Vettingu

legtjislacioni.jpg
G. P.16:08 | 07/12/2018

 “Raporti i miratuar gjatë mbledhjes së përbashkët të komisionit të ligjeve dhe këshillit të legjislacionit që i përcillet seancës plenare, do i kërkojë kësaj të fundit rrëzimin e propozimit të opozitës për Vettingun në politikë”.

“Debatet nuk sollën asnjë ndryshim në qëndriumin mes palëve, nëse i tillë nuk quhet propozimi i demokratëve për miratim në parim dhe ndryshim në tekst në shqyrtimin nen per nen”.

Oerd Bylykbashi: “Ajo që thotë Komisioni i Venecias, Vettingu ka qëllim legjitim. Shqipëria ka një problem të madh. Marrëdhënia e krimit me politikën është në nivele më të larta. Pra vetë Komisioni i Venecias konstaton situatën specifike në Shqipëri me lidhjen mes krimit dhe politikës. Çdo gjë tjetër është teknikalitet dhe i zgjidhshëm. Është qëndrimi i mazhorancës, nuk e ka dashur Vettingun e politikanëve me krimin që në momentin e parë që e kemi propozuar dhe sot ende pa dalë raporti përfundimtar i Komisionit të Venecias këndoi qëndrimin zyrtar për të vazhduar të mbajë këtë raport. Propozimi ynë është shumë i thjeshtë ju bëjmë ofertë që të miratojmë tekstin nëse është i nevojshëm nen për nen që t’i hapim rrugën që një ligj garantis t për të drejtat të mos garantoj ëvazhdimësinë e krimineëve dhe politikanëve të lidhur me taKështu bëjmë çfarë thotë Venecia: të vazhdojmë dialogun konstruktiv dhe ftesa është për ju”.

Por, si ndodh shpesh herë, atë çka Venecia tha për propozimin e opozitës, palët e lexojnë ndryshe.

Ulsi Manja: “A thua se jemi mbledhur në pazar këtu dhe po të duam ne dy palët këtu fusim në Kushtetutë njëherë fjalën kontakt, njëherë fjalën kontakt të papërshtatshëm, por procesi i rregullt ligjor nuk ka rëndësi për opozitën. Rëndësi ka objektivi, qëllimi legjitim. Projektamendamendet kushtetuese të propozuara nga opozita shënojnë kufizimin e një të drejte të garantuar në Kushtetutë siç është e drejta për t’u zgjedhur dhe për t’u ofruar në shërbimin publik. Shqipëria ka kuadrin e plotë kushtetues dhe ligjor për t’ia adresuar këto probleme dhe shqetësime që ka opozita. Nisma në vetvete synon asgjesimin e nenit 1 të pikës 3 të Kushtetutës”.

Bazuar në rregullorën e Kuvendit, seanca plenare për votimin e amendamenteve kushtetuese thirret jo më parë se dy javë dhe jo më vonë se tre javë nga paraqitja e raportit, gjë që lë të mendohet se ky raport i votuar në Këshill pritet të përfshihet në rendin e ditës së seancës plenare të 20 Dhjetorit./abcnews.al

FLECKENSTEIN-INTERVISTE-ERISA-1280x720.jpg
ent ela15:30 | 02/12/2018

Në një prononcim për ABC News, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein shprehet se nuk ka dyshim që Vettingu do të vijojë dhe postet vakante do të mbushen. Sipas tij, duhet durim, pasi problemet nuk mund të zgjidhen të gjitha njëkohësisht. Për Fleckenstein, nëse BE-ja nuk hap negociatat e anëtarësimit vitin e ardhshëm, kjo nuk do të ketë vetëm pasoja negative për rajonin, por edhe humbje të kredibilitetit të institucioneve europiane.

Pika 11 e rezolutës për Shqipërinë i referohet ngërçit në sistemin e drejtësisë. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e lartë s’janë funksionale. Prokurori i përkohshëm po luan rolin e prokurorit të përgjithshëm. Çfarë garancish keni marrë nga takimet që keni pasur këto ditë me përfaqësues të qeverisë dhe opozitës, që këto institucione do ngrihen para qershorit 2019?

Knut Fleckenstein, Eurodeputet: “Nuk kam dyshim, se procesi i Vettingut do të vazhdojë dhe se postet vakante do të mbushen. E kuptoj që është një situatë e vështirë, por kjo mund të ndodhë në një fazë të tillë tranzitore. Problemet nuk mund të zgjidhen të gjitha njëkohësisht. Duhet pak durim për këtë. Nga ana tjetër është absolutisht e nevojshme, që gjykatat dhe prokuroritë të funksionojnë dhe që këto poste vakante të mbushen”.

Cili është për ju mesazhi kyç i raportit për Shqipërinë?

Knut Fleckenstein, eurodeputet: “Mesazhi kyç për Shqipërinë është: Vazhdoni kështu, por ka gjithashtu disa pika, ku ne do të donim të shihnim më shumë rezultate. Por ishte një mesazh drejtuar gjithashtu Këshillit të ministrave, që ne i mbahemi vendimit tonë dhe mbështesim Komisionin Europian për hapjen e negociatave dhe kërkojmë që ato të hapen vitin e ardhshëm. Nëse kjo nuk ndodh, nuk do ketë rrjedhoja negative vetëm për rajonin, por edhe për institucionet europiane. Nëse ato nuk janë të besueshme, atëherë harroji ato”. /abcnews.al

KRONIKE-VENDIMI-BESNIK-CANI.mpg_snapshot_00.33-1280x720.jpg
G. P.16:51 | 27/11/2018

Besnik Cani, prokurori i komanduar në Prokurorinë e Përgjithshme kaloi me sukses procesin e Vettingut. Ndryshe nga çdo herë tjetër e një vendimi pozitiv, KPK adresonte për hetim disiplinor problematika të konstatuara gjatë procesit të Vettingut për Canin.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë në detyrë prokurorin e Elbasanit, Besnik Cani. Aktualisht Cani është i komanduar në Prokurorine e Përgjithshme, ku është edhe këshilltari kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku. Ndryshe nga çdo gjyqtar apo prokuror i konfirmuar deri më tani, në vendimin përfundimtar KPK përcjell për inspektim disa prej gjetjeve të konstatuara për Canin. Komisioni i kërkon organit kompeten të verifikojë katër çështje për shkaqe që mund të përbëjnë shkelje disiplinore prej prokurorit.

Në filtrat e inspektimit duhet të kalojë kontrata mes Canit dhe një shoqërie private, e cila ka ndërtuar një karburant, një bar-kafe dhe një lavazh mbi një truall në pronësi të tij. Sipas kontratës, prokurori përfitonte 5 lekë për çdo litër karburant të shitur dhe pas 25 vitesh përfitonte gjithë investimin. Tjetër rast për inspektim sipas KPK-së është praktika e Bashkisë Fier, se si familja e prokurorit ka përfituar statusin e familjes së pastrehë, me qëllim përfitimin e një kredie të butë. Njëkohësisht KPK urdhëron kalimin në lupë të dy procedime penale të ndjekura prej Canit në vitin 2006 në Prokurorinë e Tiranës dhe në vitin 2015 në Prokurorinë e Elbasanit për të konstatuar nëse ka shkelje disiplinore.

Besnik Cani ishte i fundit prokuror i listës 33 anëtarëshe të gjyqtarëve e prokurorëve të vetuar me përparësi për shkak të kandidimit për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Në seancën dëgjimore të zhvilluar në 23 nëntor, KPK konstatoi si problematike kontratën e tij të veçantë me shoqërinë tregtare të karburantit, si edhe përfitimin e statusit të familjes së pastrehë nga Bashkia e Fierit, ndonëse nuk kishte përfituar kredi të butë./abcnews.al

SHKARKOHET-RAMADAN-TROCI-1280x720.jpg
ent ela12:44 | 15/11/2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra prokurorin e prokurorise se pergjithshme Ramadan Troci, i cili ishte kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.  Sipas KPK, prokurori  Troci nuk justifikonte pasurine me burime te ligjshme. Vendimi është marrë nga trupa që drejtohej nga Pamela Qirko, me anëtare Genta Tafa Bungon dhe Suela Zhegun. Troci ka qenë i pranishëm në seancën e dhënies së vendimit së bashku me avokatin, ashtu si në seancën e parë dëgjimore.

Sipas KPK, Prokurori Troci ka bërë një deklarim të pasaktë të pasurisë dhe e ka fshehur një banesë në Paskuqan. Sa i përket aspektit profesional, për Trocin ka patur 10 denoncime dhe janë hetuar 8 dosje.

Po ashtu KPK shkarkoi edhe gjyqtaren Alma Liçaj, kryetare e gjykatës së Apelit në Vlorë. Edhe për këtë gjyqtare, komisioni i pavarur i Kualifikimit konstatoi parregullsi në pasurinë e deklaruar. /abcnews.al

ISLAMAJ-KPA-1280x720.jpg
ent ela11:04 | 12/11/2018

Kolegji i Posaçëm i Apelimit nisi të hënën shqyrtimin e ankimit të bërë nga Komisioneri Publik kundër vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Edmond Islamaj. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë pretendoi se nuk kishte asnjë problem në pasurinë e tij, por Komisionertë thanë se duhet bërë hetim më i thelluar.

Gjashtë muaj pasi kaloi me sukses procesin e vettingut gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, doli para një pesësheje të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin e tij në detyrë u ankumua nga ana e Komisionerit Publik, institucioni që përfaqëson publikun në procesin e vettingut. Komisioneri Publik i tha Kolegjit se hetimi i bërë nga ana e KPK-së për Islamajn ishte i paplotë, i mangët dhe jo bindës për pasurinë. Sipas Komisionerit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit duhet të prishë vendimin e mëparshëm dhe të hetojë të gjitha pikat e errëta për të dalë me tej me një vendim konfirmi.

Një nga hetimet e paplota sipas Komisionerit ishte blerja e një trualli prej 1 mijë metër në bregdetin e Karpenit nga gjyqtari në vlerën e 1 mijë euro, në një kohë që vlera e shitblerjes në zonë shkonte gati në 25-fishin e vlerës së blerë nga Islamaj. Nevojë për hetim më të thelluar u kërkua edhe për disa mosdeklarime në vite të pasurive të paluajtshme të bashkëjetueses së gjyqtarit dhe blerje mbi mundësitë e saj financiare, si dhe mbi blerjen e një automjeti fuoristradë. Komisionerët Publikë thanë se në deklaratën vetting të Islamajt mungonte një vlerë prej 4.4 milionë lekë në 9 milionë lekët e pretenduara si kursime ndër vite të dy partnerëve. Sipas palës ankuese, KPK duhet të hetonte më shumë edhe për 64 udhëtimet e bëra nga Islamaj në vitet 2008-2016 dhe 56 të bashkëjetueses. “Duhet të hetohej adresa e mbërritjes, ditët qëndrimit dhe kostot përkatëse”, tha Komisioneri Balliu.

Nga ana e tij gjyqtari Islamaj tha se KPK kishte kryer një hetim të thelluar, bazuar në të gjitha të dhënat dhe provt e nevojshme. Ai kundërshtoi të gjitha pretendimet e ngritura nga ana e Komisionerit Publik, duke theksuar se të gjitha pasuritë e tij dhe personave të lidhur ishin të ligjshme. Në përfundim, për t’i dhënë kohë Komisionerëve Publikë për tu shprehur në lidhje me disa prova të paraqitura nga gjyqtari Islamaj, Kolegji shtyu seancën për të premten në orën 09:00./abcnews.al

oerd-bylykbashi.png
G. P.18:57 | 10/11/2018

Deputetët  e PD-së Oerd Bylykbashi, Ervin Salianji dhe këshilltari ligjor i PD Gazment Bardhi, zhvilluan sot një takim me pedagogë e studentë të Universitetit të Shkodrës, në një leksion të hapur për platformën e PD-së për vettigun në politikë dhe çlirimin e ekonomisë nga krimi. Deputeti Oerd Bylykbashi vuri në dukje nevojën për dekriminalizimin e zgjedhjeve përmes vettingut në politikë.

Ndërsa deputeti Gazment Bardhi u fokusua tek papërgjegjshmëria e qeverisë me paratë e buxhetit të shtetit dhe nevojën urgjente për pastrimin e ekonomisë nga oligarkia dhe korrupsioni.Ai theksoi se ky ligj është në interesin e çdo shqiptari për shkak se paratë e përfituara në mënyrë korruptive dhe klienteliste do të kthehen atje ku e kanë vendin: në buxhetin e shtetit për t’u përdorur për investime. Kurse deputeti Ervin Salianji tha para studentëve se zgjedhjet janë në dorë të krimit, sepse Edi Rama ka bërë marrëveshje me krimin./abcnews.al

vettinguu.png
G. P.10:57 | 10/10/2018

Dy ditë pas dëgjesës me të, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Apelit të Korçës, Entela Prifti.

Në seancën dëgjimore të të hënës, KPK kaloi në filtër vetëm kriterin e pasurisë se gjyqtares Prifti, ku u konstatuan një sërë problematikash. Ato ishin konstatuar edhe në raportin e ILDKPI ku flitej për pasaktësi në deklarim e mungesë burimesh, fshehje pasurie e deklarim të rremë. Edhe në hetimin e thelluar administrativ, KPK kishte konstatuar mospërputhje deklarimesh për një sërë pasurish të patundshme që gjyqtarja e bashkësorti i saj zotëronin në Korcë.

Pjesë e hetimit ishte edhe një denoncim anonim, që fliste për 4 apartamente të fshehura të gjyqtares në Tiranë, në emrin e familjarëve të saj. KPK tha se asnjë nga familjarët e gjyqtares nuk kishte burime të mjaftueshme financiare për sigurimim e ketyre pasurive. Gjyqtarja Entela Prifti ishte prej 10 vitesh në krye të Gjykatës së Apelit Korçë./abcnews.al

etilda-gjonaj.png
G. P.14:42 | 28/09/2018

Shqipëria ka nisur punën përgatitore për përshtatjen e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian. Pas takimit me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e cila ndodhet në Bruksel për procesin e “screening”, Komisioneri Evropian për zgjerimin Johannes Hahn ka deklaruar se është i kënaqur me ecurinë e Vettingut, por Shqipërisë i duhet ende shumë punë për të arritur rezultatin e duhur.

Si zakonisht, në fillim thotë lavdërimet e më pas këshillon që Shqipëria të mos humbasë kohë për të arritur rezultatin e duhur deri në verën e vitit të ardhshëm.

Johannes Hahn, komisioneri Evropian për Zgjerimin: “Nuk kam ditë fikse në mendje, por jam i kënaqur nga procesi i Vetingut, duhet bërë akoma punë, ka shumë punë për të bërë deri në verën e vitit 2019, e mbështesim shumë këtë proces, por është edhe një detyrë shumë e fortë nga ana e Shqipërisë, që duhet ta përmbushë dhe nuk duam të humbasim aspak kohë, të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm, të mos harrojmë që duhet shumë punë për t’u bërë që të arrijmë rezultatin e duhur, deri në verë të 2019.″

Shumë punë ishte kërkesa që nënvizoi disa herë komisioneri evropian për zgjerimin në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Në emër të qeverisë ministrja Gjonaj tha se Procesi screening është mjaft i rëndësishëm dhe shënon një faqe të re për mobilizimin e vendit për vijimin e reformave.

Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë: “Kapitulli 23, më i vështiri dhe që duhet më shumë kohë, në rastin e Shqipërisë do të synohet që të mbyllet në një fazë të hershme. Vettingu ka kthyer besimin e munguar, por po transformohet duke larguar një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh. Procesi po vijon me vendosmëri. Rruga e shqiptarëve dhe rajonit është familja evropiane”.

Shqipëria dhe Maqedonia zhvilluan takimin e parë shpjegues të legjislacionit të Bashkimit Evropian për kapitullin e 23-të të negociatave të anëtarësimit, që ka në themel sistemin gjyqësor. Delegacioni shqiptar i kryesuar nga ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj është njohur me aktet ligjore dhe trajtimin e luftës kundër korrupsionit dhe të drejtave themelore të njeriut./abcnews.al

komisionii.jpg
G. P.17:35 | 27/09/2018

Komisioni i ligjeve ka kërkuar hyrjën menjëherë në fuqi të shtimit të punonjësve në organet e Vettingut. Në seancën parlamentare të rradhës do të u kalojë për miratim deputetëve. Kjo sipas anëtarë të komisionit bëhet me qëllim që brenda muajit të ardhshëm të jenë miratuar të gjitha ndryshimet e kërkuara.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të kenë brenda muajit Tetor shtesën prej 24 punonjësish dhe dhe riklasifikimin e pagave të administratës së Institucionit të Komisionerëve Publikë.

Komisioni për Çështjet Ligjore që i dha votat pro në mbledhjen e së martës sqaroi nëpërmjet relatorit të çështjes Bashkim Fino se ky projektvendim do të hyjë në rendin e ditës të seancës plenare të radhës.

“Vendimi jonë që mund ta marrim të enjten tjetër duhet të jetë sa më ishpejtë që në mes të Tetorit dhe në fund të Tetori të jetë efektiv vendimi”, tha Fino.

Deputeti socialist kërkoi procedurë të përshpejtuar me arsyetimin se nuk duhet të frenohet ritmi i punës së organeve të Vettingut.

“Duhet t’i kalojmë urgjentisht në parlament dhe t’i miratojmë menjëherë. E them këtë menjëherë sepse kemi dy tablo. E para sepse për një muaj vjen projektbuxheti i 2019-s dhe natyrisht ato duhet të shikohen dhe planifikohen për këtë buxhet dhe në momentin që ne hapim dritën jeshile , këta duhet të hapin procedurat e konkurrimit që kërkon edhe ajo një afat kohor të caktuar”, u shpreh Fino.

Në strukturat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit do të shtohen dhjetë këshilltarë ekonomikë, dy përkthyes, një specialist  IT-je, një specialist prokurimi, një punëtor mirëmbajtjeje dhe një punonjës pastrimi.

Komisioni i Ligjeve miratoi edhe kërkesën e komisionerëve publikë për shtesën prej katër këshilltarësh në njësinë ligjore të institucionit, një shtesë për një specialist jurist në strukturën e administratës së institucionit dhe riklasifikim pagash për specialistët e deritanishëm të strukturës.

Aktualisht kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka një pagë reale bruto prej 395,376 lekë, ndërsa paga neto është 305.400 lekë në muaj. Paga bruto e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është 372,661 lekë në muaj, ndërsa paga neto është 288.296 lekë në muaj.

Projektvendimi i përgatitur nga Parlamenti dhe qeveria  parashikon që nëpunësit e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të përfitojë një shtesë mujore mbi pagën, me vlerë nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë të vjetra.

Ndërsa “Nëpunësit në pozicionet “sekretar i përgjithshëm”, “drejtor”, “përkthyes” “koordinator” dhe “specialist” përveç pagës mujore përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune në masën 20.000 lekë në muaj.

Nga ecuria e punës së këtyre organeve të Vettingut varet edhe ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë./abcnews.al

ruciiiiii.jpg
G. P.14:40 | 26/09/2018

Miratohet mes debateve dhe vetëm me votat e mazhorancës kalendari i punimeve të Kuvendit mbi propozimet e opozitës për ndryshimet kushtetuese që do të mundësonin Vettingun në politikë, si dhe propozimi për marrjen e një mendimi nga Komisioni i Venecias për këtë draft.

Në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të ligjeve, nën drejtimin e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, debati ishte i parashikueshëm.

Mazhoranca kërkon një opinion të Venecias, pasi prentendon se ndryshimet ndërhyjnë me ligjet e reformës në drejtësi. Për opozitën, kërkesa e këtij opinion, artificial si e quajti, por edhe vetë kalendari i punimeve ndërtuar nga mazhoranca, kanë për qëllim vetëm vonesën e procedurës, urgjente për vendin, sipas tyre.

“Deri ditën e fundit që duhet të mbarojë kjo procedurë, kam përshtypjen që kjo zgjatje nuk është gjë tjetër veç një strategji për ta shtyrë duke u fshehur pas procedurës”, tha Alibeaj.

“Ne si deputetë të shumicës e konsiderojmë si thelbësor edhe marrjen e një mendimi nga Komisioni i Venecias”, u shpreh Manja.

“Keni qenë ju një vit më parë që bërtitë me forcë që Vettingun për gjyqtarë e prokurorë ta bënit dhe për policë e gardistë. S’kishit nevojë dhe atëheërë për Komisionin e Venecias. Ndryshimi i vetëm para një viti ishte që ata që do ta mbanin mbi kurriz ishin policët, sot do duhet ta mbajmë ne”, u shpreh Alibeaj.

“Nuk e kuptoj këtë merakun e madh të opozitës për të mos e çuar këtë projekt kushtetues në Venecia, por e konsideroj një veprim me dy standarde të opozitës. Për dekriminalizimin Oerd Bylykbashi thoshte që nuk ka asnjë projekt kushtetues që të mos shkojë në Venecia”, tha Manja.

Mbledhja përcaktoi edhe relatorët Oerd Bylykbashi për opozitën dhe Vasilika Hysi për mazhorancën, si dhe ekspertët e fushës, Gazmend Bardhi nga demokratët dhe Artur Metani dhe Gledion Llanaj për socialistët./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono