vlerësimin

klp-1-1280x720.jpg
nev ila15:23 | 11/10/2019

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dështuar sërish për miratimin e metodologjisë, që do të përdoret për vlerësimin e kandidatëve për prokuror të përgjithshëm. Peng procesin, po e mban një vendim i Apelit të Administratives që pritet për kandidatin Lulëzim Alushaj. Ndërkohë, KLP dhe KLGJ po shkelin ligjin për të drejtën e informimit duke i zhvilluar mbledhjet pa praninë e medias.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dështuar për të dytën herë për të miratuar metodologjinë e pikëzimit të kandidatëve për prokuror të Përgjithshëm. Qeveria e prokurorëve më herët ka miratuar rregulloren me 3 kriteret kryesore për vlerësimin e tyre.

Bëhet fjalë për kriterin profesional, atë moral, si dhe aftësinë organizative dhe drejtuese. Gjithashtu, KLP do të marrë parasysh për kandidatët, edhe elemente plotësues të vlerësimit, si titujt akademikë, trajnimet dhe gjuhët e huaja.

Në nisje të mbledhjes kryetari i këtij Këshilli, Gentian Ibrahimi, deklaroi se vazhdimin e fazës së dytë të intervistimit të 3 kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm e mban peng ankimimi në gjykatën Administrative të Apelit, i avokatit Lulëzim Alushaj.

Avokati u përjashtua nga gara, pasi sipas KLP nuk plotësonte 15 vite eksperiencë pune. Gjykata Administrative e Apelit do të shprehet më 16 tetor për këtë çështje.

Edhe në këtë mbledhje, Këshilli i Lartë i Prokurorisë shkeli ligjin për transparencën pasi seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. Mbetet e paqartë së përse u kyçën dyert për mediat pasi në këtë seancë nuk do të diskutohej për të dhëna sekrete të tre kandidatëve në garën për kryeprokuror.

Pas përfundimit të mbledhjes,  anëtarët e qeverisë së prokurorëve nuk dhanë asnjë sqarim për problemet që konstatuan në metodologjinë e pikëzimit. Të njëjtin shembull si Këshilli i Partë i Prokurorisë duket se ka ndjekur edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor i cili u mblodh këtë të premte pa njoftuar mediat.

“ABC News” ka siguruar axhendën e përcaktuar nga qeveria e gjyqtarëve, ku një nga pikat e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektvendimit për Metodologjinë e vlerësimit dhe pikëzimit të kandidatëve jogjyqtarë për në Gjykatën e Lartë.

E kontaktuar nga Abc News” zyra e shtypit e Këshillit të Lartë Gjyqësor refuzoi të japë informacion se çfarë u diskutua në mbledhjen e kësaj të Premteje./ABC News Albania 24/7

 

banoret-termeti-qafzez-1280x713.jpg
nev ila18:17 | 14/09/2019

Në Qafëzez ka nisur ndërtimi i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Por banorët janë të pakënaqur me mënyrën e vlerësimit të dëmeve nga bashkia dhe emergjencat civile. Ata pretendojnë se ndërhyrjet e pjesshme në banesa nuk e shmangin rrezikun nga shembja.

Tre prej shtëpive që u rrënuan nga tërmeti në Qafëzez po ngrihen nga themeli.

Në 20 të tjera, ndërhyrjet do të jenë restauruese. Të pakënaqur me mënyrën e vlerësimit të dëmeve nga komisionet e bashkisë dhe Emergjencave Civile, banorët u mblodhën në qendër të fshatit për të protestuar.

Ata janë të shqetësuar se riparimi i pjesshëm i shtëpive, që kanë pësuar dëme të konsiderueshme, nuk do t’i ktheje ato në të banueshme.

Të prekurit nga tërmeti refuzojnë të hyjnë në shtëpitë, ku gjysma e ambienteve, ku nuk do të vihet dorë, do të jenë sërish në rrezik për tu shembur.

Kanë larguar punëtorët nga shtëpia,si mënyrë për të kundërshtuar zhdëmtimin e pjesshëm të shtëpive,edhe pse nuk kanë asnjë mundësi tjetër strehimi.

Ata që nuk e kanë parë emrin në listat e bashkisë, apo që ju është hequr emri, në fazën finale të përzgjedhjes, pretendojnë se procesi i vlerësimit të dëmeve ka qenë selektiv dhe jo transparent.

Kryebashkiaku i Kolonjës Erjon Isai ka siguruar familjet e prekura nga tërmeti se procesi i riparimit të shtëpive  do të përfundojë në fillim të tetorit.

Ato familje, që nuk kanë provuar ligjërisht pronësinë mbi banesën e dëmtuar,do të përfitojnë bonus qiraje nga bashkia.

Përveç riparimit të banesave të dëmtuara rëndë, është parashikuar dëmshpërblim për 264 shtëpi të tjera, më pak të dëmtuara./ABC News Albania 24/7

Senate-Attorney-General-11-1550192697.jpg
ad min22:30 | 01/05/2019

Në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë debatet lidhur me raportin e hetuesit të posaçëm mbi ndërhyrjen ruse. Së fundmi, kryeprokurori Uilliam Berr ka mbrojtur vlerësimin personal që i ka bërë dokumentit, duke shfajësuar presidentin Trump nga të gjitha akuzat.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara ka mbrojtur mënyrën se si ka paraqitur raportin hetimor mbi ndërhyrjen ruse, pas ankesave se nuk kishte prezantuar si duhet konstatimet e hetuesit të posaçëm Robert Myler.

Kryeprokurori Uilliam Berr u kritikua për vendimin e tij për ta çliruar presidentin nga akuza e pengimit të drejtësisë kur u shfaq përpara një paneli të Senatit. Dëshmia e Berr erdhi pas zbulimeve se Myler kishte shprehur shqetësim për prezantimin e raportit. Vetë hetuesi i posaçëm i ndërhyrjes ruse do të dëshmojë lidhur me çështjen në fjalë në Kongres më vonë gjatë muajit.

Prokurori i Përgjithshëm dëshmoi këtë të mërkurë, për herë të parë që nga publikimi i raportit me 448 faqe, ku thuhej se nuk kishte pasur bashkëpunim mes stafit elektoral të presidentit Donald Trump dhe Rusisë gjatë fushatës së vitit 2016. Por raporti nuk e shfajësonte presidentin nga akuza e pengimit të drejtësisë, me qëllim vështirësimin e punës së Myler.

Kryeprokurori Berr tha përpara komisionit të çështjeve gjyqësore të Senatit se, kishte mbetur i habitur për faktin se vetë zoti Myler nuk kishte arritur në një përfundim konkret nëse presidenti ishte përpjekur të pengonte drejtësinë, ndërsa shprehu besimin tek gjykimi i tij se Trump nuk ndërmori hapa ilegalë për të bërë një gjë të tillë. “Nëse ai mendoi se nuk duhet të dilte me një përfundim për procedim, atëherë më mirë të mos kishte hetuar fare”, deklaroi Berr./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono