinjalizohen sjellje kundër rregullave të saj. Por, idiotët fituan. Në vend që të largojnë elementin politik dhe të “fokusohen në një ndeshje futbolli, të lirë nga çdo gjë”, siç tha Klopp, vendimi ishte më shumë politik. Nuk ka asnjë justifikim për supozimet që dominuan konferencën për shtyp në stadium, përfundon shkrimi./abcnews.al

IDRO-SHAQIRI-SERBI-ABC-1280x720.jpg
ent ela22:15 | 05/11/2018

Futbollistët e Liverpool kanë arritur në kryeqytetin serb pa bashkëlojtarin e tyre, Xherdan Shaqiri. Shqiponja e ndeshjes me Serbinë i ka kushtuar futbollistit pasi në Serbi pritja e tij shihej si një provokim.

Për ta bërë më të lehtë klubi do të luajë pa të. Serbët e dinë se shanset për ta mundur klubin anglez i kanë të vogla. Por, për klubin është i rëndësishëm rikthimi pas shumë vitësh në gara të rëndësishme.

Trajneri i Crvena Zvezdës nuk ka dashur të komentojë.

Vlladan Millojevic, KF Crvena Zvezda, Beograd: “Kjo ndeshje është e rëndësishme pasi presim një klub fantastic. Shpresojmë të jetë një spektakël dhe një festë e vërtetë. Kjo është e rëndësishme për qytetin tonë”.

Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka nuk kanë zbritur prej muajsh nga faqet e gazetave në Serbi. Arritja e Shaqirit mund të shkakonte problem sigurie në një stadium me 50 mijë ulëse. Gazetarët thonë se më lehtë do të kalonte një klub shqiptar.

Dragutin Buzhic, Gazetar i sportit “Alo”: “Sigurisht që Shaqiri nuk do të pritej me lule këtu dhe do të kishte fishkëllima. Por, po të bëhej fjalë për dike tjetër do të ishte më e lehtë pasi besoj se një pjesë e tensioneve kanë kaluar tashmë”.

Crvena Zvezda që kishte qenë dikur kampion njihet si klub serb, kurse Partizani si klub me fansa jugosllav, pavarësisht se të dyja mbajnë emër komunist. /abcnews.al

 

 

SHAQIRI-NUK-SHKON-NE-BEOGRAD-1280x660.jpg
ent ela16:27 | 05/11/2018

Xherdan Shaqiri nuk do të udhëtojë në Beograd për ndeshjen e Liverpulit në Champions. Klubi anglez nuk deshi të rrezikonte konflikt me tifozët serbë, që mund ta sulmonin shqiptarin e Zvicrës.

Festimi pas këtij goli thuhet se e bëri të pamundur. Shqiponja e bërë me duar në rrjetën e Zvicrës ndaj Serbisë, mund të quhet arsyeja kryesore që Xherdan Shaqiri nuk do të jetë në Beograd me Liverpulin për ndeshjen e Championsit.

Shqiptari i Zvicrës u sulmua shumë, në Serbi, por edhe në vendin e tij, ndërsa trajneri Jurgen Klop mori vendimin për të mos e marrë me vete në udhëtimin e fundit.

“Duam që të përqëndrohemi vetëm tek futbolli, – u shpreh Klopi, – do të shkojmë në një qytet të shkëlqyer si Beogradi dhe duam që të japim vetëm mesazh sportiv”.

Nëse Shaqiri do të shkonte me skuadrën, pritej reagim i ashpër i grupimit të tifozëve ultras të Zvezdës, të njohur me emrin “Delije”, dhe që janë në gjendje të krijontë trazira, ashtu si ata të Partizanit të Beogradit.

Frika në kryeqytetin e Serbisë ishte e madhe, siç u pa edhe vitin e kaluar kur Skënderbeu luajti ndaj Partizanit në Ligën e Europës.

Mediat serbe i dhanë jehonë lajmit.

“B92” shkroi thjesht: Klopi e pohon që Liverpuli nuk do ta marrë Shaqirin me vete në Beograd!

“Kurir” bëri më shumë koment: Shaqiri nuk do ta shohë ferrin e “Marakanës”! Shqiptari mbetet në Angli, dhe trajneri Klop thotë: Na thanë se çfarë pritjeje do t’i bëhej atij!

Mungesa e Shaqirit pritet të jetë një minus për anglezët.

Ai luajti shumë mirë në ndeshjen e parë ndaj Zvezdës në “Anfild”, fituar 4-0 nga Liverpuli, dhe ka qenë në formë të shkëlqyer gjatë këtij sezoni.

Shqiptari i Zvicrës ka shënuar gola, ka shërbyer pasime vendimtare dhe ka fituar minutazh gjithnjë e më të madh në fushë. /abcnews.al

shaqiri.png
G. P.17:15 | 28/10/2018

Xherdan Shaqiri bëri një tjetër paraqitje të madhe për Liverpulin dhe meritoi lavdërimet e trajnerit Klop. Kjo, edhe pse shqiptari i Zvicrës u aktivizua vetëm për gjysmë ore në ndeshjen e Premier Ligës.

Vështirë të jetë gjithnjë titullar në një skuadër të tillë. Xherdan Shaqirit, megjithatë, nuk i prishi aspak punë që e nisi nga stoli ndeshjen e Premier Ligës ndaj Kardifit, përkundrazi, ndoshta i bëri mirë. I lodhur nga ngarkesa e madhe tek Liverpuli dhe Zvicra, 26-vjeçari ishte me energjitë e duhura për të bërë diferencën, dhe për të realizuar misionin për të cilin e hodhi në fushë trajneri Jurgen Klop. Shënoi një gol dhe krijoi një tjetër, rendiment i mrekullueshëm në vetëm gjysmë ore lojë. Po ashtu, konfirmimi i radhës, të cilin e theksoi edhe Klopi pas ndeshjes.

“Shaqiri luajti 4 ndeshje radhazi nga 90 minuta, me skuadrën tonë dhe kombëtaren, ndaj vendosa të mos e aktivizoj që në fillim, – tha Klopi, – Kur ai hyri në fushë, ishte strumbullar i dy golave të bukur. Ai luajti shumë mirë dhe për mua është gjithnjë e më e vështirë që ta lë në stol. Gjithsesi, ne kemi nevojë për 14 lojtarë për çdo ndeshje, dhe është gjë e madhe që kemi mundësi të hedhim në fushë një cilësi kaq të lartë”.

Natyrisht, Liverpuli nuk ishte vetëm Shaqiri në suksesin 4-1 ndaj Kardifit. Mbi 53 000 tifozë në “Anfild” u kënaqën nga loja e skuadrës së tyre, që pati epërsi të madhe, duke mbajtur topin 80 për qind, duke gjuajtur 19 herë ndaj 2 të kundërshtarit, e duke pasur 8-0 goditjet nga këndi. Liverpuli ka 26 pikë duke mbetur në krye të Premier Ligës, e duke qenë pretendent I madh për titull, së bashku me Mançester Sitin dhe Çelsin./abcnews.al

s.jpg
G. P.15:53 | 27/09/2018

Xherdan Shaqiri mori një kritikë të ashpër dhe publike nga trajneri Jurgen Klopp, pasi Liverpuli u eleminua nga Chelsea në Kupën e Ligës. Trajneri gjerman shpjegoi pas ndeshjes se përse e qortoi shqiptarin e Zvicrës.

Nuk pritej që përfundimi të ishte i tillë. Pak besohej se Liverpool-i do të eleminohej kaq shpejt nga Kupa e Ligës, dhe që trajneri Jurgen Klopp do të kishte kritika, madje publike, për shqiptarin e Zvicrës, Xherdan Shaqiri.

Gjermani nuk e mbajti dot veten pa i folur me nerva sulmuesit me numrin 23, që luajti titullar. Vetë Klop deklaroi pas takimit të humbur 1-2 në “Anfield” se ai thjesht i kërkoi Shaqirit që të kishte ekzekutuar ai, goditjen e fundit të dënimit në dispozicion të Liverpool-it, ndërsa gjuajtjen e bëri kapiteni Jordan Henderson.

Gjithsesi, pati edhe momente të tjera kur trajneri vendas u tregua i pakënaqur me lojtarin me origjinë nga Kosova, një herë kur kërkoi që Shaqiri të bënte më shumë presion ndaj kundërshtarëve, dhe një herë kur i kërkoi të mos vonohej në zonën e rreptësisë duke kërkuar penallti, por të ngrihej e të vazhdonte lojën.

Shaqiri bëri edhe gjëra të mira, duke krijuar raste për shokët, ndërsa vendasit kaluan në epërsi me anë të sulmuesit Daniel Starridge. Ish-lojtari i Chelsea-t realizoi në minutën e 59-të.

Gjithsesi, blutë e Londrës reaguan dhe ia dolën të fitonin, me rrjetat e shënuara nga Emerson dhe Eden Hazard. Ishte një ndeshje që Chelsea i trajnerit Maurizio Sarri e fitoi me meritë, ndërsa të dyja skuadrat nuk aktivizuan të gjithë lojtarët kryesorë.

Miqtë u duk se e qarkulluan më mirë topin dhe u ndjenë më mirë në fushën e një rivali të madh, që i kishte fituar të gjitha ndeshjet e këtij sezoni deri tani. Sidomos, goli i shënuar nga Hazar ishte i veçantë.

Ylli i Belgjikës jo vetëm tregoi se po i afrohet nivelit të më të mirëve të botës dhe se do të synojë Topin e Artë në të ardhmen, por dhe i dha shpresë Chelsea-t se mund të luftojë këtë vit për trofetë kryesorë, titullin në Angli dhe Championsin./abcnews.al

PREMIER-LIGA-FITOJNE-LIVERPUL-DHE-SITI-1280x720.jpg
ent ela21:15 | 22/09/2018

Liverpuli mbajti kreun e Premier Ligës me një tjetër fitore të thellë. Xherdan Shaqiri u aktivizua nga trajneri Klop duke qenë një nga më të mirët në fushë.

Pesë fitore radhazi quheshin shumë, por si t’ia vëmë emrin kur bëhen gjashtë?

Liverpuli nuk e pati problem sesi do të komentohen sukseset e tij, por thjesht deshi që seria e triumfeve në Premier Ligë të mos ndërpritej.

Kështu edhe ndodhi, ndërsa formacioni i trajnerit Jurgen Klop mposhti 3-0 Sauthemptonin në “Anfild”, me një epërsi që vendosi gjithçka që në pjesën e parë.

Tekniku gjerman i dha shansin e titullarit, më në fund edhe Xherdan Shaqirit, dhe shqiptari i Zvicrës nuk e zhgënjeu.

Tepër i vendosur dhe energjik, përkundër ndonjë gabimi për shkak nxitimi, ai ishte protagonist i dy prej golave.

Fillimisht, detyroi mbrojtjen mike ta dërgonte topin në rrjetë, ndërsa më pas goditi shtyllën, duke ia bërë të lehtë Mohamed Salahut për të realizuar.

Mbrojtësi Matip shënoi një tjetër rrjetë, ndërsa Liverpuli mbajti kreun e renditjes me 18 pikë nga 18 të mundshme.

Sukses i thellë edhe për kampionin në fuqi, Mançester Sitin.

Skuadra shumë e fortë e Pep Guardiolës la pas humbjen e papritur në Champions me Lionin, duke ia nxjerrë inatin Kardifit, madje brenda në Uells.

Përfundoi 5-0 me katër autorë golash. Kun Aguero, Bernardo Silva, Ilkai Gyndogan dhe dy herë Rijad Mahrez ishin ata që realizuan, ndërsa Siti ka 16 pikë, vetëm dy më pak se kreu.

Një moment tepër emocionues ndodhi në “Old Traford”, ku u kthye për herë të parë që pas sëmundjes, ish-trajneri I Mançester Junajtidit, Sër Aleks Ferguson.

Brohoritja për të ishte madhështore, por kryesisht nga tifozët, pasi skuadra në fushë zhgënjeu përsëri.

Të besuarit e Zhoze Murinjos e futën edhe një herë veten në krizë me barazimin shtëpiak ndaj Uolvesit.

Fred kaloi “djajtë e kuq” në epërsi në 18’, por ishte një portugez që i prishi punë patriotit të tij.

Zhoao Mutinjo barazoi në pjesën e dytë, ndërsa Junajtidi mbeti plot 8 pikë prapa kreut, kur kanë kaluar vetëm 6 ndeshje nga kampionati. /abcnews.al

LIVERPOOL-SHAQIRI-BEOGRAD-ABCM3T1.mpg_snapshot_00.15-1280x720.jpg
G. P.18:33 | 22/09/2018

Mediat serbe raportojnë se futbollisti me origjinë shqiptare i Liverpool, Xherdan Shaqiri, mund të mos jetë pjesë e ekipit në përballjen e 6 nëntorit në Beograd ndaj Cerna Zvezda – yllit të kuq. Vendimi mund të merret për të shmangur tensionet politike në fushën e gjelbër.

Lojtari i kombëtares zvicerane dhe Liverpool-it Xherdan Shaqiri, i lindur në Gjilan, mund të mos jetë në ndeshjen e 6 nëntorit e vlefshme për Champions League, në Beograd. Mediat serbe citojnë Goal.com, duke shkruar se Liverpool po merr në konsideratë të lërë Shaqirin jashtë ekipit për ndeshjen e Grupit C kundër skuadrës serbe Cerna Zvezda – Yllit të Kuq. Kjo për të shmangur tensione politike.

Më tej mediat serbe raportojnë se festimi i Shaqirit pas golit të shënuar ndaj Serbisë në kampionatin botëror Rusi 2018, është ende i freskët në kujtesën e serbëve. Kjo pasi lojtari me origjinë shqiptare që luan për kombëtaren zvicerane, krijoi me duar simbolin e Shqiponjës dhe mban flamurin e Kosovës në atletet e tij. Elemente këto që mund ta vënë në qendër të një presioni shumë të madh përballë më shumë se 50 mijë tifozëve serbë të Yllit të Kuq në Beograd.

Media serbe B92 citon dhe drejtorin sportiv të Yllit të kuq Zvezdan Terzic, i cili tha se ekipi i tij do të bëjë detyrën duke mbrojtur Shaqirin sic do lojtar tjetër të Liverpool por ai shtoi se nëse Shaqiri do të jetë pjesë e ndeshjes, do të jetë më i vogël se një lulëkuqe./abcnews.al

PJ-2-ALFRED-LELA.mpg_snapshot_19.53-1280x720.jpg
ent ela21:26 | 18/09/2018

Gjesti i duarve te Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit në ndeshjen e botërorit Serbi-Zvicër bëri bujë në mediat ndërkombëtare. Për këtë çështje i ftuar në “Provokacija” nga Mustafa Nano, drejtuesi i Politiko.al Alfred Lela.

Sipas Lelës, Kampionati Botëror i Futbollit duhet të jetë simfoni e shenjave dhe simboleve të një kombi, përderisa ata nuk janë fyese dhe ofenduese.

“Shqiponja shqiptare nuk ka ngarkesë agresive. Qëndrimi zvicerian më zemëroi, nuk mund ta kesh ekipin fizikisht multikulturor dhe shpirtërish unikulturor.”

Ai u shpreh se shqiponja e bërë gjatë lojës së Zvicrës nuk është gjest politik në raport me Zvicrën pasi 4 lojtarë janë me ekipin dhe ata kanë treguar besnikëri duke mos e lënë Zvicrën.

“Shqiptarët janë më të mirët e asaj skuadre. Duhet të guxojmë të jemi jo politikisht korrekt sepse e kundërta grumbullon një zemërim që mbulohet. Nuk jemi ne shkaktarët, nuk duhet të biem në rolin e viktimës pasi nuk është faji ynë.”

Në lidhje me çështjen e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, Alfred Lela tha se nëse palët bien dakord për një shkëmbim adekuat territoresh atëhere marrëveshja duhet të bëhet./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono