Vladimir Putin

aa-2.jpg
ad min17:58 | 12/06/2019

Presidenti rus Vladimir Putin ka alokuar më shumë se 8 milionë Euro fonde për ndërtimin ë një shkolle në Dagestan e cila do të mbajë emrin e boksierit Khabib Nurmagomedov. Projekti është konfirmuar nga babai i sportistit.

Gjithçka ka ardhur pasi vetë boksieri i ka kërkuar presidentit të investojë për zhvillimin e arsimit në Dagestan. Numagomedov shpreson që fondet të përdoren në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë që fëmijëve të kësaj republike ti ofrohen kushte më të mira mësimi.

Khabib, së fundmi ka nënshkruan një kontratë të majmë më federatën UFC për disa ndeshje do të rikthehet në ring në shtator me qëllimin e unifikimit të titujve të peshave të lehta. Ai do të sfidojë kampionin Dustin Poirier.

Tv Klan

putin-ne-rusi.jpg
ad min09:15 | 02/05/2019

Presidenti rus, Vladimir Putin ka kthyer në ligj një masë të re që synon të zgjerojë kontrollin qeveritar në internet. Kritikët kanë paralajmëruar se ligji i ri, i nënshkruar nga Putini më 1 Maj dhe i publikuar në faqen e Kremlinit, do të mundësojë censurën në disa pjesë të internetit.

Përveç gjërave të tjera, masa e re u kërkon ofruesve të shërbimeve të internetit që të instalojnë pajisje për të drejtuar trafikun rus përmes serverëve të këtij shteti.

Mbrojtësit e internetit kanë thënë se një gjë e tillë do t’iu mundësojë agjencive ruse të inteligjencës që të vëzhgojnë më shumë  dhe autoritetet shtetërore do të kenë më shumë hapësirë për të kontrolluar informacionin.

Megjithatë, Kremlini dhe aleatët e tij në parlament kanë mbrojtur këtë legjislacion si masë nëse SHBA dëshirojnë t’i pamundësojnë Rusisë qasjen në internet./ABC News Albania 24/7

shampanje-e1526641948876.jpg
ad min10:10 | 28/04/2019

Presidenti rus thotë se do të donte të diskutonte konfliktin në Ukrainën lindore, nëse takohet me udhëheqësin e ardhshëm të Ukrainës.

Presidenti Putin dhe presidenti i zgjedhur i Ukrainës, Volodimir Zelenski nuk kanë bërë plane për takim.

Në komentet që bëri sot, ndërkohë që vazhdon vizitën në Kinë, udhëheqësi rus tha se dëshiron të kuptojë se ç’qëndrimi ka zoti Zelenski në lidhje me konfliktin. Zoti Putin u shpreh se populli ukrainas është lodhur nga situata aktuale. Ai shtoi se administrata ruse po shqyrton idenë për t’u ofruar shtetësi ruse të gjithë ukrainasve, jo vetëm atyre që jetojnë në pjesën lindore të vendit.

Më 24 prill, Presidenti Putin lehtësoi procedurat për marrjen e shtetësisë ruse për banorët e rajoneve Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën lindore, një masë që u pasua me kritika të forta nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe të tjerë./VOA

putin-dhe-kim-1-1280x736.jpg
ad min23:27 | 25/04/2019

Takimi i parë mes Kim Jong Un dhe Vladimir Putin ishte një shans që ata t’i dërgonin mesazhet e tyre botës. Lideri koreano-verior iu tregoi Shteteve të Bashkuara se Peniani nuk është i vetëm në kontestin bërthamor, ndërsa ai rus se Kremlini mund të jetë një lojtar i rëndësishëm në gjeo-politikën e Gadishullit Korean.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe lideri koreano-verior, Kim Jong Un, u takuan për herë të parë të enjten në qytetin Vladivostok të Rusisë. Ishte një takim që të paktën në pamje të parë la të kënaqur të dy krerët e shteteve.

Kim e cilësoi një mënyrë shumë të mirë për shkëmbimin e pikëpamjeve dypalëshe, ndërsa Putin vlerësoi se pala koreane ishte treguar shumë e hapur dhe kishte folur lirshëm për të gjitha temat që ishin shtruar në tryezë. Por më e rëndësishmja erdhi më pas.

Në përfundim të takimit ishte presidenti Putin që bëri një ekspoze të bisedimeve, duke shfaqur hapur interesin e Rusisë për t’u përfshirë në çështjen bërthamore koreane. Putin deklaroi se edhe ai kërkon një çarmatosje të plotë të Gadishullit Korean, por nënvizoi se kjo mund të arrihet duke respektuar ligjin ndërkombëtar.

“Duhet të rivendosim fuqinë e ligjit ndërkombëtar, të kthehemi në atë gjendje ku ligji ndërkombëtar dhe jo ai i më të fortit përcakton rendin në botë”, deklaroi Putin.

Nisur nga dështimi i samitit të Vietnamit mes Kim dhe Trump, kreu i Kremlinit nënvizoi se lideri koreano-verior ka nevojë për garanci ndërkombëtare në këmbim të çarmatosjes bërthamore, për të cilat nevojitet një panel shumëkombësh.

Ai propozoi rifillimin e bisedimeve të tryezës 6-palëshe mbi çështjen koreane, të bllokuara që prej vitit 2008 e që përfshijnë dy Koretë, Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën dhe Japoninë.

“Nëse Koreja e Veriut dhe Amerika mund të ofrojnë masa të mjaftueshme për të garantuar sigurinë e Veriut, atëherë tryeza 6-palëshe nuk ka nevojë të aktivizohet. Por garancitë e mekanizmit Seul-Uashington duken të pamjaftueshme, ndaj mendoj se duhet një mekanizëm shumëkombësh për sigurinë e veriut”, vijoi Putin, duke lënë të kuptohet se qëndrimi i tij është i ngjashëm me atë të Kinës.

Në tërësi, në rrafshin ndërkombëtar vizita e Kim në Rusi u konsiderua si një mundësi e re për Korenë e Veriut që t’u tregojë Shteteve të Bashkuara se ka aleatë të tjerë të fuqishëm në kontestin mes tyre.

Gjithashtu, takimi Kim-Putin u pa si një shans për vendin e izoluar aziatik për të treguar se e ardhmja e tij ekonomike nuk varet vetëm nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Nga ana tjetër, për Rusinë ishte rasti i artë për të treguar se është një lojtar i rëndësishëm dhe jo i izoluar në Gadishullin Korean./abcnews.al

kim-putin-1.jpg
ad min23:08 | 24/04/2019

Në takimin me presidentin Putin, lideri koreano-verior Kim Jong Un mund të ketë përpara një mundësi të artë për të shtrirë interesat e tij diplomatike dhe ekonomike. Kim mund të përpiqet të ulë ndikimin e Uashingtonit në bisedimet për çështjen bërthamore dhe varësinë ekonomike nga Kina, i vetmi partner tregtar i Koresë së Veriut.

Kim Jong Un dhe Vladimir Putin takohen për herë të parë të enjten, por nuk kanë në plan të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje, apo të bëjnë ndonjë deklaratë të përbashkët. Vizita e liderit koreano-verior në fqinjin verior vjen në një kohë kur bisedimet mes Penianit dhe Uashingtonit për çarmatosjen bërthamore kanë ngecur.

Takimi i Hanoit mes Donald Trump dhe Kim përfundoi pa një marrëveshje, me dy palët që kishin qëndrime të kundërta në lidhje me sanksionet amerikane, lehtësimi i të cilave do të ishte një hap përpara në çarmatosjen bërthamore.

Tani, analistët spekulojnë se takimi i Kim me Putin mund të jetë një mënyrë për liderin e vendit aziatik të parashtrojë opsionet e tij diplomatike jashtë panelit të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara.

Sipas CNN, Peniani mund të shpresojë për mbështetjen e Rusisë në presionet ndaj Uashingtonit për të lehtësuar sanksionet, për të cilat Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se do të hiqen vetëm atëherë kur Korea e Veriut të heqë dorë nga programet bërthamore.

Gjithashtu, Peniani mund të kërkojë të zbusë vartësinë ekonomike nga Pekini, i vetmi partner tregtar i Koresë së Veriut. Në reagimin e tyre, Shtetet e Bashkuara nuk janë shprehur të shqetësuara nga takimi Kim-Putin.

“Amerika dhe gjithë komuniteti ndërkombëtar është i angazhuar për të njëjtin qëllim: çarmatimin e plotë dhe të verifikueshëm të Koresë së Veriut”, ka deklaruar një zëdhënës.

Kim Jong Un mbërriti në Vladivostok të Rusisë paraditen e së mërkurës, në bordin e trenit të tij të blinduar, i shoqëruar nga një dyzinë truprojash./abcnews.al

putin-kim.jpg
nev ila23:23 | 23/04/2019

Takimi mes presidentit Vladimir Putin dhe liderit koreano-verior Kim Jong Un është çështje ditësh. Por ndërsa është caktuar vendi i takimit, ende nuk dihet se cilat do të jenë temat që do diskutohen në të. Përmes një analize të detajuar, BBC përpiqet të hedhë dritë mbi skenarin e takimit të shumëpritur.

Media shtetërore koreane ka konfirmuar se lideri Kim Jong Un do të udhëtojë së shpejti në Rusi për takimin e parë me presidentin Vladimir Putin. Edhe pse ende nuk ka një datë të saktë, si Peniani dhe Kremlini kanë deklaruar se takimi do të ndodhë në gjysmën e dytë të prillit. Ndërkohë, sa vijnë e rriten spekulimet se ata do të takohen më vonë gjatë javës në portin lindor të Vladivostokut, vetëm disa orë larg nga kufiri i përbashkët.

Takimi mes tyre vjen pas dështimit të samitit Trump-Kim në Hanoi, por secila palë do të dalë me një axhendë krejtësisht ndryshe në tryezë. Nga ana e saj, Korea e Veriut kërkon kontakt me këdo që mund ta ndihmojë të dalë nga izolimi i sanksioneve amerikane. Për të është i mjaftueshëm edhe një kontakt modest diplomatik për t’i thënë Shteteve të Bashkuara se Peniani nuk është i vetëm.

Ndaj në këtë drejtim, Rusia është një opsion atraktiv duke pasur parasysh se Kim është mjaft i zoti për të luajtur lojëra diplomatike në interes të ekonomisë së vendit të tij dhe mbijetesës së regjimit të tij.

Nga ana tjetër është presidenti Putin, i cili prej kohësh ka qenë i interesuar për një takim me liderin korean. Pas dështimit të samitit të Hanoit, një takim me Kim Jong Un është një shans i mirë që Putin të futet në çështjen e çarmatimit bërthamor të vendit aziatik.

Sikurse Shtetet e Bashkuara dhe Kina, edhe Rusia nuk ndihet e qetë me kapacitetet bërthamore të Koresë së Veriut, por duke e konsideruar çarmatosjen një skenar jorealist, Kremlini ka zgjedhur të bisedojë me Penianin për të stabilizuar situatën.

Përfshirja e Rusisë është gjithashtu një çështje prestigji dhe reputacioni. Pavarësisht se si do të jetë e ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Kore, Rusia është e prirur që të jetë e përfshirë në kontekst në një mënyrë apo në një tjetër. Nëse Putin arrin të thotë fjalën e tij lidhur me situatën, ai mund të tregojë se Rusia ka ende ndikim në Azi.

Dhe nëse Kremlinit do t’i kërkohet të kontribuojë për zgjidhjen e çështjes bërthamore koreano-veriore, atëherë për Putin do të jetë edhe më mirë./abcnews.al

shampanje-e1526641948876.jpg
ad min20:04 | 20/02/2019

Moska paralajmëron Shtetet e Bashkuara të Amerikës se do të përballen me reagimin e saj nëse vendosin raketat e tyre në Europë. Ishte presidenti rus Putin që bëri këtë paralajmërim gjatë fjalës së tij në parlament.

Vladimir Putin paralajmëron Shtetet e Bashkuara të Amerikës se në momentin që do të vendosin raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme në Europë, Moska do të do të reagojë menjëherë duke vendosur në objektiv armatimet amerikane jo vetëm ndaj atyre në vendet europiane, por dhe në qendra të rëndësishme. Deklarata është bërë nga presidenti rus në fjalën e tij në parlamentin e vendit. Putin u shpreh se vendosja e raketave amerikane në Europë është një kërcënim shumë serioz për sigurinë e Rusisë dhe paqen në përgjithësi. Ai theksoi se nuk besonte aspak se situata aktuale ndërkombëtare ishte e tillë, sa të duhet një përshkallëzim i mëtejshëm dhe i papërgjegjshëm, pasi askush nuk e do këtë.

Putin shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të numërojnë fillimisht forcat ruse dhe më pas të marrin një vendim. Presidenti rus me këtë rast deklaroi se në pranverën e këtij viti do të lëshohet vektori i parë nënujor i kompleksit Poseidon, dhe se çdo gjë po ecën siç duhet. Në përfundim të fjalës së tij, Putin paralajmëroi dhe njëherë më shumë Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke i kërkuar të heqin dorë nga iluzionet për mbrojtjen raketore botërore në një kohë që puna për krijimin e armëve të reja ruse vazhdon./abcnews.al

vladimir-putin-vucic.jpg
ad min19:39 | 18/01/2019

Gjatë vizitës në Serbi, që është aleati kryesor i Moskës në Ballkan, shefi i Kremlinit, duke folur për Kosovën tha se për arritjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit, duhet arritur kompromis dhe kur të gjendet ai, duhet respektuar.

Putin në serbisht, e Vuçiç në rusisht, si për të dëshmuar atë të njohurën, për bukën e një brumi. Ky është këlyshi i Sharrit, të cilin presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ia dhuroi të enjten Presidentit rus, Putin, mbase si një peng për të mos harruar Kosovën! Pas pritjes plot pompë, ndërkaq, media në Serbi, thotë se serbët duhet ta vënë gishtin në kokë për të paktën pesë çështje politike e ekonomike.

Para së gjithash kur është fjala për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian për shkak se ai mbetet partneri kryesor tregtar i Serbisë me 63 për qind. Pritja madhështore që iu bë Putinit, bashkëpunimi Serbi-Rusi, thotë shtypi i Beogradit, mund të inatosë vendet baltike dhe Poloninë që të kundërshtojnë aspiratat serbe për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, për shkak të kujtesës ende të freskët për politikën imperialiste ruse nga koha e luftës së ftohtë.

Nga ana tjetër për shumicën e marrëveshjeve të firmosura të enjten, thuhet se ngërthejnë potencialet, por vetëm në letër për shkak se bazë e zhvillimit të Serbisë mbeten lidhjet ekonomike me Bashkimin Evropian. Një tjetër argument që i lë damkë vizitës së Presidentit Putin është qendra ruse në qytetin e Nishit.

Atë moskovitët e quajnë qendër humanitare kurse vendet perëndimore qendër spiunazhi. Me gjithë kërkesën ruse që personeli i kësaj qendre të fitojë statusin e diplomatëve, kjo nuk është bërë as sot e kësaj dite, pikërisht për shkak të kujdesit që të mos inatosen perëndimorët, por edhe durimi rus mund të ketë kufi.

Krahas kësaj, skena politike në Serbi vazhdon të jetë e ndarë sa i përket përcaktimit: një mazhorancë e fuqishme pro-ruse dhe një opozitë e pakët pro-perëndimore. Edhe njëra, edhe tjetra, jo më larg se dje, krijuan një kakofoni të llojit të vet, çfarë flet se Beogradi ende është larg përvijimit të një politike konzistente, të qëndrueshme sepse kohët kanë ndryshuar dhe do pranuar, politika titiste e dhënies së sinjalit djathtas, kur ke kthyer në të majtë, i përket të shkuarës./abcnews.al

VLADIMIR-PUTIN-NE-SERBI-DHE-KONFERENCA-ABC-M-4-T-2-HD.mpg_snapshot_01.19-1280x720.jpg
ad min12:37 | 18/01/2019

Vizita e presidentit rus Putin në Serbi ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. ndërsa deklarata më e fortë e liderit të Kremlinit ishte sfida për NATO-n: nuk do ju lëmë Ballkanin në dorë.

Serbia synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, por ndërkohë shtron tapetin e kuq në këmbët e Vladimir Putin. lideri i Kremlinit  u prit si një fenomen në Beograd, ndërsa gjatë gjithë qëndrimit në kryeqytetin serb ai u shoqërua nga Presidenti Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit kishte përgatitur për aleatin e tij të fuqishëm një pritje madhështore me këmbana dhe gjuajtje me top. Vizita e Putin në Serbi shërben për të përforcuar edhe më shumë lidhjen mes Beogradit dhe Moskës, por përfaqëson dhe një sfidë.

Sfidë e Rusisë ndaj NATO-s, pasi presidenti Putin deklaroi se nuk do të lejohej që Ballkani të ishte në dorë të NATO-s. Mediat serbe nga ana tjetër raportojnë se kanë qenë më shumë se 120 mijë persona pranë kishtës ortodokse serbe për t’i uruar mirëseardhjen liderit të Kremlinit me parullën: Faleminderit President – për një Serbi të lirë dhe me dinjitet. Putin i përshëndeti me shprehjen se kur Serbia dhe Rusia bashkohen, aty ndodhet dhe fitorja./abcnews.al

vladimir-putin-vucic.jpg
ad min13:43 | 17/01/2019

Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur në Beograd, ku është pritur në aeroportin “Nikola Tesla”, nga homologu i tij serb Vuçiç. Kreu i Kremlinit do të qëndrojë të enjten në Serbi, ku edhe do bëjë homazhe në varrezat e çlirimtarëve të Beogradit dhe tek monumenti i Ushtarit  të Ushtrisë së Kuqe në kryeqytetin serb.

Pas takimit mes presidentëve Vuçiç dhe Putin do të mbahet ceremonia për shkëmbimin e marrëveshjeve të arritura bilaterale, më tej Putin do të nderojë Vuçiç me Urdhrin “Aleksandër Nevski”. Të dy presidentët do të vizitojnë në fund tempullin ortodoks serb, të Shën Savës.

Interesi mediatik për këtë vizitë është shumë i lartë e sipas raportimit të gazetarit tonë në Beograd, Idro Seferi, janë rreth 7000 gazetarë të akredituar.  Agjencia kroate “Hina”, shkruan se një nga çështjet më të rëndësishme do të jetë ajo e Kosovës dhe situatës në rajon.

Mediat boshnjake konfirmojnë se pas largimit nga Beogradi Presidenti rus Putin do të udhëtojë në Bosnje e Hercegovinë, ku do të takohet me presidentin Milorad Dodik. Mediat malazeze janë fokusuar tek qenushi që presidenti serb Vuçiç, do i dhurojë homolgut rus. Qeni thuhet është marrë në Kosovë, i racës që njihet me emrin qen sharri, i maleve të Sharrit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono