viti 2019

sattler-933x445.jpg
Sej rie13:10 | 09/07/2019

Ambasadori  i Austrisë në vendin tonë Johan Satler i është përgjigjur kërkesës së Voltana Ademit që Shkodra të qeveriset nga një Komision Administrativ Evropian. Në një reagim në rrjetet sociale, Sattler thotë se Shqipëria s’është më ajo e vitit 1913, por një vend që synon hyrjen në Bashkimin Evropian.

Letra  publike e kryebashkiakes së Shkodrës Voltana Ademi drejtuar disa prej ambasadorëve në Shqipëri ka mbërritur në selitë diplomatike. Në emër të qytetarëve shkodranë, ajo ka shprehur gatishmërinë që të pranojnë një komision Administrativ Europian që t’i japë mend se çduhet të bëjë me zyrën e kryetarit të Bashkisë në të cilën kërkon të ulet i zgjedhuri i mazhorancës Valdrin Pjetri, por në kundërshtim me dekretin e Presidentit sipas opozitës.

“Në vitet 1913 -1914 dhe 1918-1920 ky qytet me rëndësi vitale për të gjithë kombin, është qeverisur nga komisione ndërkombëtare të fuqive të mëdha. E ndoshta është prapë rasti, dhe jo vetëm për Shkodrën!”, thoshte Ademi.

“Do isha i lumtur të diskutoja. Por 2019 nuk është 1913. Shqipëria aspiron të hapë negociatat me BE. Kjo kërkon aftësinë për të zgjidhur problemet politike. Dhe për këtë nevojiten dy gjëra: Sezoni i konfliktit duhet të ndiqet nga sezoni i zgjidhjes së konflikteve. Shqiptarët duan të shkojnë me pushime me mendje të qetë”, tha Sattler

Letrën publike Kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi ia ka drejtuar ambasadorëve të Bashkimit Evropian dhe ambasadës së SHBA. Ajo është e gatshme të lërë detyrën nëse Shkodra qeveriset nga një komisioni ndërkombëtar./ABC News Albania 24/7

Gjonaj-MArku.jpg
nev ila11:53 | 13/05/2019

Nuk është koha vetëm për t’i lavdëruar por edhe për tu kujtuar se duhet ti mbyllin më shpejt proceset hetimore. Ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj ia renditi dobësitë prokurorëve në ditën e dhënies së Rekomandimet e Këshillit të Ministrave për vitin 2019 duke i kujtuar se nga të dhënat për vitin 2018, rezulton se ka një ulje të numrit të personave nën hetim pavarësisht rritjes së numrit të çështjeve të korrupsionit në krahasim me vitin 2017.

Gjonaj: “Por ajo që përbën shqetësim dhe jam e bindur që bashkohemi në këtë çështje është pikërisht dërgimi për gjykim i një numri të vogël të procedimeve penale, rreth 8.6%  të numrit total të çështjeve të regjistruara. Dhe në krahasim kjo edhe me vitin 2017 konstatohet një rënie e numrit të çështjeve me 112 çështje më pak.

Gjithashtu për vitin 2018 vihet re se numri i përgjithshëm i veprave penale të referuara dhe kallëzuara është 46892, nga të cilat vetëm 109 janë vepra penale të filluara kryesisht nga Prokurori, ose rreth 0,23% e numrit të përgjithshëm. Nga këto vetëm 20% janë të filluara kryesisht për veprat penale në fushën e korrupsionit”.

Më shumë kërkoi ministrja Gjonaj në luftën kundër kriminalitetit.

Gjonaj: “Do të duhet që të bëhen përpjekje nga prokurorët për përmirësimin cilësisë së hetimeve me qëllim suksesin e kërkesave të prokurorit në gjykatë pasi vihet re që një numër i ulët procedimesh përfundojnë me dënime nga gjykata”.

Rezultate konkrete e në rritje kërkon edhe në luftën kundër korrupsionit e në atë  ndaj pastrimit të parave dhe personave të përfshirë në këtë aktivitet. Duke u kujtuar se fushata është në prag, ministrja e drejtësisë kërkon hetime më të shpejta ndaj atyre që cenojnë zgjedhjet elektorale.

Gjonaj: “Duke mbajtur në konsideratë numrin e pakët të procedimeve penale të regjistruara për veprimet që cenojnë rendin kushtetues ose zgjedhjet elektorale, rekomandohet kryerja e hetimeve të shpejta, efektive, dhe ashpërsim të dënimit për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve me qëllim ruajtjen e rendit kushtetues”.

Për të gjitha këto mori aprovimin e prokurores së përgjithshme të përkohshme që zgjodhi ta thotë thjeshtë e Shkurt./ABC News Albania 24/7

bashkia-e-lezhes.jpg
ent ela17:06 | 29/01/2019

Me votat e shumicës së këshilltarëve është miratuar buxheti për vitin 2019 në Lezhë. Ulje taksash dhe investime në infrastrukturë janë parashikuar në këtë buxhet. Në mbledhje munguan këshilltarët socialistë.

Këshilltarët e majtë, mazhorancë në Bashkinë e Lezhës bashkuan votat me të djathtët për të miratuar paketën fiskale dhe buxhetin për vitin 2019. Të vetmit që munguan ishin këshilltarët e Partisë Socialiste, të cilët në fakt e kishin paralajmëruar mungesën e tyre në këtë mledhje.

Ulja e taksave dhe rreth 69% të buxhetit për shërbime, investime dhe mbrojtjen sociale kanë bindur shumicën e këshilltarëve. Miratimi i buxhetit është përshëndetur nga nënkryetarja Alfrida Marku, sipas të cilës në këtë mënyrë po mbrohen interesat e qytetarëve.

Buxheti i Bashkisë Lezhë për vitin 2019 kap vlerën e 1.81 miliardë Lekë dhe do të jetë i fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës në qytet dhe njësitë administrative të kësaj bashkie. /abcnews.al

RRITJA-E-PAGAVE-PER-VITIN-2019.mpg_snapshot_00.47-1280x720.jpg
ent ela17:18 | 06/01/2019

Këtë vit rriten pagat për 65 mijë punonjës të administratës shtetërore. Rritja do te jete nga 5 deri në 20 përqind, sipas sektorëve të përcaktuar nga vendimi i këshillit të ministrave.

Paga më të larta do të marrin gjatë këtij viti 65 mijë të punësuar. Vendimi i qeverisë ka parashikuar disa nga kategoritë që do jenë përfitues. Duke filluar nga 3 mujori i dytë i këtij viti paga do të rritet 10 % në sistemin e shëndetësisë.Në arsim rritja është vendosur të jetë 7%.

Sipas kategorive janë edhe ushtarakët që do të përfitojnë rritje page nga 5% deri në 7%.

Ndryshime pagash do të ketë edhe për punonjësit në sistemin penitenciar. Për herë të parë përfitojnë edhe diplomatët, paga e të cilëve do të rritet 20%.Të gjitha këto ndryshime janë bërë publike më herët edhe nga Ministri i Financave Arben Ahmetaj.

Prej një janarit të këtij viti ka ndryshuar edhe paga minimale. Në shkallë vendi do të jetë 26 mijë lekë nga 24 mijë lekë, që ishte më parë.

Me hyrjen në fuqi të Paketës Fiskale 2019, zgjerohet edhe kufiri i pagës që do të taksohet me 23%, nga 13 mijë lekë të rinj në 15 mijë lekë të rinj. /abcnews.al

viti-2019-per-tiranen.jpg
G. P.14:37 | 02/01/2019

Viti 2019 nis ngadalë për qytetarët e kryeqytetit. Shumica e dyqaneve janë të mbyllura, ndërsa kafenetë rezultojnë të mbushura me njerëz. Sheshi “Skënderbej” të ofron një panoramë më gjallëruese, ku mbizotëron argëtimi në këndet e ndryshme të lodrave të improvizuara për festat.

Edhe në ditën e dytë të vitit, kryeqyteti është zgjuar me ritme të ngadalta, dyqanet janë thuajse të mbyllura, përveç furrave të bukës dhe kafeneve. Ata të cilët i gëzojnë më shumë festës janë fëmijët, të cilët argëtohen në lojërat e improvizuara në shesh për festa. Ndryshe nga vite më parë ku mbizotëronin vizitat tek të afërmit, tashmë pikëtakimi mbeten kafenetë.

Qytetarja 1: Një vit pa u parë. Mbesa donte të luante dhe erdhëm u takuam.

Pyetje: Është bërë traditë vizitat, vazhdojnë ende?

Qytetarja 2: Unë kam bërë ndryshime. Kam jetuar në Lushnje dhe atë kohë kur kam jetuar atje bëhej vizita. Tani jo.

Pyetje: Është bërë si jashtë mode?

Qytetarja 2: Po.

Pyetje: Preferojnë që të takohen në kafe?

Qytetarja 2: Po në kafe.

Pyetje: Më përpara bëheshin shumë vizita nëpër shtëpi, por tani vë re se preferojnë kafenetë për t’u takuar.

Qytetarja 3: Ka ndryshim shumë. Unë që jam e moshuar mund të bëj krahasimin. Tani janë të lumtur, gëzohen.

Qytetarja 4: Duke pasur parasysh që shumë shqiptarë kanë ikur, janë larguar. Kjo është pastaj një tragjedi shumë e madhe.

Ajo çfarë presin nga ky vit është begati, ekonomi më e mirë dhe moslargim e rinisë jashtë vendit.

Qytetarja 5: Punë dhe shëndet për këta të rinjtë e sotëm.

Pyetje: Duket sikur ka nisur me ritme të ngadalta ky vit, apo është herët?

Qytetarja 1: Si gjithmonë, pagjumësia, lodhja. Lodhesh edhe nga përgatitjet.

Qytetarja 4: Shumë gjëra të mira se ky që kaloi ishte shumë i vështirë. Ishalla rregullohet diçka më mirë për gjithë popullin. Kemi shpresa se shpresa vdes e fundit. Kështu që prandaj uroj gjithë të mirat popullit, të kenë ekonomi, shëndet, të jenë të lumtur, por duke patur një ekonomi të dobët s’mund të jenë të lumtur sepse gjithçka është e lidhur me ekonominë. Uroj të kemi diçka më mirë se viti që kaloi.

Shëtitjet me biçikleta janë trendi i këtij fillim viti, kryesisht nga familjarët, por edhe fiksimi i fotove në celularë pranë bredhit dhe me personazhet e dashura si Micky Mouse. Ndërsa institucionet kulturore si teatrot, Galeria e Arteve  dhe muzeu janë të mbyllur. Edhe këtë vit, sezoni për ta do të nisë në mes të Janarit./abcnews.al

BUSHATI-ABC-1280x720.jpg
ent ela18:45 | 18/12/2018

Vitin e ardhshëm Shqipëria merr kryesinë e Kartës SHBA-Adriatike. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati gjatë Ministerialit të mbajtur në Podgoricë, theksoi nevojën e zgjerimit të kësaj Karte me të tjera vende të rajonit.

Karta SHBA- Adriatike duhet zgjeruar me të tjera vende të rajonit tonë. Sugjerimi është i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati i cili ishte i pranishëm në Ministerialin e A5 që zhvillohet në Podgoricë të Malit të Zi.

Kjo sipas Bushatit do t’i shërbejë integrimit të plotë euro-atlantik te rajonit në funksion të konsolidimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.

Në cilësinë e kryesuesit të kësaj nisme për vitin 2019 ministri Bushati vuri në dukje:

“Ndërkohë që kjo platformë i ka shërbyer plotësisht qëllimit të saj fillestar, për të mbështetur përpjekjet tona drejt integrimit euro-atlantik, besojmë se është koha për riadresimin e fokusit të Nismës. Fokusi i kryesisë shqiptare të Kartës SHBA-Adriatike do të jetë forcimi i mëtejshëm i koordinimit dhe mbështetjes reciproke, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, në luftën aktive dhe me efektivitet kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”. 

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare dhe vëzhguese diskutuan mbi situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Ndërsa ministri Bushati u ndal veçanërisht edhe tek domosdoshmëria për të marrë parasysh kërkesën e Kosovës për t’u përfshirë si vend anëtar në këtë nisme në përputhje me aspiratat euro-atlantike të vetë Kosovës.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, miratuan edhe Komunikatën e Përbashkët, e cila avancon më tej rrugët e rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe rëndësinë e zgjerimit të Kartës në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë. /abcnews.al

 

vlcsnap-error928-1280x720.jpg
ent ela12:17 | 10/02/2018

Në një intervistë për mediat greke, ish kryeministri Italian Enrico Leta u shpreh se 2019 do të jetë një vit i rëndësishëm për Bashkimin europian, pasi në tre institucionet kryesore të saj do të ketë ndryshime thelbësore.

Viti i ardhshëm do të jetë një vit i rëndësishm për të ardhmen e europës, duke marrë në kosnideratë se tre nga institucionet e saj më të rëndësishme do i nënshtrohen ndryshimeve të mëdha.

Do të jetë hera e parë që do të zgjidhet një kryetar për Bankën Qendrore Europiane, do të krijohet një komision i ri europian si dhe do të mbahen zgjedhjet parlamentare.

Në një intervistë për mediat greke, ish kryeministri Italian Enrico Leta u shpreh se ndryshimet në këto institucione nuk mund të shihen si të ndara nga politika. Ai theksoi se është shumë i rëndësishëm emri i atij që do të drejtojë bankën qendrore europiane, pasi nga politikat e tij do të varet dhe zhvillimi në vendet e BE-së.

Leta vuri theksin dhe tek pakënaqësia në rritje tek shumë qytetarë në Europë. Sipas tij rreth 20 vjet më parë italianët dhe grekët ishin në krye të listës të atyre që ndiheshin europianë dhe e konsideronin veten të tillë. Ndërsa tani janë në fund të kësaj liste.

Europa aktualisht është në një pikë kritike përballë problemeve serioze të brendshme në një kohë ku cdo gjë është e pasigurtë. Ish kryeministri Italian u shpreh se Euroopa duhet të zgjedhë mes madhështisë dhe rëndësisë.

Njerëzit që do të zgjidhen për postet kyçe, do të vendosin dhe rrugën që BE do të ndjekë, dhe institucionet që do të drejtojnë duhet të bëjnë të qartë se qytetarët do të jenë prioritet.

Leta tha se nëse zgjidhen anëtarë të parlamentit europian që janë indiferentë ndaj interesave të përbashkta, nëse zgjidhen qeveri që nuk u intereson e ardhmaj e europës, nëse këto qeveri zgjedhin komisionerë që nuk nuk kanë vision dhe guxim për ta implementuar, atëherë i gjithë projekti do të dështojë. SIpas tij është një fat i madh për Bashkimin Europian, që Emanuel Macron është president i Francës dhe Angela Merkel e Martin Schulz arritën një marrëveshje për koalicionin qeverisës në Gjermani./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono