vjosa osmani
Sandro Tonali cilësohet si Pirlo i ardhshëm

vjosa-osmani-1.jpg
Autor E12:44 | 23/12/2019

Kandidatja për kryeministre e LDK-së Vjosa Osmani në një intervistë për austriaken der Standard, ka thënë se Kosova është e gatshme të finalizojë marrëveshjen me Serbinë, por pa ndryshim të kufijve.

“Kosova është e gatshme të arrijë një marrëveshje përfundimtare , por  nuk do të pranonim absolutisht shkëmbim të territoreve, ndarje të Kosovës, ose lloje të tjera të ndryshimeve të kufijve, pasi kjo nuk do të rrezikonte vetëm integritetin territorial të Kosovës, por edhe shtetësinë e saj. Sepse territori është një nga elementët kryesorë të shtetësisë. Ne e kemi luftuar këtë ide për dy vjet e gjysmë të fundit:, ka thënë Osmani.

Osmani ka deklaruar se  në rast të qeverisjes, LVV-LDK, do t’i hetojnë të gjithë zyrtarët, duke filluar nga sistemi i drejtësisë, ku përfshihen Policia dhe shërbimet sekrete,  meqë sipas saj, ky është thelbi i zhvillimit të një vendi.

“Ne duam një rishikim të të gjithë zyrtarëve, i cili përfshin sistemin gjyqësor dhe sistemin e sigurisë, d.m.th. policinë dhe shërbimet sekrete. Si rezultat, nëse krijojmë një sistem gjyqësor që është i lirë dhe i pavarur nga ndikimi politik dhe kriminal, nëse kemi një forcë policie dhe një shërbim inteligjence që janë profesionistë dhe të pavarur, atëherë unë besoj se kemi bërë ndryshimin më të madh në historinë e vendit tonë. Është parakushti për gjithçka tjetër, qoftë zhvillimi ekonomik, shëndetësia apo arsimi”, ka theksuar Osmani.

Deputetja e LDK-së, ka thënë se do t’ua ndalin pensionet edhe veteranëve të rremë të luftës së UÇK-së.

“Nuk do t’ua ndalojmë pensionet veteranëve, por pensionet e gënjeshtarëve. Ky vend nuk mund të zhvillohet duke mashtruar. E dimë se sa e vështirë dhe e rrezikshme mund të jetë, por shumë më e vështirë dhe më e rrezikshme për vendin dhe qytetarët tanë është që të mos bëjmë asgjë për këtë çështje. S’na kanë zgjedhur për t’u ulur e shikuar e as për t’u frikësuar nga zemërimi. Na kanë zgjedhur sepse populli në Kosovë besoi se një gjeneratë krejtësisht e re politikanësh mund të jetë mundësi e mirë për të adresuar këto çështje”, deklaroi Osmani.

Osmani ka kritikuar  Bashkimin Evropian për moslibaralizmin e vizave për Kosovën duke e quajtur hipokrizi liberalizmin e vizave për vende si Venezuela  dhe Kolumbia, ndërsa ka thënë se Kosovës i janë mbyllur dyert.

“Franca ka ende disa pikëpyetje, të cilat nuk i gjykoj aspak të arsyeshme. Është hipokrite që BE është duke liberalizuar vizat vendet si Venezuela dhe Kolumbia, por nuk është e gatshme të hap dyert për Kosovën e vogël. Kosova nuk paraqet më rrezik të emigrimit. Ne nuk duhet të ndëshkohemi për problemet që Franca ose të tjerët mund të kenë me vende si Xhorxhia”, ka deklaruar Osmani.

Deputetja e zgjedhur shfaq besimin se marrëveshja me Serbinë mund të arrihet “nëse komuniteti ndërkombëtar ndalon së trajtuari Vuçiqin dhe Serbinë si fëmijën e llastuar të Evropës”.

albin-vjosa.png
R D09:24 | 12/12/2019

Albin Kurti, i cili pritet të jetë Kryeministër i Kosovës, pasi Vetëvendosje doli parti e parë në zgjedhjet e 6 tetorit, ka folur hapur për negociatat me PDK. Ai thotë se janë dakordësuar që qeveria të jetë 5 me 5. Pra 5 ministra të Lëvizjes Vetëvendosje dhe 5 të Lëvizjes Demokratike të Kosovës, ndërsa 2 të tjerë nga pakicat kombëtare. Po kështu ai ka pranuar se e vetmja mosdakordësi me partinë e Isa Mustafës është për çështjen e Presidentit.

Deutsche Welle: Kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Vetëvendosja doli fituese në zgjedhjet në Kosovë, e megjithatë nuk e ka marrë ende pushtetin, sepse pret marrëveshjen e koalicionit. Cilat janë pengesat kryesore? Pse nuk përfundon krijimi i koalicionit?

Albin Kurti: Bisedimet për harmonizimin e programit qeverisës i kemi filluar prej kohësh. Që me mbarimin e zgjedhjeve të 6 tetorit kemi kontaktuar me LDK, dhe kemi filluar që të harmonizojmë programet me ekipet tona. Në këtë mënyrë kemi treguar një kulturë të re të formimit të qeverisë, ku së pari diskutohet për programin. Këtë e kemi përmbyllur në masën 100 përqind. Megjithatë, bisedimet për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv i kemi filluar vonë, pas certifikimit të rezultateve, i cili u vonua me numërime dhe rinumërime të ndryshme. Tani jemi në një pikë ku po i finalizojmë edhe bisedimet për qeverinë. Unë jam optimist. Ka vështirësi, ka sfida, por kur ka vendosur populli më 6 tetor, ai ka bërë një lloj zgjedhjeje që nuk na ka lënë neve mundësi tjetër zgjedhjeje më tutje. Pra nuk ka mundësi për aritmetika të tjera, përveçse për qeverinë e nesërme që përbëhet nga opozita e djeshme me udhëheqjen e Vetëvendosjes, në bashkëqeverisje me LDK, me mua kryeministër.

Deutsche Welle: Që të jemi pak më konkret, bëhet fjalë për postin e Presidentit, apo jo?

Albin Kurti: Është e vërtetë që kemi diskutuar për ministrat, jemi dakorduar që të kemi dy zv/kryeministra, zv/kryeministri i parë nga LDK, zv/kryeministri i dytë nga Vetëvendosja.

Jemi dakorduar që t’i kemi nga pesë ministri, ku dy ministri shtesë i vijnë pakicave. Kësisoj kemi gjithsej dymbëdhjetë ministra. Në bazë të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës ne na takon automatikisht kreu i Kuvendit, por kemi treguar gatishmëri për ta biseduar edhe këtë post.

Por, ndonëse e dimë që çështja e Presidentit do të bjerë nën mandatin tonë dhe ne si subjekte politike do të duhet të jemi të angazhuar, kemi shprehur besimin që është më mirë të mbyllet çështja e qeverisë para se të hapet ndonjë çështje për Presidentin.

Ju e dini që në Kushtetutën tonë thuhet që “Presidenti përfaqëson unitetin e popullit”, pra nuk është një çështje e thjeshtë. Është e vërtetë që ka vështirësi, por besoj se me mirëbesim të ndërsjelltë dhe sidomos me dëshirën e madhe për ndryshime në Kosovë do ta tejkalojmë edhe këtë në ditët në vijim.

Deutsche Welle: Le të mos flasim vetëm për politikanët, por të flasim edhe për programin. Megjithëse nuk është krijuar ende qeveria, ju shpesh udhëtoni në Gjermani dhe me sa duket kanë filluar bisedime politike në Gjermani dhe në vende të tjera. Cilat janë kërkesat kryesore të Gjermanisë për qeverinë e ardhshme?

Albin Kurti: Me Gjermaninë kemi edhe një lidhje shtesë për faktin se atje kemi një diasporë gjysmëmilionëshe, e cila përbën pjesën më të madhe të reminitancave tek ne. Gjermania është motori ekonomik i Bashkimit Europian. Përveç kësaj Lidhja Demokratike e Kosovës i ka raportet me CDU (kristiandemokratët), ndërsa ne i kemi me SPD (socialdemokratët), e dihet se këto të dy parti në Gjermani janë në koalicion. Prandaj sa herë unë shkoj atje takoj edhe diplomatët e zyrtarët shtetërorë, takoj edhe deputetët e SPD, ku së fundi mora pjesë edhe në Kongresin e tyre. Por, takoj edhe deputetë të CDU dhe CSU (kristiansocialë). Sepse në mandatin tonë, në legjislaturën e shtatë si qeveri e re, duam t’i zgjerojmë edhe t’i thellojmë marrëdhëniet me Gjermaninë. Aty diskutojmë dy çështje kryesore. Çështja e parë janë reformat e brendshme në Kosovë, si të nxirret shteti i Kosovës nga kriza, si të zbutet papunësia dhe varfëria, si të luftohet krimi dhe korrupsioni…

Deutsche Welle: Cilat janë konceptet tuaja në këto çështje?

Albin Kurti: Ata janë shumë optimistë për programet dhe zotimet tona. Ne duam një reformë të pesëfishtë, reformë në drejtësi, reformë në ekonomi, reformë në arsim, në shëndetësi dhe reformë në siguri. Reforma në drejtësi dhe reforma në siguri do të bëhet nëpërmjet një procesi vettingu, sepse shoshitja duhet të ngjajë jo vetëm tek prokurorët dhe gjykatësit, por edhe tek pozicione të veçanta dhe në rangjet e larta të inteligjencës dhe policisë. Duam që ta marrim sistemin ekonomik dual, edukativ siç është në Gjermani, por edhe në Zvicër dhe Austri, ku studentët dhe nxënësit kalojnë disa ditë në shkolla e fakultete dhe një ose dy ditë në ndërmarrje. Duam që të kemi investime të huaja duke filluar me investimet nga diaspora, sepse vështirë të kemi investime të huaja kur nuk investon as diaspora jonë për shkak të korrupsionit në Kosovë. Dhe mbi të gjitha do ta ndalojmë korrupsionin në qeveri, dhe do ta luftojmë kudo në institucione dhe në shoqëri.

Deutsche Welle: Nuk besoj se në këtë fushë ka ndonjë mosmarrëveshje midis jush, LDK dhe palës gjermane. Por nuk e di për fushën e dytë, për të cilën nuk keni folur ende. Besoj se fusha e dytë është politika e jashtme e Kosovës. Ku është pika më e vështirë këtu, sepse dihet që pozicioni i Gjermanisë është për vazhdimin e dialogut, sa më shpejt, dhe me heqjen e taksave. Çfarë kërkohet prej jush nga pala gjermane në këtë rast?

Albin Kurti: Është e vërtetë që fusha e dytë e bisedimit është raporti ynë me Serbinë dhe raportet midis shteteve në Ballkanin Perëndimor. Ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi dakord me LDK dhe me partnerët tanë gjermanë dhe europianë për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, sa më parë aq më mirë. Por e dimë që nuk do të ndodhë së shpejti. Ne nuk shkojmë si shtet në Bashkimin Europian, por e ndërtojmë Europën brenda nesh, prej nesh. Kemi edhe traditë, kulturë e histori, por kemi edhe kapacitete njerëzore të tjera për këtë gjë. Sa i përket raporteve me Serbinë, ne jemi dakorduar që kemi nevojë të takohemi me pasardhësin e zonjës Mogherini, me Josep Borrell, përfaqësuesin e lartë europian përgjegjës për politikën e jashtme dhe sigurinë, për të diskutuar përgatitjen e dialogut të ardhshëm me parime të qarta dhe të sakta. Ne nuk mund të dështojmë sërish. Ai ka paralajmëruar tanimë, se vizitën e parë do e ketë në Kosovë dhe unë pres që ta takoj atë kur të jem kryeministër. Në anën tjetër kemi 33 marrëveshje me Serbinë gjatë dialogut gjashtëvjeçar 2011- 2017, dhe është e rëndësishme që ato t’ i shqyrtojmë, jo për t’u obsesionuar me to e për të humbur kohë, por për të ditur shkallën e zbatimit dhe të ndikimit, në mënyrë që të nxjerrim mësime për të ecur përpara. Dhe me LDK po ashtu jemi dakord që ta zëvendësojmë tarifën 100 përqind me reciprocitetin e plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, siç është aprovuar në rezolutën e Kuvendit të Kosovës më 7 dhjetor të vitit 2011.

Deutsche Welle: Domethënë vendoset recipriciteti dhe pastaj hiqen tarifat?

Albin Kurti: Së pari është reciprociteti, por le të mos harrojmë që edhe faktorët ndërkombëtarë, ambasadortë e Quintit në Kosovë i kanë vënë gjithashtu kushte Serbisë, që të ndërpresë fushatën kundër njohjeve të Kosovës dhe pjesëmarrjes së Kosovës, anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Pra edhe faktorët ndërkombëtarë nuk e shohin heqjen e tarifës pa një shprehje të vullnetit të mirë dhe pa një ndryshim në sjelljen e Serbisë. Ndërkohë që kemi ca hapa negativë në Beograd, sepse atje kreu i shtetit është deklaruar, se nuk do ta lejojë Kosovën që të hyjë në UNESCO. Nga ana tjetër ka dallime të qarta jo vetëm sa i përket vlerave por edhe sa i përket fakteve. Është mospajtim i thellë, përderisa ne e kemi të qartë qëndrimin karshi Rusisë, Serbia thotë edhe me Rusinë edhe me Bashkimin Europian. Ne nuk kemi kësi dilemash. Nuk dëshirojmë që siç themi ne shqiptarët, të hamë me dy lugë.

Deutsche Welle: Por një faktor nuk e keni përmendur ende. Amerikën. Ambasadori Grenell në Berlin është një nga personat me të cilin jeni takuar. Cili është mesazhi, apo kërkesa e SHBA për qeverinë e ardhshme?

Albin Kurti: Unë jam në kontakte të rregullta me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili është një ambasador aktiv, i cili është angazhuar shumë për emancipimin shoqëror e institucional kundër korrupsionit në Kosovë. Po ashtu kam takime të shpeshta me përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer, me të cilin jam takuar për herë të parë 22 vjet më parë në SHBA dhe së fundi kam takuar edhe ambasadorin amerikan në Berlin, zotin Grenell i cili është caktuar si përfaqësues special i Presidentit Trump. Pra kemi bashkëbisedim në disa nivele. Nganjëherë mund të duket se ka dallime, por nganjëherë vëren njeriu edhe kompletaritet, për plotësim. Unë shpreh të qartë qëndrimin tonë.

Gjithashtu e kam kuptuar qëndrimin e zotit Grenell, i cili thotë që ky vend ka nevojë për investime ekonomike dhe investimet ekonomike kanë nevojë për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk e mohoj një gjë të tillë. Por, nga ana tjetër besoj se nuk duhet të ngutemi e të dështojmë sërish. Sepse kemi pasur shumë dështime në dialogun e deritanishëm. Dhe në bazë të studimeve që janë bërë në Kosovë theksohen tre faktorë shtesë pse nuk ka investime ekonomike: varfëria e popullsisë, pra kërkesa e ulët agregate apo fuqia e dobët blerëse e popullsisë, e dyta është qasja e vështirë në financa për shkak të kamatave të larta të kredive bankare për bizneset tona, dhe e treta është korrupsioni në institucione. Sipas disa raporteve jo vetëm ndërkombëtare, por edhe vendore Kosova është një vend ku ka elementë të kapjes së shtetit, që do të thotë se jo vetëm që kemi korrupsion në institucione por kemi edhe institucione në korrupsion. Neve na duhet që t’i rregullojmë këto për të patur investime, sepse nuk ka garanci se një marrëveshje me Serbinë, e ngutshme, shpërblehet sepse sjell investime.

Deutsche Welle: A pajtoheni me mendimin se duhet të arrihet një kompromis sa më shpejt, dhe duhet konsensus, dhe siç është biseduar shpesh veçanërisht nga përfaqësuesit amerikanë, duhet të ketë ndoshta edhe një kompromis me marrëveshje të reja, apo ndryshime të kufijve, si një kompromis që i bëhet Serbisë për të hyrë në dialog dhe për të pranuar Kosovën si shtet të pavarur?

Albin Kurti: Në fillim të viteve 90-të në një intervistë për mediat gjermane dhe në një intervistë për mediat franceze ish- presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ka deklaruar se “Pavarësia është kompromis”. Pas përfundimit të luftës kemi pasur kompromis me kompromis Planin e Ahtisarit, i cili ka shumë defekte që na pengojnë edhe sot në shtet-ndërtimin demokratik. Tani Serbia kërkon kompromis të ri. Kjo është ajo taktika, që merr çfarë mund të merret, ngel i pakënaqur që të marrësh edhe më shumë së shpejti…

Deutsche Welle: Atëherë me ju nuk ka kompromis për kufijtë…

Albin Kurti: Nuk mund të ketë ndryshim të kufijve të Kosovës. Kosova i ka kufijtë e vet. Kosova ka qenë element konstituiv i Federatës Jugosllave. Në këto kufi na kanë njohur rreth 110 shtete, përfshirë edhe SHBA dhe Gjermania dhe ne nuk kemi tokë për t’i dhënë Serbisë. Principi i marrëveshjes së ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë vajtimi i Serbisë për Kosovën e humbur, me ç’rast ajo duhet të ngushëllohet me një kompesim territorial, por duhet të vihet në spikamë jeta e qytetarëve, nevojat praktike, të drejtat njerëzore dhe vuajtjet që kemi pësuar pikërisht nga një shtet si Serbia, që nuk ballafaqohet me të kaluarën e saj. Ne nuk kemi dilema. SHBA janë aleati ynë i pazëvendësueshëm. Menjëherë aty, është Gjermania. Ne nuk do ta zëvendësojmë asnjëherë Gjermaninë me Rusinë, e siç mund të ketë menduar edhe dikush tjetër që është angazhuar në tezën e gabueshme, të dëmshme, dhe fort të rrezikshme të shkëmbimit territorial.

Deutsche Welle: Por, nga ana tjetër kur flasim për ndryshimin e kufijve, në mediat gjermane dhe perëndimore ju shpesh jeni personi që i vini në pikëpyetje kufijtë duke folur për bashkimin e trojeve shqiptare si ultranacionalist. Kjo shpesh po përmendet në mediat e Gjermanisë dhe të Europës. A qëndron akoma kjo si formulë e Vetëvendosjes? A duhet menduar për bashkimin e trojeve shqiptare, apo mbeteni tek “Kosova i ka kufijtë e përcaktuar dhe ato nuk ndryshojnë”?

Albin Kurti: Ne nuk e shohim kufirin karshi Serbisë njësoj si kufirin karshi Shqipërisë. Sepse ne nuk kemi si t’i barazojmë Shqipërinë dhe Serbinë. Kufiri midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk është kufi shqiptar, është kufi i Serbisë dhe i Jugosllavisë. Në mandatin tonë qeverisës ne do të përqëndrohemi në dy prioritete: në punësim dhe në drejtësi. Sepse ne duhet të arrijmë së pari që shteti i Kosovës të ketë sukses. Afrimin, integrimin e bashkimin një ditë dikur në të ardhmen me Shqipërinë unë nuk e shoh nëpërmjet dështimit të shtetit të Kosovës, por nëpërmjet suksesit. Ne duhet të bëjmë së pari që ky shtet të ketë sukses. Dhe populli shqiptar i ka ende traumat e Konferencës së Londrës së viti 1913, kur ministri i Jashtëm britanik i asaj kohe, sir Edward Grey pati thënë: “Ia bëmë një padrejtësi të madhe shqiptarëve për të ruajtur paqen në Europë”. Por pa kaluar viti shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Afrimi, integrimi, bashkimi me Shqipërinë ne nuk e shohim kurrsesi me mjete jopaqësore dhe me mjete jodemokratike, dhe me mjete jokushtetuese. Por po e them që kjo nuk mund të bëhet së shpejti, me të ardhur unë në zyrën e re të kryeministrit. Së pari duhet të ngremë shtetin e Kosovës, ku përqëndrimi ynë do të jetë tek ekonomia dhe drejtësia. Një ndër prioritetet do të jetë edhe dialogu parimor me Serbinë, por ky nuk do të jetë prioriteti kryesor. Prioritetet kryesore do të jenë drejtësia dhe punësimi.

Deutsche Welle: Me këtë formulë akordoheni edhe me partnerët tuaj në SPD dhe vendet e tjera të Europës?

Albin Kurti: Padyshim. Ata na kanë përkrahur neve edhe në fushatë, sidomos dy deputetë kanë qenë fort aktiv gjatë fushatës sonë, Stefan Schwartz dhe Josip Juratovic.

/Intervistoi Adelheid Feilcke

DW

vjosa-osmani-genocidi.jpg
nev ila20:51 | 09/12/2019

Nënkryetarja e LDK, Vjosa Osmani ka theksuar se ndërkohë që në Kosovë kujtohen ata që humbën jetën në luftën e fundit, Bashkimi Evropian shpërblen Serbinë me hapjen e një kapitulli të ri në procesin e integrimit.

Reagimi erdhi pasi BE vendosi të hapë me Serbinë kapitullin e lëvizjes së lirë të mallrave.

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani tha në ditën ndërkombëtare të viktimave të gjenocidit, se Kosova kujton në këtë ditë ata që humbën jetën si pasojë e politikave gjenocidiale të shtetit serb, në veçanti fëmijët e vrarë e të masakruar nga ky regjim.

Nënkryetarja e LDK-së theksoi se shteti serb vazhdon të të mohojë këto krime dhe nuk shpreh keqardhje për viktimat e pafajshme dhe madje përpiqet të rishkruajë historinë edhe pse krimet serbe ndodhën para syve të të gjithë botës.

Osmani ka vënë në dukje se ndërkohë që në Kosovë kujtohen ata që humbën jetën në luftën e fundit, Bashkimi Evropian shpërblen Serbinë me hapjen e një kapitulli të ri në procesin e integrimit evropian.

BE vendosi të hapë më 10 dhjetor kapitullin e lëvizjes së lirë të kapitalit me Serbinë ndërkohë që zyrtarët serbë janë të pakënaqur me hapjen e vetëm një kapitulli duke thënë se Serbia ishte gati për të hapur shumë më tepër./abcnews.al

v-osmani.jpg
ger ta07:19 | 07/12/2019

LDK i ka bërë një ofertë të re Vetëvendosjes, ndërsa një gjë të tillë e ka konfirmuar nënkryetarja e kësaj partie, Vjosa Osmani.

Osmani, ka thënë se LDK nuk është duke bërë kushtëzime në negociatat me partinë e Albin Kurtit.

Po ashtu, Osmani ka folur edhe për ndarjen e ministrive, duke thënë se secila ministri është e rëndësishme.

“E kam të pamundur të hy në detaje për kërkesa, me rendësi të kemi një parlament që kryen përgjegjësi efektive. Kushtetuta është e qartë në ndarjen e përgjegjësive. LDK ka dhënë një ofertë të vet, por s’dua të jap detaje, pasi deri në takimin e fundit që “bëhet ose nuk bëhet” nuk i ndihmon negociatave nëse e them. Nga ana jonë nuk ka kushtëzime, dhe nuk ka pasur, ka propozime vetëm. Me faktin që ne vazhdojmë negociatat, tregon që jemi në këtë proces për të bërë propozime që garantojnë funksionimin demokratik të institucioneve. Propozimet kanë për qëllim mos të ngecim në mes të rrugës. Nganjëherë më shumë ne insistojmë për Qeveri 4 vjeçare sesa VV. Në këtë ndarjen e ministrive secila ministri është e rëndësishme, secila është e fuqishme, secila e fortë. LDK do ta marrë pjesën e saj nëse ka marrëveshje, dhe askush nuk duhet të ngelet i dëshpëruar nga cilado ngjarje”, ka thënë ajo për Blic.

Negociatat mes këtyre dy partive kanë ngecur që pas takimit të fundit mes Isa Mustafës dhe Albnin Kurtit, që kishte përfunduar me mospajtimin e VV’së për kërkesën e LDK’së që ta ketë presidentin./abcnews.al

 

vjosa-osmani.jpg
ent ela15:40 | 12/11/2019

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre, reagoi të martën ndaj presidentit serb Vuçiç, i cili tha se futja e Nismës në Kuvend është lojë për të dëmtuar Albin Kurtin. Osmani tha se se jo rastësisht Aleksandar Vuçiç ishte ministër i Propagandës në kohën e Millosheviçit.

Kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me deklaratën e dhënë nga kryeministri serb, Aleksander Vuçiç, i cili tha se futja e NISMA-s në Kuvend, është lojë e LDK-së për të dëmtuar Albin Kurtin.

Osmani tha se jo rastësisht Aleksandar Vuçiqi ishte ministër i Propagandës në kohën e Millosheviçit dhe se pikërisht këtë propagandë pra, e bën më së miri.

“Kështu, për fat të keq, ka arritur të mashtrojë disa diplomatë anekënd botës, të cilët i besojnë lotëve të tij të krokodilit dhe aktrimit të tij dramatik sa herë flitet për Kosovën. Por, askush në Kosovë nuk duhet të bie pre e konspiracioneve të Vuçiçit”, tha Osman. /abcnews.al

albin-kurti-vjosa-osmani.jpg
nev ila16:44 | 30/10/2019

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar sot me Vjosa Osmanin, kandidaten e LDK-së për kryeministre.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i VV, Albin Kurti nëpërmjet një postimi në facebook, ndërsa shkruan se biseda u përqendrua në përgatitjen për qeverinë e re.

“Bashkë me Vjosën biseduam sot për përgatitjet për qeverisjen e re dhe sfidat që na presin. Kosova do të dalë nga kriza dhe do të përparojë. Bashkëpunimi ynë është përkushtimi ynë. Qëllimet e mira dhe punët e mbara janë përgjegjësi e jona ndaj qytetarëve të Republikës dhe institucioneve të shtetit”, shkruan Kurti.

Takimi mes tyre vjen në kohën kur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është emëruar si pjesë e grupit punues, ndërsa ka paralajmëruar pozitën e presidentit si pjesë të marrëveshjes./abcnews.al

vjosa-osmani.jpg
ad min18:40 | 22/10/2019

Vjosa Osmani e cila ishte kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministres, është optimiste se koalicioni i ardhshëm qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje do të formohet pas certifikimit të rezultatit zgjedhor. Osmani theksoi gjithashtu se marrëveshja finale me Serbinë nuk duhet të arrihet pa bekimin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë.

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministres, Vjosa Osmani, theksoi se të dy partitë kanë shprehur vullnet të mirë që të negociojnë për një koalicion qeverisës dhe puna dhe kontaktet midis LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk janë ndërprerë në asnjë moment.

Osmani tha se ka patur takime zyrtare dhe jo-zyrtare ndërkohë që takimet midis grupeve punuese që po merren me harmonizimin e programit qeverisës po mbahen vazhdimisht dhe takimi i radhës është nesër për të diskutuar për ministritë dhe funksionimin e tyre. Osmani pohoi në një intervistë për Evropën e Lirë se dy partitë kanë deri diku dallime edhe tek politika e jashtme.

“Një nga temat e radhës, për të cilën duhet të kemi një harmonizim 100 për qind është fusha e politikës së jashtme dhe besoj që pas këtij takimi të mërkurën, ne do të dakordohemi me Vetëvendosjen për një takim të radhës ku edhe do të diskutojmë, siç e thash, për këtë fushë ku kryesisht fokusi do të jetë te dialogu Kosovë-Serbi”.

Zyrtarja e LDK-së tha se natyrisht dallimet midis dy partive ekzistojnë, por nuk janë aq të mëdha sa do të mund ta pengonin një koalicion të ardhshëm. Vjosa Osmani theksoi se asnjë marrëveshje e mirë për Kosovën nuk do të mund të arrihet pa bekimin e Shteteve të Bashkuara dhe natyrisht edhe shteteve të fuqishme të Bashkimit Evropian siç është Gjermania.

“Prandaj, do të jetë detyrë tejet e rëndësishme që të rindërtojë urat, që fatkeqësisht janë dëmtuar gjatë qeverisjes së kaluar, që të rikrijojë një partneritet mirëbesimi me këto shtete dhe të harmonizojë qëndrimet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Për ne është esenciale që të kemi aleatë në këtë proces sepse nuk mund të kemi sukses pa aleatë. Ne mund t’ia bëjmë qejfin njëri-tjetrit këtu në Kosovë, mirëpo përfundimisht marrëveshja që do të arrihet në Bruksel duhet ta ketë edhe bekimin e miqve tanë shpëtimtarë.”

Zonja Osmani theksoi se nuk ka qenë kurrë kërkesë e Shteteve të Bashkuara që tema e kufijve të jetë në tavolinë, por kësaj radhe është më e theksuar që kjo çështje nuk do të kërkohet në asnjë mënyrë nga ana e Amerikës, Gjermanisë jo se jo.

Ajo nënvizoi se dialogu duhet të rikthehet në binarët e tij fillestarë sepse kur pati filluar në vitin 2010,  qëllimi ka qenë që marrëveshjet të jenë të tilla që prekin jetën e qytetarëve, për të mirë natyrisht, marrëveshje praktike që eliminojnë barriera, që integrojnë qytetarët, por mbi të gjitha që përfitimi i të dyja palëve do të jetë integrimi në Bashkimin Evropian.

Osmani theksoi se ajo çka Serbia do të përfitojë është ajo çka ka qenë plani që nga fillimi, pra integrimi në Bashkimin Evropian dhe nuk ka përfitim më të madh për Serbinë, për një shtet që ka shkaktuar të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi, që ka shkaktuar qindra mijëra viktima në ish-Jugosllavi, që ende s’ka kërkuar falje dhe vazhdon politikën e mohimit të këtyre krimeve./ABC News Albania

auto_auto_YAlbin-Kurti-president-Vjosa-Osmani-kryeministreY15409204271570132535.jpg
ad min23:32 | 09/10/2019

Kreu i LVV, që fitoi zgjedhjet në Kosovë, Albin Kurti pritet të takohet të enjten me kreun e partisë Lidhja Demokratike e Kosovës Isa Mustafa dhe kandidaten për kryeministre nga kjo parti Vjosa Osmani.

Kjo e fundit ka bërë të ditur dje se është e gatshme për këtë takim me fituesin e zgjedhjeve dhe u shpreh se  koalicioni qeverisës në Kosovë mund të krijohet vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Qytetarët përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme”, shkruan Vjosa Osmani në Facebook.

“Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Osmani. Albin Kurti këmbëngul për një koalicion me LDK-në, në të kundërtën thotë se Kosova sërish do të shkojë në zgjedhje./ABC News Albania 24/7

vjosa-osmani.jpg
ent ela13:03 | 09/10/2019

“Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”. Kështu ka deklaruar kandidatja e LDK për kryeministre e Kosovës Vjosa Osmani. Përmes një postimi në rrjete sociale, Osmani shprehet se: “Qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme”.

Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:

Të dashur qytetarë të vendit tim,

Këtë vjeshtë janë mbushur plot 20 vjet që jam bërë anëtare e LDK-së dhe gati po aq që kam shërbyer në institucionet e Kosovës. Ka qenë rrugë jo e lehtë, plot pengesa e sfida, sikur për shumë të rinj e të reja në vendin tonë. Deri tani, ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, përgjatë të cilit kam takuar mijëra gra e burra, vajza e djem, qytetarë të mirë të këtij vendi që më kanë mbushur plot shpresë për të ardhmen. I falënderoj miliona herë, nga thellësia e zemrës, të gjithë që na përkrahën e besuan në ne, si dhe të gjithë aktivistët e veprimtarët që kurrë nuk reshtën së punuari me vetëmohim. Arritëm që të gjithë së bashku, por për një kohë tejet të shkurtë prej vetëm një muaji, ta ringrisim LDK-në në një rezultat që nuk e kishte nga viti 2004. Por, na mbetet edhe shumë punë për të bërë, edhe shumë sfida për të kaluar, e ato mund t’i kalojmë vetëm së bashku.

Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës.

Unë do të punoj dhe do t’i shërbej vendit tim, pavarësisht se ku jam.

Ashtu siç e kam thënë gjithnjë: në secilën betejë, do të jemi së bashku, deri në fund!

E juaja,

Vjosa”

Ndërkaq më herët u deklarua se të enjten pritet një takim ndërmjet kryetarit të Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurtit me kreun e LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidaten për kryeministre Vjosa Osmanin.

Këtë e ka konfirmuar vetë kreu i “Vetëvendosjes” Albin Kurti, parti kjo e cila në bazë të rezultateve ka fituar zgjedhjet në Kosovë.

Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa nëpërmjet një statusi në Facebook ka bërë të ditur se do të takohen për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes. “Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor por edhe interesin e LDK-së”,  ka shkruar Mustafa.

/abcnews.al/

lideret.jpg
ad min12:46 | 06/10/2019

Liderët e partive kryesore në Kosovë si dhe kandidatët për kryeministër menjëherë pas votimit kanë bërë apel që të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj dite historike.

Nuk kanë munguar apelet dhe mesazhet as në ditën e sotme ku menjëherë pas votimit liderët politikë në Kosovë kanë dhënë mesazhet e tyre për qytetarët e vendit. Hashim Thaçi kreu i shtetit të Kosovës dhe njëherë më shumë, pas votimit, ka kërkuar që ai i së dielës të jetë një proces elektoral i lirë dhe i drejtë.

Ramush Haradinaj kandidati për kryeministër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës bëri apel që të gjithë qytetarët me të drejtë vote të dalin në zgjedhje ndryshe do të ishin të tjerët që do të votonin për ta.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër Albin Kurti pas votimit në Prishtinë u shpreh se kjo pjesëmarrje masive në votime do të shndërrohet në një festë masive.

Kadri Veseli kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër pasi ka hedhur votën e tij, e ka cilësuar të sotmen si një ditë të jashtëzakonshme për demokracinë e vendit.

Vjosa Osmani nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës është e para grua që garon për postin e kryeministrit. Pas votimit, ajo i ftoi të gjithë qytetarët të jenë pjesë e kësaj dite historike.

Kryetari i NISMA, Fatmir Limaj u shpreh se votimi i sotëm do t’i japë mundësi vendit që të bëjë hapat e duhur. Njëzëri liderët politikë theksuan se procesi i votimit duhet të ishte i lirë dhe demokratik në mënyrë që të gjithë të shprehin vullnetin e tyre./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono