veri

milot-1280x696.jpg
ent ela09:30 | 10/07/2019

Reshjet e dendura të shiut që ranë gjatë natës në veri të vendit kanë shkaktuar jo pak probleme. Një ndër to ka qenë bllokimi i plotë i nënkalimit në Fushë Mamurras në superstradën Thumanë Milot. Zgavrat e shkarkimit nuk kanë funksionuar dhe për pasojë uji ka bllokuar nënkalimin. Gjatë natës lëvizja e mjeteve ka qenë e pamundur, por edhe pasi reshjet kanë pushuar qarkullimi ka nisur me vështirësi. Ndërkohë probleme ka patur edhe në Shëngjin, Tale e Zadrimë./ABC News Albania 24/7

veri.png
Sej rie17:30 | 08/07/2019

Rikthimi i normalitetit në komunat me shumicë serbe, për autoritetet kosovare është tregues se kriza humanitare ishte një inskenim i Beogradit. Sipas autoriteteve në Prishtinë, deklaratat e presidentit Vuçiç se normaliteti i detyrohet ndihmave nga Serbia është një farsë.

Pas asaj që Serbia e quajti krizë humanitare në veri të Kosovës, e Kosova e quajti inskenim, këto katër komuna veriore i janë kthyer normalitetit. Por për këtë Presidenti i Serbisë ka një sqarim. Ai ka thënë për media serbe se Serbia e ka furnizuar veriun me mallra edhe për një muaj por nuk ka treguar mënyrën e si.

Këtë ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala e quan deklaratë politike. Nëpërmjet telefonit Shala ka thënë për TV Klan se, me këtë deklaratë Vuciq e vërteton se ajo cfarë ndodhi ditë më parë në veri ishte inskenim për krizë humanitare nga Beogradi.

Në doganën e Kosovës thonë se nuk ka pasur ndonjë ndryshim të numrit të kamionëve me mallra serbe që kanë hyrë në Kosovë. Derisa ilegalisht janë të rralla rastet kur hasin dogana në mallrat e kontrabanduara, posaqërisht pas aksionit të policisë së Kosovës ku u arrestuan disa zyrtarë policor serb e shqiptarë për kontrabandim në Veri. Kosova i ka vënë 100% taksë mallrave serbe e atyre boshnjake në nëntor të vitit të kaluar./ABC News Albania 24/7

kosove11-1280x717.jpg
Sej rie13:40 | 31/05/2019

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur aksionin e fundit të Policisë së Kosovës, ku u arrestuan dhjetëra zyrtarë të etnive të ndryshme, të cilët dyshohen për kontrabandë dhe vepra të tjera të ngjashme.

Këto deklarata i ka bërë zyrtari i Misionit të SHBA-së në OSBE, Lande D.Bahl, duke shtuar se kjo është një përpjekje e Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar sundimin e ligjit.

Në këtë reagim theksohet fakti, se një aksion i Policisë së Kosovës, nuk ishte i organizuar vetëm për pjesën veriore, por në të gjithë Kosovën.

Në fund thuhet se Prishtina dhe Beogradi, duhet të shmangin çfarëdo veprimi që do të mund të dërgonte në një eskalim të mëtejmë të situatës./ABC News Albania 24/7

protesta-veriu-i-kosoves-933x445.jpg
ent ela15:58 | 29/05/2019

Serbët në veri të Kosovës protestuan kundër arrestimeve të së martës dhe për dhunën që ata pretendojnë se u ushtrua ndaj qytetarëve nga policia e Kosovës. Përfaqësues të listës serbe u premtuan banorëve se askush nuk do ia marrë Kosovën Serbisë.

Dhjetë minuta para protestës krerët e Listës Serbe ja mësynë qendrës së veriut të Mitrovicës. Aty u mblodhën qindra qytetarë nga katër komunat veriore  për të protestuar kundër aksionit të njësiteve speciale të Policisë së Kosovës, të ndërmarrë të martën kundër një rrjeti kontrabanduesish në disa lokacione nëpër Kosovë kryesisht në komunat veriore.

Krerët e Listës serbe dhe kryetarët e komunave të veriut u premtuan qytetarëve serb të asaj pjese se nuk do të lejojnë asnjëherë që tua marrin Kosovën dhe se për të do të luftojnë nëse është e nevojshme

Sipas tyre “Kosova është zemra e Serbisë”.

Goran Rakic, Kryetar i Mitrovicës së Veriut: “Rezistencën e qytetareve të Zubin Potokut që dje janë rrahur brutalisht falënderojmë edhe ata nga Zvecani që kanë treguar unitet në qëndrimet e tyre. Dje forcat e caktuara kanë përdorur dhunë duke dashur të përulin popullin serb në emër të drejtësisë. Kjo është turp për shqiptarët dhe Bashkësinë Ndërkombëtare. Ku janë këtu liria dhe të drejtat e barabartaa. Si askujt nuk i bjen ndërmend që ta dënoj dhunën”.

Srcan Vulovic, Kryetar i Zubin Potokut: “Dje për të satën herë na kanë zgjuar sirenat që na përkujtuan bombardimet e NATO-s 20 vjet më herët. Aq shumë eshte perdorur dhunë sa nuk kam fjale për të shprehur. Dicka të tillë nuk kam parë deri tash . Kemi pasur shumë protesta por realitet të tillë nuk kemi përjetuar. Fakti se është rrahur një shurdhmemec tregon gjithçka”.

Protesta ka përfunduar e qetë ndërsa për hapat e mëtejmë që do të ndërmarrin zyrtarë të listës serbe thanë se do të njoftojnë me kohë. /ABC News Albania 24/7

 

kosove11-1280x717.jpg
Sej rie15:40 | 28/05/2019

Një aksion i policisë së Kosovës në veri të vendit për të goditur një grup kontrabandistësh ka tensionuar situatën. Si pasojë e rezistencës së armatosur të banorëve serbë dhe reagimit të policisë 10 persona kanë mbetur të plagosur.

Në rezistencë ka hasur policia e Kosovës gjatë një aksioni që ka ndërmarrë për luftimin e kontrabandës në veri të Kosovës. Banorët lokalë serb i janë kundërpërgjigjur me armë aksionit të policisë ku 10 persona mbetën të lënduar.

“Me urdhër të prokurorisë speciale aksioni ka nisur rreth orës 2 të mëngjesit fillimisht nga inspektorati policor dhe njësitë patrulluese policore derisa më vonë ka ardhur në ndihmë njësia speciale e Kosovës”.

Rashit Qalaj, drejtor i Policisë së Kosovës: Që në mëngjes me nisjen e policisë për zbatimin e urdhrit të arrestit dhe bastisjeve të lokacioneve ka hasur në pritë, në gjuajtje me armë në drejtim të policisë.

Këtij aksioni policor i ka paraprirë një hetim paraprak Inspektoratit Policor të Kosovës. Ndërsa janë arrestuar 19 punonjës policor, 11 serbë, 4 shqiptarë dhe katër boshnjakë. Atyre u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh ndërsa janë suspenduar nga puna.

Miradije Kelmendi, Inspektorati Policor i Kosovës: Në mesin të arrestuarve një prej tyre ka qenë në gradën e kapitenit, komandant stacioni, tre në gradën e rreshterit dhe efektivë policorë.

Janë arrestuar edhe disa banorë lokal si dhe një punonjës rus i UNMIK-ut i cili më pas është liruar.

Rashit Qalaj, drejtor i Policisë së Kosovës: Në një nga barrikadat ka qenë një veturë me një zyrtar të UNMIK-ut dhe një lokal. Arsyeja pse e kemi shoqëruar në polici është pjesëmarrja në barrikadë.

Krerët e institucioneve kanë thënë se aksioni në veri të vendit nuk është kundër serbëve në Kosovë, por kundër grupeve kriminale.

Hashim Thaçi, president i Kosovës: Është një ndërmarrje e institucioneve të Kosovës për rend dhe ligj.

Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës: Është një aksion kundër individëve që janë involvuar në trafiqe, kontrabandë dhe në korrupsion.

Kadri Veseli, kryetar i Parlamentit të Kosovës: Ky është një mesazh se të gjithë ata që janë të involvuar në krimin e organizuar dhe në korrupsion, shteti i Kosovës do të jetë pakompromis, pavarësisht se mbajnë petk zyrtar.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë përfunduar aksionin dhe janë tërhequr nga Zubin Potoku rreth orës 12./ABC News Albania 24/7

haradinaj-4-1280x592.jpg
ent ela15:20 | 28/05/2019

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë reagoi ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Kreu i shtetit serb ishte shprehur i gatshëm për të ndërhyrë me ushtri në veriun e Kosovës pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës atje.

Haradinaj tha se deklarata të tilla janë të padrejta dhe se aksioni i sotëm ishte kundër individëve që kanë shkelur ligjin dhe jo ndaj popullatës serbe.

Më tej, kreu i ekzekutivit u shpreh se lufta ndaj krimit është e drejtë e Kosovës dhe është e pakuptimtë që Serbia të vihet në mbrojtje të krimit: “Serbia synon të hyjë në BE prandaj duhet ta luftojë krimin dhe jo ta mbrojë”, shtoi Haradinaj.

Ndërsa për shtetasin rus të arrestuar ai tha se respekton imunitetin e përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare por nëse njëri nga ‘ta rrezikon sigurinë e vendit, Prishtina zbaton ligjin në bazë të konventave ndërkombëtare. /ABC News Albania 24/7

kosove-1-1280x704.jpg
ent ela13:10 | 28/05/2019

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka arrestuar një numër të madh të policëve serbë të dyshuar në përfshirje në krim të organizuar dhe kontrabandë.

Pas këtyre arrestimeve, serbë lokalë kanë bllokuar rrugët në veri të vendit.

Njësia Speciale e Kosovës ka ndërhyrë duke larguar me forcë kamionët që ishin vendosur për të bllokuar rrugët.

Indeksonline ka publikuar pamjet nga ky moment. /ABC News Albania 24/7

337F0E1B-E79E-4EAD-858E-2CEA007A5E34_cx0_cy10_cw0_w1023_r1_s.jpg
ent ela13:00 | 28/05/2019

Pas arrestimeve në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç i kërkoi Bashkimit Europian të ndërhyjë. Në fjalën e tij para parlamentit, Vuçiç deklaroi se kjo është një përpjekje për të inkriminuar serbët në Kosovë, të cilët janë më të zemëruar se asnjeherë.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u shpreh se në operacionin e njësë speciale ROSU, të policisë së Kosovës, 23 persona të shtetësisë boshnjake dhe serbe janë arrestuar. Pjesa më e madhe e tyre ishin anëtarë të policisë së Kosovës. Sipas Vuçiç kjo është një përpjekje për të kriminalizuar serbët në Kosovë të cilët janë më të zemëruar se asnjëherë.

Kreu i shtetit serb shtoi se në veri të Mitrovicës, njësitë special kishin hyrë me 73 automjete të blinduara, ndërsa 50 automjete të tjera ishin vendosur në jug të Mitrovicës dhe 23 të tjera patrullonin në zonat përreth.

Presidenti serb u shpreh se prej më shumë se një viti e gjysëm ka pasur shumë sulme ndaj serbëve në veri të Kosovës.

Vuçiç tha se Prishtina po përpiqet të vendosë një kufi shqiptar në Kopaonik, por Serbia do e ndalojë këtë dhe në rast se situata do të përshkallëzohet Beogradi do të mbrojë serbët dhe do të fitojë.

AI theksoi se mëngjesin e të martës si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, kishte urdhëruar ushtrinë të qëndronte në gatishmëri.

Dhe pse pranoi se lajmi nuk është i konfirmuar, Vuçiç u shpreh se një shtetas rus, Mikail Krasnoshenko, nëpunës i UMNIK ishte rrahur dhe arrestuar.

Presidenti serb pohoi se kishte kontaktuar me administratën e Brukselit mëngjesin e sotëm për shkak të situatës në veri të Kosovës, dhe përgjigja ishte se po ndodhte një operacion policor kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në fund të fjalës së tij Vuçiç ka ironizuar i nervozuar: “Imagjinoni një aksion kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që drejtohet nga Haradinaj? /ABC news Albania 24/7

KADRI-VESELI-INTERVISTE.mpg_snapshot_00.27-1280x720.jpg
Sej rie12:50 | 28/05/2019

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar në spitalin e Prishtinës katër policët që mbetën të plagosur gjatë aksionit policor në Veri të vendit. Veseli u shpreh se ata ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe u ka uruar shërim të shpejtë.

“Policët janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Njëri prej të cilëve ishte i lënduar më rëndë është jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu edhe policët e tjerë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ata janë trimat e Kosovës. Të gjithë qytetarët e Kosovës edhe unë i falënderoj, për përkushtimin dhe punën e jashtëzakonshme”./abcnews.al

veri-kosove-1280x725.jpg
ent ela11:20 | 28/05/2019

Gjatë një operacioni policor të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, deri tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, si dhe disa qytetarë. Mediat në Kosovë raportuan për katër agjentë policie të plagosur gjatë aksionit të njësisë special Rosu në orët e para të së martës, por gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.

Sipas deklaratave të para të policisë së Kosovës, operacionit policor vjen pas hetimeve disa mujore të drejtuara nga Prokuroria Speciale e Kosovës, me dyshimin për përfshirjen e disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në veprimtari kriminale ‘pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal’ dhe vepra tjera të specifikuara.

Po ashtu gjatë operacionit, Policia ka sekuestruar materiale të ndryshme në cilësinë e provës si dhe armë.

Mediat serbe i kanë bërë jehonë këtyre arrestimeve duke publikuar disa pamje në të cilat thuhet se shihet momenti i zbarkimit të policëve të Kosovës, si dhe pamje nga arrestimet.

Lidhur me këtë aksion të Policisë së Kosovës, përveçse nga Kosova, ka pasur reagime edhe nga Serbia dhe KFOR-i.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në orët e para të mëngjesit ka mbledhur të gjitha strukturat e sigurisë në Kosovë. Kreu i shtetit u shpreh se Operacioni në tërë territorin e vendit, është në kuadër të luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar.

Në zyrën e Thaçit janë parë duke hyrë drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni, Drejtori i Policisë dhe udhëheqës të institucioneve të drejtësisë.

Ndërkohë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën u zhvillua  një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se si kryeministër i vendit, konfirmon se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Kreu i ekzekutivit u bëri apel serbëve në veri që të rujanë qetësinë. Ndërsa në një postim të dytë në profilin e tij në Facebook, ai i kërkoi Beogradit që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës.

Ndër reagimet e para ka qenë edhe ai i presidentit serb, Aleksandar Vuçic, i cili sipas mediave ka urdhëruar njësitë ushtarake të jenë në gjendje gatishmërie.

Sikurse Qeveria e Kosovës, edhe KFOR ka bërë të ditur se aksioni i Policisë së Kosovës në veri nuk është i drejtuar kundër serbëve, por kundër atyre që akuzohen për korrupsion dhe krime.

Në një deklaratë për mediat, KFOR bën të ditur se vazhdon të monitorojë situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë, nëse kërkohet si përgjegjës i tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha Komunitetet, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

/ABC news Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono