xhafa

vlcsnap-error142-1280x720.jpg
ent ela15:42 | 19/02/2018

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj paralajmëroi Vetting edhe për politikanët. Të parët që do të kalojnë në këtë proces, sipas Xhafaj, janë ata që kanë pasur rol vendimmarrës në fatet e vendit dhe të qytetarëve.

Në Komisionin e Sigurisë, Fatmir Xhafaj theksoi se pas Vetting-ut në polici, SHÇBA dhe Gardën e Republikës, do të nisë edhe Vetting-u në politikë. Ai shtoi se procesi do të fillojë dhe nga vetë ministri i Brendshëm.

 

“Shumë shpejt do kemi Vetting në politikë, në mënyrë të veçantë të atyre që kanë pasur rol vendimmarrës në fatet e këtij vendi dhe në pasuritë e qytetarëve të këtij vendi. Vetting-u në politikë le të fillojë nga ministri i Brendshëm”, deklaroi ministri.

 

Por nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka i renditi disa pyetje ministrit Xhafaj, lidhur me kanabizimin si edhe inkriminimin e policise në mandatin e kaluar.

 

Procesi i vetingut në polici ka në themel tri shtylla, kontrolli i figurës, pasuritë dhe profesionalizimi i punonjësve te uniformave blu. Xhafaj theksoi se synim është evidentimi i personave të inkriminuar në polici. Sipas ministrit, procesit te vetingut do t’i nënshtrohen jo vetem efektivet dhe zyrtaret që shërbejnë aktualisht në polici, por edhe ata punonjës që janë larguar nga radhët e policisë./abcnews.al

vlcsnap-error239-2-1280x720.jpg
ent ela14:43 | 13/01/2018

Kryeministri Rama pohoi gjatë një aktiviteti në Lezhë me rastin e 105 vjetorit të Policisë, se uniformat blu nuk kanë qenë të imunizuara nga korrupsioni deri në nivele të larta. Ai pranoi gjithashtu se ka pasur drejtues policie të përfshirë në veprimtari kriminale në bashkëpunim me trafikantë. Për këto arsye, vettingu në Polici, sipas Ramës, është po aq i rëndësishëm sa ai në drejtësi.

Bilancin e 4 viteve të fundit në çështjet e rendit, e nisi nga sukseset, duke përdorur atë që e quan “gjuha e thatë e rezultateve”. Nxjerrja e Shqipërisë në vitin 2017 nga harta e vendeve kultivuese dhe trafikuese të lëndëve narkotike, sipas Edi Ramës, mbylli një plagë të vjetër. Kryeministri nuk harroi as rekordin minimal të vrasjeve në 27 vitet e fundit.

Në 105 vjetorin e Policisë së Shtetit, Kryeministri pranoi se gjuha e rezultateve nuk mund të fshehë problemet.

Pastrimi i policisë nuk përfundon me shkarkimet dhe lëvizjet në rradhët e saj, nënvizoi Rama, teksa shpjegoi përse e quan vettingun e uniformave blu po aq të rëndësishëm sa ai në drejtësi.

Përveç punës së uniformave blu, komentoi edhe atë të Qeverisë, duke pranuar se jo gjithcka ka funksionuar.

Në 105 vjetorin e Policisë, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, tregoi çfarë duhet të mësojë politika nga historia, në marrëdhënien e saj me policinë.

Për këtë, Xhafaj bëri thirrje që të ndalet dhuna verbale ndaj policisë së shtetit nga kush synon ta tregojë atë si një organizatë të inkriminuar./abcnews.al

vlcsnap-error612-1280x720.jpg
ent ela14:30 | 12/01/2018

Ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin zhvilluan sot në mesditë një takim me ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj në zyrën e këtij të fundit. “Forca e Ligjit” dhe Vettingu në Policinë e Shtetit janë dy temat e nxehta që janë diskutuar mes diplomateve të huaj dhe ministrit Xhafaj. Në operacionin “Forca e Ligjit” për goditjen e grupeve kriminale dhe aseteve të tyre janë angazhuar ekspertët më të mirë në vend, por edhe europiane dhe të FBI-së. Pas interesimit të ABC News pranë zyrës së shtypit të ambasadës amerikane nëse në takim ishte diskutuar për çështje të korrupsionit të nivelit të lartë apo të tjera si ajo e ish-ministrit Tahiri, ambasada bëri të ditur qëndrimin e zotit Lu se çështja Tahiri kërkon një hetim të plotë dhe proces të paanshëm ligjor. “Ashtu si vetë Z. Tahiri dhe shumë udhëheqës të tjerë shqiptarë e kanë thënë, kjo çështje duhet zgjidhur në gjykatë, duke shqyrtuar të gjitha faktet- thuhet ne pergjigjen e ambasades per ABC NEËS. “Bota, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, po e ndjek nga shumë afër këtë çështje dhe çështje të tjera sensitive, si ato të Emiljano Shullazit, Lul Berishës dhe tre gjykatësve të apelit në Durrës. Ne kemi ofruar mbështetjen e prokurorëve federalë amerikanë dhe agjenci të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar ndihmë teknike Prokurorisë në kryerjen e një hetimi të plotë, i cili ka për qëllim zbulimin e të vërtetës- vijon ambasada e SHBA. Ne do donim të shihnim një hetim më aktiv nga prokurorët dhe policia gjyqësore, dhe e kemi përcjellë këtë mesazh. Në një demokraci të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin”- mbyllet përgjigja që ABC News mori nga ambasada amerikane pas këtij takimi të ambasadorit Lu me ministrin Fatmir Xhafaj./abcnews.al

basha-80nXfKGHemm1mv6hqDUGbTdpkxIfGUslbXNPUg3u.jpg
us er15:21 | 24/11/2017

Lulzim Basha mbërriti në Kryesinë e Kuvendit për një takim me të tijtë, anëtarë të Komisionit të Ligjeve dhe Sigurisë. Në dalje para gazetarëve akuzoi kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm për dekonspirimin e aksionit për arrestimin e ish-zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit.

“Si mund të arrestojë Xhafaj ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, që për katër vite ka mbrojtur vëllain e tij. Fatmir Xhafaj po refuzon të zbatojë urdhrin ndërkombëtar të arrestimit për vëllain e tij”.

Demokratët janë dakord me Vettingun në polici, madje dhe qeveri e politikë, por të tjera duhet ta bëjnë.

“Pastrimi duhet të nisë me Vettingun jo të policisë, por të ministrisë dhe të qeverisë. Kjo duhet kryer nga ekipe profesionale dhe me integritet. Natyrisht kjo nuk mund të ndodhë pasi gjithë skema kontrollohet nga Edi Rama. Hapi i parë është largimi i Edi Ramës”.

Ndërkohë, Basha paralajmëroi veprim ligjor për çështjen e prokurorit të përgjithshëm.

“Qëndrimi ynë për Prokurorin e Përgjithshëm është i qartë: atë nuk mund të emërojë Edi Rama, Fatmir Xhafaj apo Saimir Tahiri. Ne kemi një plan të qartë veprimi”.

Ndërsa i pyetur për nismën e mazhorancës për shkarkimin e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Basha tha se çdo veprim i mazhorancës do të ishte antikushtetues.

“Nuk ka asnjë mundësi kushtetuese që kreu i KQZ të shkarkohet nga kjo mazhorancë. Çdo shkelje do marrë përgjigjen e merituar”./abcnews.al

 

 

 

vlcsnap-error047-1280x720.jpg
us er11:53 | 20/11/2017

Ligji për Vettingu në polici është ende në proces hartimi dhe sipas ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, shumë shpejt ai do të jetë gati dhe do të bëhen publike rezultatet e tij.

Vettingu në radhët e uniformave blu do të japë efektet e tij pozitive, e për këtë gjë, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, kërkoi t’ia lerë kohës rezultatet që do të arrihen në të ardhmen.

“Siç është bërë e njohur Vettingu është në procesin e hartimit të kuadrit ligjor. Besoj se shumë shpejt ju do të njiheni me dokumentin dhe analizën dhe me planin e veprimet. Dhe gradualisht ne do të kalojmë tek aktet rregullatorë, me synimin me shpresën, së bashku me asistencën ndërkombëtare që kemi angazhuar për këtë proces, të mund ta përmbyllim brenda këtij viti”.

Xhafaj pranoi se, ka punonjës policie të implikuar si në kultivimin e lëndëve narkotike ashtu edhe në trafikim e tyre dhe për këtë arsye Vettingu eshte i domosdoshëm.

“Të jemi korrekt. Thjesht informacione për njerëz të caktuar. Normale sepse unë jam ministër i Brendshëm dhe bën pjesë në funksionet e mia. Por të bësh një Vetting të të gjithë atyre, kaq të gjerë me të gjitha këto kërkesa që ne kemi paraqitur është një tjetër gjë. Le t’ia lëmë kohës”.

Në fund, ministri Brendshëm nuk komentoi vendimin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, e cila ka përjashtuar nga aksesi në informacione një sërë oficerësh policie./abcnews.al

vlcsnap-error826-1280x720.jpg
us er16:01 | 11/11/2017

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi qe burime të sigurta i kanë bërë me dije se “Prel Enriko Zyla ka qenë i dënuar për trafik dhe shpërndarje droge në Romë, Itali, dhe ka vuajtur dënimin në burgun e Rebibbias. Sipas tij partnerët e kanë ngritur disa herë këtë çështje. Por ai akuzon se, si shumë të inkriminuar të tjerë në polici, Zyla, mbrohej nga Habiljat në kohën e Tahirit dhe nga Agron Xhafa tani që ministër i Brenmdshëm është vëllai i tij, Fatmir Xhafa./abcnews.al

vlcsnap-error234.jpg
us er12:58 | 03/11/2017

Në konferencën e zhvilluar në Tiranë “Misioni i monitorimit ajror 2017 në luftën anti-kanabis” ministri i Brendshem Italian e cilësoi bashkëpunimin mes dy vendeve në këtë fushë si histori suksesi. Por ministri Minniti kërkoi goditjen e trafikantëve të drogës dhe të paprekshmeve që i mbrojnë ata.

Marco Minniti, Ministër i  Brendshëm i Italisë: “Operacionet e suksesshme duken në kohë, kemi arritur në rezultat të jashtëzakonshëm dhe duhet ta mbajmë edhe për vitet e ardhshme. Do të keni bashkëpunim të plotë nga ana jonë. Ne duhet ti godasim trafikantët, organizatat e mëdha që menaxhojnë trafiqet, duhet të godasim të ashtuquajturit të paprekshëm, se ne Itali, Evropë nuk ka të paprekshëm”.

Ministri i brendshëm italian theksoi se si një njeri që e njeh Shqipërinë, ajo ka ndryshuar shumë dhe për mirë dhe për këetë sipas tij, duhet të jenë të gjithë krenarë.

Ndërsa Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Fatmir Xhafaj theksoi se gjatë vitit 2016 u konstatua një rritje e kultivimit të kanabisit, ku u përfshinë edhe disa oficerë policie.

Vizita e ministrit të brendshëm Italian në Tiranë ndodh disa ditë pas arrestimit në Itali të një bande italo-shqiptare të trafikut të drogës, që drejtohej nga Moisi Habilaj.

Ministri i brendshëm Italian Marko Minniti, e cilësoi të përmbushur me sukses fazën e parë të këtij procesi. Ndërsa homologu i tij shqiptar Fatmir Xhafaj deklaroi në konferencë se angazhimi i qeverisë dhe bashkëpunimi me palën italiane do të vazhdojnë.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono