Vllaznia

HASAN-LIKA-NIS-PUNEN-TEK-VLLAZNIA-1280x720.jpg
ent ela22:56 | 14/08/2018

Hasan Lika nisi punën si trajner i Vllaznizë. Tekniku tiranas foli për objektivat, fazën përgatitore dhe përforcimet e mundshme për skuadrën shkodrane.

Mbërriti thjesht, ashtu siç ka edhe natyrën.

Hasan Lika u rikthye në Shkodër pas 9 vitesh, për t’u bërë përsëri trajner i Vllaznisë.

Fillimisht, ai u takua me lojtarët, me ata që do të përpiqet të arrijë suksesin këtë edicion.

Më pas një prezantim i thjeshtë, por i qartë përpara mediave, pra përpara gjithë publikut shkodran, duke deklaruar objektivin.

Besohet se trajneri me përvojë do të mbajë të gjithë lojtarët, por a do të jetë nevoja për përforcime?

Vllaznia nuk ka pasur një fazë përgatitore deri tani, a planifikohet të zhvillohet një e tillë jashtë vendit?

Lika, trajner i njohur me Partizanin, Teutën, Kukësin apo Luftëtarin, sa për të përmendur disa momente të karrierës, do të ketë ndihmës nga Shkodra.

Ai u shpreh se emri i Vllaznisë ishte arsyeja kryesore që kërkoi të ishte trajner I saj, edhe pse këtë sezon do të luajë në Kategorinë e Parë. /abcnews.al

HASAN-LIKA-TRAJNER-I-VLLAZNISE.mpg_snapshot_00.20-1280x720.jpg
G. P.16:35 | 12/08/2018

Vllaznia e caktoi më në fund trajnerin e saj të ri. Hasan Lika ishte kandidatura fituese pas një gare me konkurrencë të fortë.

Enigma u zgjidh dhe drejtuesit vendosën. Vllaznia e gjeti trajnerin e ri dhe ai nuk është aspak një emër i ri e i panjohur në futbollin shqiptar, përkundrazi, quhet Hasan Lika. Specialisti tiranas kishte kohë që përflitej si i përzgjedhuri i shkodranëve, dhe u konfirmua nga klubi, pas një procesi me konkurrencë të fortë, me rivalë të tillë si Edi Martinin, Dervish Haxhiosmanoviçin apo turkun Ergin Firat.

Ky i fundit u emërua në postin e drejtorit teknik, bazuar në përvojën e gjatë me klube në Iran, Turqi, Shtetet e Bashkuara apo Gjermani.
Lika pritet të prezantohet këtë fillim jave dhe të nisë punën menjëherë, pasi Vllaznia duhet të jetë gati për nisjen e kampionatit të Kategorisë së Parë, që bëhet në 9 shtator.

Hasan Lika drejtoi Luftëtarin në pjesën më të madhe të vitit të kaluar sportiv, duke dhënë futboll spektakolar e duke i kualifikuar gjirokastritët në Ligën e Europës, për herë të parë në historinë e tyre. Vllaznia, ndërkaq, skuadra më e vjetër në Shqipëri, u rrëzua nga Superliga në përfundim të edicionit të vjetshëm, duke shkaktuar një tronditje të madhe, të ngjashme me atë të Tiranës një vit më parë.

E drejtuar nga trajnerë të njohur si Ernest Gjoka e më parë nga Armando Cungu, Vllaznia nuk ia doli të kapërcente problemet që, sipas shumë analistëve, erdhën nga zotërimi i aksioneve prej Bashkosë së Shkodrës. Klubi besohet se është në proces privatizimi, por deri tani nuk ka ndodhur asgjë./abcnews.al

hasan-lika.jpg
G. P.16:15 | 22/07/2018

Vllaznia e ka gjetur trajnerin për sezonin e ardhshëm. Në stol do të ulet i njohuri, Hasan Lika, që ka pranuar ta drejtojë ekipin në Kategorinë e Parë.

Detyra e re do të jetë prestigjioze, pavarësisht kategorisë. Hasan Lika ka zgjedhur Vllazninë për ta drejtuar sezonin e ardhshëm, po ashtu shkodranët janë bindur se tekniku tiranas do të ishte mundësia më e mirë.

Skuadra nga Shkodra u rrëzua në Kategorinë e Parë në fund të sezonit të kaluar, një dramë e vërtetë, veçse synimi është për të kopjuar Tiranën e për t’u kthyer shpejt në Superligë.

Lika e ka pohuar vetë arritjen e marrëveshjes, ndërsa pritet vetëm fillimi i punës.

Sezonin e kaluar, ai drejtoi me sukses Luftëtarin, duke e kualifikuar për në Ligën e Europës për herë të parë në histori, e duke dhënë një futboll të nivelit të lartë.

Në mënyrë të habitshme, Likës nuk iu rinovua kontrata për sezonin në vazhdim.

Vllaznia pati edhe vjet një trajner nga Tirana, Ernest Gjokën, që zëvendësoi Armando Cungun e dorëhequr, por nuk qe e mundur që skuadra më e vjetrër e futbollit shqiptar të mbijetonte në Superligë./abcnews.al

shkodra.jpg
G. P.19:20 | 24/05/2018

 Në qytetin e Shkodrës mbizotëron heshtja. Të trishtuar nga rënia e Vllaznisë në kategorinë e parë, qytetarë dhe tifozë e kanë të vështirë të gjejnë fjalë për të përshkruar gjendjen e tyre.

“Më keq nuk ka. Më vjen keq për Superioren se s’ka kuptim Superiorja pa Vllazninë, pa Shkodrën”.

Në Shkodër të gjithë e kanë mendjen tek Vllaznia, por të paktë janë ata që gjejnë fjalë për t’u shprehur. Trishtimi është shumë i madh për rënien e skuadrës së futbollit në Kategorinë e Parë. Në raste të tilla, përgjegjës janë të gjithë.

“Ditë zie. Fajtorë janë këta të godna në krajët të djathtë që është fajtori kryesor. Futbollistat, që pas ndeshjes as fanelat nuk i lajnë sepse nuk djerësiten, menaxhimi dhe ne tifozët, që nuk protestojmë”.

Stadiumi ‘Loro Boriçi’ do të shohë ndeshje, por të paktën për një sezon aty nuk do të luhen përballje mes skuadrave më të mëdha shqiptare.

Edhe ata që nuk e kanë ndjekur me fanatizëm skuadrën shkodrane, mund ta përkufizojnë mjaft mirë situatën e Vllaznisë.

“Ditur s’ka patur këpucë për të luajtur, por ka patur lojtarë. Sot ka plot këpucë, por nuk ka lojtarë”./abcnews.al

vllaznia-2.jpg
ent ela17:39 | 24/05/2018

Rënia e Vllaznisë nga kategoria është shoqëruar me komente dhe akuza të shumta, nga tifozë dhe njerëz të njohur të Shkodrës. Ata bëjnë me faj klubin e tyre dhe bashkinë e qytetit.

Një katastrofë e tillë nuk mund të mos kishte reagime.

Emra të njohur të Shkodrës, të futbollit dhe jo të tillë, nuk kanë ngurruar të shpërthenin në akuza, ndërsa Vllaznia zbriti nga Superliga.

Ish-sulmuesi i shquar i ekipit të viteve ’80, Roland Luçi, ia hedh fajin vetëm të vetëve.

“Nuk e ka fajin Partizani, edhe pse mund të ketë mëkatuar, – shkruan ai, – ashtu si mëkatoi Skënderbeu e Kukësi në përballjet komediante ndaj Vllaznisë. Nuk mund të mobilizohet gjithë Shqipëria që të mos bjerë Vllaznia. Aq më tepër me ritual të përvitshëm. E meritonte të binte”!

Humoristi i njohur shkodran, Julian Deda, shpërthen ashpër.

“Hienat arritën ta degradojnë, ia dolën ta turpërojnë, hienat e denatyralizuan Vllazninë. Në thelb nuk e ka fajin Partizani, askush tjetër, po pse kështu luhet futboll, duke shpresuar tek ndonjë skuadër tjetër. Kjo skuadër nuk mund të shkojë në atë nivel sa të kërkojë mëshirë”.

Një adresë tifozi shkruan: “Ndërsa autobusi bosh i Vllaznisë kalon Qafën e Thanës, lojtarët e saj vazhdojnë të shënojnë. Jemi në golin e 69-të”.

Faqja zyrtare e Vllaznisë ka mbetur me postimin e fundit në 19 maj, një reagim ndaj akuzave të Kamzës para ndeshjes me Kukësin.

Tifozët i janë vërsulur egër klubit dhe bashkisë.

Komentet janë të ashpra, duke theksuar se dikur Vllaznia ishte krenari e futbollit shqiptar, ndërsa sot ka rënë më poshtë edhe se ekipet ma histori.

Tifozët bëjnë me faj Bashkinë dhe klubin për gjendjen, duke mos pranuar ato që i quajnë justifikime duke sulmuar të tjerët.

Burime nga Shkodra njoftojnë ndërkaq se tifozët shkodranë po përgatiten për protestë përpara Bashkisë ditën e nesërme. /abcnews.al

korca.jpg
G. P.19:01 | 23/05/2018

Superliga pati në nga përfundimet më dramatike të historisë së saj, pasi Vllaznia ra nga kategoria. Skuadra më e vjetër në Shqipëri humbi garën për mbijetesë me Kamzën.

E drejtë apo jo, por futbolli shqiptar duhet të mbajë zi.

Një vit pas Tiranës, ndodhi tragjedia numër 2, ajo e rrëzimit nga elita e skuadrës më të vjetër, Vllaznisë.

Ekipi i qytetit që solli topkëmbën tek ne nuk do të luajë sezonin e ardhshëm në Superligë, ndërsa në kategori mbeti Kamza.

Kjo, edhe pse shkodranët fituan 5-1 në Korçë, në një ndeshje të toleruar nga ana e Skënderbeut që ishte shpallur që më parë kampion i vendit.

Suksesi i thellë nuk i bëri punë Vllaznisë pasi Kamza mori atë që deshi në fushën e Partizanit.

Kamzalinjtë triumfuan 1-0 me një gol të shënuar në nisje të pjesës së dytë me anë të Rezit, duke u ngjitur në kuotën e 46 pikëve, dy më shumë sesa shkodranët.

Festë e madhe e skuadrës së Kamzës në “Selman Stërmasi”, krejtësisht e ligjshme dhe përpara tifozëve të zjarrtë, edhe pse kishin ardhur në numër të paktë.

Në stadiumin “Skënderbeu”, ndërkaq, pati dëshpërim të thellë të futbollistëve dhe stafit teknik mik.

Kjo ishte hera e dytë që Vllaznia ra nga kategoria, pasi rrëzimit që i ndodhi në 1957, ndërsa një vit më parë ishte po në këto pozita, por mbijetoi duke fundosur Tiranën.

Mund të pohohet, gjithsesi, se Kamza e meritoi qendrimin në elitë, pasi u tregua ekip më i mirë se veriorët.

Përsa i përket verdikteve të tjerë, duhet pritur vendimi i KAS-it për Skënderbeun.

Korçarët e mbyllën turneun si kampionë, por Kukësi i vendit të dytë shpreson të marrë pjesë në Champions, nëse mbetet në fuqi dënimi i UEFA-s.

Po ashtu, Luftëtari është në Ligën e Europës, dhe po ashtu Laçi, ndërsa Partizani duhet të presë edhe ai vendimin për Skënderbeun./abcnews.al

vllaznia-1.jpg
G. P.16:11 | 23/05/2018

Skuadra më e vjetër e futbollit shqiptar ende rrezikon të bjerë nga Superliga. Tifozët dhe specialistët shkodranë janë të shqetësuar se, pavarësisht buxhetit aspak të vogël, Vllaznia mund të mos jetë në elitë sezonin e ardhshëm

Edhe pse shpëtimi është më pranë, qyteti nuk është i qetë. Tifozët shkodranë dolën disa ditë më parë përpara Bashkisë për të protestuar për Vllazninë, por ekipi ende nuk e ka siguruar Superligën.

Mbrëmja e sotme, pas dy finaleve të javës së fundit, do të jetë ose e lumtur, ose me dëshpërim të plotë. Shkodra që solli futbollin në Shqipëri, klubi i themeluar në 1919-n rrezikon seriozisht, duke mos e pasur fatin në duart e veta.

I duhet të fitojë në Korçë dhe të shpresojë që Partizani të mundë Kamzën, ose të fitojë me 4 gola në fushën e Skënderbeut, dhe Partizani të mos humbasë me kamzalinjtë.

Çfarë e solli Vllazninë deri këtu?

Ish-lojtarii shquar dhe ish-trajner, Edi Martini, gjykon kështu ndërsa flet për ABC News.

Edi Martini: “Kishim disa probleme që unë kryesisht i quaj teknike dhe nuk i quaj shumë përgjegjësi presidencës, jo se dua t’i dal zot bashkisë. Bashkia ka gjynahet e veta. Bashkia duhet t’i kërkonte llogari trajnerit. Duhet të ishte dikush i ndërmjetëm midis presidencës dhe trajnerit.”

Më i ashpër me drejtuesit është ish-trajneri dhe futbollisti i një brezi më të hershëm, Hysen Dedja.

Hysen Dedja: “Vllaznia pse është larguar nga fitimi i trofeve. Pse kjo psikologji. Unë do të thosha të gjithë ata që kanë drejtuar 7 vjet duhet të largohen vetë nga futbolli”.

Habia është e madhe që Vllaznia mbërriti në këtë gjendje, edhe pse buxheti nuk ishte aspak i papërfillshëm. Mjafton të dëgjojmë anëtarin e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Fatlum Nurjen, në emisionin “Procesi Sportiv”.

Fatlum Nurja: “Bashkia financon 1 miliard e 200 milionë në vit për Vllazninë dhe kjo është një shumë jashtëzakonisht shumë e madhe krahasuar dhe me ekipet e tjera”.

Vllaznia është 9 herë kampione e Shqipërisë, 11 herë nënkampione dhe 6 herë fituese e Kupës, por edhe sezonin e kaluar ishte në këtë gjendje, duke shpëtuar pikërisht në javën e fundit./abcnews.al

tifoze.jpg
G. P.12:56 | 18/05/2018

Tifozat e Vllaznisë kanë protestuar kundër bashkisë dhe futbollistëve të këtij ekipit. Shkak është bërë gjendja në të cilën ndodhet ekipi, i cili ka rënë nga kategoria Superiore në kategorine e Parë. Tifozat kanë hedhur vezë, tymuese, letra tualeti dhe kanë bërë thirrje kundër bashkisë.

Tifozët më të zjarrtë të kuqebluve nuk pajtohen me rënien e Vllaznisë nga kategoria, e cila sot një vit kremton edhe 100-vjetorin e themelimit të saj. Situata është e rëndë pasi kuqeblutë pas 57 vitesh e shohin veten një kategori më poshtë dhe tifozët me këtë gjendje nuk mund të pajtohen. Vllaznia ka 7 vite që administrohet nga Bashkia e Shkodrës./abcnews.al

dedja.jpg
G. P.15:43 | 14/05/2018

Vllaznia duhet ta kërkojë fajin tek vetja për rënien e mundshme nga Superliga. Ish-trajneri i saj, Hysen Dedja, bën një analizë të skuadrës shkodrane dhe ka akuza për drejtuesit.

E ndan vetëm një fije nga fatkeqësia e madhe.

Kaq e rëndë duket mundësia e rënies së Vllaznisë nga Superliga, saqë kjo nuk arrin të besohet nga ata shkodranë që dhanë gjithçka për fanelën e saj.

I tillë Hysen Dedja, ish-futbollist kampion dhe ish-trajner kampion me skuadrën e qytetit të tij të lindjes.

Hysen Dedja: “Duhet ta them edhe në këto momente nuk arrij ta besoj. Ngaqë është ajo pjesa e matematikës, janë edhe 6 pikë dhe shpresoj përsëri që Vllaznia nuk do të bjerë një kategori më poshtë”.

Dedja thotë se gjendja e sotme nuk është rastësi dhe thekson diçka që e shqetëson në veçanti.

Hysen Dedja: “Nuk është problemi që ishte këtë kampionat. Vllaznia ka 7-8 vite që lundron në këto ujëra. Pra në këtë qytet po ndryshohet pskologjia. Kanë 7-8 vjet që nuk kanë reaguar. Vllaznia është larguar nga trofetë. Pse është ndryshuar ky mentalitet”?

Sipas Dedjes, kush janë fajtorët për gjendjen e skuadrës shkodrane?

Hysen Dedja: “Dihet ajo. Ata që drejtojnë. Duke filluar  nga kryetarja e bashkisë, e të gjithë me radhë. Administratori që ka përgjegjësi, stafi teknik ka përgjegjësi, të gjithë, që te përzgjedhja e lojtarëve, lojtarët. Unë do thosha që këto 7 vjet, të gjithë duhet të largohen vetë nga futbolli”.

Specialisti shkodran ka një akuzë edhe për trajnerin tashmë të dorëhequr, Ernest Gjoka.

Hysen Dedja: “Unë e kam dëgjuar në një intervistë të trajnerit, “kam shkuar të Vllaznia për ta shpëtuar nga kategoria”. Çfarë është kjo psikologji? Te Vllaznia nuk shkohet për ta shpëtuar nga kategori, por për ta çuar më lart. Shkodra ka njerëz sa të duash, që dinë vlerat e qyteti dhe psikologjinë e skuadrës, pa i hequr vlerat Gjokës. ”

Njeriu i stolit nuk dëshiron të merret me çështjet e aleancave që mund t’i kenë prishur punë Vllaznisë.

Dedja gjithsesi thotë se mbetet me shpresë që Vllaznia të fitojë ndeshjet e veta, ndërsa Kamza të gabojë në takimet e vështira me Laçin dhe Partizanin, dhe shkodranët të mbeten në elitë./abcnews.al

vllaznia.jpg
G. P.08:33 | 14/05/2018

Vllaznia është në prag të rënies nga Superliga, pas humbjes me Partizanin në kryeqytet. Shkodranët u dënuan nga fitorja e Teutës në Korçë, përballë një Skënderbeu që luajti me rezervat.

Historia do të dënohet për të dytin vit radhazi.

Pas rënies së Tiranës në Kategorinë e Parë në 2017, në prag të zbritjes nga Superliga është Vllaznia.

Njëri pas tjetrit, dy klubet më të vjetër të futbollit shqiptar përjetojnë dramën më të madhe dhe të paktën në rastin e shkodranëve, nuk duket aq shumë e merituar.

Për fatin e tyre të keq, iu desh ta luanin ndeshjen e javës së 34-t në fushën e një Partizani që duhej të luftonte për veten, për të siguar një vend në Europë.

Kryeqytetasit ia dolën me suksesin 2-0, ndërsa Vllaznia me shumë gjasa u zhyt përfundimisht.

Kur duhen edhe dy javë, pra kur janë në lojë 6 pikë, kuqeblutë janë 5 pikë prapa rivalëve direktë, Kamzës e Teutës.

Trajneri Ernest Gjoka nuk priti më gjatë për të dhënë dorëheqjen, siç ia deklaroi Supersportit me të përfunduar takimi.

Nëse shkodranët logjikisht nuk kanë shumë shpresë, e kundërta vlen për Kamzën e Teutën.

Gjithsesi, fitoret e tyre ishin të ndryshme, pasi duket krejt normale që kamzalinjtë ia dolën në fushën e tyre ndaj Flamurtarit.

Një gol i Sebino Plakut nderoi vendasit e drejtuar prej disa javësh nga trajneri Julian Ahmataj.

Për fat të keq, gara u cënua në Korçë.

Skënderbeu nuk hodhi në fushë lojtarët kryesorë, duke ia bërë shumë të lehtë Teutës që të fitonte 3-1 dhe të siguronte praktikisht mbijetesën.

Një dhuratë për Teutën, por një goditje ndaj Vllaznisë, ndërsa trajneri vendas, Daja, e pati të vështirë të sqaronte atë që ndodhi.

Kur duhen edhe dy ndeshje deri në përfundim të kampionatit, Kamza e Teuta kanë nga 43 pikë ndaj 38 të shkodranëve.

Skënderbeu ka dalë tashmë kampion dhe Kukësi siguroi vendin e dytë që mund t’i japë edhe Championsin sezonin e ardhshëm.

Së fundi, për Europën, më pranë është Luftëtari, ndërsa shpresë ka edhe Partizani./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono