venezuele

venezuela_9.jpg
G. P.10:07 | 01/05/2019

Në Venezuelë ka dështuar grushtit i shtetit, pas përplasjeve të djeshme të mbështetësve të opozitës dhe regjimit të presidentit Nicolas Maduro. Vetë Maduro iu drejtua kombit me një fjalim në orët e natës, ndërsa lideri i opozitës Huan Guiado, përmes një mesazhi u kërkoi venezuelianëve të mos ndalen në aksionin e tyre për rrëzimin e diktaturës.

Pas një dite të gjatë përplasjesh të forcave opozitare dhe shumicës së popullsisë së Venezuelës me forcat qeveritare, nuk u arrit rrëzimi i pushtetit të Nicolas Maduro. Me gjithë revoltën popullore, të mbështetur nga opozita dhe një pjesë  e ushtrisë së regjimit të Maduros, grushti i shtetit dështoi.

Kryeqyteti Karakas dje ishte arenë përplasjesh dhe kaosi. Aty pati përleshje mes mbështetësve të liderit të opozitës Guaido dhe trupave ushtarake, besnikë të Maduros, që nxorrën në rrugë autoblindat. Dy prej tyre depërtuan mes turmës së protestuesve, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Manifestuesit kanë sulmuar me gurë forcat ushtarake, por ato janë përgjigjur duke përdorur gaz lotsjellës.

Lideri i opozitës dhe presidenti i vetëshpallur në Venezuelë, Huan Guaido, i ka ftuar venezuelianët të zbresin serish në shesh për atë që ai e quan faza përfundimtare e operacionit të lirisë. Në një video të gjatë rreth 3 minuta e të shpërndarë në internet, Guaido shprehet se të gjithë e kanë ditur që në fillim se nuk do të ishte e thjeshtë ndërmarrja e këtij aksioni, por tashmë ka edhe ushtarë të gatshëm të mbrojnë Kushtetutën.

Guaido shprehet më tej se Maduro ka dashur të arratiset në Kubë dhe kishte bërë gati çdo gjë për t’ia mbathur. Por forcat ndërkombëtare e detyruan të qëndrojë në vend.

Por pas një dite tensionesh e përplasjesh deri në kufijtë e grushtit te shtetit, Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, lëshoi një mesazh gjatë natës së shkuar. Ai përgëzoi Forcat e Armatosura për mençurinë, besnikërinë, guximin me të cilin kanë udhëhequr humbjen siç e quan ai, të një grupi të vogël që pretendoi ta dhunojë vendin.

“Ishte gjithashtu një ditë konflikti në të cilën u vunë përballe dy Venezuela; një e paqes dhe dialogut dhe një tjetër e dhunës dhe e shitjes tek të huajt”, tha Maduro.

Ai falenderoi të gjithë popullin e Venezuelës për guximin dhe ndërgjegjen përballë kësaj përpjekjeje për një grusht shteti.

Dje gjatë ditës në disa reagime zyrtare nga Uashingtoni është shprehur mbështetja amerikane për lëvizjen e Huan Guaido dhe opozitës në Venezuele.

“Qeveria e SHBA mbështet plotësisht popullin e Venezuelës në përpjekjet e tyre për liri dhe demokraci. Demokracia nuk mund të mposhtet “, tha sekretari i Shtetit Mike Pompeo./ABC News Albania 24/7

RTX6OBIK-1280x869.jpg
Sej rie23:15 | 30/04/2019

Kaosi ka mbërthyer Venezuelën pas thirrjes së liderit të opozitës Huan Guaido për grusht shteti. Në kryeqytetin Karakas kanë nisur protestat dhe autoblindat e ushtrisë kanë depërtuar mes turmës së njerëzve.

Autoritetet në Venezuelë kanë deklaruar se po vënë nën kontroll një përpjekje të vogël për grusht shteti, pasi lideri i opozitës Huan Guaido njoftoi se ai dhe mbështetësit e tij ndodheshin në fazën finale të rrëzimit të presidentit Nikolas Maduro. Guaido u shfaq në një video me disa oficerë ushtarakë duke thënë se kishte mbështetjen e ushtrisë, por presidenti Maduro doli më vonë duke thënë se ka ende mbështetjen absolute të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, protestues nga secila palë janë mbledhur në zona të ndryshme të kryeqytetit Karakas. Mediat ndërkombëtare raportojnë për përleshje mes mbështetësve të zotit Guaido dhe trupave ushtarake, të cilët kanë dalë në rrugë me autoblinda. Manifestuesit kanë gjuajtur gurë ndaj forcave të armatosura, të cilat janë përgjigjur duke përdorur gaz lotësjellës. Gjithashtu, dy autoblinda kanë depërtuar mes një turme njerëzish, duke shtypur të paktën një person. Ndërkohë, nga komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetjen për liderin e opozitës Guaido, ndërsa në Europë qeveria spanjolle ka deklaruar se Venezuela ka nevojë urgjente për zgjedhje, por ka refuzuar të shprehë mbështetjen për asnjë nga palët./ABC News Albania 24/7

VENEZUELE-VIKTIMA-SANKSIONE.mpg_snapshot_00.33-1280x671.jpg
nev ila12:37 | 15/04/2019

Zyrtarët e lartë të SHBA dhe Amerikës Latine, kanë patur një takim Top-Sekret në Washington DC, ku kanë diskutuar ndërhyrjen ushtarake në Venezuelë, raporton e përditshmja Russia Today, e cila i është referuar një shkrimi investigativ të “The Grayzone”.

Sulmi ushtarak amerikan në Venezuelë u shqyrtua nga Këshilltarët e Trump dhe zyrtarët e Amerikës Latine në një takimin privat të DC. Larg nga syri i publikut, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) organizoi një takim të nivelit të lartë, jashtë axhendës, për të diskutuar mundësinë e ndërhyrjes ushtarake amerikane kundër Venezuelës. Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Washington DC, organizoi një tryezë të rrumbullakët private më 10 prill, të cilën e quajti “Vlerësimi i Përdorimit të Forcës Ushtarake në Venezuelë“, shkruhet në artikull.

Një listë e pjesëmarrësish në “takimin” e përfolur, iu ofrua “The Grayzone”, një e përditshme dedikuar gazetarisë investigative,  ku dy pjesëmarrës nga lista, sipas “The Grayzone”, konfirmuan se takimi është zhvilluar. Megjithatë, sipas të përditshmes, ata refuzuan të japin detaje të mëtejshme nga ky takim.

Në mesin e afro 40 figurave, për të diskutuar aksionet ushtarake të mundshme të SHBA kundër Caracas, ishin disa nga këshilltarët më me ndikim në politikën e Presidentit Donald Trump në Venezuelë. Ata përfshinin Departamentin e tanishëm dhe të mëparshëm të Shtetit, Këshillin Kombëtar të Inteligjencës dhe zyrtarët e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, së bashku me admiralin Kurt Tidd, i cili deri në nëntor të vitit të kaluar, ka qenë komandanti i Marinës Ushtarake Amerikane në jug të saj. Gjithashtu pjesëmarrës në këtë takim kanë qenë edhe zyrtarë të lartë nga ambasadat kolumbiane dhe braziliane, si gjenerali kolumbian Juan Pablo Amaya, si dhe përfaqësues të lartë të DC nga qeveria hije e grushtit të shtetit të Venezuelës, Juan Guaido”, raportohet në këtë shkrim.

Venezuela prej disa kohësh ndodhet në krizë politike, ku edhe pas zgjedhjeve të mbajtura kriza është thelluar edhe më tej./abcnews.al

 

190304165246-01-juan-guaido-0304-exlarge-169.jpg
G. P.14:56 | 03/04/2019

Asambleja Kushtetuese në Venezuelë i hoqi imunitetin liderit të opozitës Juan Guaido, duke i hapur kështu rrugën arrestimit të tij. Guaido akuzohet për përpjekje të marrjes së pushtetit me dhunë.

I është hequr imuniteti parlamentar liderit të opozitës, i vetëshpallur si president i Venezuelës Juan Guaido. Ai tashmë mund të gjykohet. Lajmi është konfirmuar nga qeveria e presidentit Nicolas Maduro. Guaido akuzohet për marrje të pushtetit me dhunë. Assambleja kushtetuese duke I hequr imunitetin autorizon gjykatën e lartë që ta ndjekë penalisht. Votimi për heqjen e imunitetit ishte unanim.

Teorikisht lideri i opozitës tashmë mund të arrestohet në çdo moment. Një ditë më parë, ai e konsideroi të paligjshme asamblenë kombëtare kushtetuese. Ndërsa në një intervistë për mediat vendase ai u shpreh se askush nuk mund të ndalojë protestat dhe kërkesat e popullit për ndryshimin e pushtetit. Ai theksoi se nuk mund të ketë kthim prapa./abcnews.al

TELEMMGLPICT000193097560_transpVlberWd9EgFPZtcLiMQfyf2A9a6I9YchsjMeADBa08-1280x800.jpeg
ent ela23:18 | 02/04/2019

Rusia ka ngritur një qendër ushtarake në Venezuelë, ku do të stërviten pilotët vendas për të drejtuar helikopterët luftarakë rusë të llojit “MI 35 M”. Lajmin e bëjnë të ditur mediat ruse, sipas të cilave baza në fjalë është ngritur nga kompania ruse “ROSTEC”, e cila ka gjasa të thellojë bashkëpunimin ushtarak me vendin latin. Ngritja e kësaj qendre konsiderohet shprehje e mbështetjes së Kremlinit për presidentin Nikolas Maduro, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë Rusisë largimin e personelit ushtarak nga Venezuela. Vetë presidenti Donald Trump paralajmëroi javën e kaluar Moskën se në rast refuzimi do të jetë administrata amerikane ajo që do t’i largojë, pa saktësuar se në ç’formë do të ndodhë kjo. Më herët Rusia e ka furnizuar Venezuelën edhe me avionë luftarakë, tanke dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. /abcnews.al

rr-1280x720.jpg
ent ela19:08 | 26/03/2019

Mediat e pavarura në Venezuelë raportojnë për praninë e dy avionëve ushtarakë dhe rreth 100 ushtarëve rusë në vend. Dyshimi është se dy avionët shërbejnë për t’u ngarkuar me ar dhe metale të çmuara.

Dy avionë ushtarakë rusë prej ditësh qëndrojnë në aeroportin e Karakas, ndërsa një mijë ushtarë të Moskës kanë mbërritur në Venezuelë për të mbrojtur presidentin Nikolas Maduro nga një grusht i mundshëm shteti.

Lajmi fillimisht është publikuar nga një reporter i pavarur vendas, Havier Majorka, dhe më pas është ripublikuar në media të ndryshme. Rusia kishte premtuar dërgimin e ndihmave, por këtë herë rusët i shpërndajnë vetë lajmet.

Në ambasadën ruse në vend thuhet se, nuk ka më sekrete pasi ekzistojnë kontrata të firmosura mes dy vendeve që duhen respektuar. Në fund të muajit mars, Venezuela duhet të paguajë një shumë të madhe parash për të marrë ndihmat e radhës.

Mes personave që kanë mbërritur në vend, nga Kremlini është dhe gjenerali rus Vasili Tonkoshkurov, kreu i Drejtorisë së Mobilizimit të Forcave të Armatosura të Kremlinit dhe 35 ton mjete të ndryshme.

Dyshimi është se, dy avionët shërbejnë për tu ngarkuar me ar dhe metale të çmuara, dhe nuk është rastësi që një nga dy avionët është larguar nga vendi pa u marrë vesh se çfarë transportonte.

Ndërkohë vendi po vuan një tjetër ndërprerje të energjisë elektrike në 23 rajone përfshirë dhe Karakas. Dhe njëherë më shumë ministri i komunikimit Horge Rodriguez deklaroi se, shkaku është një sulm që i është bërë digës hidroelektrike të Gurit./abcnews.al

 

 

 

elektriciteti.jpg
G. P.11:37 | 14/03/2019

Energjia elektrike në Venezuelë është në funksion në 100 për qind. Deklarata u bë nga ministri venezuelian i Komunikimit, Jorge Rodriguez, i cili konfirmoi se nëpunësit e sektorit publik mund të kthehen në vendet e tyre të punës, pas një pushimi prej pothuajse një jave, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike në pjesën më të madhe të vendit. Bllokimi i elektricitetit kishte paralizuar transportin, shërbimin mjekësor dhe furnizimin me ujë./abcnews.al

venezuele-2-1280x853.jpg
G. P.11:24 | 12/03/2019

Venezuela mbetet ende në errësirë, ndërsa shkollat dhe një pjesë e mirë e institucioneve shtetërore qëndrojnë të mbyllura. Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi është larguar nga vendi dhe pjesa e mbetur e personelit diplomatik.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të tërheqin personelin e mbetur diplomatik nga Venezuela. Lajmi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ndërkohë qeveria venezueliane ka zgjatur dhe për të martën pezullimin e mësimit dhe aktiviteteve në institucionet shtetërore, për shkak të mungesës së energjisë elektrike që të enjten e kaluar.

Ministria venezueliane e komunikacionit me anë të një deklarate për mediat bëri të ditur se vazhdojnë përpjekjet për të riparuar rrjetin dhe janë identifikuar pesë sulme kriminale kundër sistemit elektrik kombëtar.

Ministri venezuelian u shpreh se qeveria ndihej krenare dhe e prekur nga kurajo e popullit që po përballet prej ditësh me këtë sulm, duke u përpjekur të vijojë jetën normale dhe pse prej ditësh pa energji elektrike. Sipas tij, kjo është një tjetër fitore e vendit në pritje të fitores përfundimtare ndaj sulmeve të jashtme./abcnews.al

venezuele-1-1280x676.jpg
ent ela11:46 | 11/03/2019

Vijon mungesa e energjisë elektrike në Venezuelë, duke detyruar shkollat dhe institucionet të qëndrojnë të mbyllura. Lideri i opozitës Guaido ka paralajmëruar se do të kërkojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshëm.

Kriza në Venezuelë ka marrë një kthesë katastrofike. Është kjo deklarata e senatorit amerikan republican Marko Rubio, sipas të cilit të paktën 80 fëmijë kanë humbur jetën në repartin e të sapolindurve në spitalin universitar në Zulia, që nga dita e parë e ndërprerjes së energjisë elektrike. Huan Guaido kryetar i parlamentit venezuelian deklaroi se do të kërkonte shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.

Në një mesazh në profilin e tij Tuiter, senatori Rubio shkruan se po bëhen afërsisht 72 orë që nga ndërprerja e energjisë elektrike dhe perspektiva e mungesës totale të ushqimeve, tashmë është një realitet për shumë banorë. Ai theksoi se nëse ndihmat ndërkombëtare nuk do të lejohen  të hyjnë në vend atëgerë do të ketë një katastrofë të paprecedentë.

Nga ana e tij presidenti Nikolas Maduro deklaroi se autoritetet po vijojnë punën për të rregulluar sistemin elektrik kombëtar dhe se strategjia makabre për të shkaktuar një luftë civile do të dështojë.

Sipas raportimeve të CNN, mungesa e energjisë elektrike ka lënë në errësirë të plotë 16 shtete të Venezuelës, ndërsa gjashtë të tjerë furnizohen vetëm pjesërisht. Sipas Guaido, situate ka shkaktuar një dëm prej 400 milion dollarësh në sektorin privat. Ndërkohë qeveria ka vendosur të ndërpresë mësimin dhe aktivitetet e institucioneve shtetërore për të hënën e 11 marsit. /abcnews.al

/abcnews.al

maduro.jpg
G. P.10:45 | 10/03/2019

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro pretendon se ka shmangur një grusht shteti të organizuar nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, vendi latin vijon të përballet me mungesë të energjisë elektrike, për shkak të së cilës thuhet se kanë humbur jetën 13 persona.

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro ka vlerësuar forcat e armatosura që i kanë qëndruar besnike për shmangien e një grushti shteti të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe lideri i opozitës Huan Guaido. Gjatë një mitingu, Maduro fajësoi gjithashtu opozitën për ndërprerjen e energjisë elektrike, për shkak të së cilës kanë humbur jetën 13 pacientë të një spitali.

Deklarata e presidentit, që e lidhi gjithashtu ndërprerjen e energjisë me sulme kibernetike, erdhi në një ditë kur në vend po mbaheshin protesta si nga mbështetësit ashtu edhe nga kundërshtarët e tij. Maduro ka ruajtur mbështetjen e forcave të armatosura dhe Rusisë me Kinën që kur Guaido u vetëshpall president i përkohshëm i vendit më 23 Janar.

Duke folur jashtë pallatit presidencial Miraflores, Maduro e cilësoi Guaidon një “klloun dhe një marionetë” të Shteteve të Bashkuara.

Ata u bënë thirrje forcave të armatosura të kryenin një grusht ushtarak shteti dhe përgjigjia e tyre ishte e qartë; ata i mposhtën komplotuesit”, deklaroi Maduro.

Ndërkohë, në protestat kundër kreut të shtetit, disa manifestues sulmuan policinë duke klithur “vrasës” dhe disa oficerë u përgjigjën duke qëlluar spraj djegës ndaj tyre./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono