xhacka

vlcsnap-error285-1-1280x720.jpg
ent ela12:57 | 13/02/2018

Karriera në Forcat e Armatosura të jetë e pastër si një garë sportive. Apeli vjen nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sporteve në ushtri.

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë iu bashkuan ushtrive nga 135 vende të tjera në Ditën Ndërkombëtare të Sporteve në ushtri.

Ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të të gjitha gradave garuan në dy disiplina, 10 km për vrapuesit djem dhe 6 km për vrapueset vajza.

Në vendin e parë për djem u rendit kapiten Bledar Mesi, i ndjekur nga ushtar Alban Faslliu nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Në vendin e tretë u rendit toger Renato Dordi nga Forca Ajrore.

Në kategorinë e vajzave, vendin e parë e zuri kadete Xhuliana Tahillari nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes. Në vendin e dytë u rendit ushtare e tretë Sadete Popshini, ndërsa në shkallën më të ulët të podiumit u pozicionua Artemisa Axhami nga Policia Ushtarake.

“Ne jemi plotësisht të angazhuar që edhe karriera juaj t’i përngjajë kësaj gare të bukur sportive. Dhe po punojmë që kjo garë të jetë e pastër, e ndershme dhe e shëndetshme. Një garë ku secili prej jush të vlerësohet dhe promovohet në bazë të meritave dhe të performancës së treguar gjatë punës.

Kjo garë e ndershme do t’ju krijojë mundësinë të gjithëve që të shprehin sa më mirë që të jetë e mundur, nivelin e përgatitjes profesionale, në shërbim të Forcave tona të Armatosura dhe do të rrisë nivelin profesional të saj, si rrjedhim edhe cilësinë e realizimit të detyrave.”

Dita e vrapimit të Këshilli Ndërkombëtar i Sporteve në ushtri zhvillohet çdo vit nga vendet anëtarë të kësaj organizate duke u kthyer në ditën ku ushtarakë dhe civilë vrapojnë së bashku në gjithë botën nën flamurin e sportit dhe paqes./abcnews.al

020-2.jpg
ent ela11:42 | 26/01/2018

Shqipëria dhe Turqia do të bashkëpunojnë në industrinë ushtarake dhe atë të mbrojtjes. Konfirmimin Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e mori gjatë takimit që zhvilloi me homologun e saj turk Nurettin Canikli në vizitën dy ditore që zhvilloi në Ankara.

Me truprojë nderi dhe ceremoni ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë është pritur Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka nga homologu i saj në Turqi.

Në vizitën e saj dy ditore veç marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve,me ministrin e mbrojtjes kombëtare të Republikës së Turqisë Nurettin Canikli u diskutua edhe për bashkëpunim dypalësh në industrinë ushtarake dhe të mbrojtjes.

“Diskutuam lidhur me bashkëpunimin aktual ushtarak për trajnim, arsimimin e përbashkët. U dakordësuam për mundësitë e shumta, të cilat do eksplorojmë dhe mora mbështetjen maksimale nga kolegu im Canikli për plotësimin e çdo kërkese nga Shqipëria. Edhe për modernizimin e FA gjeta mbështetjen maksimale për çdo projekt, i cili do të gjykohet i nevojshëm për t’u zhvilluar . Me homologun turk pata veçse dakordësi për të zhvilluar kapacitet ushtarake. Trajtimi mjekësor i personelit ushtarak në Turqi do të vazhdojë dhe do të shtohet për të plotësuar të gjitha nevojat shëndetësore mjekësore, të cilat nuk i përmbushim dot në Tiranë.”-

Ministrja Xhaçka, takoi edhe studentët shqiptarë që studiojnë në akademitë ushtarake turke. Ajo u shprehu rolin dhe rëndësinë e tyre brenda Forcave të Armatosura, sapo ata të përfundojnë studimet.

”U konfirmova studentëve tanë që shkollohen në akademitë ushtarake turke që, do të vazhdojnë të jenë ndër shembujt e mirë të disiplinës dhe profesionalizmit dhe presim prej tyre që të vijnë dhe të bëhen pjesë solide e piramidës sonë ushtarake.”

Në vijim të vizitës së saj, ministrja Xhaçka vizitoi disa fabrika të industrisë ushtarake dhe u njoh nga afër me mjetet, pajisjet dhe armatimet që prodhohen aty.

Gjithashtu ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë u prit në takime të veçanta nga ministri i Brendshëm i Turqisë z. Süleyman Soylu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura turke, gjeneral me katër yje Hulusi Akar.

Pjesë e vizitës zyrtare të ministres Xhaçka, ishin edhe homazhet dhe vendosja e një kurore me lule në Anıtkabir, Mauzoleun e Mustafa Kemal Atatürk./abcnews.al

 

vlcsnap-error915-1280x720.jpg
ent ela11:55 | 12/01/2018

Personeli mjekësor ushtarak po kontribon për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të prekura nga përmbytjet e fundvitit të kaluar. Angazhimi i mjekëve dhe infermierëve me vizita dhe kujdes shëndetësor, sipas ministres së mbrojtjes Olta Xhaçka, do të vijojë nga një fshat në tjetrin.

Efektivë te FA po asistojnë ekipet mjekësore në zonat e goditura nga permbytjet e dhjetorit ku kërkesat nga komuniteti  janë të mëdha. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka vizitoi ekipet mjekesore ushtarake ne zonën e Porto Romanos në Durrës.

“Gjatë Dhjetorit kaluam një muaj të vështirë, por që u përballua me sukses nga Forcat e Armatosura. Kur flasim për emergjencat civile, asistenca mjekësore për familjet e prekura nga moti i keq është një element me shumë rëndësi. 13 mjekë dhe infermierë të Forcave të Armatosura, ofruan kujdes shëndetësor në zona të ndryshme të vendit gjatë ditëve të emergjencave. U kryen mbi 900 vizita mjekësore gjatë 30 ditëve nga mjekë të specialiteteve të ndryshme. Mjekët dhe infermierët në uniformë do të jenë gjithë kohën të shpërngulur nga një zonë në tjetrën, për të plotësuar nevoja në staf mjekësor edhe infermierë atje ku do të ketë nevojë.

Deputetja  e PS, Klodiana Spahiu dhe prefekti i qarkut të Durrësit Roland Nasto vlerësuan mbështetjen që FA po i jep komunitetit.

“Unë doja të falenderoja të gjithë ekipin e qendrës shëndetësore, si edhe ekipin tuaj që ka ardhur për të dhënë një ndihmë modeste, në këtë zonë në nevojë dhe shpresoj që ky bashkëpunim të jetë edhe më i shpeshtë.

Sipas mjekëve në uniformë, bashkëpunimi me stafin e Ministrisë së Shëndetësisë në qendra shëndetësore ka ndihmuar në cilësinë e shërbimit për qytetarët.

“Në konsultat e kryera, deri diku kemi mundur të bëjmë një ndryshim të mjekimit, aty ku ne e kemi gjykuar, kuptohet në bashkëpunim me mjekun e familjes.

Forcat e Armatosura po kontribuojnë këto ditë edhe me dhurimin e librave artistikë në shkollat 9 – vjeçare dhe të mesme në disa bashki, kryesisht në zona periferike, duke shpërndarë 6 mijë tituj librash artistikë./abcnews.al

 

020-1-1280x853.jpg
us er10:07 | 30/12/2017

Prej ditës së sotme 6000 banorët e 10 fshatrave në bashkitë Dropull e Delvinë e kanë më të lehtë   komunikimin  me pjesën tjetër të bashkivë të tyre dhe më të gjithë vendin. Batalioni xhenio i Forcave të Armatosura ka ndërtuar në vetëm pak ditë dy ura, në Vanë dhe Llongo, të cilat u dëmtuan në fillim të këtij muaji pas përkeqësimit të motit. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë inspektimit të dy urave, siguroi se Forcat e Armatosura do të vazhdojnë të jenë pranë komunitetit jo vetëm gjatë ditëve të festave por në çdo ditë të vitit.

 

Faza post emergjencë është po kaq e rëndësishme sa edhe reagimi në orët e para të emergjencave, ku Forcat e Armatosura angazhuan rreth 3 mijë efektivë. Djemtë tanë vazhdojnë të jenë në terren prej 4 javësh me ndërtimin e urave si ajo e Darëzezë pak ditë më parë apo si këto  në Delvinë e Dropull sot, të cilat çojnë në 10 numrin e urave që kemi ndërtuar që prej shtatorit të këtij viti. Do të jemi pranë të gjithëve në kohët më të vështira. Edhe kur të tjerët festojnë, FA do të jenë në krye të detyrës siç janë në krye të detyrës në çdo moment me atdhedashuri edhe me përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj punës. Për ne nuk është e rëndësishme nëse dikush banon në autostradën Tiranë- Durrës, banon në Vlorë, në Dropull, apo në zona të largëta dhe të izoluara. Ne do të jemi pranë tyre përherë, për të kapërcyer bashkë vështirësitë e duke ua bërë jetën më të lehtë”, tha Ministrja gjatë inspektimit të urës në Përroin e Rrapishtave në Dropull.

Ministrja e Mbrojtjes shoqërohej në Dropull nga Prefekti Astrit Aliaj dhe nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, njëherësh deputete e qarkut të Gjirokastrës.

Ishte gatishmëria e madhe e Forcave të Armatosura që bënë të mundur që në kohë të shkurtër ne të shpëtojmë nga emergjenca. Ne e kemi biseduar edhe me deputetët e qarkut dhe ndajmë të njëjtin mendim se e kemi patur gjithmonë pranë ushtrinë, sidomos muajt e fundit ku kemi pasur dy emergjenca dhe i kemi kaluar me ushtrinë në krah”’, tha Ministrja Kumbaro.

Në Delvinë, ura e ndërtuar bën të mundur që 1mijë banorët e fshatit Vanë tanimë të komunikojmë pa vështirëësi me rrugën nacionale. Ministrja Xhaçka gjatë takimit me banorët bëri me dije se mbi 4 mijë familje në disa bashki janë ndihmuar me pako ushqimore e veshëmbathjegjatë këtyre javëve.

Që prej datës 3 dhjetor e deri në momentin që po flasim, në bashkëpunim me prefektët dhe pushtetin vendor janë 800 ton produkte ushqimore dhe blektorale të shpërndara në më shumë se 6 bashki. Më vjen mirë të konfirmoj që sot, janë mbi 4 mijë familje që janë asistuar e po asistohen nga efektivët e FA për të kapërcyer pasojat e përmbytjeve, duke u ndihmuar me ushqime, veshëmbathje, medikamente dhe produkte ushqimore për blegtorinë, deklaroi Ministrja gjatë inspektimit të urës, ku shoqërohej nga deputeti i qarkut të Vlorës, Alket Hyseni dhe prefekti Flamur Manaj./abcnews.al

 

020.jpg
us er09:43 | 25/12/2017

Këtë fundviti, 153 efektivëve të Forcave të Armatosura do të mungojnë në tryezat e festës pranë familjeve të tyre.

Por, për disa momente, ushtarakët shqiptarë të angazhuar në misionet ndërkombëtare ishin pranë familjeve të tyre në prag të festave. Në takimin festiv e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, ata patën mundësi të shihnin dhe të komunikonin me familjarët e tyre nëpërmjet lidhjeve video nga bazat ku ata shërbejnë.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, duke e cilësuar FA si një familje të madhe tha se ishte pikërisht kjo arsyeja që ajo zgjodhi të festojë me familjarët e efektivëve me mision jashtë vendit.

“Dëshira ishte shumë e madhe që të gjendeshim ne pranë fëmijëve si familja juaj e madhe, si familja e madhe e atyre, që në fakt janë larg në një mision shumë fisnik për të ofruar siguri përtej kufijve të Shqipërisë. Në fakt ata janë Shqipëria jonë e vogël, ata janë Shqipëria më e mirë, pjesa për të cilën jemi pafund krenarë, dhe unë dua që ta ndjeni ju, ta ndjejnë edhe këta fëmijë, të cilët jam e sigurtë që do të jenë gjithë jetën krenarë për prindërit e tyre. Për punën e jashtëzakonshme që ata bëjnë, për misionin shumë fisnik që ata përmbushin, për sigurinë tonë por edhe më gjerë.”- iu drejtua ministrja familjarëve të pranishëm.

Fëmijët, bashkëshortet dhe prindërit përcollën me jo pak emocion dhe përlotje komunikimin me familjarët që shërbejnë jashtë vendit.

“Në pamundësinë që ju të jeni këtu në këto festa jemi mbledhur që të festojmë bashkë me familjen tuaj të madhe.Dhe në emrin tuaj unë dua sot të falenderoj të gjithë familjarët e pranishëm këtu për mbështetjen e pakufishme që ju japin nëmision tuaj sa të vështirë aq edhe fisnik.”,  tha Ministrja në komunikimin me efektivët.

Aktualisht janë 153 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët shërbejnë në misionet e NATO-s në Kabul, Herat të Afganistanit, Letoni, Kosovë dhe Mali. Shumica prej tyre ndodhen larg familjes prej më shumë se 3 muajsh.

Festës iu bashkua edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku dhe komandantët e forcave, pjesë e të cilave janë kontingjentet pjesëmarrëse në misionet ndërkombëtare. Familjarët kanë kaluar disa orë mes humorit, lojrave dhe dhuratave./abcnews.al

 

 

 

 

vlcsnap-error939-2-1280x720.jpg
us er12:51 | 13/12/2017

Qeveria miratoi paketën e solidaritetit për disa kategori të veçanta, me rastin e festave të fundvitit. Shpërblime do të përfitojnë pensionistët, personat me ndihmë ekonomike dhe ata me aftësi të kufizuara. Një pako të posaçme është për ushtarakët e për trupën e forcave të ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, të cilat përballuan përmbytjet disa ditë më parë. Fondi total i shpërblimit për ta është mbi 2 miliardë e 300 milionë lekë./abcnews.al

Në prag të festave të fundvitit, Qeveria miratoi shpërblimet për pensionistët dhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, u miratuan gjithashtu edhe shpërblimet për njerëzit me uniformë që u përfshinë në operacionet për përballimin e situatës së krijuar nga përmbytjet e fundit që u regjistruan në vend në fillim të dhjetorit.

Ministrja e Mbrojtjes theksoi se këto shpërblime, të cilat i kishte paralajmëruar më herët edhe vetë Kryeministri, janë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë gjatë situatës së përmbytjeve.

 

vlcsnap-error972-1280x721.jpg
us er13:44 | 10/12/2017

Pas mbarimit të situatës së vështirë me përmbytjet pothuasje në të gjithë vendin, Ministrja e Mbrojtjes zhvilloi një takim në bataljonin e këmbsorisë të Vaut të Dejës. Numri një i mbrojtjes premtoi përmirësimin e kushteve të punës dhe trajtimin financiar të tyre. “Dua që t’ju siguroj që ka një angazhim maksimal për trajtim më të mirë, për modernizimin më shumë, për përgatitje më të mirë, megjithatë, me gjithë sa jam informuar edhe nga nga komandanti, por edhe në Ministri, dua t’ju përgëzoj për përgatitjen tuaj, për punën tuaj, veçanërisht në përballimin emergjençave të shumta, jo vetëm kjo kësaj radhe, por edhe shumë herë të tjera, kur keni qenë të angazhuar.”- u shpreh ministrja Xhaçka./abcnews.al

vlcsnap-error555-1280x720.jpg
us er12:01 | 05/12/2017

Ditëlindja e 105 e Forcave tona të armatosura është përkujtuar me një ceremoni të posacme në sheshin “Nënë Tereza” në të cilën merrnin pjesë Presidenti i Republikës dhe Ministrja e Mbrojtjes. Në fjalët përshëndetëse ata janë shprehur krenarë për ecurinë e ushtrisë shqiptare, ndërsa kreu i shtetit ka vlerësuar rritjen këtë vit të buxhetit për ushtrinë.

Banda frymore e Ushtrisë shoqëroi Presidentin Meta dhe ministren e Mbrojtjes Xhaçka në sheshin Nënë Tereza, ku u organizua ceremonia e 105 vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura shqiptare.

Kreu i Shtetit, në cilësinë e Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, vlerësoi edhe njëherë rolin e njerëzve në uniformë në përballimin e situatës së fundit të krijuar nga përmbytjet.

Meta u shpreh i kënaqur edhe me rritjen e buxhetit për Mbrojtjen, ndërsa garantoi ushtarakët për mbështetjen e tij.

Për ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, historia e ushtrisë shqiptare është një tregues i vetë historisë popullit shqiptar.

Të njëjtat vlera, theksoi Xhaçka, ushtarakët shqiptarë I përcjellin tani si vend anëtar I aleancës më të madhe ushtarake në botë.

Në përfundim të ceremonisë, Presidenti dhe ministrja vizituan stendat me efektivët dhe pajisjet e Forcave të armatosura.

Me pas, Meta dhe Xhaçka iu drejtuan selisë së Presidencës, ku Presidenti ftoi ministren për një kafe./abcnews.al

 

vlcsnap-error085-1280x720.jpg
us er18:24 | 04/12/2017

Në 105 vjetorin e krijimit të Ushtrisë Shqiptare, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ishte përsëri në Darëzezë të Fierit, ku inspektoi urën e ngritur nga Forcat e Armatosura, pas shembjes që pësoi ura ekzistuese. Me këtë rast, ajo shprehu mirënjohjen e saj për kontributin njerëzor gjatë këtyre ditëve.

Olta Xhaçka u rikthye në Darëzezë të Fierit, ku Forcat e Armatosura ndërtuan një urë provizore në më pak se 24 orë, duke rikthyer qarkullimin për rreth 200 familje që kishin mbetur të izoluara pas shembjes së urës ekzistuese, nga furia e Vjosës.

“Me sakfrificën edhe vetëmohimin që karakterizon përgjithësisht efektivët e Forcave të Armatosura, nuk janë duke festuar, por janë sigurisht në ujë dhe në baltë për tu gjendur pranë çdokujt që ka nevojë për ndihmën tonë. Sigurisht që këto janë ditë shumë të vështira dhe janë ditë që të gjithë duhet të jemi të mobilizuar maksimalisht për t’ju ardhur njerëzve në ndihmë, por unë marr shkas edhe nga kjo datë e shënuar për të përcjellë mirënjohjen time për punën e jashtëzakonshme që bënë Forcat e Armatosura”.Kjo vizitë e ministres së Mbrojtjes përkoi me 105 vjetorin e krijimit të Ushtrisë shqiptare.

“Kjo urë është plotësisht rezistente për kalimin e automjeteve. Sfida jonë tani është që të ndërtojmë shumë e shumë ura të tjera, të cilat janë dëmtuar për shkak të furisë së ujrave, të prurjeve të reshjeve të jashtëzakonshme që kemi pasur, më të mëdha të krahasuara ndonjëherë më pikun historik, shumë më të mëdha se 2015-a dhe fakti që ishin aq të vrullshme, ka sjellë dëmtimin e 60 urave”.

Tani që emergjenca e parë duket se ka kaluar, sipas ministres Xhaçka mbetet prioritare rikthimi në normalitet dhe marrja e masave për të ardhmen.

“Sfida jonë nga tani, mbas kapërcimit dhe menaxhimit të situatës emergjente është të pastrojmë territorin, të rikthejmë infrastrukturën në parametrat normale dhe një plan shumë të detajuar investimesh për të ardhmen për të parashikuar të gjitha ato gjera që mund të bëjmë për të planifikuar përmbytjet në ato zona ku e njohim problematikën, por edhe të bëjmë një analizë më të zgjeruar për gjithçka që mund të bëjmë për tu bërë ballë këtyre emergjencave”.

E pyetur nga gazetarët mbi bashkëpunimin me pushtetin vendor, drejtuesja e dikasterit të Mbrojtjes që ka edhe përgjegjësinë e Emergjencave Civile, pohoi se komunikimi dhe bashkërendimi i punëve ka qenë shumë i mirë./abcnews.al

vlcsnap-error161-1280x720.jpg
us er11:32 | 01/12/2017

“Një natë e vështirë, por e menaxhueshme është ajo që kaluam”- tha Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ndërsa paralajmëroi përkeqësim të situatës.

“500 efektivë u angazhuan në zonat më të prekura nga moti i keq efektivët tanë kanë mundur të evakuojnë 315 persona, 250 kanë qenë të bllokuar në Autostradën Tiranë-Durrës”-tha Xhacka.

Ajo u bëri apel atyre që ndodhen pranë zonave të rrezikut që të largohen menjëherë dhe të bashkëpunojnë me forcat e armatosura për t’u evakuuar. E gjithë struktura shtetërore është në këmbë për të përballuar situatën-tha ajo./abcnews.al

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono