Vllaznia

pere-junior-taipi.jpg
Vladimir Prenga08:20 | 28/01/2020

Merkato ende nuk është mbyllur dhe disa prej skuadrave të Superiores po tentojnë të bëjnë afrimet e fundit. Kukësi i vendit të parë, edhe pse është i kompletuar dhe nuk shikohet e domosdoshme që të ketë lëvizje në hyrje, ka nisur bisedimet me një mesfushor cilësor.

“Panorama Sport” shkruan se drejtuesit e Kukësit po flasin me mesfushorin Gjelbrim Taipi. Edhe në verë pati tentativa për të arritur një marrëveshje, madje Taipi edhe u takua me presidentin e Kukësit, Safet Gjici. Atëherë nuk pati akord dhe tashmë ka sërish tentativa për të bashkëpunuar.

Pjesën e parë të sezonit mesfushori u aktivizua në Challenge League në Zvicër. Taipi zbriti në fushë në 12 takime (10 titullar) me Winterfurth dhe tashmë rikthehet opsioni Superiore për të, madje me mundësinë që në fund të sezonit të festojë titullin kampion.

MERKATO NË SHKODËR DHE KORÇË – Vllaznia afroi këtë muaj dy lojtarë për sulmin dhe duket se nuk do të ndalet me kaq. E njëjta gazetë raporton se shkodranët kanë arritur akordin me një sulmues të njohur për kuqeblutë. Bëhet fjalë për brazilianin Silvio Junior, i cili vjet me fanellën e Vllaznisë shënoi 11 gola në kampionat.

Këtë verë zgjodhi të pranonte një ofertë nga Sllovakia. Me Zlate Moravce ka shënuar vetëm një gol, ndërkohë që shqetësimi kryesor për sulmuesin 25-vjeçar kanë qenë minutat. Nga 12 takime që është aktivizuar në total, Junior vetëm një herë e ka nisur nga fillimi dhe Superiorja është një opsion i mirë për të.

Në Korçë problemi kryesor gjatë pjesës së parë të sezonit ka qenë mbrojtja. Kështu, te Skënderbeu afruan Eni Imamin dhe presin të rikthehet edhe Bajram Jashanica. Kampionati është i gjatë dhe drejtuesit kanë rënë dakord me një tjetër mbrojtës. Nga Pogradeci është marrë 28-vjeçari Miklovan Pere, i cili do të jetë një alternativë për trajnerin Daja në vazhdim. /abcnews.al

12-37-08-Emerson-Brito-dos-Santos-2.jpg
Vladimir Prenga12:43 | 27/01/2020

Vllaznia ka zyrtarizuar një largim që në fakt dihej nga të gjithë. Braziliani Sinho nuk do të jetë pjesë e kuqebluve dhe klubi shkodran ka dalë me një komunikatë ku bën me dije ndërprerjen e bashkëpunimit.

“KF Vllaznia bën të ditur se ditën e sotme ka ndërprerë kontratën me një tjetër futbollist i cili nuk ka qenë në planet e stafit teknik për gjysmën e dytë të sezonit. Bëhet fjalë për mesfushorin Emerson Brito Dos Santos.

Me të është arritur marrëveshja përkatëse e mbylljes së bashkëpunimit. KF Vllaznia e falenderon futbollistin Emerson për kontributin e dhënë këto muaj për skuadrën tonë dhe i uron suksese në karrierën e tij të mëtejshme”, njofton klubi i Vllaznisë. / abcnews.al

Mirsad-Jonuz-Vllaznia-e1580056054131.jpg
Vladimir Prenga09:29 | 27/01/2020

Shkodranët janë të bindur që kanë gjetur trajnerin e duhur. Mirsad Jonuz po drejton me sukses Vllazninë dhe ka ndërtuar një ekip që po merr rezultate edhe ndaj ekipeve pretendente për Europën, apo për titull.

Nisur nga puna e mirë e bërë prej tij, në Shkodër kanë bërë edhe një lëvizje serioze për rinovimin e kontratës. Nuk bëhet fjalë për një zgjatje normale të marrëveshjes, por për nisjen e një cikli të ri.

E përditshmja sportive “Panorama Sport” shkruan se ka pasur një takim të kryebashkiakes Voltana Ademi me trajnerin Jonuz dhe i është ofruar një kontratë rekord, që do të jetë e vlefshme për pesë vitet e ardhshme.

 

LUFTËTARI– Gjirokastritët u mundën një ditë më parë nga Tirana me rezultatin e thellë 5-1, por bluzinjve s’u del inati me arbitrat dhe këtë herë presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj, e tepron disi.

Gjyqtari Klajdi Kola gaboi dje me një penallti në favor të Tiranës, kur rezultati ishte 3-1. “Arbitër bastard” është titulli i “Panorama Sport”, ndërkohë që citohen edhe fjalët e presidentit Halilaj: “Me gjyqtarin Kola do të merrem personalisht”. /abcnews.al

 

cungu-1.jpg
Vladimir Prenga09:58 | 26/01/2020

Një deklaratë e Armando Cungut në fillim të kampionatit solli shumë polemika. I ftuar në emisionin “Rubrik Sportive” në RTSH, trajneri shkodran komentoi paraqitjen e brazilianit Hygor, i cili shënoi një gol nga distanca. Pavarësisht kësaj, për Cungun paraqitja në atë ndeshje nuk ishte në nivel.

“Ishte pika më e dobët e Vllaznisë. Megjithëse nuk duhet të flasim para kohe, pasi është java e parë. Unë nuk pashë asgjë të duhur tek ai. Në Shkodër i thonë ‘ia mbush shejtani’ dhe i dha tri pikë. Pas ndeshjes ai tha vetë: ‘Isha me pushime dhe më thanë hajde në Shkodër’”, deklaronte asokohe Cungu, të cili vetë braziliani i është përgjigjur.

Hygor, duke festuar me Gilman L:iken dhe Ardit Krymin

Pas ndeshjes së djeshme, Vllaznia-Laçi, trajneri shkodran i është rikthyer së njëjtës temë. Sigurisht kanë qenë gazetarët që e kanë ngacmuar dhe Cungu është shprehur kështu: “Mua nuk më shqetëson aspak, mua më shqetësojnë njerëzit që nuk e kuptojnë se çfarë është futbolli apo që kanë probleme të tjera me veten.

Më shqetësoni ju gazetarët që nuk arrini të shikoni ekzaktësisht idenë dhe kontekstin e asaj se çfarë kam thënë me zë e figurë. Unë atë ditë kam thënë në një studio televizive dhe e pranoj sërish, lojtari ndoshta jo në ditën dhe formën më të mirë, me një goditje i dha fitoren Vllaznisë. Në Shkodër është një proverb, që edhe ju si shkodranë duhet ta dini.  E kam thënë edhe që është herët për të paragjykuar çdo lojtar apo prurje të Vllaznisë.  Më shumë ishte një batutë humoristike, jo për të fyer futbollistin. Ju bini pre e disa njerëzve që nuk kanë as nivelin më të vogël dhe unë nuk e kam ndërmend të bie në atë nivel”.

Armando Cungu, gjatë ndeshjes Laçi-Tirana (©photosport.al Instragram)

EMOCIONET – “Normalisht kam emocione, nuk mund të bëj hipokritin. Këtu është qyteti im, është zemra ime, këtu kam luajtur futboll, këtu kam dalë.  Këta tifozë më kanë përkrahur, kam luajtur gati 10 vite me Vllazninë, po kështu si trajner kam kontribuar në gjendje lufte. Shumëkush ndoshta nuk ka dashur ta dijë, por realisht kam punuar me mish e me shpirt deri edhe në rrezikun tim, për të mbrojtur Vllazninë, ngjyrat e saj dhe për ta mbajtur në ligë. Ka njerëz që kanë mendime të tjera, është e drejtë e tyre. Unë vazhdoj përpara, jam shumë korrekt me të gjithë njerëzit që kam punuar, kështu që nuk më shqetëson asgjë

Emocionet janë, e thashë, pasi vij në qytetin tim, vij kundër historisë time si futbollist dhe si trajner, ndaj nuk është e lehtë të zbresësh në Loro Boriçi, këtë tempull të futbollit shqiptar”. Laçi i Cungut doli dje me një pikë nga stadiumi “Loro Boriçi” dhe tani mendon për ndeshjen e radhës, këtë herë në shtëpi dhe ndaj një ekipi si Skënderbeu. /abcnews.al

Mevlan-Adili-1280x669.jpg
Veronik Istrefaj19:37 | 25/01/2020

Mevlan Adili, mbrojtësi i Vllaznisë, bëri një ndeshje të shkëlqyer sot përballë Laçit, aty ku u shpall dhe futbollisti më i mirë i takimit. 25 vjeçari arriti të neutralizojë në mënyrën më të mirë të mundshme sulmuesin Nwabueze, i cili është një ndër lojtarët më të mirë në Superiore. Pas ndeshjes, Avdili foli për Supersport, ku preku disa tema.

BARAZIMI – “Në këto ndeshje, mendoj se kur luan mirë të gjithë ekipi, i përgëzoj çunat për ndeshjen që bënë. Donim fitoren, por nëse nuk arrin të suksesi, e rëndësishme është të mos humbësh. Kështu që marrim një pikë.

NWABUEZE – “Laçi ka ekip të mirë, me djem të rinj. Për të analizuar ndeshjen, nuk kishte shumë nevojë, pasi e di çfarë lojtari është Nwabueze. Ka luajtur edhe ai në Maqedoninë e Veriut. Është lojtar i fortë, por arritëm të neutralizonim.

AMBIENTIMI – “Çunat këtu te Vllaznia janë fantastikë, si brenda, ashtu dhe jashtë fushe. Më kanë ndihmuar të ambientohem sa më shpejt dhe dua t’i falënderoj. Sa i takon rezultateve, këtë gjë do t’ia lëmë kohës”, përfundoi Adili./abcnews.al

Jonuz.jpg
Igli Nikolli19:27 | 25/01/2020

Vllaznia nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në ndeshjen kundër Laçit dhe trajneri i ekipit shkodran, Mirsad Jonuz, analizon përballjen në prononcimin e dhënë në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

NDESHJA – “Pjesën e parë luajtëm me kujdes, ajo ishte taktika jonë. Kishim plan të hapnim rezultatin në pjesën e dytë. Është fillimi dhe duhet të kemi përqendrim maksimal. Laçi luan në kundërsulme me tre sulmuesit e tij. Sot kishim dy futbollistë që erdhën në janar, Adili dhe Hristov. Është pak e vështirë deri sa të përshtaten. Në fund futëm Sidorenkon. Kishim raste në pjesën e dytë dhe mendoj se humbëm dy pikë”.

ACARIMI – “Unë jam i qetë dhe është normale të bësh presion. Ndonjëherë edhe presioni është gjë pozitive. Mendoj se ishte penallti, por ai është gjykimi i arbitrit. Do e shoh tani përsëri si rast. Normale, tifozët do të reagojnë po e panë që ishte penallti. Do ketë reagim, nuk është teatër.

Reagim i i drejtë? Futbolli është lojë për burra, unë nuk kam aktruar, nuk kam bërë teatër. Ishte reaksion i momentit. Edhe unë jam shembull, edhe unë luftoj për pikë. Nuk kam sharë, nuk kam ofenduar. Ishte reaksion, sepse luftojmë për pikë. Çdo pikë ka rëndësi për ne”.

HRISTOV – “Unë e shoh ekipin si kolektiv, jo si individë. Besoj se do të bëjë më të mirën. Duhet të kemi durim, të gjithë lojtarët duhet të përshtaten në ekip”.

PËRGATITJA E NDESHJES – “Për fat të keq, ne ushtrohemi në një stadium që nuk është i mirë për ne. Kjo është pika e dobët e Vllaznisë. Kemi biseduar me drejtuesit dhe kryetarin e bashkisë për të ndërtuar një fushë stërvitje. Kanë reaguar pozitivisht, mendoj se do të jetë gati në verë. Në Shkodër ka gjithmonë reshje të shiut”. /abcnews.al

Cungu-1280x683.jpg
Veronik Istrefaj19:16 | 25/01/2020

Armando Cungu, trajneri i Laçit, foli pas barazimi 0-0 kundër Vllaznisë për Supersport, aty ku pranoi se kjo sfidë, ishte me dy pjesë të ndryshme. Sipas Cungut, pjesën e parë e dominuan të tijtë, ndërsa në të dytën, Vllaznia fitoi terren.

DOMINIMI – “Kuptoj, pjesërisht jam dakord, por nëse e shohim si minutazh, ishim më dominues se Vllaznia, sidomos në pjesën e parë. Kishim 3-4 raste dhe me pak kujdes, mund të kishim shënuar. Në pjesën e dytë, fillimi nuk ishte i keq, por në momentin kur Vllaznia pretendoi për penallti, ekipi im u tkurr dhe për 25 minuta, vendosëm gjithçka në rrezik, edhe rezultatin e ndeshjes. Ashtu siç shkoi ndeshja, barazimi ishte i drejtë”.

VLLAZNIA – “Ishte ndeshje jashtë fushe, e dija se si do të luante Vllaznia. Edhe sot në analizën e ndeshjes, i kam treguar lojtarëve të mi si luan Vllaznia. Mbrohet me shumë forca dhe kërkon të përfitojë nga gabimet në mesfushë. Përdorin kundërsulmet e shpejta me futbollistë si Shtubina dhe Lika. Ne duhet të ishim në ekuilibër. Gjithsesi, nuk mund të pretendojmë se një ndeshje jashtë fushe, të jemi dominues. Ishte një ndeshje me dy tablo, në përgjithësi ishte një pikë që na vlejti”.

TERRENI – “Ditët e fundit, kanë qenë ditë të bukura dhe jemi stërvitur në fushë me bar në Laç. Sot, terreni ishte shumë i rrëshqitshëm për shkak të shiut. Normalisht, duhet të përshtateshim. Kishte disa momente problematike për shkak të terrenit, sidomos në zona të ngushta. Ne u munduam më pas të ishim të thjeshtë dhe të luanim me 1-2 takime.

NWABUEZE – “Jam shumë i kënaqur me të, edhe në sot edhe në ndeshjen kundër Durrësit. Nuk duhet të harrojmë se Nwabueze është në epiqendrën e çdo kundërshtari. Të gjithë po e ruajnë dhe në çdo kontakt, ka dy lojtarë pas shpine. Këtë gjë, duhet ta shfrytëzojmë me lojtarët tjerë. Nuk më shqetëson aspak, pasi çdo futbollist ka ditë “jo”.

GRECA – “Greca luajti mirë në Durrës dhe sot vendosa ta fus titullar sërish, nuk mund ta ulja në stol. Xhixha u ul në stol, por secili do të ketë minutat e veta. Jam shumë i lumtur që i kam këto dy lojtarë dhe nuk ka lidhje me shitjen e lojtarëve”.

VERTIKALIZIMET – “Në pjesën e parë, ishim dominantë dhe kërkuam të vertikalizonim, si me Grecën, ashtu dhe me Nwabuezen. Pasimi i fundit nuk ishte i duhur. Pjesa e dytë, nëse flasim për ekuilibër të Vllaznisë, ia dhamë ne, pasi u tkurrëm disi. Greca ishte në formë të mirë, ka eksperiencë. Teco bëri ndeshje të mirë në Durrës, e aktivizova sërish. Nuk kishim probleme në krahun e djathtë, edhe Fangaj bëri ndeshje të mirë.

NDRYSHIMET – “Nuk jam trajner që bëj shumë lëvizje, duhet të kemi një fytyrë dhe atë ta kemi siç duhet. Siç erdhi loja, duhet të mendoja edhe për një pikë, pasi kundërshtari avancoi disi dhe vendosëm në diskutim edhe rezultatin e ndeshjes”./abcnews.al

Vllaznia-Laci-Superiore-1-1280x627.jpg
Veronik Istrefaj18:45 | 25/01/2020

Është mbyllur takimi mes Vllaznisë dhe Laçit në Loro Boriçi, me barazimin e bardhë 0-0. Të dyja skuadrat patën shanse për të shënuar, por goli mungoi dhe në fund ndanë nga një pikë. Gjatë pjesës së parë, Laçi ishte më kërkues dhe pati rastet më të mira për të shënuar.

Ndërsa në pjesën e dytë, ishin shkodranët e Vllaznisë ata që i shkuan më afër golit. Rasti më i rrezikshëm dhe më vendimtar i sfidës, erdhi në minutën e 78-të, kur Vllaznia tronditi shtyllën e Laçit.

Gurishta krosoi nga krahu i djathtë dhe Gilman Lika kërcen më lart se të gjithë, duke gjuajtur bukur me kokë. Por Stajila fluturon dhe arrin të grushtojë topin në shtyllë, duke i mohuar golin shkodranëve. Zogaj, 2 minuta më vonë, ka një tjetër rast ideal për të shënuar, por sërish Stajila e ndalon./abcnews.al

KATEGORIA SUPERIORE (Java 19)
“Loro Boriçi”, Shkodër

VLLAZNIA – LAÇI   0-0

Vllaznia: Sherri, Gligorov, Adili, Malota, Marku, Gurishta, Krymi, Hygor, Lika (Kruja 84′), Shtubina (Sidorenco 73′), Hristov (Zogaj 54′). Trajner: Mirsad Jonuz

Laçi: Stajila, Fangaj, Gjoni, Domgjoni, Turkaj, Shehu, Deliu, Lushkja, Teco, Greca (Xhixha 60′), Nwabueze. Trajner: Armando Cungu.

Gjyqtar: Kridens Meta

Kartonë të verdhë: Jonuz (trajneri) 62′, Gurishta 73′, Krymi 75′, Gligorov 77′ / Turkaj 66′

Meta-1.jpg
Veronik Istrefaj18:33 | 25/01/2020

Po luhet takimi mes Vllaznisë dhe Laccit. Në “Loro Boriçi”, goli po mungon dhe kur kanë kaluar më shumë se 70 minuta lojë, asnjë skuadër nuk duket se do të arrijë të gjejë rrjetën. Si pasojë, tensioni mes skuadrave është rritur, por dhe te trajnerët.

Strategu i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, u acaruar tepër për një dalje të avashtë të Nwabuezes nga fusha e lojës dhe protestoi te gjyqtari i katërt. Arbitri Kridens Meta shkoi për të ndëshkuar Jonuzin me karton të verdhë dhe në këtë moment, tifozët e Vllaznisë bënë veprimin e turpshëm.

Plot 3 shishe u gjuajtën në drejtim të Kridens Metës dhe një nga shishet, i shkoi shumë pranë. Menjëherë, stoli i Vllaznisë u kthye nga tribuna dhe iu kërkoi tifozëve të ruajnë qetësinë, por me shumë gjasa, dënimi për ekipin shkodran nuk do të mungojë./abcnews.al

Vllaznia-Laci-Superiore.jpg
Veronik Istrefaj17:47 | 25/01/2020

Është mbyllur pjesa e parë mes Vllaznisë dhe Laçit në “Loro Boriçi”, me rezultatin e barabartë, 0-0. Të dyja skuadrat tentuan të sulmonin dhe të gjenin golin e avantazhit, por të dyja mbrojtjet bënë një 45 minutësh shumë të mirë.

Golit më pranë iu afrua ekipi i Laçit fillimisht, me anë të Bedri Grecës. Numri 7 i kurbinasve gjuajti mirë me të majtën nga një diagonale e vështirë, por topi i tij shkoi ngjitur me shtyllën. Ky rast, u regjistrua në minutën e 22-të.

Në minutën e 39-të, Kyrian Nwabueze i shokon të gjithë, pasi i vetëm përballë portierit Sherri, nuk koordinohet siç duhet dhe gjuan shumë keq me të majtën, me topin që shkon jashtë kuadratit. Vllaznia kërkoi të shtyjë në minutat e mbetura me anë të Gilman Likës dhe Hristov, por goli mungoi dhe të dy skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes me rezultatin e bardhë, 0-0./abcnews.al

KATEGORIA SUPERIORE (Java 19)
“Loro Boriçi”, Shkodër

VLLAZNIA – LAÇI   0-0

Vllaznia: Sherri, Gligorov, Adili, Malota, Marku, Gurishta, Krymi, Hygor, Lika, Shtubina, Hristov. Trajner: Mirsad Jonuz

Laçi: Stajila, Fangaj, Gjoni, Domgjoni, Turkaj, Shehu, Deliu, Lushkja, Teco, Greca, Nëabueze. Trajner: Armando Cungu.

Gjyqtar: Kridens Meta

Kartonë të verdhë: 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono