votim

parlamenti-europian.jpg
G. P.15:54 | 16/07/2019

Sot në orën 18:30 do të zhvillohet votimi për kandidaten për presidente të Komisionit Europian. Për t’u konfirmuar në krye të këtij Komisioni, kandidatja Ursula von der Leyen duhet të marrë shumicën e votave të Parlamentit Europian. Në debatin që është zhvilluar eurodeputetët duken të ndarë në qëndrimin e tyre.

Parlamenti Europian është treguar tërësisht i përçarë para kandidates të përzgjedhur nga liderët europianë për presidente të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Fjalimi në seancë plenare i Von der Leyen ishte më i mirë se javën e shkuar, por jo mjaftueshëm bindës për përballjen e sfidave që Bashkimi Europian ka përpara për 5 vitet e ardhshme. Masat e propozuara nga Von der Leyen për ndryshimet klimaterike janë thjesht objektiva, por jo aksione, ndërkohë që për Europën sociale dhe një ekonomi të qëndrueshme  ajo është treguar e vagët. E ndërgjegjshme, se rrezikon të mos marrë votën e shumicës së eurodeputetëve, Von der Leyen është munduar të nxjerrë në pah aspektin human.

Ursula von der Leyen, kandidate për presidente të Komisionit Europian: Ne duhet të përpiqemi më shumë për ndryshimet klimaterike. Një qasje me dy etapa nevojitet për reduktimit me 50% në mos 55% të ndotjeve të dioksidit të karbonit në vitin 2030. Ne jemi krenarë për ekonomikë tonë, duam ta forcojmë atë, por ka gjithashtu një logjikë të thjeshtë në këtë. Nuk janë qytetarët që i shërbejnë ekonomisë tonë, por ekonomia që i shërben qytetarëve tanë. Për modelin tonë të ekonomisë sociale, ne duhet të gërshetojmë aspektin e tregut me aspektin social. Jam në favor të një rroge minimale në Europë dhe për një taksim të drejtë. Do të propozoj një pakt të ri për migracionin dhe azilin, duke përfshirë edhe rilançimin e reformës së Dublinit. Kjo do të na mundësojë rikthimin në një zonë Shengen tërësisht funksionale të lëvizjes së lirë që përbën çelësin për prosperitetin, sigurinë dhe lirinë tonë. 4 vjet më parë unë prita një refugjat nga Siria në shtëpinë time. Ai nuk fliste gjermanisht dhe ishte tërësisht i brengosur nga situata e luftës civile në Siri. Sot, 4 vjet më pas, ai flet shumë mirë gjermanisht. Është një lider i komunitetit të tij për arsimin gjatë ditës  dhe një student i shkollës së lartë në mbrëmje.

Edhe pse Urusla von der Leyen intrigon si një kandidature femër për herë të parë në krye të Komisionit Europian, nuk bind ende të zgjedhurit e popullit. Ata i kanë rezervuar asaj një breshëri kritikash. Përveç grupimit të Partive Popullore Europiane dhe të pesë yjeve, grupimet e tjera jo vetëm që kanë vendosur pikëpyetjen për votën pro, por disa prej tyre kanë shprehur hapur votën e tyre kundër. Grupimi i gjelbër, i të majtës radikale kanë deklaruar se nuk do të votojnë Ursula von der Leyen, ndërkohë që socialdemokratët janë në mëdyshje.

Manfred Weber, kryetar i PPE-së: Liderët europianë kanë dëmtuar procesin demokratik të përzgjedhjes së kandidatëve ditët e fundit, por nuk besoj, se mund t’i rregullojmë gjërat, duke shkaktuar një dëm edhe më të madh. Europa duhet të jetë e zonja të veprojë tani. Europa duhet të jetë stabile. Ndaj, siç grupimi im mbështeti presidentin e ri të Parlamentit Europian, David Sassoli, ashtu pres nga grupimet e tjera, që të mbështesin si ne Ursula Von der Leyen në krye të Komisionit Europian.

Iratxe García Pérez, kryetare e S&D: Ne jemi këtu për t’ju dëgjuar dhe nuk synojmë ta çojmë Europën drejt një krize institucionale aq më pak kur Europa ka nevojë për ndryshime të mëdha. Por ne duam të sigurohemi, se Europa do të jetë e zonja që të ndërmarrë masat që nevojiten të merren. Ndaj, grupimi ynë do të marrë një vendim këtë pasdite duke menduar se cila është zgjidhja më e mirë për Europën.

Dacian Ciolos, kryetar i Reniew (liberalët): Nëse ju do konfirmoheni në krye të Komisionit Europian dhe shpresoj që kjo të ndodhë, ju shpesh do dëgjoni, që shumë ndryshime nuk mund të bëhen. Por ne kemi nevojë për këto ndryshime, për një Europë më të drejtë, më të qëndrueshme dhe në respekt të klimës.

Philipe Lamberts, kryetar i Greens: Ju folët për paktin për emigracionin. Ky pakt ekziston dhe është votuar nga shumica e Parlamentit Europian. Mos të bëjmë sikur po shpikim gjëra të reja. Merr propozimin tonë dhe lufto për të në Këshillin e Ministrave. Për shtetin ligjor, gjuha juaj është e fortë, por propozimet mbeten shumë të vagëta. Ne duhet të respektojmë shtetin ligjor kudo dhe jo të tolerojmë dhunimin e lirive europiane dhe të ndarjes së pushteteve në disa shtete anëtare siç është rasti i Hungarisë dhe Polonisë. Ne na duhet një ndryshim total për klimën, Europën sociale dhe ambientin, ndërkohë që ajo që propozoni juaj është një ndryshim në sipërfaqe me ide të vagëta. Ju e kuptoni që grupimi i gjelbër tani nuk mund t’ju mbështesë.

Jörg Meuthen: Kam respekt për ju si person, por ne e kemi shqyrtuar me kujdes letrën tuaj dhe konsiderojmë, se ju nuk përmbushni kriteret për këtë post. Së pari, ne gjermanët, kemi parë eksperiencën tuaj si ministre e Punës për Çështjet Sociale, apo ministre e Mbrojtjes. Në asnjë prej këtyre posteve nuk i keni shërbyer interesit të qytetarëve gjermanë dhe as keni qenë në lartësinë e punës. Nuk dua të bëj një listë të të gjitha dështimeve tuaja, por ju jeni një politikane tipike që bën premtime boshe me qëllimin e vetëm për të arritur shumicën e votave në Parlamentin Europian. Ne nuk shohim asnjë tregues që ju mund ta bëni më mirë detyrën e presidentes së Komisionit Europian, se detyrat tuaja të mëparshme. Ndaj vota jonë është kundër.

Rafaelle Fitto, bashkëkryetar i grupimit ECR: Ka sërish disa çështje, ku ne presim të kemi përgjigje të qarta nga ju. Kjo do të na ndihmonte që të marrim një vendim në fund të pasdites.

Martin Schirdewan (GUE): Mendoj, se vizioni ynë për Bashkimin Europian, si një Europë sociale, e bazuar në drejtësi, paqe dhe respekt për klimën nuk përputhet me vizionin që parashtruat para nesh. Ndaj, fatkeqësisht, vota jonë do jetë kundër.

Nigel Farage: Ajo që keni parë sot është një tentativë për Bashkimin Europian për të kontrolluar çdo aspekt të jetës tonë. Von der Leyen do që të ndërtojë një Bashkim Europian të centralizuar, jodemokratike, të vjetërsuar të komunizmit. Me këta njerëz, brenda 5 vjetësh, Europa e mbrojtjes do të plotësohet. Do të shërbejë për mbrojtje, por edhe mund të përdoret për sulm. Dhe ju nuk do të mund ta kontrolloni këtë si Parlament Europian. Votoni kundër kësaj kandidature.

Votimi për kandidaten për presidente të Komisionit Europian do të kryhet në orën 18:00 dhe pritet të bëhet publik në 19:30. Për t’u konfirmuar në krye të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen duhet të marrë shumicën e votave të Parlamentit Europian. Në rast të kundërt, vendimi kthehet mbrapsht në tryezën e liderëvë europianë për një tjetër kandidaturë./ABC News Albania 24/7

blendi-klosi-3.jpg
G. P.17:35 | 30/06/2019

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi votoi pasditen e së dielës në qendrën e votimit pranë KZAZ-së në Shkollën Ekonomike në Tiranë. Në një prononcim për mediat pas hedhjes së votës, ministri deklaroi se socialistët e kanë realizuar objektivin e tyre që janë bërja e zgjedhjeve në datën 30 Qershor dhe realizimi i tyre me standarde.

“Objektivat e socialistëve kanë qenë dy dhe besoj që e keni ndjekur që janë plotësuar. Realizimi i zgjedhjeve me standarde dhe bërja e zgjedhjeve në datën 30 Qershor. Për sa i përket objektivave të tjera ju po i ndiqni përditë, unë vij nga Berati tani dhe të gjithë mbështetësit e pesë kandidatëve të PS në Berat pothuajse e kanë arritur votat e socialistëve në zgjedhjet e 2017-s dhe besoj se kjo është arritja më e madhe e këtyre zgjedhjeve.

Qytetarët mbështesin forca të ndryshme politike dhe e kemi thënë ka qenë një zgjedhje e lidershipit të PD-së që të mos ishte sot në garë dhe kjo nuk mund të jetë pjesë e diskutimit të PS-së. Kur të vijnë ata, kur t’i gjeni pyetini pse nuk morën pjesë ë garë. Ne e realizuam detyrën tonë, erdhëm në votime, bëmë procesin zgjedhor dhe besoj se arritëm një standard për sa i përket infrastrukturës zgjedhore.

Gjithçka është transparente, gjithçka është në syrin e kamerave dhe nuk besoj që nuk ka pasur një rast të vetëm ku një deputet apo funksionar politik i PS apo kushdo tjetër të ketë kërkuar manipulime në zgjedhje. Për ne objektivi është realizuar, bërja e zgjedhjeve në 30 Qershor dhe zgjedhje të ndershme më  30 Qershor”, tha Klosi./abcnews.al

filoo-1280x709.jpg
Sej rie11:26 | 30/06/2019

Sotiraq Filo kandidat për të marrë drejtimin e Bashkisë së Korçës pas votimi u ka bërë apel qytetarët që sot të tregohen të matur dhe të marrin pjesë në votim.

“Unë kam kryer procesin e votimit ndërkohë që do të doja që sot ne këtë të diel të 30 Qershorit tu bëja thirrje të gjithë banorëve të qytetit dhe të fshatrave që janë pjesë e bashkisë së Korçës që të dalin dhe të marrin pjesë në votim dhe të ushtrojnë atë që është e drejta e tyre nëpërmjet zgjedhjeve, nëpërmjet votës dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor, kryetarin e bashkisë dhe anëtarët e këshillit bashkiak. Kjo është mënyra e vetme se si demokraci lokale funksionin. Ndërkohë që apeli im sot është për qetësi dhe për votim”./ abcnews.al

dutch-1280x549.jpg
G. P.14:39 | 06/06/2019

Shqipëria nuk është ende gati për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjatë debateve në parlamentin holandez për sa i përket hapjes ose jo të negociatave, ministri i jashtëm Stef Blok u tregua i prerë duke thënë se vendi ynë është ende larg. Ndërkohë që për Maqedoninë e Veriut ai është shprehur më pozitiv.

Qeveria holandeze nuk është e interesuar për hapjen e negociatave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Ndërsa për Maqedoninë e veriut ka ende shpresë. Deklarata e prerë dhe e qartë u bë nga ministri i jashtëm Stef Blok në parlamentin e vendit ku pritej dhe votimi për hapjen ose jo të negociatave.

Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të bërë,” u shpreh Blok, i cili është treguar më optimist për sa i përket Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se atje janë ndërmarrë hapa të mira.

Por nuk janë ende aty ku duhet. Duhet bërë ende dicka në zonën e rendit dhe ligjit si dhe në luftën kundër korrupsionit,” u shpreh Blok ndër të tjera.

Komisioni Evropian beson se BE duhet të fillojë bisedimet e pranimit me këto vende. Sipas komisionerit për zgjerim Johannes Hahn reformat që janë zbatuar në vendet e Ballkanit perëndimor duhet të shpërblehen.

Deputetët holandezë kërkuan një përgjigje të qartë mga ministri i tyre për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Blok mendon se ishte mjaft i qartë. Sipas tij, asnjë vendim nuk mund të merret në BE nëse të gjitha shtetet anëtare marrin një pozitë të paracaktuar paraprakisht.

Parlamenti holandez është i ndarë për sa i përket zgjerimit të Bashkimit evropian me vendet e Ballkanit perëndimor. D66, PvdA dhe GroenLinks duan që BE të fillojë bisedimet e pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë. PS dhe PVV janë kundër. CDA beson se Shqipëria nuk është e gatshme. Partia është më pozitive për Maqedoninë Veriore, por ende nuk ka marrë një qëndrim përfundimtar për këtë. VVD nuk ka folur akoma./ABC News Albania 24/7

parlamenti-grek.jpg
G. P.17:15 | 23/01/2019

Nesër në mbrëmje, në parlamentin grek pritet të zhvillohet votimi për Marrëveshjen e Prespës. Pavarësisht debateve të forta që po zhvillohen dhe protestave të paralajmëruara duket se kryeministri grek Tsipras ka siguruar 151 votat që i duhen për ratifikimin e marrëveshjes.

Në parlamentin grek ka filluar të mërkurën seanca plenare për votimin e Marrëveshjes së Prespës. Mbrëmjen e kaluar, drafti i marrëveshjes u miratua nga komisioni parlamentar i politikës së jashtme, ku pati polemika të ashpra mes opozitës dhe qeverisë. Ana proceduriale parashikon që diskutimet të zgjasin dy ditë dhe marrëveshja të hidhet për votim përfundimtar vonë, mbrëmjen e të enjtes.

Siç tregojnë gjasat, kryeministri Tsipras i ka siguruar 151 votat e nevojshme për votimin e marrëveshjes. Përveç 145 deputetëve të SYRIZA-s në pushtet, kanë deklaruar se do të votojnë pro dhe tre deputetë nga partia e ish-ministrit të Mbrojtjes Kammenos, si dhe tre të pavarur. Debati pritet të zhvillohet në një atmosferë të elektrizuar.

Të enjten, është paralajmëruar një protestë e re para parlamentit, kundër marrëveshjes, ndërsa do të afrohet ora e votimit. Gjithashtu, organizatorët kërkojnë që shkollat dhe bizneset të qëndrojnë të mbyllura, ndërsa qytetarët të nxjerrin në dritaret e tyre flamujt kombëtarë të vendosur në gjysmë shtizë./abcnews.al

klgj.jpg
G. P.12:39 | 12/12/2018

Një ditë pas krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sot po zhvillohet mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të Shqipërisë, për zgjedhjen e 6 anëtarëve gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Për 4 orë, 339 nga 354 gjyqtarë nga të gjitha gjykatat e vendit, qe ishin ne liste, kane votuar per te zgjedhur 6 anëtarë të KLGJ. Tashmë pritet përfundimi i numërimit teë votave për të mësuar fituesit. Një nga 10 kandidaturat, Alma Brati, gjyqtare e Gjykatës së Tiranës është tërhequr dje, duke lënë në garë 9 kandidatë të tjerë.

Medi Bici, Gjykata e Lartë

Ilir Toska, Gjykata e Apelit Tiranë

Nertina Kosova, Gjykata e Apelit të Krimeve

Astrit Faqolli, Gjykata e Tiranës

Brunilda Kadi, Gjykata e Tiranës

Dritan Hallunaj, Gjykata e Krimeve të Rënda

Manjola Xhaxho, Gjykata e Krimeve të Rënda

Marcela Shehu, Gjykata e Tiranës

Brikena Ukperaj, Gjykata e Apelit të Vlorës

KLGJ përbëhet nga 11 anëtarë. 6 prej tyre vijnë nga radhët e gjyqësorit, ndërsa 5 të tjerë jogjyqtarë jane miratuar më herët nga Parlamenti./abcnews.al

Kuvend-933x445.jpg
G. P.10:46 | 06/11/2018

Kuvendi ka miratuar me 75 vota pro dekretin e presidentit për shkarkimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga grupi parlamentar socialist, mazhoranca vendosi ti hapë rrugë emërimit të Gjeneral Sandër Lleshit në postin e zëvendës ministrit të Brendshëm i cili do të ketë detyrat e numrit një të ministrisë. Këtë e konfirmoi kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në seancën e sotme parlamentare.

Kreu i qeverisë tha se po sot do të mblidhet qeveria për të emëruar Sandër Lleshin në këtë detyrë. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se presidenti i republikës ka shkelur kushtetutën me mos dekretimin e emrit të propozuar prej tij si ministër i Brendshëm. Mëgjithatë kreu i qeverisë shprehet se nuk i ka humbur shpresat se në ditët në vijim kryetari i shtetit do të reflektojë pavarësisht se afatet ligjore kanë përfunduar./abcnews.al

zgjedhjeeee-1280x713.png
G. P.13:04 | 28/10/2018

Sot në Hessen të Gjermanisë votohet për zgjedhjet lokale, që shikohen si një tjetër test i rëndësishëm për qeverinë e drejtuar nga Angela Merkel. Sondazhet japin përsëri në rënie koalicionin mes Unionit Kristiandemokrat dhe socialdemokratëve. Ndërsa të Gjerlbërit vijojnë rritjen.

Ka nisur dita e gjatë e zgjedhjeve lokale në Landin gjerman të Hesen, një votë që mund të ketë pasoja edhe në Berlin, sepse sondazhet shfaqin në rënie të ndjeshme Unionin KristianDemokrat të kancelares Angela Merkel dhe Social Demokratët e SPD-së. Pothuajse 4.4 milionë votues janë thirrur në zgjedhje për të vendosur se kush do të qeverisë pesë vitet e ardhshme në shtetin e pasur federal të Gjermanisë qendrore, i cili ka një popullsi prej 6.2 milionë banorësh. Rezultati pritet me frikë të madhe, sepse votimi konsiderohet si një provë për Koalicionin e madh të Kancelares dhe të SPD-së, siç ndodhi në shtator për zgjedhjet në Bavari.

Nuk kanë shërbyer për asgjë përpjekjet e Merkel dhe lideres socialdemokrate Andrea Nahles, në ditët e fundit për të ulur nivelin e përgjegjësisë, duke thënë se zgjedhjet në Hessen nuk mund të konsiderohen një mini-test për parlamentin federal. Sondazhet e fundit e shfaqin CDU-në, e cila qeverisi me të Gjelbrit në mandatin e fundit në këtë Land, në rënie me më shumë se dhjetë pikë përqindjeje krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, por ende është parti e parë me 28% të preferencave. Pothuajse njëmbëdhjetë pikë më pak në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013 edhe për SPD-në, e cila mbetet në kuotën e 20% të votave. Ndërsa të Gjelbërit vijojnë rritjen edhe në këtë Land, ashtu siç ndodhën dy javë më parë në zgjedhjet e Bavarisë, duke u rritur me gati 9 pikë nga zgjedhjet e kaluara.

Gjithashtu sondazhi i fundit tregoi që edhe Alternativa për Gjermaninë mund të arrijë deri në 12% të votave, rreth 8 pikë më shumë se në 2013. Në këtë mënyrë, pas Bavarisë, ekponentët e ekstremit të djathtë gjerman do të arrijnë të futen edhe në parlamentin rajonal të Hessen./abcnews.al

MBULIM-OPOZITA-MAQEDONI_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.00-1280x720.jpg
G. P.10:46 | 20/10/2018

VMRO-DPMNE, menjëherë pas përfundimit të seancës plenare ku u votua për ndryshimet kushtetuese dhe pro të cilave votuan dhe 7 deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe Zeqir Rançilloviq që është pjesë e koalicionit të kësaj partie, vendosi që të përjashtojë nga partia deputetët që votuan në kundërshtim me qëndrimin e partisë.
Kryetari i opozitës Mickovski falenderoi ata deputetë që sipas tij nuk u përkulën para shantazheve dhe kërcënimeve. Ai theksoi se shtatë deputetët që votuan kundër qëndrimit të partisë dhe vullnetit të qytetarëve, zhgënjyen partinë dhe qytetarët./abcnews.al

Zoran-Zaev.jpg
G. P.10:18 | 20/10/2018

Mazhoranca qeverisëse në Maqedoni i ka gjetur votat shtesë dhe përmes një votimi i ka hapur rrugë miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Ndërkohë, partia VMRO-DPMNE ka përjashtuar nga radhët e saj 7 deputetë që thuhet se ofruan votat e tyre për marrëveshjen e Prespës. Opozita ka aluduar se ligjvënësve të saj u janë ofruar miliona euro për të dhënë votën.

Kuvendi i Maqedonisë me 80 vota “për” ka votuar propozimin për hapjen e procedurës për ndryshime kushtetuese ashtu siç parasheh Marrëveshja e Prespës. Kanë votuar të gjithë deputetët e shumicës parlamentare, si dhe tetë deputetë të opozitës. Koordinatori i Grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Dragan Danev kërkoi votim individual që në fakt konfirmoi votimin paraprak.

Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë: “Nga votat e numëruara individuale konfirmohet votimi paraprak, 80 vota “për” dhe 39 “kundër’ dhe konstatoj se Kuvendi miratoi vendimin për qasjen e ndryshimeve në Kushtetutë”.

VMRO-DPMNE-ja ndërkohë, ka përjashtuar nga partia shtatë deputetët që kanë votuar për ndryshimet kushtetuese informoi lider i partisë Hristijan Mickoski duke e quajtur ditën e djeshme “e premte e zezë”.

Hristijan Mickoski: “Ata shtatë deputetë të VMRO-DPMNE-së që vepruan në kundërshtim me qëndrimin partiak dhe vullnetin e qytetarëve e që ishte edhe qëndrim partiak i Komitetit Ekzekutiv dhe atij qendror dhe në koordinim me grupin parlamentar më dëshpëruan mua, por edhe partinë e atdheun dhe duhet që të jetojnë me këtë”.

Ndërkaq kryeministri Zaev ka theksuar se deputetët që votuan pro ndryshimeve kushtetuese do ta kenë mbështetjen institucionale dhe se nuk duhet të frikësohen për sigurinë e tyre.

Zoran Zaev: “Institucionet do të veprojnë sipas ligjit dhe është siguruar garanca e votës së tyre si deputetë, atyre personalisht dhe familjeve të tyre dhe institucionet janë të gatshme të reagojnë menjëherë konform ligjit nda cdo kërcënimi që do të vijë. Maqedonia gjendet para një vendimi serioz dhe ne do të reagojmë”.

Në Kuvendin e Maqedonië gjatë të premtes ka pasur situata të paparashikueshme, ku disponimi ndryshohej nga çasti në çast. Opinioni ishte cak i zërave dhe spekulimeve të ndryshme. Nga opozita akuzuan se janë dhënë shuma të majme parash me qëllim që deputetët e tyre t’i votojnë ndryshimet kushtetuese. Nga mazhoranca këto informata janë përgënjeshtruar duke paralajmëruar edhe kallëzime përkatëse.

“Një deputeti i janë ofruar 1 milion euro të votojë për Marrëveshjen dhe kjo është refuzuar, një tjetri i janë ofruar dy millionë euro, të tretit 250 mijë euro dhe të gjithë janë refuzuar sepse dinjiteti nuk ka çmim”.

“Ashpër i përgënjeshtrojmë gënjeshtrat se përfaqësues të mazhorancës kanë bërë presione dhe se deputetëve u janë ofruar para, se dikush është kërcënuar e shantazhuar. Për këto gënjeshtra do të dorëzojmë kallëzime përkatëse”.

Në fakt, votimi i mbrëmshëm ishte vetëm faza e parë ku do të pasojnë edhe të tjera deri në kompletimin e procesit. Qeveria do të intervenojë me katër amendamente në Kushtetutë. Vijon afati prej 15 ditëve për dorëzimin e amendamenteve, por sipas kryeministrit Zaev, nëse përfundohet më herët atëherë edhe parlamenti grek më herët do ta ratifikojë vendimin./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono