venezuele

brasil.jpg
G. P.13:46 | 19/06/2019

Brazili u vërshëllye nga tifozët pas barazimit me Venezuelën në Kupën e Amerikës. Skuadra vendase pati tre gola të anuluar nga teknologjia VAR.

Nuk ishte një ndeshje e lumtur, dhe krijoi tension e dyshime. Faktori fushë mund t’i kthehet në bumerang Brazilit, nëse nuk do të arrijë të fitojë, dhe kjo i ndodhi në përballjen teorikisht të lehtë ndaj Venezuelës në Kupën e Amerikës.

Edhe pse “Seleçao” luajti në shtëpi, nuk arriti më shumë se një barazim pa gola, ndërsa një rol të rëndësishëm luajti teknologjia VAR. Brazilianëve të trajnerit Tite iu anuluan dy gola për pozicion jashtë loje, dhe një tjetër rrjetë për faull, në një mbrëmje të vështirë në stadiumin e Bahias.

Philipe Coutinho realizoi më kot herën e parë, më pas viktimë e VAR-it u bë Gabriel Jesus, ndërsa goli i tretë i quajtur i pavlefshëm, ishte i Roberto Firminos. Dyshimet janë të mëdha nëse ekipi përfaqësues është tepër i varur nga Neymari, që nuk luan në këtë Kupë për shkak dëmtimi.

Në një vend me njerëz gjaknxehtë si Brazili edhe mediat nuk mund të bënin përjashtim.

“O Globo”: VAR-i i anulon dy gola, por Brazili mbetet me ankthet dhe oshilacionet e tij! Kombëtarja krijon raste për gola, por ende nuk bind!

“Estado de Minas” nuk i kushton shumë vëmendje kombëtares së meshkujve, pas barazimit me Venezuelën, ndërsa foton dhe titullin kryesor ia kushtoi legjendës së Brazilit të femrave, Marta, që u bë shënuesja më e mirë në historinë e Botërorëve, duke kaluar gjermanin Klose.

“O Korreiro Braziliense”: Të shqetësuar në Bahia! Me dy gola të anuluar nga VAR-i kombëtarja braziliane barazon me Venezuelën, pa bindur! Marta vë Botën nën këmbët e saj!

“Tribuna”: VAR-i anulon dy gola, dhe Brazili barazon me Venezuelën! Një futboll burokratik! Vajzat e Brazilit shkëlqejnë, dhe kombëtarja fiton me gol të Martës!

Tifozët e vërshëlluan skuadrën në “Arena Fonte Nova” të Bahias, duke qenë të pakënaqur me lojën dhe me rezultatin, ashtu siç bënë edhe në fitoren 3-0 ndaj Bolivisë në Sao Paulo.

“Nuk kam ankesa për teknologjinë, – u shpreh trajneri Tite, pas ndeshjes, – VAR-i ishte korrekt dhe skuadra duhet të tregohet më e pjekur në situata të tilla. Situata të tilla do të ketë gjithnjë. Po ashtu, nuk mund të kritikoj tifozët. Ata duan gola, ashtu siç dua edhe unë. Duhet të përmirësohemi nëse duam që tifozët të jenë me ne, dhe nëse duam që ta fitojmë këtë kupë në shtëpi”.

Brazili kryeson grupin A me 4 pikë, po aq sa Peruja që fitoi 3-1 ndaj Bolivisë./ABC News Albania 24/7

burgu-veneziele-1280x853.jpg
nev ila11:50 | 25/05/2019

30 të dënuar kanë mbetur të vrarë, si pasojë e trazirave në një burg në Venezuelë. Autoritetet dhe organizatat joqeveritare japin versione të ndryshme për arsyet e këtyre trazirave.

Janë të paktën 30 personat që kanë mbetur të vrarë si pasojë e një revolte të shpërthyer në burgun e Akarigua, në zonën perëndimore të Karakas, Venezuelë. Revolta, që shkaktoi përplasje të dhunshme mes policisë dhe të dënuarve shpërtheu nga vdekja e një të dënuari një ditë më parë, e më pas u transformua në jë përpjekje për arratisje në masë. Gjatë trazirave mbetën të plagosur 7 të dënuar të tjerë dhe 18 agjentë policie

Sipas autoriteteve vendore, të burgosurit kanë qëlluar shumë plumba dhe kanë shpërthyer tre granata kundër policisë. Por organizatat jo qeveritare në vend kanë kundërshtuar këtë version duke thënë se revolta shpërtheu pasi forcat e rendit u futën në burg duke larguar bashkëshortet dhe të fejuarat e të burgosurve që ndodheshin aty për vizitë.

Po sipas këtyre organizatave, të burgosurit prej javësh i kanë kërkuar autoriteteve që të mos i transferojnë në qendra shumë larg vendeve të tyre të origjinës.

Por është dhe një version i tretë i një organizate tjetër jo qeveritare sipas të cilës të enjten një I burgosur mori peng disa vizitorë dhe u qëllua për vdekje nga policia që ndërhyri për ti shpëtuar./ABC News 24/7

maduro-venezuele.jpg
nev ila13:50 | 18/05/2019

Bisedimet e nisura në Oslo mes delegacionit qeveritar të Venezuelës dhe atij të opozitës, sipas presidentit Maduro, kanë nisur me këmbë të mbarë. Por ai nuk ka dashur të japë detaje pasi sipas tij duhen respektuar rregullat e lojës.

Presidenti i Venezuelës Nikola Maduro, konfirmoi nga Karakasi, se kanë nisur më këmbën e mbarë bisedimet me opozitën në Norvegji, për të ndërtuar një axhendë paqeje për vendin.

Në një deklaratë të transmetuar në televizionin shtetëror, kreu i shtetit u shpreh se kjo është hera e disatë që nis ky proces, dhe se delegacioni i tij ishte kthyer në vend me lajme të mira.

I shoqëruar dhe nga zyrtarë ushtarakë Maduro u shpreh se nuk do të thoshte asnjë fjalë më shumë pasi në këtë fazë ndërshkëmbimi duhen respektuar rregullat e lojës.

Si përfaqësues të qeverisë së Venezuelës, në Oslo ishin ministri i komunikacionit Rodríguez, dhe guvernatori i shtetit të Mirandës. Nga ana e saj opozita përfaqësohej nga Huan Guaido, i vetëshpallur president i vednit dhe zv/presidenti i Asamblesë Kombëtare por dhe nga ish deputetë e ish ministra./ABC News Albania 24/7

shba-venezuele.jpg
nev ila12:00 | 16/05/2019

Nuk do të ketë më asnjë fluturim mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Venezuelës. Vendimi është marrë nga departamenti amerikan i transportit i cili e konsideron shtetin amerikano jugor si të rrezikshëm për pasagjerët dhe ekuipazhin.

Departamenti amerikan i transportit në Washington ka vendosur që të ndërpresë të gjitha fluturimet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Venezuelës. Vendimi u mor për masa sigurie. Masa i përket si fluturimeve të linjës por dhe atyre tregtare.

Në një deklaratë për mediat, departamenti amerikan për sigurinë kombëtare, u shpreh se situata në Venezuelë vë në rrezik sigurinë e pasagjerëve, avionëve dhe ekuipazheve. Bllokimi i lidhjeve hyri menjëherë në fuqi me urdhër të ministrisë amerikane të transportit.

Shumë kompani ndërkombëtare, si Amerikan Airlines, i kishin ndërprerë më parë lidhjet për arsye sigurie por dhe për çështje pagesash që qeveria e Karakas nuk i ka kryer.

Masa e marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshin dhe disa fluturime venezueliane të cilat ofronin lidhje mes Majamit dhe vendit amerikano – jugor./ABC News Albania 24/7

venezuele.jpg
G. P.23:50 | 10/05/2019

Kriza në Venezuelë vijon të përshkallëzohet. Autoritetet janë vënë në ndjekje të elementëve kryesorë të opozitës, të cilët të gjendur pa imunitet po kërkojnë strehim nëpër ambasada.

Tre anëtarë të opozitës venezueliane janë strehuar në ambasadat e huaja, pasi kanë humbur imunitetin politik. Në tërësi janë 10 ligjvënësit që iu është hequr imuniteti pasi Gjykata Supreme deklaroi se duhet të hetohen për komplot, rebelim dhe tradhti.

Opozita e udhëhequr nga Huan Guaido u përpoq të nxiste javën e kaluar një rebelim ushtarak kundër presidentit Nikolas Maduro, por nuk ia arriti qëllimit. Zëvendësi i tij, Edgar Zambrano u arrestua ditën e mërkurë dhe gjykata urdhëroi menjëherë që ai të mbahet i mbyllur në një burg ushtarak në Karakas.

Zambrano e raportoi live në Twitter arrestimin e tij nga agjentët e shërbimeve sekrete, duke thënë se autoritetet rrethuan makinën e tij dhe më pas e zhvendosën me një vinç kur ai refuzoi të dilte jashtë.

Guaido, lider i opozitës që kontrollon Asamblenë Kombëtare të Venezuelës, u vetëshpall president i përkohshëm i vendit në janar. Ndërsa statusi i tij është njohur nga më shumë se 50 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve latine, presidenti Maduro gëzon ende besnikërinë e forcave të armatosura dhe mbështetjen e vendeve si Rusia dhe Kina.

Të premten, administrata amerikane vendosi sanksione ndaj dy kompanive tregtare dhe dy anijeve çisternë të përfshira në tregti me Venezuelën./ABC News Albania 24/7

zyrtari-1280x658.jpg
Sej rie10:50 | 09/05/2019

Arrestohet në Venezuelë, zv/presidenti i Asamblesë Kombëtare Edgar Zambrano. Ky i fundit ka refuzuar të zbresë nga automjeti i tij, dhe agjentët e policisë kanë përdorur një vinç për ta shoqëruar në rajon.

Zëvendës presidenti i Asamblesë Kombëtare venezueliane, Edgar Zambrano, është sekuestruar nga policia politike me një vinç, teksa ndodhej në automjetin e tij. Është ky denoncimi në rrjetin social Twitter nga ana e liderit të opozitës, të vetëshpallur President, dhe president i Asamblesë Huan Guaido. Ai shton se me këto veprime, pushteti pretendon të godasë të vetmin institucion demokratik legjitim të votuar nga populli.

Lideri i opozitës shtoi se regjimi i Maduros po përpiqet që të shpërbëjë pushtetin që përfaqëson të gjithë venezuelianët, por nuk do ia dalë.

Denoncimi i operacionit të policisë u konfirmua dhe nga deputeti Rondero, kryetar i partisë Aksioni Demokratik. Ai theksoi se Zambrano kishte refuzuar të zbriste nga automjeti i tij në momentin që ia kërkoi policia. Për këtë arsye agjentët përdorën një vinç për ta shoqëruar së bashku me automjetin në rajon

Zambrano është një nga shtatë deputetët të cilës iu është hequr imuniteti pasi morën pjesë në përpjekjen për grusht shteti në 30 Prill./ABC News Albania 24/7

F9374F32-2A8E-4330-9C67-39C0467EAA02_cx15_cy0_cw76_w408_r1_st.jpg
Sej rie08:00 | 08/05/2019

Ushtria amerikane thotë se do të dërgojë një anije ushtarake – spital në rajonin e Venezuelës, treguesi më i fundit i përfshirjes më të madhe të SHBA në krizën që ka përfshirë vendin e Amerikës së Jugut.

Një zyrtar i Pentagonit i tha Zërit të Amerikës se anija – spital e USNS Comfort “do të dislokohet në ujërat e Amerikës Jugore javët e ardhshme”. Zyrtari tha se anija Comfort do të jetë në një “dislokim standard, që do të përfshijë kujdesin për refugjatët venezuelianë”.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë kohët e fundit se po konsiderojnë opsionin ushtarak në Venezuelë, ndërsa SHBA intensifikojnë presionin diplomatik dhe ekonomik në vendin e pasur me naftë.

SHBA kanë njohur Asamblenë Kombëtare dhe kreun e opozitës Juan Guaido si president i përkohshëm i Venezuelës dhe i kanë bërë thirrje Presidentit Nicolas Maduro të japë dorëheqjen./VOA

maduro-1-1280x615.jpg
ent ela22:15 | 02/05/2019

Për të treguar besnikërinë e forcave të armatosura, presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro ka mbajtur të enjten një marshim me trupat ushtarake. Ndërkohë, mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara vazhdojnë përplasjet, edhe pse mbetet e hapur mundësia për dialog.

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro është shfaqur në një video të re duke marshuar së bashku me mijëra ushtarë në rrugët e Karakasit. Një lëvizje kjo për të treguar edhe njëherë besnikërinë e forcave të armatosura tek regjimi i tij. Parada, e përbërë nga 4.500 ushtarë, ka marshuar nga një bazë ushtarake deri në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes. Drejtuesi i këtij dikasteri, përmes një fjalimi ka riafirmuar besnikërinë ndaj presidentit Maduro. Ndërkohë, mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara vazhdojnë përplasjet lidhur me Venezuelën. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka mohuar deklaratën e homologut amerikan Majk Pompeo se Moska e ka bindur presidentin Maduro që të mos largohej nga vendi ditën kur lideri i opozitës Huan Guaido u bëri thirrje trupave ushtarake që të ngriheshin kundër tij. Shefi i diplomacisë ruse ka nënvizuar se qëndrimet e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë nuk përputhen, edhe pse shprehu gatishmërinë për të dialoguar. “Kemi rënë dakord të qëndrojmë në kontakt në lidhje me Venezuelën, por nuk shoh asnjë mënyrë se si qëndrimet tona mund të përputhen”, ka vijuar Lavrov. Ministri i Jashtëm rus ka nënvizuar se nga njëra anë është qëndrimi rus, i bazuar në statutin e OKB-së dhe mbi parimet e së drejtës ndërkombëtare; dhe nga ana tjetër ai i Shteteve të Bashkuara që kërkojnë të emërojnë presidentin e përkohshëm të një vendi tjetër. /ABC News Albania 24/7

maduro.jpg
ent ela19:12 | 01/05/2019

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro ka shpallur fitoren ndaj grushtit të shtetit të organizuar nga opozita. Maduro ka deklaruar se rivali politik, Huan Guaido dështoi në përpjekjen e së martës dhe se ushtria mban ende anën e tij.

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro ka deklaruar se e ka mposhtur përpjekjen e liderit të opozitës Huan Guaido për një grusht shteti. Në një fjalim televiziv, Maduro tha se Guaido kishte dështuar në tentativën për të kthyer ushtrinë në anën e tij. I rrethuar nga komandantë të ushtrisë, Maduro akuzoi protestuesit për “krime të rënda”, për të cilat paralajmëroi se nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar. Presidenti i vendit latin shpërtheu sërish në akuza ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat sipas saj po vazhdojnë me komplotet kundër tij. Ai hodhi poshtë zërat e ardhur nga Amerika se ka gati një avion për t’u arratisur në Kubë, një vend që e mbështet atë. Sidoqoftë, ditën e martë një numër i konsiderueshëm efektivësh të Gardës Kombëtare dolën në krah të opozitës në përleshjet që lanë të paktën 1 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur. Huan Guaido insiston se Maduro ka humbur kontrollin e forcave të armatosura dhe ka bërë thirrje për protesta të mëtejshme. Guaido është njohur si lider i përkohshëm i Venezuelës nga më shumë se 50 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe pjesën dërrmuese të shteteve të Amerikës Latine. Uashingtoni zyrtar përsëriti të mërkurën mbështetjen për të, me sekretarin e Shtetit, Majk Pompeo që deklaroi se “ndërhyrja ushtarake është një opsion i mundur” në rast nevoje. /ABC News Albania 24/7

venezuela.jpg
G. P.17:15 | 01/05/2019

Vijon të jetë kaotike situata në Venezuelë, ku si pasojë e përplasjeve të dhunshme të së martës mbeti i vrarë një 24-vjeçar dhe u plagosën 59 persona. Ndërkohë lideri i opozitës Guaido ka bërë sërish apel për protesta duke thënë se Maduro ishte gati të arratisej nga Venezuela gjatë trazirave të së martës.

Të paktën një viktimë, një 24-vjeçar dhe 59 të plagosur është bilanci i përplasjeve të dhunshme të së martës në Venezuelë. Viktima u plagos në trazirat në qytetin e La Victoria, por kur mbërriti në spital nuk kishte më shenja jete.

Ndërkohë lideri i opozitës dhe i vetëshpallur president i Venezuelës, Huan Guaido, i bëri apel venezuelianëve që të protestojnë sërish në atë që e ka cilësuar si fazë përfundimtare të operacionit për liri. Me anë të një video 3 minuta të gjatë të publikuar në Youtube, Guaido deklaroi se e dinte që fillimi nuk do të ishte i lehtë, por tashmë është e qartë se ushtria është e gatshme të mbrojë Kushtetutën.

Guaido shtoi më tej se kishte informacione të sigurta për një arratisje të mundshme të Maduros. Ai theksoi se pushtuesi, kishte bërë çdo gjë gati për t’u arratisur nga vendi, por kishin qenë forcat e huaja që e detyruan të qëndronte. Ndërsa sot ai ka qëndruar vetëm i fshehur.

“Filluam një ditë më parë dhe sot do të rikthehemi sërish në formë këmbëngulëse në rrugë deri sa ti japim fund pushtimit”, përfundoi Guaido.

Por presidenti Maduro mbrëmjen e së martës në mesazhin e tij drejtuar popullit përgëzoi forcat e armatosura për qëndrimin e mbajtur: besnik, me vlerë, të pjekur dhe këmbëngulës. Në një mënyrë të tillë për të shtypur një grup të vogël njerëzish që synonte të rikthente dhunën në vend.

Me anë të një video ku qëndron pranë ministrave, liderit të Partisë Socialiste të Bashkuar të Venezuelës dhe zyrtarëve të lartë ushtarakë, dhe të shpërndarë në profilin e tij në Tëitter, Maduro përshkruan në mënyrën e tij ngjarjet e së martës.

Një ditë sipas tij e pasur me ngjarje, emocione dhe reflektime për të ardhmen e vendit. Gjithashtu sipas tij u bë e qartë se në vend ka dy palë, njëra që do paqen dhe dialogun e tjetra dhunën pas është shitur ndaj ambicieve të vendeve të huaja.

Ai ka falenderuar popullin, i cili sipas tij kishte dëshmuar se mbronte paqen./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono