voa

prishtina-1280x851.jpg
G. P.08:48 | 04/04/2019

Që nga viti 2011 e deri në vitin 2017, mbi 180 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova. Të dhënat janë bërë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Avni Kastrati drejtor i statistikave sociale në këtë institucion, thotë se arsyet e largimit të tyre janë të ndryshme, duke filluar nga bashkimi familjar, punësimi apo edhe studimet.

“Pjesa dërmuese emigrojnë për shkak të çështjeve ekonomike, një pjesë shkon për shkak të bashkimit familjar, për studime apo për një jetë më të qetë, më të mirë sepse ofrojnë kushte më të mira vendet e Bashkimit Evropian. Sa i përket grup moshave, sipas të dhënave të fundit të vitit 2017, pjesa dërmuese rreth 82 deri 85 për qind është e grup moshës 22 – 35 vjeç, do të thotë ajo mosha kryesore e fuqisë punëtore dhe që hyn në riprodhim në aspektin e gjenerimit të popullsisë, emigron”, thotë ai.

Zoti Kastrati thotë se nëpër vite ka ndryshuar edhe struktura e atyre që kanë emigruar.

“Në vitin 2011 ka shkuar një strukturë e nivelit më të ultë të edukimit, në vitin 2017 sidomos ka shkuar edhe një pjesë e popullsisë e cila ka nivel më të lartë të edukimit përfshirë fakultetin, studimet bachelor, master apo ndonjë nivel më të lartë. Do të thotë më herët kanë shkuar më shumë njerëz me shkollë të mesme sidomos viteve 2014 – 2015”, thotë ai.

Shumica e të larguarve, përkatësisht 73 për qind e tyre janë meshkuj dhe kjo ka ka bërë që për herë të parë në pesë vitet e fundit Kosova të popullohet me më shumë femra.

Këshilli i Evropës për marrëdhënie Ndërkombëtare, në një raport të publikuar ditë më parë mbi vendet që kanë humbur më shumë popullsi në dhjetë vjetët e fundit radhiti Kosovën më së larti, me 15 për qind.

Naim Gashi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se humbja e shpresës është faktori kryesor për ikjen e popullsisë.

“Unë mendoj se ekonomia e Kosovës ballafaqohet me një rrezik të jashtëzakonshëm sa i përket ikjes së dy kategorive fundamentale të një ekonomie nacionale, është ikja e trurit dhe fuqisë së kualifikuar punëtore. Në fakt pa këto dy komponentë është jashtëzakonisht vështirë që të parashohim një rritje afatgjate ekonomike për vet faktin se përveç asaj që ikë fuqia punëtore në fakt ikin edhe konsumatorët dhe të gjithë parametrat makro ekonomik me zvogëlimin e popullatës do të kenë trende negative”, thotë ai.

Zoti Gashi thotë se pasojat e një situate të tillë janë të shumëfishta dhe do të pasyrohen posaçërisht në zhvillimin ekonomik.

“Ne nuk do të jemi më vend atraktiv për investime të jashtme sepse deri më tani kemi theksuar se potenciali ynë kryesor inkurajues për investitorë të jashtëm ka qenë pasuria që ka Kosova dhe fuqia e re punëtore. Në fakt nëse marrim parasysh që nataliteti i popullsisë në Kosovë aktualisht është rreth 23 mijë banorë, nëse i marrim parasysh ata të cilët vdesin, në fakt ne kemi një tkurrje të popullatës dhe tkurrja e popullatës me automatizëm nënkupton edhe tkurrjen e kapaciteteve zhvillimore dhe tkurrjen e ekonomisë”, thotë ai.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri më tani vendi ku më së shumti kanë emigruar njerëzit nga Kosova ishte Gjermania, por matjet e reja ende të papërpunuara tërësisht mund ta nxjerrin Francën në vend të parë./VOA

47D0449A-4D1F-4FFD-A88A-25DA824FC122_w1023_r1_s.jpg
G. P.09:20 | 01/04/2019

Në 15 shtete amerikane, këtë vit, deri më tani, ka patur më shumë se 300 raste të fruthit Pothuajse gjysma e rasteve janë në distriktin Rockland në veri të Nju Jorkut. Zyrtarët po ua ndalojnë njerëzve të pavaksinuar që të frekuentojnë ambjentet publike.

Për shkak të shpërthimit të epidemisë së fruthit që prej rreth gjashtë muajsh, në Distriktin Rockland të Nju Jorkut është deklaruar gjendja e jashtëzakonshme.​

“Cilitdo nën moshën 18 vjeçare dhe që nuk është vaksinuar për fruthin do t’i ndalohet të shkojë në vendet publike, deri në momentin kur gjendja e emergjencës të skadojë, pas 30 ditëve, ose derisa ata të marrin së paku dozën e parë të vaksinës.”- thotë një zyrtar.

Në vendet publike përfshihen qendrat tregtare, restorantet, autobusët dhe trenat. Policia nuk do të kërkojë historinë e vaksinimit, por prindërit mund të përballen me një gjobë prej 500 dollarësh dhe deri në gjashtë muaj burg, nëse refuzojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

Epidemia ka shpërthyer kryesisht në mesin e komunitetit hebraik ultra ortodoks.

Zyrtari i distriktit thotë se e rëndësishme është që prindërit duhet të kuptojnë rrezikun e fruthit:

“Çdo rast i ri mund të sjellë pasoja, si pneumoni, encefalit, ënjtjen e trurit, ose lindje të parakohshme, që mund të çojë në komplikacione dhe madje edhe vdekje,” thotë Ed Day, zyrtar i distriktit Rockland​.

E rëndësishme është që të mbahen të sigurtë personat që nuk mund të vaksinohen.

“Po foshnjat që kanë kontakte me nënën dhe babanë? Nipi im për shembull është i porsalindur. Po për gratë shtatzëna dhe njerëzit me sistem imunitar të dobët, si pacientët dhe të mbijetuarit e kancerit?”

Megjithatë, niveli i vaksinimit në SHBA është i lartë. Një studim i Qendrës për Diagnostikimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC, zbuloi se 94 përqind e fëmijëve në SHBA marrin dozën e parë të vaksinave që i mbrojnë nga fruthi, shytat, rubeola dhe sëmundje të tjera të parandalueshme.

Por për vaksinat që merren me faza, përfshirë vaksinën kundër fruthit, situata nuk është aq e mirë.

Disa shtete i lejojnë prindërit që kundërshtojnë vaksinimin e fëmijëve për arsye fetare ose filozofike, që të mos i vaksiojnë fëmijët e tyre. Shkalla e vaksinimit në këto shtete ka rënë vazhdimisht. Në këto kushte, rastet e fruthit janë shtuar.

Disa prindër gabimisht besojnë se vaksinat mund të shkaktojnë autizëm tek fëmijët. Por një numër studimesh kanë treguar se kjo nuk është e vërtetë.

“Këto vaksina janë provuar që janë të sigurta, i kemi ndjekur fëmijët që kanë marrë këto vaksina dhe jemi të bindur që ato janë të sigurta për t’u përdorur”.

Megjithatë, disa prindër nuk janë të bindur për këtë.

Distrikti i Rocklandit po i ofron falas vaksinat e fruthit, në përpjekje për t’i dhënë fund epidemisë./VOA

erdogan-1.jpg
G. P.09:27 | 02/03/2019

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan po akuzohet se po sillet si “diktator” pas kërcënimit për të hequr kryebashkiakët pro-kurdë që zgjidhen në votimet lokale të këtij muaji. Paralajmërimi i Erdoganit vjen ndërsa partia e tij AK përballet me humbje të thella në gjithë vendin.

Zoti Erdogan, duke folur para përkrahësve të tij, bëri një paralajmërim të fortë për votuesit e juglindjes me shumicë kurde në Turqi, duke thënë që nëse votojnë për kandidatët që simpatizojnë grupin separatist kurd PKK, ata që zgjidhen do të hiqen nga detyra.

“Nëse mundësitë që jep shteti, ia kaloni Kandilit (vendi ku kanë bazën udhëheqësit e PKK-së në Irakun Verior fqinj), ne do të emërojmë menjëherë dhe pa pritur aspak, të besuarit tanë”, u tha zoti Erdogan përkrahësve të tij që brohorisnin.

Paralajmërimi ka në shënjestër partinë e dytë më të madhe të opozitës në Turqi, HDP-në pro-kurde, të cilën Ankaraja e akuzon se është krahu politik i PKK-së, një akuzë që vetë forca politike e mohon.

Udhëheqja e HDP-së po u bën thirrje votuesve që të rimarrin kontrollin e qyteteve, që janë në duart e Ankarasë.

Partia pro-kurde hedh poshtë akuzat për terrorizëm kundër kandidatëve të saj.

“Nëse heqin një nga kandidatët tanë të suksesshëm, nuk është se kryebashkiakët tanë që zgjidhen janë terrorisët, por se Erdogan është diktator”, tha kreu honorifk i HDP-së, Ertugrul Kurkcu.

Ai vuri në dukje se Bordi i Lartë i Zgjedhjeve i ka verifikuar kandidatët e HDP-së dhe se çdo pretendim për shkelje nga kandidatët e saj, duhet të jenë objekt i sistemit të drejtësisë, jo presidentin.

Paralajmërimi i Erdoganit po interpretohet si përpjekje për frikësim të votuesve./VOA

insekte.jpg
G. P.10:02 | 01/03/2019

Disave mund t’u duket e neveritshme, por insektet e ngrënshme janë një burim i ushqyeshëm proteinash të cilësisë së lartë dhe mineralesh jetike si calciumi dhe hekuri. Të tilla janë vemiet e ngrënshme – larva insektesh – që ofrojnë dhe yndyrna të cilësisë së lartë, që janë të mira për zhvillimin e trurit. Insektet janë pjesë e dietës në shumë anë të botës, por jo në Shtetet e Bashkuara ku fobia për to bën një gatimet me insekte të jenë shumë të rralla. Megjithatë kjo ka filluar të ndryshojë. Shelley Schlender njofton për Zërin e Amerikës nga Kolorado.

Në një kontenier në një rrethinë në Denver të Kolorados, strehon mikro-fermën e maleve Rocky. Wendy McGill, sheh brenda enëve për gjetur gjallesat e fermës.

“Kjo mikrofermë është e para dhe e vetmja me inskete të ngrënshme . Ne rrisim bulkthe dhe krimba për t’ua shitur restoranteve dhe prodhuesve të artikujve ushqimorë”, thotë Wendy Lu McGill, Themeluese e Mikrofermës.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë thotë se nevojat e botës për proteinë nuk mund të plotësohen vetëm me mish viçi ose pule. Proteinat nga insektet janë një alternativë. McGill rrit afro 275 kilogramë insekte çdo muaj, duke i ushqyer dhe me pure birre dhe farëra dhe një karrotë për nevojat për lëngje.

“Dua të jap kontributin tim për të gjetur burime ushqimesh, ndërsa kemi gjithnjë e më pak tokë dhe ujë dhe një planet më të nxehtë dhe më shumë njerëz për të ushqyer”, thotë ajo.

Shumë vizitorë të Mikrofermës nuk kanë ngrënë kurrë insekte më parë dhe nuk u pëlqen t’i hanë.

“Nuk mendoj se është diçka tërheqëse për të ngrënë dhe nuk më tundon të ha një gjë të tillë të egër”, thotë Terry Koelling.

Por një tjetër vizitore i pëlqen.

“Unë jam Amy Franklin dhe kam krijuar një fermë jo-fitimprurëse që quhet Ferma për Jetimët. Ne rrisim insekte për ushqim sepse në vende të tjera ku punojmë, janë ushqim shumë i pëlqyeshëm”.

“Shumë nga jetimoret nuk kanë toka në pronësi. Nuk rrisin dot bimë dhe apo pula. Insektet janë burim proteine që ata mund t’i rrisin në një hapësirë shumë të vogël”,thotë ajo.

“Mund të hash insekte?”, pyet Amy Franklin dy fëmijë.

“Jo. Se nuk jemi mësuar, apo jo?”

“Mund të provoj një?”, pyet Andrew.

“Po, patjetër”, thotë Wendy.

“Është kërce dhe e shijshme”, thotë Andrew.

Linger, është një restorant në Denver ku insektet gatuhen në mënyrë të shijshme.

“Ne gatuajmë milingona të zeza me fara susami me bulkthe të përzierë me makarona”.

“Erëzat janë shumë të mira!”, thotë Terry Koelling.

“Bulkth. Ju bëftë mirë”.

“Sado të na pëlqejë mishi i viçit, asnjë shkencëtar nuk mund të thotë që rritja e bagëtive mund të vazhdojë përgjithmonë. Duhet të hamë më shumë insekte”, thotë Jeremy Kittelson, drejtor i kuzhinës në restorantin Linger.

Një skeptik ka ndryshuar mendje.

“Gatimet në Linger ishin shumë të mira. Madje sikur nuk ka mjaft bulkthe”.

Mbi dy miliardë njerëz në botë hanë insekte. Gradualisht, amerikanët po i shtohen atij numri./VOA

shba-1.jpg
G. P.08:44 | 22/02/2019

Një oficer i Rojës Bregdetare amerikane pritet të paraqitet në gjykatë të enjten pasi prokurorët federalë dyshojnë se ai ka grumbulluar armë me qëllimin për të kryer një akt terrorizmi të brendshëm të pashembullt shoqëruar me vrasje masive.

Policia arrestoi Christopher Paul Hasson-in javën e kaluar lidhur me akuzat për posedim droge dhe armësh. Në apartamentin e tij në periferi të Uashingtonit u gjet një sasi e madhe armësh, municionesh e droge.

Hetuesit gjetën gjithashtu dokumente të cilat dyshohet të provojnë se Hasson po planifikonte atë që është cilësuar “dhunë e përqëndruar” me dëshirën për të “krijuar një atdhe të bardhë”.

Hetuesit gjetën dhe një listë politikanësh liberalë që Hasson-i synonte të vriste, përfshirë kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi si dhe udhëheqësin e demokratëve të Senatit Chuck Schumer.

Në listë kishte edhe personalite të televizioneve kabllorë.

Në seancën e së enjtes që lidhet me lirimin me kusht të Hasson-it duke paguar një garanci financiare, prokurorët federalë pritet të kërkojnë mbatjen e tij në burg, deri në fillimin e procesit gjyqësor ndaj tij./VOA

thaci.jpg
ent ela20:52 | 06/02/2019

Presheva, Medvegja dhe Bujanovci janë ambicjet që Kosova synon të realizojë në bisedimet me Serbinë. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, presidenti Hashim Thaçi e ka cilësuar të logjikshëm bashkimin e tyre me territorin e Kosovës, por ka refuzuar të deklarojë nëse nga ana e saj Prishtinës do t’i duhet të lëshojë komunat me shumicë serbe.

Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se korrigjimi i kufijve është i vetmi opsion që Kosova dhe Serbia të ndahen me njohje reciproke nga procesi i dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Thaçi ka nënvizuar se çdo korrigjim do të bëhet duke mbrojtur interesat territoriale dhe pasuritë natyrore të Kosovës, përfshirë Trepçën, e cila së fundmi përflitet se mund të parashtrohet si çështje në tryezën e bisedimeve.

“Në fund, nuk ka njohje pa përcaktimin e qartë të kufijve ndërshtetërorë Kosovë-Serbi. Mendoj se do ishte shumë e logjikshme përfshirja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në territorin e Kosovës, duke mos cënuar të gjitha resurset e Kosovës”.

Sa i takon taksës për produktet serbe, heqja e të cilës është kërkuar me insistim nga aleatët e Kosovës, Thaçi ka theksuar se mbështet mundësinë për një pezullimi të përkohshëm të saj.

“Kemi një këshillë insistuese nga SHBA dhe BE që të ketë një pezullim të përkohshëm, 2 ose 3-mujor, të taksës”.

Në vijim Thaçi ka refuzuar të japë një përgjigje konkrete nëse Kosovës do t’i duhet të lëshojë si këmbim komunat me shumicë serbe në veri të saj, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që kjo temë të diskutohet në raundet e ardhshme të dialogut. /abcnews.al

life-after-vulcano-1280x672.jpg
G. P.10:50 | 27/01/2019

Fatkeqësitë natyrore si zjarret, uraganet apo përmbytjet – lënë shkatërrime pas, si dhe mijëra njerëz, jetët e të cilëve rrënohen. Pas shumë muajsh dhe madje vitesh, shumë njerëz ende përpiqen të rindërtojnë. Në gusht, gati një vit pasi uragani Maria rrënoi Porto Rikon, shumica e banorëve të ishullit më në fund kanë energji elektrike. Ende nuk dihet se sa prej më shumë se 10,000 shtëpive të djegura në zjarret e nëntorit në Kaliforni do të rindërtohen. Banorët e ishullit Havai ende po vlerësojnë dëmet nga shpërthimi i vullkanit Kilauea tetë muaj më parë, thotë Genia Dulot e Zërit të Amerikës, e cila vizitoi zonën e prekur nga vullkani.

Shpërthimi në muajin maj i vullkanit Kilauea ishte i 62-ti në 36 vjet. Një nga pesë vullkanet aktive në ishullin Havai, shkencëtarët besojnë se Kilauea “ka rënë në gjumë” pas shpërthimit të fundit.

Shpërthimi në maj shkaktoi shembjen e 825 milionë metra kub dheu në kraterin e vullkanit, duke shtyrë magmën në tunele nëntokësore.

Llava përshkroi 20 kilometra, duke shkatërruar 700 shtëpi dhe detyruar evakuimin e rreth 2 mijë njerëzve. Mes tyre edhe Herschel Hood, që ka 13 vjet që jeton aty.

“Ishte një pjesë e vogël e parajsës dhe ishte aq e bukur, rreth tre kilometra larg oqeanit. Udhëtoja me biçikletë përgjatë rrugës dhe sodisja bukuritë e oqeanit… Kishim një fermë organike të mirë. Unë kisha gjithçka nga frutet e dragoit, agrume dhe pesë lloje të ndryshme bananesh. Çdo gjë rritet shumë mirë për shkak të shiut dhe të diellit të bollshëm dhe tokës tonë vullkanike,” thotë zoti Hood.

Pas evakuimit, shpërthimi i vullkanit shkaktoi një çarje në oborrin e tij të pasëm.

Gjithçka që zoti Hood zotëron tani, janë gjërat me të cilat u evakuua, dy makina dhe çanta me rroba dhe disa dokumente. Tani që shpërthimi tre-mujor ka përfunduar, ai ka nevojë të rindërtojë jetën e tij. Ashtu si viktimat e tjera të shpërthimit, ai ka marrë ndihmë financiare nga qeveria amerikane megjithëse nuk mjafton, thotë ai, për të ndërtuar një shtëpi të re.

Tim Lloyd jetonte vetëm pak kilometra pranë Hood. Llava nuk arriti shtëpinë e tij, por e shkëputi atë nga pjesa tjetër e ishullit. Pa u ndërtuar rruga e re, ai nuk mund të kthehet.

“Jetojmë mbi një vullkan në një ishull dhe është aktiv. Për mua, është pjesë e jetesës këtu, është pjesë e marrëveshjes dhe ne e dimë këtë. Por në realitet nuk e pranojmë derisa të ndodhë. Është i paqëndrueshëm, pavarësisht se shumë njerëz mendojnë ndryshe”, thotë zoti Lloyd.

Por pavarësisht shkatërrimit, banorët nuk duan të lënë atë që ata e quajnë Ishulli i Madh ‘Big Island’. Për disa havajanë, çdo shpërthim vullkanik është një akt i perëndeshës Pele, e cila adhurohej në kohët e hershme si krijuese e ishujve Havai. Në të vërtetë, pas çdo shpërthimi, llava e derdhur vetëm sa zgjeron brigjet e atij ishulli./Zëri i Amerikës

VOA-AMBASADORJA-SHQIPTARE-USA-1280x720.jpg
ent ela10:00 | 05/01/2019

Kandidatura e Kathleen Ann Kavalec, e emëruar si ambasadore e SHBA në Tiranë, i është kthyer presidentit Donald Trump. Lajmi i bërë publik nga Zëri i Amerikës, që citon si burim ndihmësit në Komisionin e Senatit amerikan për Çështjet e Jashtme.

Zonja Kavalec u emërua nga Presidenti Trump në korrik 2018 dhe qysh ajo kohë, kandidatura e saj ka qenë në pritje për t’u konfirmuar nga komisioni i senatit.

Zonja Kavalec, ishte parashikuar të dilte në një seancë në senat në muajin shtator, si pjesë e procesit të konfirmimit, por përfundimisht nuk dëshmoi dhe emri ishte hequr nga njoftimi për seancën.

Sipas  Zerit te Amerikes, një javë para seancës emri i saj ishte përmendur në një artikull të gazetës Ëashington Examiner që kishte të bënte me komunikimet e një zyrtari të Departamentit të Drejtësisë me ish-agjentin britanik Christophet Steele. Ky i fundit u dorëzoi agjencive amerikane të zbulimit një raport për lidhje të mundshme të fushatës Trump me rusët.

Emri i zonjës Kavalec ende figuron në faqen e Shtëpisë së Bardhë si e emëruar për postin.

Sipas rregullave të Senatit, kur koha e pritjes për konfirmim i kalon të 30 ditët, kandidatura i kthehet presidentit. Por  kjo mund të anashkalohet përmes një vote konsensuale në komisionin e çështejve të jashtme të senatit, thekson VOA.

Kandidatura e Kavalec ka qënë një prej rasteve me pritjen më të gjatë për konfirmim nga senati, nënvizon Zëri i amerikës, duke shprehur paqartësi lidhur me arsyen përse kjo kandidaturë nuk është marrë në shqyrtim.

Kavalec njihet si një diplomate karriere, me një përvojë rreth 30-vjeçare si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare. Ajo ka shërbyer si Zëvendës Ndihmës Sekretare në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin Amerikan të Shtetit, ndërsa më herët ka drejtuar edhe  Zyrën e Punëve Ruse. /abcnews.al

ps-1.jpg
G. P.15:31 | 29/12/2018

Shtatë ministrat e shkarkuar dhe zëvendësuar nga shefi i qeverisë Edi Rama janë komentuar edhe nga “Zëri i Amerikës”, sipas të cilit ndryshimet rrënjësore të kabinetit vijnë përmes kriteresh të paqarta të përzgjedhjes.

Ndryshimet në kabinetin qeveritar të kryeminsitrit Edi Rama, “Zëri i Amerikës” i sheh si lëvizje të shkaktuara nga tronditja që qeveria ndjeu me protestën e studentëve. Të paqarta i sheh “Zëri i Amerikës” kriteret e përzgjedhjes së ministrave që u larguan nga shefi i qeverisë edhe pse ky i fundit deklaroi vetë se kabinetin do e linin ata që kishin 5 vjet në qeverisje. Por nga ky rregull pati përjashtime, ashtu si pati edhe lëvdata për ministrat e larguar, gjë e cila shton edhe më shumë mjegullën në vendimin e tij, sipas VOA-s.

Me këtë vendim kryeministri ka lënë jashtë emra të rëndësishëm, si Ahmetaj dhe Gjiknuri, të cilët pas zgjedhjeve të vitit 2017 morën kompetenca shumë të gjera,   shkruan “Zëri i Amerikës”. Të papritur e konsideron VOA edhe largimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, në një kohë kur diplomacia gjendet përpara sfidave të vështira, nga integrimi europian, tek drejtimi i OSBE-së në 2020 dhe sigurisht, dialogu i hapur me Greqinë për trajtimin e një sërë çështjesh të lëna pezull me në krye marrëveshjen për detin./abcnews.al

b.jpg
G. P.09:33 | 12/09/2018
Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se çdo ditë mijëra venezuelianë braktisin vendin e tyre. Mbi 2 milionë janë larguar dy vitet e fundit, për shkak të trazirave ekonomike dhe politike në Venezuela. Ata shkojnë në vende fqinjë si Kolumbia, Brazili dhe Ekuadori në kërkim të një jete më të mirë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Celia Mendoza ishte në Brazil për të folur me disa prej tyre.Kampet e refugjatëve po mbushin Brazilin. Mijëra venezuelianë po kërkojnë ndihmë për shkak të mungesës së barnave, ushqimeve dhe shërbimeve të tjera, shkaktuar nga kriza ekonomike në vendin e tyre.

Me katër nga gjashtë fëmijët e saj, Natalie Silva, një nënë venezuelianë, po kërkon strehim në Pacaraima, një komunë në veri-perëndim të shtetit Roraima në Brazil.

“Më kanë dhënë ndihmë me shërbime sociale, personeli ushtarak ka qenë shumë i sjellshëm me mua, më kanë dhënë pelena, ushqim, veshje dhe ujë për fëmijët. Tani po pres që të na caktojnë një banesë. Nesër shkojmë në spital sepse kemi malarjen”,thotë ajo.

Sipas autoriteteve lokale, mesatarisht 600 venezuelianë mbërrijnë çdo ditë në kufi. Ushtria braziliane menaxhon qendrën e regjistrimit dhe merr masat e sigurisë.

“150 anëtarë të ushtrisë janë pjesë e operacionit së bashku me personelin civil. Operacioni i Pacaraimas ka 250 vetë”, thotë koloneli Hilel Zanatta.

Operacioni ka tre faza: kontrolli i kufirit, strehimi në Boa Vista dhe integrimi. Përfaqësuesi i agjencisë së OKB-së për refugjatët në Brazil, thotë se është rritur numri i venezuelianë që kërkojnë ndihmë.

“127 mijë venezuelianë kanë hyrë në Brazil që nga viti 2017, rreth 58 mijë vazhdojnë të jenë këtu. Rreth 33 mijë kanë kërkuar zyrtarisht azil nga policia federale. 12 mijë të tjerë kanë kërkuar viza për qëndrim të përkohshëm”, thotë Luis Fernando.

Megjithatë ka pasur edhe shprehje pakënaqësie nga vendasit. Ata shohin një lidhje direkte mes rritjes së numrit të venezuelianëve dhe problemeve të sigurisë.

“Ka mungesë sigurie. Shumë njerëz vijnë për të shkarkuar probleme, bëjnë gjëra të çuditshme”.

Brazili është një nga vendet e Amerikës së Jugut që ka zbatuar një përgjigje humanitare ndaj krizës venezueliane. Por për shkak të barrës ekonomike, presidenti brazilian, Michel Temer po konsideron mundësinë e kufizimeve.

Organizata e Shteteve Amerikane në një takim të posaçëm, analizoi krizën e imigracionit, të shkaktuar nga ikjet nga Venezuela. María Claudia Pulido, ndihmës sekretare ekzekutive e Komisionit Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut tha se kriza shtrihet në disa vende dhe kërkon një përgjigje rajonale, duke respektuar të drejtat e njeriut./VOA


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono